Hoti: Angazhimi i Thaçit në shkëmbimin e territoreve po e kthen vendin në pikën zero - Bota Sot
Hoti: Angazhimi i Thaçit në shkëmbimin e territoreve po e kthen vendin në pikën zero

Intervista

Hoti: Angazhimi i Thaçit në shkëmbimin e territoreve po e kthen vendin në pikën zero

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 16 shkurt 2019 Në ora: 10:46
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se ky përvjetor, vendin po e gjen duke trajtuar tema të dëmshme për sovranitetin dhe integritetin territorial.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën“Bota sot”, shefi i GP të LDK-së ka thënë se, në vend që të avancohet bashkëpunimi me SHBA-në, duke nënshkruar marrëveshje partneriteti strategjik, sipas tij, kjo miqësi tashmë po rrezikohet.

Duke folur për tarifën ndaj mallrave serbe, Hoti ka thënë se taksa është masë e merituar, por po ashtu është një masë popullsite, e pa menduar mirë në momentin e marrë dhe e pa koordinuar me partnerët strategjikë, prandaj, ai konsideron se vendimi për tërheqje i takon atyre që e kanë vënë atë.

Hoti në këtë intervistë të gjatë, ka folur edhe për deklarimet nga Bashkimi Evropian rreth statutit të “Trepçës”, për mocionin për rrëzimin e Qeverisë “Haradinaj”, për zgjedhjet e parakohshme, si dhe për bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Bota sot”: Kosova po mbush 11 vite që nga shpallja e pavarësisë. Si po e gjen Kosovën ky përvjetor?

Avdullah Hoti: Vlerësoj se janë bërë hapa të rëndësishëm në këto 11 vite, në veçanti në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë. Rritja e numrit të njohjeve, në veçanti nga vendet e fuqishme demokratike, pastaj anëtarësimi në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare, Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe zhvillime të tjera, kanë mundësuar që Kosova ta ketë vendin e vetë në disa forume ndërkombëtare.

Por, në vitet e fundit, në veçanti pas hapjes së dialogut me Serbinë dhe arritjes së marrëveshjes të vitit 2013, avancimi i integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe rritja e numrit të njohjeve kanë ngecur. Hapja e temës të rishikimit të kufijve me Serbinë nga ana e Presidentit të vendit i ka bërë dëm të jashtëzakonshëm kauzës tonë për konsolidim të shtetësisë në arenën ndërkombëtare. Kosova asnjëherë nuk ka qenë në situatë më kaotike si në politikën e brendshme, ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ky përvjetor i pavarësisë, në vend se të na gjej duke debatuar për mirëqenie ekonomike e integrim euro-atlantik, fatkeqësisht po na gjen duke trajtuar tema të dëmshme për sovranitetin dheintegritetin territorial të vendit. Sot, në vend që të avancojmë bashkëpunimin me SHBA-në, duke nënshkruar marrëveshje partneriteti strategjik, ne po e rrezikojmë këtë miqësi.

“Bota sot”: Si i vlerësoni zhvillimet e fundit në skenën politike në Kosovës, përkatësisht miratimin e Ligjit për Dialog dhe ecurinë e këtij procesi?

Avdullah Hoti: Dialogu konstruktiv është mjeti i vetëm për të zgjidhur problemet brenda dhe jashtë vendit. Dialog duhet të ketë, por LDK-ja mbetet e pa kompromis në ruajtjen e shtetësisë së Kosovës në kufijtë e njohur nga më shumë se 100 vende të botës. Dialogu me Serbinë kërkon trajtim serioz, i cili trajtim nuk mund të sigurohet nga një qeveri jo legjitime, që abstenon nga përgjegjësia e saj kushtetuese karshi këtij procesi. Për shkak të kësaj qasje abstenuese të Qeverisë kemi ardhur në situatë kaotike, duke i hapur rrugë Presidentit të merret me këtë çështje jashtë kompetencave të tij kushtetuese, si dhe ekipeve dialoguese që nuk kanë legjitimitetin e nevojshëm politik për tu marrë me këtë proces të rëndësishëm për shtetin e Kosovës.

“Bota sot”: Duke i pasur parasysh deklarimet nga Bashkimi Evropian rreth statutit të “Trepçës”, a mendoni se ka rrezik që ajo të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë?

Avdullah Hoti: Deklarimi i BE-së lidhur me statutin e Trepçës, që është miratuar me më shumë se 2/3 votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka qenë i habitshëm. Në qeverinë e kaluar, të udhëhequr nga LDK-ja, asnjëherë nuk është pranuar të dialogohet për Trepçën apo pasuritë natyrore që ndodhen në territorin e Republikës së Kosovës. Edhe tani për LDK-në është e pa pranueshme të bisedohet për Trepçën, apo cilëndo pasuri natyrore të Kosovës, ashtu siç është e pa pranueshme të flitet për sovranitetin e integritetin e Kosovës.

“Bota sot”: Cili është qëndrimi i LDK-së për taksën ndaj Serbisë? Mendoni se duhet të mbetet në fuqi apo të hiqet, ashtu siç po kërkon administrata Trump?

Avdullah Hoti: LDK-ja e ka bërë të ditur qëndrimin lidhur me taksën. Taksa është masë e merituar, por po ashtu është një masë popullsite, e pa menduar mirë në momentin e marrë dhe e pa koordinuar me partnerët tanë strategjikë. Taksa u vendos atëherë kur kjo Qeveri dështoi ta anëtarësoj vendin në Interpol. Si e tillë, taksa është bërë mbulesë e Qeverisë për këtë dështim dhe shumë dështime tjera. Sigurisht që vendimi për tërheqje të taksës i takon atyre që e kanë vënë atë. PDK-ja dhe Presidenti, që vraponin për të marrë meritat për taksën, tash nuk marrin përgjegjësinë kur ju kërkohet nga partnerët ndërkombëtarë.

“Bota sot”: Kur jemi te taksa, a po rrezikohen raportet mes Kosovës dhe SHBA-së?

Avdullah Hoti: Që nga themelimi e deri më sot, LDK-ja ka kultivuar miqësinë me SHBA-në dhe BE-në, sepse rruga për ekzistencën dhe fuqizim të shtetit të Kosovës kalon përmes integrimit euro-atlantik. Në cilën do fazë të shtet-ndërtimit të Kosovës, LDK-ja është sjellë komfor këtij parimi. Vlerësoj se kështu duhet parë edhe letrën e Presidentit Trump. Kërkesës së Presidentit Trump për unitet të spektrit politik në Kosovës në çështjen e dialogut, LDK-ja i është përgjigjur duke treguar gatishmëri për marrjen e përgjegjësisë proporcionalisht me fuqinë e vetë politike. Raportet e Kosovës me SHBA-në ne i shohim shumë më tepër sesa raporte bilaterale ndërshtetërore, prandaj duhet trajtuar me kujdes këshillat dhe sugjerimet e tyre.

“Bota sot”: Nga shkëmbimi i territoreve, tashmë nga presidenti Thaçi kemi një tjetër frazë lidhur me ketë nismë, atë për korrigjim të lehtë të kufirit. Cili është komenti juaj lidhur me këtë çështje?

Avdullah Hoti: Ka kohë që Presidenti Thaçi është angazhuar që shkëmbimi i territoreve të përfshihet në dialogun me Serbinë. Ky angazhim i tij është kundërkushtetues dhe kundër shtetësisë së Kosovës, si dhe ka krijuar pasiguri qytetare, ekonomike e sociale. Ky angazhim ka stopuar të gjitha aktivitetet diplomatike për konsolidim e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Qasja e tillë e Presidentit po e kthen vendin në pikën zero, duke e trajtuar atë si një krijesë politike në formim e sipër. I gjithë ky angazhim dhe cilado iniciativë, e cila prek çështjet fundamentale të shtetësisë së Kosovës, si integriteti territorial apo sovraniteti, nuk ka dhe nuk do ta ketë përkrahjen e LDK-së.

“Bota sot”: Partia e juaj në vazhdimësi e ka përmendur mocionin për rrëzimin e Qeverisë‘Haradinaj’. Deri ku ka arritur kjo iniciativë?

Avdullah Hoti: Është me interes për vendin që sa më parë të shkojë kjo Qeveri. Në atë moment që arrijmë të sigurojmë 61 vota për rrëzimin e Qeverisë, ne do të procedojmë me mocionin e mosbesimit.

“Bota sot”: A vazhdoni të mendoni se zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja zgjidhje për Kosovën?

Avdullah Hoti: Ashtu siç ju thash edhe më lartë, vendi gjendet në një situatë kaotike. E gjitha kjo për pasojë të një koalicioni jo parimor dhe pa vizion për ta udhëhequr vendin. Ka plot situata që dëshmojnë se ky koalicion është i dëmshëm për vendin, andaj vetëm zgjedhjet e reja do të prodhonin një qeveri legjitime, të aftë për të udhëhequr vendin drejt proceseve euro-integruese. Nuk ka zgjidhje tjetër. Ndryshe do të thellohet kriza.

“Bota sot”: Si po ecën bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje sa i përket kësaj çështjeje?

Avdullah Hoti: Roli i opozitës në demokracitë parlamentare është rol mbikëqyrës dhe korrektues. Bashkërendimi i veprimeve të të dyja partive tona në jetën parlamentare të Kosovës është i natyrshëm kur kemi parasysh gjendjen në të cilën është vendi.

“Bota sot”: A mund të shpresohet për një listë të përbashkët zgjedhore ndërmjet dy partive?

Avdullah Hoti: Të gjitha forcat politike që përqafojnë filozofinë politike të LDK-së janë të mirë se ardhura të bashkëpunojnë me LDK-në për të qeverisur Kosovën dhe për ta udhëhequr bashkërisht drejt integrimit euro-atlantik.

“Bota sot”: Sa është unike LDK-ja aktualisht sa i përket çështjeve me rëndësi për vendin?

Avdullah Hoti: LDK-ja është plotësisht unike për të ndryshuar gjendjen në vend, për të ndalur këtë qeverisje të dëmshme për jetën e qytetarëve dhe për orientimin euro-integrues të Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...