Kjo ishte deklarata e dhimbshme 12 ditë para se të vdes e legjendës së sportit të Kosovës

Hendboll

Kjo ishte deklarata e dhimbshme 12 ditë para se të vdes e legjendës së sportit të Kosovës

Nga: Kemajl Goca Më: 22 janar 2019 Në ora: 10:19
Skënder Sahiti

Sot në orën 13.00 në fshatin Papaz të Ferizajt, i jepet lamtumira e fundit ish portierit të mirënjohur Skënder Sahitit, që dje ndërroi jetë. Legjenda e hendbollit dhe e sportit të Kosovës,  13 ditë para se të vdes dha intervistën e fundit për gazetën kombëtare “Bota sot”. Një intervistë prekëse dhe publikoi edhe sëmundjen e tij. Po e ribotojmë edhe një herë intervistën e tij.  

Ribotim: MË: 9 JANAR 2019 NË ORA: 14:16
Skënder Sahiti: Ramadani që dy herë ma shpëton jetën, kjo është sëmundja ime

Ish portieri i mirënjohur i hendbollit, Skënder Sahiti, flet për herë të parë publikisht se prej cilës sëmundje vuan tash e një kohë, ku tash e disa ditë është i shtrirë në spitalin e Ferizajt. Sahiti iu është mirënjohës të gjithëve që në këto ditët të vështira po i dalin në ndihmë, veçanërisht mjekut Fatbardh Ramadanit, sipas tij, që dy herë ia shpëton jetën, i cili iu është falënderues edhe gazetës kombëtare “Bota sot”, që vazhdimisht ka shkruar për gjendjen e tij. Sahiti i takon gjeneratës së artë të hendbollistëve në vitet e 80-ta, kur me ish Borcin garonin në Ligën e Parë federative të ish Jugosllavisë.  

“Bota sot”: Skënder, tash e disa ditë jeni në spital, ka përmirësime në shëndetin tuaj?

Skënder Sahiti: Ka përparime duke iu falënderuar stafit dhe doktorit kryesor Fatbardh Ramadanit, që dy herë ma shpëtoi jetën. Nga doktori, nga stafi udhëheqës i repartit Interno, që të gjithë kanë reaguar shpejt, duke ma shpëtuar jetën.  Ka përmirësime shumë dhe merita për këto i shkojnë Fatbardh Ramadanit.

“Bota sot”: Prej cilës sëmundje vuani?

Skënder Sahiti: Vuaj prej kanaleve të mbyllura vaskalore.

“Bota sot”: A iu ndihmon ndokush?

Skënder Sahiti: Problemi im ka filluar para dy viteve! Protagonistë kryesor për ndihmë lajmërohet Eugen Saraçini, kryetar i Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i FHK-së, të cilët kontribuojnë shumë për gjendjen time shëndetësore. Duke marr parasysh bashkëshortja e Eugenit, Harijeta Saraçini, profesoreshë për enat vaskulore, e ka marrë krejt përgjegjësinë dhe me përcjellë në çdo hap. Vijnë në skenë entuziastët e hendbollit, prof.  Ismet Jupa, ish trajneri im Beqir Buçinca, ish kryetari i Borcit të madh (tani Kastrioti) Ahmet Hysenaj - Petrova, më ndihmojnë, bile Petrova i merr të gjitha shpenzimet për mbi vete për shërimin tim.

“Bota sot”: A iu ndihmojnë institucionet?

Skënder Sahiti: Jam në kontakt të vazhdueshëm me mjekët, të cilët e kryejnë punën e vet. Por Ahmet Petrova, Buçinca e Jupa, e sensibilizojnë situatën apo çështjen time në aspektin pozitiv, në një mënyrë opinioni zgjohet nga gjumi dhe tash lajmërohen njerëz të cilët as që i kam pritur që do të më ndihmojnë. Pastaj vjen edhe një tjetër, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu dhe Lulzim Abazi, kryetar i KH Kastriotit, këta janë të gjithë personat që interesohen vazhdimisht për mu, jam krenarë që kam bashkëpunuar me këtë degë sportive përkatësisht hendbollit.

“Bota sot”: A do të vazhdojë trajtimi në Ferizaj apo gjetiu?

Skënder Sahiti: Trajtimin do të vazhdoj në Ferizaj, nën përkujdesjen e Fatbardh Ramadanit, ndryshe është edhe mjek personal i imi.  Duhet ta theksoj një gjë, ka aq interesim nga ana e italianëve, që kam punuar shumë atje, ku kërkojnë rikthimin tim në Itali, që të punoj me hendboll. Nuk jam ai i vjetri dhe dua të jem korrekt, nuk mund të bëjë punë si përpara për shkaqe shëndetësore. Kontribut të veçantë ka edhe gazeta “Bota sot” e cila vazhdimisht raporton për hendbollin dhe e falënderoj nga zemra “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat