Nuk do të ketë ndarje, shkëmbimi i mundshëm në rast se Serbia njeh Kosovën

Intervista

Nuk do të ketë ndarje, shkëmbimi i mundshëm në rast se Serbia njeh Kosovën

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 13 shkurt 2019 Në ora: 07:57
Analist i Grupit Ballkanik për Politikat e Zhvillimit, Naim Rashiti

Analisti i Grupit Ballkanik për Politikat e Zhvillimit, Naim Rashiti, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, konsideron se taksa 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre të BeH, ka arritur qëllimin e saj, andaj edhe kryeministri shumë shpejtë duhet të marrë masa që ta suspendoj atë, për t`i dhënë hapësirë dialogut. Sipas tij, fuqia e mundësisë së kthimit prapa të asaj takse do ta forconte më shumë Kosovën në raport me partnerët tanë. Rashiti, ka folur gjithashtu edhe rreth dialogut me Serbinë dhe idesë për “korrigjimin e kufijve”, ku sipas tij në këtë ide o flitet për shkëmbim, ose nuk flitet fare për ndarje.

“Bota Sot”: Jemi në një situatë, ku po ka lëvizje të rëndësishme, jo vetëm në politikën vendore, pra në Kosovë, por në të gjithë Ballkanin. Si i vlerësoni të gjitha këto zhvillime?

Naim Rashiti: Zhvillimet në Kosovë, kryesisht kanë të bëjnë me dy aspekte, e para është ajo e procesit të konsolidimit të brendshëm të shtetit, të cilin politika në Kosovë po e sheh si shumë vështirë të bëshme, e që ka shumë dallime e koncepte të ndryshe, për shkak edhe të një historiku të viteve të kaluara, ka mos-besim mes skenës politike dhe sistemin politik. Pastaj kjo po reflekton edhe ndaj qasjes së qeverisjes, shtet-ndërtimit si dhe temave të tjera të mëdha.

Problem i dytë mund të konsiderohet dialogu me Serbinë, e ardhmja e Kosovës, procesi i integrimit, politika e jashtme, këto dhe tema të tjera të ngjashme të cilat janë shumë të rënda, komplekse dhe të cilat politika jonë nuk po gjen fuqi të mjaftueshme me u ballafaqu me to. Këto njëra-tjetrën po e afektojnë shumë dhe kanë krijuar një hendek të rrezikshëm për procesin e shtetndërtimit të Kosovës. Problemi i tretë ka të bëjë me rajonin. Janë bërë 20 vite pas luftës çështjet e mëdha të konfliktit nuk janë zgjidhur, sidomos kjo Kosovë-Serbi edhe pse patëm një shembull brilant mes Greqisë dhe Maqedonisë dhe nuk po shohim jehonë të mjaftueshme për të qenë shtytës për të ndiku në procese tjetër. Problemi i katërt në këtë rrafsh nëse shohim nga lartësia, e kemi një BE e cila është e plogësht në aspektin e inkorporomit të Ballkanit perëndimorë brenda vetes, fuqia absorbuese e saj sikur është dobësuar për shkak edhe të qëllimeve apo lëvizjeve globaliste edhe brenda sajë dhe si problemeve SHBA-BE, apo dallimeve mes tyre për sa i përket Ballkanit.

Kjo është një situatë e re, Kosova në këtë situatë ende nuk po din se si të sillet, pra në raport me qëndrimet e ndryshme të faktorit ndërkombëtarë, mes SHBA në njërën anë dhe disa akterëve tjerë në anën tjetër, si dhe mes BE-se dhe institucioneve tjera brenda sajë, të cilat nuk po mund ta unifikojnë zërin e BE-së, kjo pasi që me rastin e Kosovës janë marrë më shumë vendet anëtare kyçe të BE-së, e më pak BE si e tillë.

Në këtë situatë kemi edhe një element i cili nuk ka qenë deri në 2008 e ai është ndryshimi i kontekstit global, një ndryshim ekstremisht i shpejt, jo në favor të Kosovës. E para që për dallim nga viti 2008, Rusia ka një ndikim shumë të madh në Ballkan në veçanti në Serbi dhe Bosnje. E dyta në kontekstin global, miqtë e Kosovës janë më pak ndikues se sa kanë qenë në vitin 2008, siç u pa në rastin e Interpolit, ku përkundër shtypjes apo presionit të madh nga SHBA, Gjermania e Anglia, Kosova nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme dhe disa nga votat nuk ishin kryesisht kundër Kosovës, por kundër SHBA-ve dhe tjerave. Pra, rritja enorme e ndikimit Rus e Kinez në Ballkan, ka me qenë sfidë për Kosovën deri në anëtarësimin e saj të plotë në organizatat ndërkombëtare.

Në këtë situatë në të cilën jemi, SHBA dhe BE kanë ardhur në një përfundim që duhet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, për ta lehtësuar anëtarësimin e Kosovës për në OKB si dhe në të gjitha organizatat tjera të rëndësishme, pra për ta përmbyllë shtet ndërtimin dhe për t`i eliminuar të gjitha rreziqet e mundshme që dalin për Kosovën në fazat e ardhshme, duke mendu gjithnjë shtrirjen në organizmat e ndryshme ndërkombëtare si në NATO në një fazë më të shpejtë në rast se ka marrëveshje mes dy vendeve për Kosovën.

“Bota Sot”: Si e vlerësoni taksën 100% e cila edhe ka ndikuar në stagnimin e procesit të dialogut, pasi që pala serbe po insistojnë se nuk rifillon dialogu pa u heq taksa?

Naim Rashiti: Taksa është diçka e re dhe nuk besoj që ka pengu aq shumë procesin e dialogut, këtu ka diçka për fundamentale. Taksa është vë si kundërpërgjigje e fushatës së egër të Serbisë ndaj Kosovës edhe pse është vendim politik, të cilën unë personalisht nuk është se e kam mbështetur edhe aq shumë, nuk kam mendu që është hap shumë i mirë, mendoj që krahas asaj takse është dashur që të merret një vendim shumë i mirë i cili ka të bëjë me tiketën, d.m.th tiketat mbi produktet ku duhet të shkruhet Republika e Kosovës ndaj të cilës kërkesë të cilës pastaj do të ishte problem që ta kundërshtojnë. Taksa ka arritur qëllimin e vetë, unë shpresoj që kryeministri shumë shpejtë do të marrë masa që ta suspendoj taksën, ti jap hapësirë dialogut, ku duhet të kujtohem se Kosova edhe në rastet më të vështira i ka dhënë hapësirë dialogut, nëse mbetet si e tillë do ta humbte peshën politike, fuqia e mundësisë së kthimit prapa të asaj takse do ta forconte më shumë Kosovën në raport me partnerët tanë. Me suspendimin e taksës, të gjithë faktorët ndërkombëtarë do ta kenë parasysh që taksa mund të kthehet, ndërkohë nëse mbetet kështu, do të humbet fuqia e sajë.

Jemi në një fazë ku të gjithë jemi duke kërkuar që kryeministri ta tërheq taksën, nuk ka arsye të mbetet ende, ne edhe shoqëria civile edhe opinioni patëm reaguar fuqishëm kundër tentativave të  vitit të kaluar për dështimin e ligjit për dhomat e specializuara, sidomos për shkak të ruajtjes së marrëdhënieve me miqtë tanë ndërkombëtarë. Pikërisht edhe kësaj here jemi në një situatë të ngjashëm, kur duhet ti ruajmë raportet me miqtë tanë, duke e suspenduar taksën. Ka pas hapa të tillë edhe më parë por kësaj here duhet të kemi më shumë kujdes, pasi që një mbështetje ndërkombëtare është e domosdoshme  dhe kyçe edhe nëse përfundojmë me një marrëveshje me Serbinë, por edhe në të kundërtën nëse nuk arrihet pasi që na duhet kontributi i tyre për ruajtjen e stabilitetit në rajon, pra ta ruajnë atë status-quon. Duhet të jemi të qartë se do ta kemi një situatë mjaftë të rëndë nëse nuk do të ketë marrëveshje, do të jetë kritike mbështetja e NATO-së, SHBA e Gjermani për të ruajtur stabilitetin si dhe për ta menaxhuar Serbinë.

“Bota Sot”: Prej kohës kur për herë të parë ka dalë Presidenti Thaçi për të fol për një marrëveshje të mundshme për me Serbinë, në opinion përveç takimeve që i kemi pa, është fol edhe për takime jo-formale. A ka diçka të vërtetë dhe çka mendoni për këto që thuhen, a mendoni që ka diçka të nënshkruar paraprakisht mes Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe atij serb Vuçiq?

Naim Rashiti: Unë nuk besoj që ka diçka të nënshkruar, nuk e di se sa shpesh ndodhin takimet, konsultat. Dialogu realisht nuk është ndërprerë asnjëherë, vazhdojnë përpjekjet që të realizohet dialogu, të ndërtohen kornizat e afatet e implementimit, por nga formale ende nuk kemi parë asgjë në Bruksel, besoj që në fund do të llogaritet për një proces intensiv formal mes dialogut me mbështetje të SHBA dhe BE-së, të gjitha tjerat që kanë ndodhë apo mund të ndodhin në ditë e javët në vazhdim janë vetëm parapërgatitje dhe konsolidim i marrëveshjeve eventuale, por është e vështirë të thuhet diçka derisa nuk ka ende asgjë të publikuar, qoftë edhe proces formal. Këtu është edhe një arsye më shumë për kryeministrin që të e heqë  taksën, sepse është diçka e ngjashme që ka kërkuar edhe vetë kryeministri lidhje me atë konferencën që të ecet më shpejt dhe të shihet se a do të arrihet marrëveshje apo jo.

“Bota Sot”: Si e shihni marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi, i kemi dy pole të kundërta, Presidentin Thaçi i cili mendon se marrëveshja duhet të arrihet me anë të korrigjimit të kufirit, si dhe kryeministrin Haradinaj i cili shprehet se nuk guxohet të preken kufijtë e vendit, pasi që është rrezik se si do të ishte përfundimi?

Naim Rashiti: Dëgjo, po kërkohet të arrihet një marrëveshje mes dy shteteve, për t`i dhënë fund një konflikti në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe për të hapur rrugë proceseve integruese për të dyja vendet, ashtu që deri në anëtarësim të plotë në BE, kurdo që ndodhë, jo në të njëjtën kohë, të mos ketë më negociata dhe çështje të pazgjidhura mes dy vendeve, në mënyrë që më të mos ketë nevojë për procese të tilla. Për shkak të kontekstit të mëhershëm që e thashë , akterët kryesorë si SHBA-të mendojnë që Maqedonia e zgjodhi problemin e saj, Shqipëria eventualisht do të fillojë negociatat për anëtarësim, Bosnja është temë e vështirë, hajde ta zgjidhim çështjen Kosovë-Serbi dhe t`i hapim rrugë proceseve integruese, e kundërta e kësaj do të jetë një status-quo e rrezikshme me territor shumë fluid për akter të tjerë dhe një situatë shumë vështirë e menaxhushme mes Kosovës dhe Serbisë të cilën nga analizat që bëhen ka frikë se status-quo e re mund të jetë shumë e vështirë dhe e rrezikshme.

Së paku kjo është pa edhe pse në një kontekst pak më të lehtë në rastin e Maqedonisë, 13 vite pas dhënies së statusit kandidat Maqedonia po fillon negociatat, 13 vite humbje kohë me konflikte të brendshme, me trazira turbulenca e që në rastin Kosovë-Serbi mund të jetë edhe më i vështirë.

Kjo është ajo që po mendohet që të krijohet një hapësirë më fleksibile mes dy vendeve duke kërkuar një zgjidhje e cila mund të jetë ndryshe nga ajo që është menduar më herët,  pasi që deri vitin e kaluar  është menduar një marrëveshje për normalizim pa njohje reciproke, e tek më vonë shkohet me fazë tjetër e me tentativë për njohje. Disa kanë konkluduar se do të jetë shumë problem, se nuk i zgjidhe konfliktet, me ç’rast po provohet për një marrëveshje e cila i përmbyll krejt çështjet e hapura. Serbia deri tani ka kërkuar shumë lirshëm ndarjen e Kosovës, pas insistimeve të gjata në përgjigje, Presidenti ka ardhur me opsionin e korrigjimit, i cili mund të definohet se po shkëmbejmë popullsi mes Veriut dhe Luginës, si një opsion i cili ka marrë mbështetjen e liderëve, strukturave e miqve ndërkombëtarë. Janë edhe opsionet tjera si autonomia, statusi special për Veriun në kuadër të Kosovës në një marrëveshje normalizimi, pa njohje eksplicite. Ajo çka unë shoh nga ky debat apo diskutim është ideja se Serbia e merr një pjesë të Kosovës dhe ikën, kjo ka vdek, këtu o flitet për shkëmbim, ose nuk flitet fare për ndarje dhe besoj që nuk ka rrezik që të flitet për ndarje.

Nëse kthehemi te kërkesa, nëse skena politike apo estabilishment politikë i Kosovës vendos për opsione tjera, siç është ai që të mos jetë shkëmbimi, por të jetë ndonjë lloj autonomie brenda këtyre kufijve, në një marrëveshje me Serbinë, ajo është pastaj vullneti politik deklaruar përmes mekanizmave apo institucioneve të cilat i ka Kosova.

Ajo që mbetet më e rëndësishmja për Kosovën, është që të investohet në proces, pra fuqishëm të futemi në proces që eventualishtë të nxjerrim marrëveshje pasi që një marrëveshje me Serbinë do të ketë shumë të mira, do ta mbyllim një konflikt duke i hapur rrugë Kosovës drejt aplikim statusit të kandidatit, për NATO brenda 4-5 viteve, do të ishte shumë domethënëse , qoftë edhe përmes një kompromisi i cili do të ishte i kënaqshëm për Kosovën. Megjithatë dilemat më të mëdha do të mbeten, jo se si do të duket kompromisi duke përfshi njohjen, po flasim gjithnjë, dhe assesi vetëm ndarjen, është se a është Serbia e gatshme ta mbyllë këtë proces, si të krijohet momentimi ndërkombëtarë që kjo të përmbyllet prej Prishtinës-Brukselit e Beogradit deri në OKB. BE edhe në të kaluarën ka investu shumë në Tadiqin, i cili ka zhgënjyer në fund, edhe Vuçiqi tani ende nuk ka nënshkruat asnjë marrëveshje të re me Kosovën përveç telekomit, të tjerat janë thjeshtë marrëveshje të protokollit. Kështu që mbetët shumë dilemë e madhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat