Bytyçi: Sivjet do të dalim më mirë në testin PISA - Bota Sot
Bytyçi: Sivjet do të dalim më mirë në testin PISA

Intervista

Bytyçi: Sivjet do të dalim më mirë në testin PISA

Nga: Kushtrim Maliqi Më: 26 shkurt 2019 Në ora: 13:06
Ministri i Arsimit Shyqyri Bytyçi gjatë realizimit të intervistës me gazetarin e "Bota sot", Kushtrim Maliqi

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë Shyqëri Bytyqi, ka thënë se nuk është i prirur të paragjykoj nëse SHBASHK-u janë të ndikuar politikisht, por sipas tij, mënyra se si në momentet e fundit kanë anashkaluar Ministrinë nga zgjidhja e problemeve me paga, i bie se diçka nuk është në rregull.

“Bota sot”: Ministër, cila është gjendja në të cilën e keni gjetë Ministrinë e Arsimit, ka mjaftë problem, sa jeni I kënaqur me punën të cilën e keni parë se e kanë bërë paraardhësit tuaj?

Bytyqi: Fakt është që, ne kemi qenë të vetëdijshëm në momentin që e kemi marrë drejtimin e kësaj ministrie për problemet me të cilat do të ballafaqohemi. Sistemi arsimorë ka shumë probleme, e kemi se ka vështirësi brenda Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës për të lëvizur në drejtimin e zgjidhjeve të problemeve në sistemin arsimorë, por kjo gjithmonë ka mbetur në suaza të asaj që derisa nuk je brenda, me I pa realisht se si është situata. Pas marrjes së detyrës ne e kemi bërë një analizë të përgjithshme brenda ministrisë dhe të sistemit, ku e kemi parë që vërtet ka problem të shumta të cilat janë grumbulluar me vite të tëra, për të cilat zgjidhja ka qenë shumë më e lehtë në kohën kur janë paraqitur si problem sesa tani. Kemi qenë shpesh të detyruar që të merremi me urgjenca, kemi gjetë një situatë jo të mirë në departamentin nostrifikimit të diplomave të studentëve të mastër apo doktoratura për studentët që studijnë jashtë vendit, ku fatkeqësisht qytetarët tanë kanë pritur me vite të tëra për një nostrifikim.

Kemi qenë të detyruar që me urgjencë ta marrim, ta analizojmë problemin, kemi bërë një auditim të këtij departamenti e pastaj, gradualisht kemi ardhur deri tek zgjidhja e problemit që në fakt, sot një qytetarë maksimumi mund të pret deri në 60 ditë për ta nostrifiku një diplomë, për dallim nga e kaluara kur kanë pritur deri në dy e tri vite ta kthejmë në 60 ditë, kjo sigurisht se është një e arritur e madhe dhe në anën tjetër një pa përgjegjshmëri e madhe e cila vërtetë ju ka shkaktuar dëm të madh të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Përveç kësaj, ka pasur edhe shumë gjëra tjera të cilat kanë kërkuar intervenim të shpejt në mënyrë që të gjendet zgjidhje në mënyrë që të mos vazhdohet me gjendjen në të cilën kemi funksionuar, kemi pasur shembull çështjen e studentëve tek universitetet private dhe kolegjet ku nuk ka pasur një datë të fiksuar deri kur mund të regjistrohen studentët dhe një moment nga kur mund të filloj një vit akademik dhe me këtë kemi marrë një masë të shpejt dhe e kemi rregulluar se deri me çfarë datë kanë të drejtë kolegjet private si dhe universitetet publike të regjistrojnë studentë të rinj.

Po ashtu kemi pasur problem edhe me autoritetin kombëtarë të kualifikimeve e cila është bërë një marrëveshje me këshillin e kualifikimeve evropiane për të cilën janë marrë obligimet që të kryhen regjistrimet e të gjitha shkollave profesionale me agjencionin e autoritetit në mënyrë që në kohën, d.m.th në vitin 2019 kur të bëhet raportimi ne ta vazhdojmë këtë anëtarësi sepse është shumë e rëndësishme për shkolla profesionale e për të cilën nga data e nënshkrimit nga ana e Ministrisë së Arsimit nuk është bërë asnjë hap tutje për të lëvizur në drejtimin e plotësimit të këtyre obligimeve të cilat I ka marrë ku ne është dashtë që gjatë vitit 2018 të bëjmë një angazhim shtesë që të gjejmë forma se sit ë regjistrohen shkollat profesionale dhe programet e tyre të validohen në agjencionin e autoritetit në mënyrë që të jemi të gatshëm për raportim në Këshillin Evropian të Kualifikimeve.

Në këtë formë, mund të them se përgjithësisht nuk është gjetë gjendje e mirë e kutikulave dhe teksteve të librave, , kemi pas një mos-përputhje, është futë në përdorim në shumë nivele kutikula e re por kanë mbetur tekstet e vjetra ku kemi pasur një mos-përputhje mes kutikulave dhe teksteve çka ka shkaktu një problem serioz në shkollat tona.

Kemi edhe disa çështje të tjera, si çështjen e disa studentëve të universiteteve publike të cilët kanë përfunduar fakultetet në programet e pa akredituara, por që iu kanë mundësuar nga ana e MASHT, sidomos në shkenca dhe edukim, e për të cilën sot studentët tanë nuk kanë mundësi të verifikojnë diplomat e tyre, pra po flasim për një numër jo të vogël, janë afër 2 mijë student, të cilët nuk janë farë fajtorë pasi që në kohë nuk është bërë një zgjidhje për ta, sepse po flasim për një periudhë nga viti 2013 deri sot. Tani ne jemi me një grup punues me të cilët po provojmë të gjejmë një zgjidhje për të gjithë ata student, në mënyrë që të jetë të gatshëm për tregun e punës, por edhe për vazhdimin e studimeve post diplomike apo avancimit të tyre, gjë që deri sot e kanë pasur të pamundur.

Një problem tjetër që ka kërkuar zgjidhje, e që në jemi në finale të asaj zgjidhje është edhe me një numër të konsiderueshëm të studentëve të kolegjeve private, për të cilët disa prej këtyre kolegjeve, nga viti 2014 deri në vitin 2016 nuk I kanë dorëzuar librat amëz të regjistrimeve dhe sot vinë studentët për të verifikuar diplomat në ministri, nuk mund ti verifikojnë pasi që mungojnë librat e këtyre kolegjeve, në kohën kur është dashtë të merren masa nga ministria për kolegjet në fjalë, nuk është bë asgjë, po ashtu ata zyrtarë që kanë pas këto obligime ndaj tyre nuk është marrë asnjë masë, sot i kemi pjesën që është më e pafajshme të cilëve nuk është dashtë me iu interesu nëse kolegjet ku kanë studiuar nuk i kanë dërguar librat.

Janë këto disa prej problemeve të cilat na kanë marrë shumë kohë për tu zgjidhur, do të ishin zgjidhë shumë më lehtë nëse do të ishin zgjidhë në kohën e vetë, pasi që për shembull për rastin e fundit, po flasim për një numër të studentëve që arrin numrin mbi 5 mijë.

Unë konsideroj së grumbullimi i këtyre problemeve ka qenë kryesisht  çështje e neglizhencës, ndoshta edhe mund të ketë arsye tjera të cilat unë nuk i di, por që është e sigurt që zgjidhja për të gjitha këto probleme është dashur të kërkohet me kohë.

“Bota sot”: Prej pasluftës, sektori  i arsimit ka qenë një lloj aparati me anë të të cilët është menaxhuar elektorati i mundshëm i subjekteve politike, me anë të punësimeve si nga ministria, ashtu edhe nga drejtoritë e arsimit nëpër komuna, çka ka rezultuar me rezultate të dobëta në  testin e PISA-së, si e shihni ju këtë gjendje, sa po punohet për ta përmirësuar nivelin e arsimit?

Bytyqi: Përpara se të përgjigjem në pyetje, të lutem më lejo që paraprakisht që të them se në problemet e grumbulluara nga e kaluara është edhe problemi i PISA-s, ne kemi ardhë në ministri në shtatorë të 2017, ndërkohë që në fillim të 2018 është dashtë që të mbahet testi i PISA-s. Në vitin 2015, deri kur kemi ardhë na, pra në shtatorë të 2017-tës, këta e kanë formuar një komision për testin PISA dhe nuk është bërë asnjë punë, bile nuk është mbledh as edhe njëherë. E dimë se si kemi dal me rezultatin në PISA në 2015-tën, pavarësisht që kemi pasur shumë parregullsi të cilat janë identifikuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë, ku ne është dashtë që me urgjencë të ndërrmerret diçka për ti rregulluar, por që nuk është bërë asgjë derisa ne kemi ardhur.

Prandaj, mundë të them se në momentin që ne kemi ardhur, kemi marrë masa urgjente që ta bëjmë një komision të ri, të cilin e kemi bë dhe është bë një punë e jashtëzakonshme, ku qëllimi i kësaj ka qenë që të organizohemi në mënyrë që ta ndryshojmë, ta përmirësojmë mënyrën e të organizuarit nëpër shkolla, që minimum të mos kemi kësi probleme, e që direkt do të ndikonte në testin PISA. 

Konsideroj që është bërë një punë e madhe, për tre muaj rresht është kontaktuar çdo shkollë, deri te çdo nxënës që ka pasur me iu nënshtru testit PISA, të gjithë kanë qenë të kontaktuar direkt nga stafi i ministrisë tonë, ku kemi arritur që ti shpërndajmë të gjitha informatat me formë fletushkash të cilat ua kemi dhënë vetë drejt në dorë secilit nxënës, ku ka qenë një pjesëmarrje e jashtëzakonshme, kemi pasur një pjesëmarrje mbi 95%, kemi pas edhe raste kur nxënësit e sëmur kanë insistu që me çdo kusht ta plotësojnë testin PISA, sepse ne kemi arritur ti vetdijësojmë se me atë rast, ata e përfaqësojnë shtetin e Kosovës, unë po konsideroj që kemi bë një punë të madhe në mënyrë që në këtë test të dalim mirë, në fund të vitit presim ti marrim rezultatet, ku siç e  thash, jemi shumë optimist se puna jonë do të shpërblehet dhe do të dalim mirë.

Lidhur me këto çështjet tjera të situatës që e kemi nëpër shkolla dhe qeverisjen atje, e para ne kemi marrë dy hapa shumë të rëndësishëm. E para është ajo që në tetor të vitit të kaluar ne kemi filluar me vlerësimin e mësimdhënësve, pra matjen e performancës së mësimdhënësve, e cila nuk ka ndodhur asnjëherë dhe për të cilën është bërë mjaftë zhurmë që të mos realizohet, por ne kemi qenë të vendosur që këtë hap ta marrim sepse e ka një qëllim direkt që ndikon në cilësinë e arsimit nëpër shkollat tona. Me këtë program, do të matet performanca e secilit mësimdhënësi nga inspektoriati i arsimit dhe pjesa tjetër që i takon komunës, do të dalin rezultatet se cila është gjendja nëpër shkollat tona normalisht që do të ketë mundësi që në kuadër të vlerësimit të ngriten edhe në karrierë, pra qëllimi i këtij programi, i matjes së performancës nuk e ka vetëm qëllimin e ndëshkimit, por ata që janë mësimdhënës të suksesshëm ne kemi nevojë ti dallojmë e të kenë mundësi të ngriten në karrierë ku të ardhurat e tyre do të jenë shtesë. Vlen të theksohet se ky është hapi i parë i guximshëm në këtë drejtim.

Hapi i dytë i cili është mjaft i rëndësishëm, ku ne jemi afër përfundimit, edhe pse po bie ndesh me disa ligje që po bien ndesh, janë udhëzimet administrative që jemi duke i bërë për një qeverisje ndryshe në shkollat tona.

Duke filluar nga drejtori i shkollës, forma e re e zgjedhjes së drejtorëve të shkollave, ku rol shumë të rëndësishëm për zgjedhjen e atij drejtori do të luajnë edhe prindërit. Po ashtu jemi në hulumtim të një forme apo platforme me anë të së cilës do të mundohemi të përzgjedhim mësimdhënësit e rinj. E kemi një model, atë të Shqipërisë e cila është mjaftë e mirë e të cilën ne po mundohemi ta fusim edhe këtu në Kosovë, sepse me këtë formë do të kemi mundësi të bëjmë një renditje të mësimdhënësve të rinj pas përfundimit të fakultetit, ku përfshihen edhe dhënia e provimit profesional dhe ato detyrimet tjera përcjellëse si praktika e detyrueshme, ku pastaj do të bëhet një renditje sipas poentimit, e pastaj kur diku të hapet një konkurs diku, sipas kërkesave, ai i cili është i pari në listë në pritje, ta ketë vendin e sigurt, pa pasur nevojë të ketë intervenime nga jashtë, pasi që me këso lloj formash, ata vetë duke pas parasysh se sa kanë punuar gjatë studimeve, vetvetes ia sigurojnë vendin e punës.

Ne po shpresojmë që ti rregullojmë ligjet të cilat vijnë në kundërshtim njëra me tjetrin, pasi që janë tre ligje të cilat duam ti harmonizojmë, në mënyrë që ti lëshohet rrugë kësaj platforme e cila konsideroj se është hap i mirë që të gjejmë rrugën më të mirë që të punësojmë mësimdhënës cilësorë, e që automatikisht do të ndikon që të kemi një cilësi më të mirë nëpër shkolla.

Ky vlerësim, për të cilin po flasim i ka disa nivele, si niveli i përgatitjes së mësimdhënësve, vlerësimi i hospitalizimit të klasës së si sillet një mësimdhënës dhe pjesa tjetër që e bën drejtori i shkollës. Të gjitha këto e kanë një përqindje te matja e performancës, ku ata që e arrijnë një performancë të lartë, pra janë të gatshëm të avancohen, pasi që kemi 4 nivele të avancimit me ligj të mësimdhënësve, ndërsa ata të cilët nuk i mbërrijnë këto përqindje, do tu jepet shansi që të përmirësohen që ta arrijnë një performancë pozitive, e në rast se as për herën e dytë nuk e arrijnë performancën, atëherë ata normalisht këta nuk do të jenë pjesë e procesit mësimorë, pra si rezultat i pamundësisë së të qenurit në kuadër të plotësimit të kushteve minimale.

“Bota sot”: Muajt e fundit, ju kanë shkuar goxha me tollovi dhe probleme juve në ministrinë e arsimit, fjala është për grevat të cilat e “pushtuan” sektorin publik, e ku nuk u la pa u prekur edhe arsimit, kishim një grevë mjaftë të gjatë. Si është gjetë zgjidhja në këtë aspekt, SBASHK-u herë thotë se është marrë vesh, herë thotë se pranojmë marrëveshjen. Çka në të vërtetë po ndodhë?

Bytyqi: Në fakt ne ato greva i kemi marrë me shumë shqetësim pasi që flasim për ligjin e pagave, që përfshinë një gamë të gjerë të të përfshirëve. Ne që nga fillimi kur ka ardhur te draft ligji, ne e kemi kundërshtuar në një farë mënyre dhe e kemi qu edhe kundërshtim zyrtarë në Ministrinë e Administratës Publike sepse kemi konsideru se renditja e mësimdhënësve nuk është në vendin e merituar, aq më tepër kur ne bëjmë gara për të arritur cilësinë në arsim, arsimi të jetë prioritet në Kosovë dhe kjo ka qenë një reagim i yni rreth asaj që nuk është zënë pozicioni i merituar të cilin duhet ta ketë arsimi. Kemi tentuar që jo vetëm përmes shkresës, por edhe përmes mbledhjes së qeverisë, unë nuk a kam votuar këtë ligj pikërisht për këtë arsye dhe pastaj në një farë forme kemi qenë bashkë me sindikatën për me kundërshtuar formën e renditjes dhe me gjetë një alternativë tjetër në mënyrë që sistemi arsimorë ta ketë një pozitë shumë më të mirë. Nëse duam të jemi real, ne në fillim e kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me SBASHK-un, ku ka qenë një angazhim i yni i jashtëzakonshëm, ku ne kemi ofruar alternative duke i bërë presion edhe qeverisë e edhe kuvendit në mënyrë që të gjendet një zgjidhje sa më e mirë për mësimdhënësit, deri në një moment kemi qenë dakord, kur edhe devijuan gjërat dhe siç e dini edhe ju vetë në fund ne si ministri e arsimit u anashkaluam për arsye që nuk i dimë dhe konsideroj që erdhi në një përfundim për një marrëveshje të cilën ne e kishim ofru që në fillim, që të mos dëmtohej sistemi arsimor, pra të mos dëmtohen nxënësit.

Qëllimi joni kryesorë është që të gjinden zgjidhje alternative në mënyrë që mësimi të mos dëmtohej pasi që me atë rast dëmtojmë pjesën kryesore të sistemit arsimorë, pra të mos dëmtohen nxënësit.

Kjo në fakt nuk rezultoi ashtu siç ne dëshironim dhe e keqja e kësaj përfundoj po me një ofertë që e kishim ofruar që në fillim bile më e mirë se kjo që u arrit kjo marrëveshje, sepse ne të njëjtën përqindje e kishim ofruar në fillim, shto kësaj edhe këtë gradimin për të cilin folëm më herët, kishim kërkuar që të futet koeficienti për secilin gradim të cilin ishim të sigurt që e realizojmë pasi që ky ka qenë edhe një premtim i subjektit tonë, pra ligji mund të votohej nëse do të mund të votohej kjo formë e renditjes. Pastaj, siç e dini ata bënë një marrëveshje vetëm, unë më tutje nuk kam informacione nëse ka pas apo jo marrëveshje zyrtare, pra kam mbetur në suaza të informimit nga mediet njëjtë siç i keni marrë edhe ju.

Nuk e di nëse sindikata ka qenë e ndikuar, apo vazhdon të jetë e ndikuar politikisht, unë jam i prirur të mos i shoh gjerat në këtë prizm, por konsideroj se forma se si është arrit në fund një marrëveshje e pa dëshirueshme, marrëveshje jo shumë e mirë, sepse kemi qenë bashkë, jemi angazhuar shumë dhe në fund nuk e kemi arritur marrëveshjen e dëshiruar, kjo nënkupton se është një formë jo e mirë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...