Çdo marrëveshje e arritur me Serbinë duhet t’i nënshtrohet referendumit qytetar

Intervista

Çdo marrëveshje e arritur me Serbinë duhet t’i nënshtrohet referendumit qytetar

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 16 prill 2019 Në ora: 21:43
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi

Në pjesën e dytë të intervistës për gazetën “Bota sot”, Memli Krasniqi, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ka folur rreth çështjes së dialogut me Serbinë dhe idesë për “korrigjim kufiri”.  Sipas Krasniqit, propozimi i Presidentit Thaçi u kundërshtua nga partitë politike për qëllime të tyre politike. Ai ka thënë se idenë e Thaçit për bashkim të Kosovës Lindore me Kosovë, duhet ta përkrahin të gjithë. Krasniqi ka theksuar se tash është momenti u duhur për të vepruar në këtë drejtim. Ndërsa, sipas tij, çfarëdo lloj vendimi apo marrëveshje me Serbinë,  që do të mund të merret në çfarëdo lloj kohe apo momenti, duhet t’i nënshtrohet referendumit qytetar.

“Bota sot”: Pasi që keni qenë ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Presidentit Thaçi vitet e fundit, gjithashtu edhe mik i tij personal, a mund të na e jepni një pikëpamje tuajën për mënyrën se si ai e mendon zgjidhjen e problemit me Serbinë. Ai ka gati një vit që e proklamon idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë, për të cilën ide kundërshtarin kryesorë e ka kryeministrin Haradinaj. Çka mund të na thoni rreth kësaj?

Krasniqi: Besoj që në masë të madhe keqinterpretimi që i është bërë propozimit dhe deklarimit të presidentit, ndërlidhet me kundërshtimin politik që partitë e caktuara kanë ndaj tij personalisht, kjo sepse në asnjë rast unë nuk besoj që është kundërshtuar apo deklaruar çfarëdo coftë ideje që e dëmton territorin e Republikës së Kosovës. A është e realizueshme ideja e proklamimit të Presidentit Thaçi, ajo e bashkëngjitjes së Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës si zgjidhje përfundimtare është diçka që duhet të shihet në të ardhmen, por se a është një ide të cilën duhet ta mbështesin të gjithë si shqiptarë, unë mendoj që absolutisht po, sepse kjo do të ishte realizimi i një ëndrre dhe jo vetëm, por edhe i një të drejte dhe kërkese e bashkëkombësve tanë që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Për sa i përket marrëveshjes potenciale, finale, ligjërisht e obligueshme si po quhet mes Kosovës dhe Serbisë, unë nuk besoj që kushdo në Kosovë duhet me iu frigu asaj marrëveshje. Pse? Sepse nuk mund të ketë marrëveshje të keqe, pasur parasysh që kërkesa jonë edhe si PDK ka qenë që nëse arrihet një draft marrëveshje, ajo do ti nënshtrohet referendumit qytetarë, e tek pastaj të vij në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të marrë dy të tretat e votave të deputetëve.

Pra, unë e kam deklaruar edhe më herët, nuk besoj që duhet të frikësohet askush nga verdikti i qytetarëve, por as nga së paku 80 deputet të Kuvendit të Kosovës të cilët e kanë mandatin qytetarë për të vendosur për marrëveshjen ndërkombëtare. Megjithatë, përtej politikave ditore, përtej politikave elektorale, unë mendoj sinqerisht që për sa i përket të ardhmes së vendit tonë, partitë politike e kanë obligim që të mendojnë me kokë të ftohur dhe të arrijnë dakordësim të nevojshëm për hapat që duhet ndërmarrë.

Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim ka qenë krijimi i delegacionit shtetërorë për dialog, miratimi fillimisht i rezolutës e pastaj edhe ligjit për dialogun që i ka paraparë në mënyrë eksplicite ato që i kemi thënë edhe si parti qysh në prillin e vitit të kaluar që çështjet që ndërlidhen me territorin e Kosovës janë të pa diskutueshme, e njëjtë edhe me sovranitetin dhe me karakterin unitarë të shtetit tonë. Për këtë, besoj të gjitha partitë e kanë një dakordësim, andaj duket më shumë si një politikë ditore dhe e inateve personale.

“Bota sot”: Ju personalisht a besoni se kjo ide do të realizohet, a është e mundur të bashkohet Kosova Lindore me Kosovën Lindore?

Krasniqi: Unë e thash, do të ishte një e arritur historike. Bashkimi i Luginës së Preshevës do të ishte realizim edhe i një të drejte themelore për vetëvendosjen e atyre qytetarëve, bashkëkombësve tanë se si dhe me kë duan të jetojnë. Ta kemi një gjë parasysh, deri kur e ka ngritur këtë çështje Presidenti Thaçi këtë çështje, asnjëri prej nesh nuk e kemi ngritur seriozisht si çështje. Është hera e parë që mundësia e bashkimit të Luginës me Kosovën të trajtohet zyrtarisht, të trajtohet seriozisht dhe të diskutohet me të gjitha kancelaritë evropiane. Ndoshta kjo gjë para 10 viteve ka qenë e pamundur të bëhet, unë shpresoj që ky momentum ka ardhur tash, a do të realizohet apo jo është çështje e parashikimeve të cilat unë nuk mund ti bëjë, por a duhet të mundohemi ta shfrytëzojmë këtë mundësi, mendoj se absolutisht e kemi obligim.

“Bota sot”: Jashtë rrolit tuaj politik, por si mik i Presidentit Thaçi a dini diçka më tepër?

Krasniqi: Asgjë përtej asaj që deklaroj publikisht unë nuk di privatisht, as në forma tjera. Unë e di një gjë që krejt çka janë thënë publikisht, janë të plota, nuk ka diçka që ekziston përtej konspiracioneve që mund ti dëgjojmë nga kushdo qoftë.

“Bota sot”: Kohëve të fundit, sa herë që Presidenti Thaçi flet për bashkëngjitjen e Kosovës Lindore me Republikën e Kosovës, të gjithë këtë çështje e ndërlidhin me veriun e vendit, sidomos me Leposaviqin e Zubin Potokun, tash pyetja ime është: A do t’ia vlente metër për metër pa e prekur Ujmanin dhe Veriun e Mitrovicës të ndërrohej apo shkëmbehej Kosova Lindore me Leposaviqin dhe Zubin Potokun?

Krasniqi: Shikoni, çfarëdo diskutimi që ndërlidhet për formën e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sot për sot është spekulativ dhe në politikë nuk është mirë të spekulohet sepse kur bëjmë pyetje hipotetike, japim përgjigje hipotetike. Në politikë përgjigje hipotetike nuk janë gjëja e duhur. Nuk është relevante as çka mendoj unë personalisht, ose çka mendon cili do individ tjetër apo njeri që ka përgjegjësi në Kosovës, pse po e them këtë? Sepse çfarëdo lloj vendimi që do të mund të merret në çfarëdo lloj kohe apo momenti, duhet t’i nënshtrohet referendumit qytetarë. Pa e pas vendimin e qytetarëve, unë nuk besoj që në asnjë rrethanë duhet të bëjmë çfarëdo lloj marrëveshje. Kështu që, meqenëse nuk duket ka mundësi që në të ardhmen e afërt të ketë çfarëdolloj diskutimi për një gjë të tillë, unë shpresoj që i mbetet të ardhmes realizimi i mundësisë së bashkëngjitjes së Luginës së Preshevës me Kosovën.

“Bota sot”: Për fund, a mendoni se këtë vit do të kemi zgjedhje?

Krasniqi: Unë nuk dua ta luaj rrolin e një parashikuesi, sepse zakonisht kjo më shumë iu mbetet analistëve politik sesa politikanëve. Sidoqoftë, unë nuk besoj që do të ketë, e as nuk mendoj që duhet të ketë zgjedhje në të ardhmen e parashikueshme. E thash edhe më herët gjatë kësaj interviste që funksionimi i koalicionit, për mendimin tim duhet të bazohet në zbatimin e programit qeverisës, kjo gjë është duke ndodhur, andaj përkundër vështirësive që ne i kemi si koalicioni, sfidave që i kemi në funksionimin efikas në kuvendin e Kosovës për shkak të numrave siç jemi mësuar ti quajmë deputet, megjithatë jemi duke vazhduar punën tonë. Nuk shoh arsye madhore për të cilat do të duhej të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, përveç asaj unë mendoj se ne duhet tashmë ta konsolidojmë demokracinë tonë dhe të mësohemi me respektimin e afateve të rregullta zgjedhore, që do të nënkuptonte mbajtjen e zgjedhjeve në pranverën e viti 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat