E futën në një thes me një mace dhe e mbytën: Vdekja e tmerrshme e mësueses shqiptare nga komunistët

Historia

E futën në një thes me një mace dhe e mbytën: Vdekja e tmerrshme e mësueses shqiptare nga komunistët

Më: 3 tetor 2020 Në ora: 11:57
Marie Tuçi

Marie Tuçi ka qenë kundërshtare e regjimit komunist në mbrojtje për lirinë e fesë, arsye për të cilën u arrestua, torturua dhe ndërroi jetë nga kjo.

Ajo ishte nxënëse e shkollës së mesme të motrave Stigmatine në Shkodër dhe më pas u bë mësuese në internatin e Oroshit.

I del kundër regjimit komunist ne mbrojte të së drejtës së saj për të besuar lirisht. Marie Tuçi u arrestua pas reprezaljeve që u bënë në Mirditë nga qeveria komuniste, pas vrasjes së sekretarit të Partisë Komuniste në Mirditë së Bardhok Bibës .

Ajo u torturua duke u mbyllur në një thes, lakuriq, bashkë me një mace të egër dhe duke u goditur në menyre të vazhdueshme. Vdes në spitalin e Shkodres më 20 shtator të vitit 1950.

Ajo është e vetmja grua që renditet mes 40 martirëve të parë të kishës katolike shqiptare.

U bë e njohur përmes poezisë së Meti Fidanit ‘Po vdes nanë, sot po vdes’.

Po vdes nanë, sot po vdes

Nan’ e dashtun, sot po vdes
më kan futur, në një thes
lakuriq, tok me një mace
më kan mbyll, në thes linace

N’burg të Shkodrës, po m’del shpirti
po ma merr nan’, shef Seiti
jashtë thesit, shqip po flasin
më shqelmojn’ e më godasin
ligësia, nuk ka ngjyrë
shqelm në bark, shqelm në fytyrë!

Po vdes nanë, sot po vdes
një lëmsh gjaku, brenda n’thes
nuk ka vend imagjinata
kriminel, shpirtzinj si nata
më kan ça, bark e zorrë
hajde nan, e ver’ një dorë!

Mbaju nan’, mbaju burrneshë
më sill teshat, e m’vish murgeshë
mos qaj nan, jam bij Mirdite
s’na kan mposht, tash ndër vite
as dhe shkau, as dhe turku
as Enveri, as dhe burgu
as bollshik, e as titista
as hetues, as komunista!

Po vdes nanë, moj un’ e zeza
shko më sill, një palë ndresa
njëzet e dy, sapo kam mbush
nuk du’ nan’, me m’qa kurkush
as n’ Orosh, e as Ndërfush
as në bjeshkë, atje thellë
as në Fan, e as në Kthellë
as n’Kurbnesh, e as n’ Selitë
as kurkund, nëpër Mirditë

Zoti nan, ka pat’ mëshirë
më ka dërgu, të vdes e lirë
më sill ndresat, po të pres
po vdes nanë, sot po vdes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat