A është ‘vetëvrasje’ për Kastriotin dhe Prishtinën heqja dorë...?

Hendboll

A është ‘vetëvrasje’ për Kastriotin dhe Prishtinën heqja dorë...?

Nga: Kemajl Goca Më: 6 korrik 2017 Në ora: 14:26
Pamje nga një ndeshje

Kur skuadrat me renome nuk marrin pjesë në garat evropiane në hendboll, pa dyshim se është e pakuptimtë dhe për dhimbje koke! Kastrioti i Ferizajt në konkurrencën e femrave dhe në atë të meshkujve, si dhe Prishtina (meshkuj), nuk do të marrin pjesë në garat evropiane. Skuadra me renome, por mbeten jashtë garave evropiane për një arsye! Nuk kanë mjete financiare, kjo është sado kudo e dhimbshme, neveritëse por edhe një “vetëvrasje”  sportive. Ndoshta ndonjëra nga këto klubet do të reagojë dhe sqarojë: Nuk shkojmë sa për sy e faqe, sepse kur të garosh, duhet ta kesh ekipin bombë! Por shkurt e shqip, i bëmë 12 vjet që garojmë në rrafshin ndërkombëtar, e nuk po mundem të bëjmë as ekipe cilësore dhe as lekë! 

Ky është një realitet dhe një mërzi edhe për të gjithë ne sa poshtë ka ra hendbolli, sa në derbi nuk e shikojnë më shumë se 200 veta! Klube që u dashtë të jenë akademi e hendbollit, të prodhojnë lojtarë e lojtare e të kanë mjete financiare më shumë se çdo klub tjetër, nuk na shkojnë në Evropë! Kastrioti me renome zhgënjen tifozët, sikurse edhe Prishtina. Mjaft jetuam me krenarinë e viteve të 80-ta, ajo krenari qoftë e të kaluarës, por ku jemi sot? Prishtina kryeqytet, Kastrioti që vjen nga një qytet me fuqi financiare i dyti në Kosovë, heqin dorë nga garat evropiane! Mos të krenohemi më me Hasan Bajramin, Aziz Makiqin, Bujar e Besim Qerimin, Afrim Rexhepin, Sefedin Reçicën, Skënder Sahitin, Muhamed Kilajn, Mihrije Bashollin, Sebahate Nezirin, Luljeta Bajçinovcin,  Luljeta Gjokiqin, Zijavere Salihu,  Valbona Zeçën, etj. se ata sot i kanë më shumë se 50 vjet, nuk janë më 20 vjet, as nuk mund të kthehen e të paraqiten në fushë, se janë veterane! 

Por ju që udhëhiqni me klube, mendoni se si të krijoni lojtarë të nivelit të lartpërmendur dhe jo vazhdimisht të thoni: A e dini se kush ka qenë Kastrioti!  Por kush jeni tash e sa poshtë iu ka ra katundi! Hiqni dorë nga garat evropiane, në vend që të jeni një shembull e fuqi për klubet e rajonit! A duhet klubet një herë e përgjithmonë ta zgjidhni çështjen e vetëfinancimit? Gjithsesi se po, sepse nuk duhen të jenë të varura as nga Komunat as nga askush tjetër, pro të gjejnë një sponsor që thonë në gjuhën e popullit:  që  ka xhepin plot, dhe jo ta kruan xhepin apo i dalin apo jo lekët për me udhëtuar Kaçanik-Pejë. “Në garat evropiane do të marrin  pjesë Besa Famniglia nga Peja, në EHF Cup, Trepça nga Mitrovica në Challenge Cup për meshkujt, kurse Prishtina garon në EHF Cup, Shqiponja e Gjakovës dhe Istogu në Challenge Cup për femra!”, bëhet e ditur nga Federata e Hendbollit e Kosovës. Në vend të shkojmë me tetë klube, do të garojmë me pesë sosh.  Ky është realiteti! Boll më me krenari të viteve të 80-ta, boll qëndruam nën hije të dardhës e duke u lavdëruar, e punët i kemi askund! Ndërsa Federata e Hendbollit e Kosovës duhet natë e ditë të vajton e të mërziten me këtë gjendje që i ka kapluar klubet!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat