Berisha: Miladini shqipfolës, Baton Stanishiqi dhe Zografin bis finalizuan në fshehtësi projektin për zhbërjen e Kosovës

Intervista

Berisha: Miladini shqipfolës, Baton Stanishiqi dhe Zografin bis finalizuan në fshehtësi projektin për zhbërjen e Kosovës

Nga: Mimozë Lakna Më: 26 prill 2019 Në ora: 08:10
Nga e djathta ish Kryeministri Sali Berisha në intervistë me kryeredaktoren e gazetës “Bota sot” Mimozë Lakna

Në pjesën e dytë të intervistës ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ish kryeministri i Shqipërisë ka folur rreth gjendjen aktuale politike në Shqipëri e Kosovë. Berisha ka thënë se Kosova e Shqipëria aktualisht ndodhen në situatën më kritike se asnjëherë më parë.

Sipas tij, Kosova, me territorin, integritetin dhe sovranitetin e saj, e kapur në befasi dhe në pabesi nga argatët e Beogradit në Prishtinë dhe në Tiranë, është hedhur në treg në funksion të krijimit të Serbisë së Madhe. Ai ka folur edhe rreth idesë që Serbisë t`i jepet Leposaviqi duke thënë se kjo është një ide për të justifikuar dhënien e Trepçës.

Për ish kryeministrin Berisha, gjendja aktuale në Shqipëri është dramatike dhe po ecën drejt një konflikti të brendshëm të rrezikshëm si kurrë me parë. Ai ka potencuar se Opozita ka vetëm një qëllim, largimin e Edi Rames si kryeministër, krijimin e një qeverie provizore për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

 

“Bota sot”: I nderuar z. Berisha si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në Kosovë dhe Shqipëri?

 

Sali Berisha: Mendoj se pas rënies se diktaturës komuniste dhe çlirimit te Kosovës nga pushtuesit serb gjendja në dy vendet tona është me kritike si asnjëherë më parë.

Kosova, me territorin, integritetin dhe sovranitetin e saj, e kapur në befasi dhe ne pabesi nga argatët e Beogradit në Prishtine dhe në Tirane, e kam fjalën për Miladinin shqipfolës dhe shefin e tij Baton Stanishiqin dhe Zografin bis, është hedhur në treg në funksion të krijimit te Serbisë së Madhe. Argatët e Beogradit në Prishtinë dhe Tiranë në kulisa, takime të fshehta me padronët e tyre të Beogradit miratuan projektin e kahershëm serbomadh të Beogradit, pra projektin e ndarjes, copëtimit, ndryshimit te kufijve të Kosovës vetëm e vetëm që Serbia të bëhet më e madhe, siç do të thoshte disa herë gjatë vizitës së tij në Kosovë padroni i tyre Aleksander Vuçiç. Ky projekt ishte paraqitur me dhjetëra herë nga Beogradi që nga vitet 1992 e në vazhdim në Tiranë, Prishtinë dhe në kancelaritë e mëdha të vendeve perëndimore. Ky projekt ishte hedhur poshtë gjithnjë si projekt i Serbisë së Madhe. Por pas vitit 2013, argatët e Beogradit në Tiranë dhe Prishtinë filluan në fshehtësi të plotë procesin e zhbërjes së Pavarësisë së Kosovës, Dokumentit Ahtisari, vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, bllokimit të njohjeve ndërkombëtare, por edhe të procesit të negociatave në Bruksel dhe në tërësi arritjeve thelbësore të shënuara në këtë proces.

Pasi finalizuan në fshehtësi të plotë këtë projekt ogurzi të zhbërjes së Kosovës për interesa të serbomëdhenjve, argatët e Beogradit në Prishtinë hoqën maskat dhe u vërsulen brenda dhe jashtë Kosovës në një fushatë histerike agresive antishqiptare, mobilizuan dhjetëra e dhjetëra milionë euro, të koordinuar me Beogradin për të shitur në tregun ndërkombëtar si të tyre dhe jo të padroneve të tyre në Beograd, projektin e Serbisë së Madhe bazuar ne copëtimin e Kosovës. As arat e baballarëve të tyre këta argatë e besëprerë nuk do mund t'i trajtonin me privatisht se sa ç’trajtuan në fshehtësi, dhe me pas në shtrëngicë publikisht dhunimin e Kushtetutës dhe të territorit, integritetit, sovranitetit dhe vet pavarësinë dhe ekzistencën e Kosovës se martirizuar. Me qëndrimet dhe fushatën e tyre antishqiptare Miladini shqipfolës dhe shefi i tij Baton Stanishiq, në një farë mënyre krijuan përshtypjen së Kosova paska borxhe dhe detyrime të mëdha ndaj Serbisë dhe Serbia nuk ka pse të kërkojë ndjesë pasi sipas patronit të tyre Millosheviqi është një udhëheqës i madh, gjë që Miladini e miratoi në heshtje dhe jo kasapi i shqiptareve. Për të justifikuar aneksimin e territoreve të Kosovës nga Serbia trillojnë gënjeshtra të çdo lloj.

Kështu, ata thonë se Leposaviqi nuk na duhet se na e ka pas dhënë Ranokviçi, paçka se edhe në Kongresin e Berlinit Leposaviqi u la territor Kosovës, të cilës ju morën gjysma e tokave të saj, apo për të justifikuar dorëzimin e Trepçës ata vet dhe emisarët e tyre mahnitin të tjerët kur u thonë se galeritë në anën e këtejme të Kopaunikut janë shfrytëzuar plotësisht prandaj Trepçën le ta marrë Serbia. Ata përhapin idenë e kapitullimit të plote të Kosovës para Serbisë, sipas të cilës çdo marrëveshje e keqe është më mirë se sa pa marrëveshje.

Përse i përket vendit tonë, gjendja aktuale në Shqipëri është dramatike dhe po ecën drejt një konflikti të brendshëm të rrezikshëm si kurrë me parë. Në Shqipëri, sipas analisteve të njohur dhe mediave ndërkombëtare është instaluar narkoshteti. Ajo cilësohet sot si Kolumbia e Evropës. Po rikujtoj këtu se në Shqipëri, si ne asnjë vend tjetër ministria e brendshme ne vitin 2013 ju besua nga Edvin Rama klaneve të drogës dhe trafiqeve. Kështu, që në fillim në këtë post u emërua Saimir Tahiri, përfaqësues dhe bashkëpunëtor i trafikanteve të klanit të Habilajve. Ata që mund të mendonin se kjo ishte rastësi u gabuan. Pas largimit të Tahirit për shkak të dosjes që solli antimafia italiane për implikimin e tij direkt në trafik droge, Rama emëroi në vend të tij Fatmir Xhafen, vëllain e trafikantit ndërkombëtar të drogës Agron Xhafa të dënuar nga Gjykata Supreme italiane me 7.3 vjet burg si trafikant ndërkombëtar droge.

Me një politikë gjysmë zyrtare, në vitin 2016 u be kanabizimi i plotë i vendit dhe si rezultat i prodhimit të mijëra tonelatave hashash, mbi 10 miliard narkoeuro pushtetëruan krimin e organizuar shqiptar të lidhur me qeverinë, vendi u shpall Kolumbi e Evropës, kurse në raportet e dy viteve të fundit të DASH Shqipëria është shpallur qendër operacionale ndërkombëtare e krimit të organizuar në Evropë, Amerikën e Veriut dhe të Jugut, Lindjen e Mesme etj. Krimi i organizuar shqiptar është sot ne krye te krimit te organizuar te Evropës përgjegjës për trafikimin e 50% te heroinës, kokainës dhe morfinës drejt Evropës. Korrupsioni ne Shqipëri sipas raportit te DASH është i papërmbajtur dhe ka kapur te gjitha nivelet e shtetit.

Edi Rama përdori reformën në drejtësi për të marrë të gjitha pushtetet. Shqipëria është vendi i vetëm në botë që nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe de facto as dhe të Lartë. Kështu, që prej dy vitesh pas eliminimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas librit themelor të shtetit është garantë e kushtetutës dhe kushtetutshmërisë, Shqipëria ndodhet në kushtet e grushtit të shtetit brenda shtetit. Kjo sepse pasi me eliminimin e Gjykatës Kushtetuese pushteti i saj i ka kaluar ekzekutivit dhe Edi Rama miraton çdo ligj dhe vendim antikushtetues dhe ka miratuar shume të tilla dhe ato janë në fuqi. Edi Rama sot ka bllokuar institucionin e presidentit të republikës duke mos lejuar agjenesitë ti dërgojnë informacionin që ai kërkon, një e drejtë kjo themelore kushtetuese e kreut të shtetit në çdo vend të botës. Përveç kësaj, paraliza e Gjykatës së Lartë, e cila nga 19 ka mbetur me tre anëtarë ka pasoja shkatërrimtare mbi shtetin ligjor dhe rendin kushtetues. Si rezultat i paralizës se Gjykatës së Lartë aty janë grumbulluar deri tani 40000 dosje gjyqësore dhe deri ne fund te viti pritet te arrijnë në 60000 të tilla. Pra Shqipëria sot është vendi i vetëm i planetit me sistem gjyqësor dy shkallesh. Vetishëm lind pyetja se kush përfiton nga kjo situate puçiste antikushtetuese.

Nga kjo situate përfiton se pari Edvin Rama, i cili duke përdorur vetingun në drejtësi si satër për gjueti shtrigash, fiton absolutisht çdo gjyq ku pale është narkoqeveria e tij. Kështu ne rast se ne vitet 2005-20013 gjyqet ne masën 60-70% i fitonin qytetaret, sot ato ne 99% te rasteve i fiton qeveria.

Përveç qeverise, nga kjo situate, për shkak të bllokimit të procedurave përfitojnë kriminelet.

Situata aktuale ne Shqipëri është tejet kritike edhe për një arsye tjetër themelore dhe kjo lidhet me faktin se Edi Rama është armik i papajtueshëm me votën e lirë. Kosova ka shume probleme por unë kam ndjekur me shume interes zgjedhjet ne Kosove, ato kane qene gjithnjë brenda standardeve të pranueshme ndërkombëtare. Kurse në Shqipëri Edi Rama përdor banda, të gjithë pushtetin, paratë e krimit për të rrëmbyer zgjedhjet. Pikërisht se kjo dukuri është e mirënjohur dhe e faktuar disa herë, PD në pranverë të vitit 2017 ndërmori një protestë 90 ditore për largimin e Rames me qëllimin e vetëm zhvillimin e zgjedhjeve te lira. Me këtë qellim u firmos edhe marrëveshja e 18 majit 2017. Por Edi Rama përdori marrëveshjen si fasade, ai vetëm në rrethin e Durrësit shtoi në listat e zgjedhësve të Durrësit nga zona të tjera te vendit rreth 40 mije zgjedhës, shumica dërrmuese e të cilëve votuan dy herë.

Ai përdori për partinë e tij të gjitha burimet shtetërore njerëzore, financiare, materiale shtetërore. Në mes të fushatës, në një akt qe nuk kishte ndodhur kurrë më parë, ai bëri policisë së shtetit që pas 8 orëshit të punës hiqni kapelat dhe dilni e mblidhni vota për partine socialiste. Pavarësisht nga këto zgjedhjet e vitit 2017 përfunduan dhe opozita i njohu ato. Por, një vit më parë dolën në shesh regjistrime të kryera nga prokuroria në survejim të bandave dhe aty papritmas rezulton se në periudhën e zgjedhjeve bandat më të rrezikshme të krimit të organizuar morën nga qeveritaret lokal dhe qendror detyra elektorale në rrethet e Durrësit, Lezhës, Shkodrës, Elbasanit, Peshkopisë etj. Në këto biseda dhe takime del se ishin të angazhuar ministrat, qeveritaret vendor socialist dhe vet kreu i tyre Rama. I vetmi veprim që u krye me këto dy dosje ishte transferimi i prokurorit te tyre ne Pogradec. Pra opozita në Shqipëri doli nga parlamenti sepse në mungese të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës se Lartë ajo ishte thjeshte një fasade ne parlament sikundër provat e sigurta te dosjeve 339 dhe 184 provuan se me Edi Ramen kryeministër nuk mund te këtë zgjedhje në Shqipëri.

“Bota sot”: z. Berisha, tashmë po bëhet një vit që kur Shqipëria mori rekomandim pozitiv për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, cilat mendoni se janë problemet që po e sfidojnë finalizimin e këtij procesi?

Sali Berisha: Në deklaratën e 27 qershorit të vitit 2018 të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, kërkohet nga Shqipëria të plotësojë 13 kushte me qellim që në dhjetor të vitit 2019 të hapet drita jeshile për hapjen e negociatave. Cilido që dëshiron të kontrollojë listën e kushteve do konstatojë menjëherë se Shqipëria nuk ka plotësuar absolutisht asnjërin prej tyre. Përkundrazi në të gjitha ka pasur përkeqësim të ndjeshëm. Kështu vendi është ulur me 7 vende në shkalloren e korrupsionit dhe me 8 vende me lirinë e mediave, vlerësohet si qendër operacionale e organizatave kriminale ndërkombëtare, kërkesat për reformën e drejtësisë dhe atë elektorale nuk janë plotësuar asnjëra prej tyre. Prandaj Shqipëria, e cila qe nga viti 2016 merr rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave pa kushte, bazuar në një raport që nuk shpreh realitetin e saj përsëri si dhe në vitet e tjera edhe këtë vit do të marrë një JO të plotë nga vendet anëtare.

“Bota sot”: Në situatë jo të favorshme sa i përket procesit të integrimit në BE është edhe Kosova, pasi me gjithë premtimet, qytetarët e saj po vazhdojnë të jenë të izoluar për shkak të mos liberalizimit të vizave, z. Kush mendoni se duhet të jap përgjegjësi për këto ngecje, BE apo politikanët e Kosovës?

Sali Berisha: Unë jam i bindur se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për heqjen e vizave. Bllokimi i tyre i padrejtë lidhet me kundërshti të brendshme në gjirin e vendeve anëtare të BE që shpresoj të kapërcehen.

“Bota sot”: Ditëve të fundit  Shqipëria është përfshirë nga një valë protestash kundër qeverisjes Rama, çfarë synoni të arrini si opozitë me anë të këtyre protestave?

Sali Berisha: Opozita ka vetëm një qellim largimin e Edi Rames si kryeministër, krijimin e një qeverie provizore për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Bota sot”: Mendoni se do ta arrini këtë qëllim para se z. Rama ta përfundojë mandatin?

Sali Berisha: Opozita sipas të gjitha polleve është sot shumicë e padiskutueshme absolute në Shqipëri. Por njëkohësisht ajo ndodhet para alternatives hamletiane "to be or not to be". Unë kam besim të plotë se ajo do realizoje qëllimin e saj, largimin e Edi Rames dhe garantimin e te drejtës se shqiptareve për të votuar të lirë si vëllezërit e tyte në Kosovë apo qytetarët e tjerë të rajonit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat