Shqiptarja e Suedisë fiton të drejtën të luaj me Kosovën

Hendboll

Shqiptarja e Suedisë fiton të drejtën të luaj me Kosovën

Më: 11 korrik 2019 Në ora: 17:46
Shqiptarja e Suedisë fiton të drejtën të luaj me Kosovën

Hendbollistja Albana Arifi e fiton zyrtarisht të drejtën që të luajë për Kombëtaren e Kosovës në hendboll. Arifi tri vite më parë ka luajtur për Suedinë në Kampionatin Botëror U20, ndërsa për të ndërruar ekipin kombëtar në hendboll duhet të kalojë periudhë trevjeçare.

Ylli i hendbollit shprehet e entuziazmuar që më në fund po e fiton të drejtën e paraqitjes në ndeshje zyrtare me Kosovën. Albana në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës kishte marrë vendimin që të luajë për Kosovën.

Me kombëtaren tonë është paraqitur në një miqësore në Luksemburg, ku shkëlqeu duke shënuar 14 gola. Po ashtu ka stërvitur me vajzat tjera të Kosovës, por deri më tani nuk e kishte të drejtën e ndeshjeve zyrtare me kombëtaren tonë.  

“Po ndjehem shumë mirë që kjo periudhë e gjatë e pritjes po përfundon. Kanë qenë muaj shumë të gjatë dhe mezi po pres që të fillojë të luajë me Kosovën. Sukseset që kam pasur me Suedinë janë të rëndësishme, por për mua shumë herë më e rëndësishme është që do të jam në gjendje të jap kontributin tim në atë që po e ndërtojmë në Kosovë. Ka vlerë shumë të madhe për mua kjo dhe po ndjehem shumë mirë për këtë”, ka thënë Arifi. 22-vjeçarja është në hendboll afro 16 vite dhe përvojën e fituar tani do ta vë në shërbim të Kosovës.

“Vetëm pesë ditë kam pushuar pas përfundimit të kampionatit në Suedi. Po ndjehem shumë mirë që po e fitoj të drejtën që të luajë për ekipin e vendit tim dhe dua që në ndeshjet e para zyrtare të jam maksimalisht e përgatitur. Aktualisht jam për pushime në Kosovë dhe po e shfrytëzoj kohën për të stërvitur nga dy herë në ditë. Një herë po stërvitem në sallën e fitnesit e një herë vrapoj në natyrë”, ka treguar majtakja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat