Naser Rugova tregon kërkesat e LDK-së, në rast të një qeverie gjithëpërfshirëse - Bota Sot
Naser Rugova tregon kërkesat e LDK-së, në rast të një qeverie gjithëpërfshirëse

Intervista

Naser Rugova tregon kërkesat e LDK-së, në rast të një qeverie gjithëpërfshirëse

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 13 mars 2019 Në ora: 07:49
Naser Rugova

Deputeti i Kuvendit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Rugova, ka thënë se koalicioni aktual është formuar me inercion të frikës së fitores së LDK-së.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Rugova ka theksuar se mosmarrëveshjet dhe ftohja e relacioneve mes partive të pozitës është e dukshme, ndërsa ka bërë me dije se Qeveria 'Haradinaj' nuk do të ketë jetëgjatësi.

Kurse sa i përket taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe, Rugova ka thënë se partia e tij nuk është pyetur fare kur është marrë ky vendim, andaj ka thënë se u takon atyre që e kanë vendosur edhe ta menaxhojnë situatën e krijuar.

Rugova ka folur edhe për raportet me SHBA-të, për të cilën gjë ka thënë se të sfidohet miqësia, partneriteti dhe kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është më tepër se papjekuri politike.

Deputeti i partisë më të madhe në vend ndër tjerash në këtë intervistë ka folur edhe për idenë për shkëmbim të territoreve të presidentit Thaçi. Rugova këtë ide e ka cilësuar si ide ruso-serbe.

“Bota sot”: Koalicioni aktual është duke kaluar në një fazë të vështirë. Si i ka parë Lidhja Demokratike e Kosovës këto zhvillime e fundit, dhe a mendoni se ka ftohje të raporteve në mes të partnerëve kryesorë?

Naser Rugova: Në fakt ky koalicion ishte formuar me inercion të frikës së fitores së LDK-së, një koalicion heterogjen, pa koncept të qartë qeverisëse, pa prioritete dhe me dështime serioze në të gjithë sektorët. Tani doli në shesh se këtyre partnerëve të koalicionit nuk ju intereson shteti dhe interesi nacional, por pushteti. Këta nuk kanë qëndrime zyrtare unike, madje me qasje shumë kontradiktore, mosmarrëveshjet dhe ftohja e relacioneve mes tyre janë të dukshme, edhe ashtu nuk kanë legjitimitet mazhoritar për të udhëhequr. Thjesht se kanë gjatë.

“Bota sot”: Si e keni parë presionin ndërkombëtar. Mendoni se edhe me tej taksa duhet të qëndrojë?

Naser Rugova: Taksa është vendim i qeverisë. Ne si LDK nuk jemi pyetur për këtë veprim. Presioni ndërkombëtar është i madh. Ata që e vendosen duhet ta menaxhojnë situatën. Por me miq dhe partner strategjik nuk bëhet lojë.

“Bota sot”: Është ky moment i fundit që Kosova duhet të reflektojë ndaj kërkesave të ShBA-së?

Naser Rugova: Pa SHBA-të nuk do ishim të lirë dhe nuk do kishim shtet. Pa SHBA-të nuk mund të prosperojmë si shtet. Të sfidosh miqësinë, partneritetin dhe kërkesat e SHBA-së është më tepër se papjekuri politike. Me shtetin dhe të ardhmen e tij nuk eksperimentohet.

“Bota sot”: A janë zgjedhjet e parakohshme, e vetmja zgjidhje për LDK-në?

Naser Rugova: LDK ka bërë një opozitë parimore dhe me përmbajtje. Pas këtyre degradimeve në vazhdimësi të shtyllave të shtetit dhe rrënimit të imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare, zgjidhja e vetme e kësaj katrahure janë zgjedhjet.

“Bota sot”: Në vazhdimësi është raportuar për prishjen e koalicionit aktual dhe krijimin e një qeverie të re gjithëpërfshirëse. Partia juaj, a do të jetë pjesë e një qeveri të tillë?

Naser Rugova: Kryetari dhe forumet partiake janë deklaruar rreth kësaj ideje. Ne do kishim marrë përgjegjësi qeverisëse nëse pjesë e një qeverie të tillë do ishin të gjitha partitë parlamentare, përgjegjësia do ndahej sipas peshës politike, që nënkupton kryeministri i LDK-së, do merrte përsipër dialogun me Serbinë dhe sfidat tjera, duke u dakorduar për zgjedhje të reja në vjeshtë. Por, siç po rrjedhin gjerat zgjedhjet janë të pashmangshme.

“Bota sot”: Cili është plani i LDK-së për ta rrezuar Qeverinë “Haradinaj”?

Naser Rugova: Ne nuk jemi ndalur se punuari në këtë drejtim. Si t’i sigurojmë votat e nevojshme për rrëzimin e qeverisë do të veprojmë.

“Bota sot”: Raportet e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje kohëve të fundit shihen të jenë pozitive. Si e vlerësoni ju këtë bashkëpunim?

Naser Rugova: Ne jemi partia më e madhe në vend, por edhe partia më e madhe në opozitë, prandaj ne kemi koordinuar dhe orientuar veprimet opozitare, mund te them se kemi një bashkëpunim shumë korrekt dhe përmbajtjesor me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Bota sot”: A mund të shpresohet për një listë të përbashkët zgjedhore ndërmjet dy partive kryesore opozitare?

Naser Rugova: Lidhur me koalicionet parazgjedhore vendosin forumet e partisë, ato forume do marrin vendimet e nevojshme kur të vije koha.

“Bota sot”: Si e keni parë propozimin e Presidentit Thaçi për ndryshimin e kushtetutës në mënyrë që Kosova Lindore të bashkohet me Kosovë prekjes së kufijve?

Naser Rugova: Çdo ide, propozim që prekë sovranitetin, integritetin dhe rendin kushtetues të vendit është antikushtetues, i papranueshëm bile i dënueshëm. Ideja e korrigjimit të kufijve të shtetit të Kosovës dalë nga deklarata e pavarësisë e 17 shkurtit 2008 është ide e gabuar dhe shkakton destabilizim të rajonit. Nëse Serbia na lejon ta marrim Luginën pa dhënë asnjë milimetër të shtetit tonë do e votoja me dy duart këtë propozim, në të kundërtën konfliktet në Ballkan kanë filluar për territore.

“Bota sot”: Thaçi po ashtu çështjen e shkëmbimit të territoreve është munduar ta paraqes si ide të Presidentit Rugova, si e komentoni ju këtë?

Naser Rugova: Ishte një nga tendencat e radhës të manipulimit me opinionin nga ana e Thaçit. Ai ka ngelur i vetëm, është në panik dhe po tenton të manipulojë opinionin duke tentuar që ta arsyetojë këtë ide ruso-serbe duke u thirrur gjoja në deklarata që nuk janë thënë kurrë nga themeluesi i shtetit, presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova. Thënë troç janë gënjeshtra të kulluara.

“Bota sot”: Kur do të nisin zgjedhjet brenda LDK-së dhe kush mund të jetë kandidati për kryetar të partisë?

Naser Rugova: Zgjedhjet në Lidhjen Demokratike të Kosovës i shpallë kryesia e partisë sipas kalendarit zgjedhor të parapare në statutin e LDK-së. Kryetar i partisë do jetë ai që do e fitojë besimin e delegatëve të Kuvendit Zgjedhor.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...