​Shaqiri: Kosova t’i qaset më seriozisht Luginës së Preshevës

Gjilani

​Shaqiri: Kosova t’i qaset më seriozisht Luginës së Preshevës

Më: 28 shtator 2022 Në ora: 20:00
Foto nga vendngjarja

Me rastin e 40-vjetorit të LPK-së dhe 25-vjetorit të kalimit të Këshillit të Rrethit të Preshevës në formacion ushtarak të UÇK-së, sot në Gjilan është mbajtur akademi mirënjohjeje në mbështetje të Luginës së Preshevës - Kosovës së paçliruar.

Me këtë rast u kërkua një qasje shumë më serioze në mbështetje të Luginës së Preshevës, pasi sipas tyre banorët shqiptarë të Luginës janë duke e braktisur atë.

Veprimtari i çështjes kombëtare, Bajrush Xhemaili tha se ish-mbretëria jugosllave nuk u mjaftua me vetëm okupimin e territoreve shqiptare, por dëshironte edhe zhdukjen e shqiptarëve.

Ai shtoi se përballë kësaj gjendje të rëndë u ngritën figura te shquara patriotike si Hasan Prishtina, Azem e Shotë Galica, Bajram Curri, Haxhi Hoxhë Kadri Prishtinë, në mënyrë që lufta për liri të mos pushojë asnjëherë.

Xhemaili: Kosova e Lugina e Preshevës kanë shumë të përbashkëta

"Lugina e Preshevës ka qenë pjesë e pandashme e Kosovës dhe tejet e rëndësishme me të gjitha sakrificat prej më të ndryshmeve. Prandaj edhe i kemi të përbashkëta të gjitha, që nga territori kombëtar e deri të luftëra që bashkë bëmë me shekuj, e veçanërisht në luftërat e fundit të udhëhequra nga UÇK-ja dhe Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Kemi të përbashkët luftën e fqinjëve të afërm, kemi qenë qeveri të përbashkëta, por të përbashkët nuk e kemi atë për të cilën luftuam - lirinë. Derisa Kosova është bërë shtet i njohur ndërkombëtar, sot Luginës i mohet e drejta elementare kombëtare e çdo ditë më shumë shqiptarëve u vështirësohet mundësia e komunikimit me Kosovën e lirë. Por, Lugina ashtu siç e kishte të përbashkët të kaluarën duhet ta ketë të përbashkët edhe të ardhmen... Po ashtu, ardhur koha që shteti i Kosovës të njihet nga Serbia", tha ai.

Shaqir Shaqiri, njëri nga bartësit e përgjegjësive të organizimit dhe veprimtarisë në Luginë të Preshevës, i persekutuar me burg politik qysh si i mitur, paraqiti një historik të organizimit dhe veprimtarisë së vazhdueshme ndër vite në Luginë të Preshevës. Më tej ai ka shtuar se Lugina e Preshevës nuk ka asnjë ndarje gjeografike nga Kosova.

Shaqiri: Luginës së Preshevës i mungon liria

"Lugina e Preshevës nuk ka ndarje gjeografike me Kosovën. Ajo është e bashkangjitur dhe ka të përbashkëta veprimtarët politikë, luftën për çlirim, plagët e lirisë, dëshmorët e heronjtë, por të përbashkët nuk e kanë vetëm lirinë. Derisa sot Kosova është lirë, Lugina e Preshevës përballet me politika permanente nga Serbia, derisa Kosova garanton të drejtat më të mëdha që njeh historia për pakicat serbe, Serbia ua ndaloi çdo simbol kombëtar shqiptarëve, përpos edhe i kërcënon, Serbia i detyron nxënësit shqiptarë të mësojnë historinë serbe, ndërsa Kosova në emër të reciprocitetit ua vështirëson lëvizjen e lirë shqiptarëve të Luginës në drejtim të Kosovës", tha ai.

Ai po ashtu ka kërkuar zgjidhje politike dhe një qasje më serioze në mbështetje të Luginës së Preshevës.

Shaqiri: Kosova t’i qaset më seriozisht Luginës së Preshevës

"Është alarmante dhe duhet ta kuptojmë të gjithë, në veçanti Prishtina zyrtare se në Luginën e Preshevës ka 50 për qind më pak banorë rezidentë se sa në vitin 1999/2000 dhe po vazhdon me të madhe shpopullimi. Andaj Lugina e Preshevës kërkon zgjidhje politike dhe është momenti i fundit për një qasje shumë më serioze në mbështetje të saj. Lugina e Preshevës është Kosovë e pa çliruar", tha ai.

Kryetari i Këshillit Nacional për Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafi ka shprehur mirënjohje gjithë shqiptarëve që janë munduar në vazhdimësi ta kenë lirinë ideal edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Mustafi: Mungesa e lirisë në Luginën e Preshevës, reduktohet në mëshirën e shtypjes serbe

"Liria është parakusht për dinjitet, identitet, drejtësi e barazi. Mungesa e lirisë sigurisht reduktohet në mëshirën e shtypjes...Lugina e Preshevës ka qenë në hap me Kosovën e për këtë na bënë krenarë e që më tej idealin e kemi të përbashkët", tha ai.

Në këtë akademi për veprimtarinë e tyre kombëtare me mirënjohje janë nderuar Ali Aliu, Njazi Kadriu, Xhavit Nuhiu, Xhevat Ajvazi, Ibrahim Fejzullahu, Sadik Jashari dhe Jonuz Musliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat