Dikur krenari e Kosovës, sot as në tokë as në qiell! - Bota Sot
Dikur krenari e Kosovës, sot as në tokë as në qiell!

Hendboll

Dikur krenari e Kosovës, sot as në tokë as në qiell!

Nga: Kemajl Goca Më: 16 tetor 2019 Në ora: 18:00
Oamje nga një ndeshje

Debate
Kampionati i ri i Kosovës në hendboll (meshkujt) filloi me një mijë e një probleme dhe shumë të rënda. Dy herë u shty kampionati sepse disa klube ishin në krizë të rëndë, ku diskutohej edhe dorëheqja nga garat, siç ishte Drita nga Gjilani, Trepça nga Mitrovica, me probleme të mëdha edhe Drenica nga Drenasi.  

Trepça ishte pajtuar që të zbres një rang më poshtë por në momentet e fundit ngrohu dielli për ta me ardhjen e kryetarit të ri Bujar Istrefit. Megjithatë shpëtuan nga më e keqja, së bashku me Dritën e Drenicën janë pjesë e Superligës.

Kur duket se Federata e Hendbollit e Kosovës është në rehati dhe i shmangu ato telashe, del një problem i ri dhe goxha i madh.  Klubi me traditë të madhe Kastrioti nga Ferizaj është në krizën më të rëndë dhe askush nuk e di se si do të rrjedhin gjërat në vazhdim.  Ky klub dikur ishte krenari e Kosovës, ndërsa sot është as në tokë dhe as në qiell. Kushtet janë shumë të këqija, lojtarët kërkojnë pagat sepse ndryshe nuk e kanë ndërmend të luajnë. “Ndeshja do të zhvillohet ndoshta me juniorë edhe nëse ndërron mendje ndonjë lojtar t’ju ndihmojë”, tha një burim brenda klubit ferizajas. As laiku më i madh nuk do ta kishte besuar se ky klub do të bie në një situatë të tillë dhe të bëhet për të vajtuar i madh dhe i vogël. Se klubi është pa trajner, pa kryetar, më nuk është lajm.

Por lajmi është se klubi nëse nuk gjen ndonjë njeri që mund t’ju ndihmojë financiarisht edhe mund të shuhet! Nëse jo të shuhet,  edhe të përjashtohet nga garat e elitës së hendbollit, sepse edhe Komisioni i Garave të Federatës së Hendbollit të Kosovës, do t’i humb nervat. Durimi sigurisht do të soset, por a do të ishte një flakaresh i madh për gjithë komunitetin e hendbollit nëse klubi me traditë do të përjashtohet apo do të shuhet, sigurisht se po. Sepse Ferizaj është tempulli i hendbollit, por ka rënë në krizën më të rëndë.

Klubi i Kastriotit nëse asgjë nuk ka bërë gjatë ditëve që e lamë pas, bëri mirë që luajti ndeshjet në rrafshin ndërkombëtare, sepse po të mos udhëtonte, do të sanksionohej me pesë vite ndëshkim mos pjesëmarrje në garat evropiane dhe në anën tjetër Federata e Hendbollit e Kosovës do të bëhej vetë e 100-ta, sepse do të duhej të paguaj dënimin që do të vinte nga Federata e Hendbollit Evropian. Prandaj, Kastrioti që pritej të jetë shumë i fortë, me kushte të mira, mjerisht ka rënë përtoke dhe është shqetësuese për të gjithë.  

Komuna e Ferizajt, sigurisht se nuk do të çanë edhe fortë kokën, se merret vesh se iu ka ndihmuar me të gjitha kapacitetet! Por kujt duhet kërkuar llogari, më së miri le ta gjejnë fajtorin brenda klubit por që besa edhe drejtoria për sport që është pranë komunës, ta kërkojnë se si erdhi në këtë gjendje të mjerueshme klubi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat