Heroina që u kthye pas 20 vitesh nga fronti, kërkon drejtësi për 20 mijë viktimat e dhunës seksuale

Intervista

Heroina që u kthye pas 20 vitesh nga fronti, kërkon drejtësi për 20 mijë viktimat e dhunës seksuale

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 31 dhjetor 2018 Në ora: 10:22
Vasfije Krasniqi Goodman

Në një intervistë ekskluzive për gazetën kombëtare “Bota sot”, Vasfije Krasniqi Goodman, ka treguar për përjetimet e saj, si një prej 20 mijë viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Vasfija është ndër gratë e para që theu “tabunë” duke treguar publikisht tmerrin që i kishte ndodhur 20 vjet më parë. Me daljen e saj publike, Vasfija u bë zëri i mijëra viktimave të dhunës seksuale, të cilën kriminelët serbë e përdorën si armë kundrejt njerëzve të pafajshëm. Vasfija në këtë intervistë ka thënë se nuk do të pushojë kurrë së kërkuari drejtësi për viktimat e dhunës seksuale.

“Bota sot: Zonja Krasniqi Goodman, e përmbyllët vitin 2018 me çmimin për Guxim qytetarë, a mund të na thonë se çfarë do të thotë ky çmim për ju?

Vasfije Krasniqi Goodman: Fillimisht, nëse mund të them kështu, që në emër të të gjitha viktimave të luftës së dhunës seksuale i falënderojë për çmimet dhe dekoratat, mirëpo shumë më shumë do t'i falënderoj të gjithë ata që përmes formave të ndryshme më japin mbështetje dhe kurajo për veprimin që kam bërë. Mirëpo gjithashtu ndjehem e obliguar që të jem zëri i tyre i fuqishëm kudo nëpër botë, sigurisht aty ku mund të jem prezenete.

“Bota sot: Deri në deklarimin tuaj publik muaj më parë, çështja e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, konsiderohej si tabu, a mund të na thoni se ku e gjetët “guximin”, për t`u deklaruar publikisht rreth rastit tuaj që është në mesin e rreth njëzet mijë rasteve të tjera?

Vasfije Krasniqi Goodman: Sa i përket deklarimit tim në publik më duhet të them se ishte një vendim jo i lehtë për tu marrë, e pastaj edhe dalja në publik ishte një sfidë e rëndë për mua, sepse e dija peshën  që e kam mbi supe dhe sa  e rëndë ishte ajo. Mirëpo, falë familjes sime që unë e kisha mbështetjen e pa rezervë, gjithçka ishte e lehtë për mua. Mirëpo, për këtë falënderoj edhe prindërit e mi të ndjerë, pastaj familjen e gjerë, si dhe burrin dhe vajzat e mia. Mirëpo, ju lutem imagjinojeni kur e dini që janë 20 mijë viktima që presin atë se çka do të thuash, për to kjo është dhembje në vete.

“Bota sot: A mund të na përshkruani momentet pas intervistës, pamë se morët mbështetje të madhe, çfarë do të thotë për ju kjo?

Vasfije Krasniqi Goodman: Po ishte  një ndjenjë sikur je kthyer nga një front ku ti ke luftuar për 20 vite e vetme, vetën familjen tënde, e pastaj  kthehesh në shoqërinë e cila fillon të të çmojë, të mbështesin, të japin kurajo, ku tashmë keni mundësi t'i shihni reagimet e shumta që janë, dhe se tërë këto më obligojnë që tashmë të jem pranë viktimave të dhunës seksuale.

“Bota sot: Mendoni se arritët të bëheni zëri i njëzet mijë grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovës?

Vasfije Krasniqi Goodman: Pas asaj dite unë kam marrë me mijëra e mijëra mesazhe edhe nga të dhunuarat, të cilat më kanë përgëzuar për veprimin që e kam marrë dhe se nga mesazhet e tyre, tashmë unë e kam ndier që ato presin shumë nga unë dhe se do të mundohem t'i përfaqësojë sa më shumë  që mundem, DHE SE DO TË JEM ZERI I TYRE.

 “Bota sot: Çfarë po bëhet sa i përket ndëshkimit të personave që kryen këto krime të tmerrshme në Kosovë?

Vasfije Krasniqi Goodman: Për sa i përket rastit tim mund të them se unë jam e zhgënjyer tërësisht. Ajo që ka ndodhur me gjykimin në rastin time, nuk është dashur të jetë një verdikt i tillë. Mirëpo kështu ka funksionuar drejtësia nga UNMIK dhe EULEX.

“Bota sot: Shpresoni se do të arrihet drejtësia në ditë, pasi pamë se dy kriminelët në rastin tuaj, u gjykuan, u dënuan dhe më pas u liruan?

Vasfije Krasniqi Goodman: Sigurisht që unë do të bëj përpjekje që ata që më përdhunuan mua dhe ma bënë jetën ferr të dënohen për krimin  që ma kanë bërë mua. Kam dëgjuar përmes mjeteve të informimit që rasti është hapur dhe pres që ata të dënohen.

“Bota sot: A keni bërë ndonjë përpjekje për rigjykimin e rastit tuaj?

Vasfije Krasniqi Goodman: Sigurisht që tashmë ne do të angazhohemi dhe të kërkojmë drejtësi në instanca ndërkombëtare, për shkak se përdhunimi është krim lufte dhe duhet të ndëshkohet si i tillë edhe nga drejtësia ndërkombëtare , dhe se ne nuk do të ndalemi deri sa të arrijmë drejtësi për viktimat e dhunës seksuale.

“Bota sot: Zonja Krasniqi Goodman, a duhet të ketë drejtësi ndërkombëtare për këto krime, pasi ka pasur pak rezultate në drejtësinë vendore?

Vasfije Krasniqi Goodman: Meqë e pata fatin e keq, që të jem njëra nga të përdhunuarat dhe kemi parë se përdhunimi ka qenë arma e fortë  e Serbisë që ka përdorë kundër popullatës së pambrojtur, dhe atë me të vetmin qëllim që të arrijë qëllimet e veta politike. Andaj kjo DUHET  të jetë temë patjetër, dhe se nëse Serbia e ka përdorur këtë armë ndaj nesh, ku trupi ynë u bë arenë beteje, atëherë kjo do të jetë një armë vërtetë e fuqishme e institucioneve tona.

“Bota sot: Sa ka bërë shteti i Kosovës në raport me gratë e dhunuara gjatë luftës, mendoni se janë të mjaftueshme ato që janë bërë deri më tash?

Vasfije Krasniqi Goodman: Sa i përket shtetit se sa ka bërë për  këtë kategori, më duhet të ju them, se tashmë unë jam anëtare e Rrjetit Global të Grave të dhunuara të udhëhequr nga Dr:Denis Mukëege, dhe kam marrë pjesë në disa vende të ndryshme në botë. Nga  këto takime del se Shteti i Kosovës ka miratuar një ligj i cili ua njeh dhimbjen, vuajtjet kësaj kategorie duke ua kaluar një pagë mujore. Ndoshta nuk janë shumë, mirëpo e zbusin sadopak gjendjen e rënduar në familjet e tyre. Mirëpo, se sa do të gjej zbatim ky ligj dhe sa do të vazhdojnë të mbështeten mbetet të shihet. Këtu më duhet të shtoj edhe diçka për sa i përket organizmave që veprojnë në Kosovë. Në Kosovë janë një numër i shoqatave që merren me trajtimin e viktimave të luftës. Duke i falënderuar gjithë ato Zonja që me punën e tyre titanike kanë arritur që të ju dalin në ndihmë gjithë atyre. Për këtë falënderoj Presidenten Atifete Jahjaga, Feride Rushitin, Mirlinda Sada, Kadire Tahiraj e shumë të tjera të cilat i kisha lutur të mos ju mbetet hatri që nuk i kam përmendur. Gjithashtu i falënderoj të gjitha gratë Aktiviste që kanë dhënë kontribut për të ngritur cështjen e viktimave të dhunës seksuale.

“Bota sot: Tani keni ndërtuar jetën tuaj në SHBA, a mund të na tregoni se me çfarë merreni atje?

Vasfije Krasniqi Goodman: Po unë jetoj në SHBA, konkretisht në Teksas, jam Nana e dy vajzave. Gjithashtu mundohem të jem një Nanë dhe edukatore e mirë, duke u përpjekur që krimi që më ka ndodhur mua të mos ndikoj në jetën e tyre. Gjithashtu kam një bashkëshort që më përkrahë, më ndihmon në çdo aspekt për çka i falënderohem thellësisht nga zemra. Punoj si konsulentë në një kompani sigurimesh.

“Bota sot: Kur do ta vizitoni përsëri Kosovën?

Vasfije Krasniqi Goodman:  Sa për ta vizituar Kosovën, do të doja të jem sa më shpesh në Kosovë. Sidomos në këtë kohë të jem pranë të gjithë juve. Mirëpo,  unë ditën kur të jem në Kosove sigurisht se do ta bëj publike.

“Bota sot: Cila do të ishte porosia juaj për gratë që kanë përjetuar të njëjtën gjë si ju dhe që nuk kanë guxim të flasin për shkak të stigmatizimit nga shoqëria?

Vasfije Krasniqi Goodman: Epo kjo është ajo që unë sot do ta doja të shihja me s shumti, që edhe dikush nga të gjitha ato motra të më bashkëngjitet mua që të mos jem e vetmja. Duke i kuptuar në çdo rrethanë që janë dhe mund të jenë, do të ishe mirë që numri i tyre të jetë sa më i madh. Por, edhe nëse nuk dalin publikisht të flasin të paktën ato duhet që në familje të shprehen lirshëm, të marrin mbështetjen e familjarëve, të aplikojnë në komision apo shoqata për të marrë atë lloj page. E pastaj që të deponojnë dëshmi në prokurori dhe të kërkojnë drejtësi. Mirëpo, këtu duhet të kthehem pak te ligji që e përmenda më herët dhe se do të kisha dashur që ky ligj të jetë më i kompletuar dhe më përfshirës në lidhje me nevojat që i kanë këto kategori. E sa i përket stigmatizimit nga shoqëria e jonë unë do t`ua kisha thënë se neve jemi Nanat, Motrat, Vajzat, Grat e tyre që një një situatë patëm shumë nevojë për të na mbrojtur e nuk ishit aty, e të paktën sot mos na vrisni por na mbështetni, sepse neve nuk kemi krenari që ti ekspozojmë plagët e Lirisë, por që me ndihmën  e shoqërisë në përgjithësi neve do të arrijmë të shërohemi sadopak.   Dhe krejt në fund, duke ju Uruar Vitin e ri të gjithëve ju falënderojë për mbështetjen që ma keni dhënë mua dhe familjes sime qoftë në Kosovë apo edhe këtu në Teksas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat