LDK e gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme, fitojmë edhe me lidershipin e tanishëm

Intervista

LDK e gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme, fitojmë edhe me lidershipin e tanishëm

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 29 prill 2019 Në ora: 10:13
Imet Rrahmani

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot” , deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imet Rrahmani, ka folur për gjendjen aktuale në vend, për të cilën ka thënë se ka ardhur në një stad të tillë ku asgjë nuk mund të parashikohet.

Për më tepër, Rrahmani ka folur edhe për taksën e vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet serbe dhe kërkesën e ndërkombëtarëve për largimin e saj.

Ai ka uruar që liderët e Kosovës, të shkojnë në Samitin e Berlinit me qëndrime të njëjta, pasi siç ka theksuar, qëndrimet jo të njëjta dhe shpesh të kundërta për problemin e dialogut kanë bërë që shtetet evropiane të tërhiqen mbrapa në procesin e liberalizimit të vizave.

Deputeti Rrahmani, ka theksuar se LDK është e gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme edhe nëse ato mbahen tani, kur kjo parti po i nënshtrohet procesit të brendshëm zgjedhor.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend?

Imet Rrahmani: Mbretëron mendimi se situata politike në vend ka arritur në një stad te tillë ku asgjë nuk mund të parashikohet. Kemi një status quo nga qëndrimet jo ëe të lidershipit të vendit karshi proceseve të rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi, kemi një mosfunksionim si asnjëherë më parë të Kuvendit dhe një pakënaqësi në rritje për qeverisjen aktuale. Të gjitha këto po përcillen nga pamundësia e opozitës me shkaktu ndryshime.

“Bota sot”: Kujt duhet t`i adresohet faji për ikjen e madhe të të rinjve që po ndodhë këtyre ditëve?

Imet Rrahmani: Unë besoj se këto janë procese, të cilat rendojnë me shumë mbi vendet e vogla dhe me zhvillim ekonomik të ulet sikur është Kosova. Procesi i migrimit të popullatës ka ndodhur dhe po ndodh edhe në vendet tjera, por vendet e vogla janë më të ndjeshme nga largimi i popullatës e sidomos të të rinjve. Fajtor jemi të gjithë, kush më shumë e kush më pak, që nuk kemi arritur të krijojmë besueshmëri më të madhe të institucionet tona dhe të shteti . Mbi te gjitha është evidentu humbja e besimit se ka mundësi që shpejt rrethanat do të ndryshojnë ka e mira sepse oferta e vetme për rininë është keq qeverisja, nepotizmi, korrupsioni dhe pasiguria e trajtimit të barabartë nga shteti.

“Bota sot”: Po ashtu, Qeveria e Kosova po kritikohet vazhdimisht edhe për punësimet partiake nëpër institucione, si e komentoni këtë?

Imet Rrahmani: Mjafton të shikohen shifrat që kanë arritur të sistemuarit partiak në Qeveri, pra numri rekord i zv. Ministrave, këshilltarëve politik, pastaj punësimet partiake dhe të militanteve në kompani publike e gjetiu dhe të konstatohet se kjo gjendje ka kaluar çdo kufi dhe shembujt eventual nga qeverisjet paraprake. Kjo situatë është e pakrahasueshme me diçka më herët, urojmë edhe të mos përsëritet kurrë më në asnjë qeverisje të ardhshme, sepse është dëshpëruese. E sikur kjo të mos mjaftoj, tentativat e justifikimit me deklarata të pa matura dhe joserioze nga qeveritaret dhe deputetet e partive në pushtet, len me kuptu se këta fare se kanë mendjen të zgjidhja e halleve të vendit por mendjen e kane vetëm te vota dhe pushteti.

“Bota sot”: Cilat hapa po i ndërmerr LDK-ja që të parandalohet kjo qeverisje partiake, a mund të jetë një ndër ta edhe mocioni ndaj Qeverise siç keni deklaruar ditë më parë?

Imet Rrahmani: Mocioni është opsion i mundshëm si instrument politik për rrëzimin e qeverisë. LDK vazhdimisht angazhohet që të gjendet rruga që me mjete demokratike të ndërpritet kjo qeverisje e vendit. Personalisht unë kam hasur në pakënaqësi edhe të disa deputet të partive në pushtet dhe presim që opozita të bëjë vlerësimet e fundit dhe të dorëzoj mocionin. Në ditët në vijim besojmë se mund të e kemi më të qartë situatën.

“Bota sot”: Një temë tjetër aktuale, që është në vendin tonë është edhe taksa e vendosur ndaj produkteve të Serbisë edhe të Bosnjës e Hercegovinës, cili është komenti juaj rreth kësaj?

Imet Rrahmani: Edhe më herët e kemi thënë se efektin taksa e ka arritur në fillim. Ka ndodhur një mobilizim i qytetarëve ne bojkotimin e produkteve serbe dhe boshnjake, ka një lëvizje pozitive në atë drejtim nëse e marrim bojkotin si objektive primare. Por, kërkesat e partnereve për pjekjen e taksës, përfoljet për “lulëzimin” e kontrabandës dhe keqpërdorimin deri në instanca ministrore të efekteve të taksës dhe shtimi i kostos se jetës nga ngritja e çmimeve unë mendoj se e detyrojnë qeverinë të e bëjë një analizë urgjente për arsyeshmërinë e mbajtjes së taksës edhe më tutje. Pastaj situatën po e rëndojnë edhe më shumë qëndrimet e kundërta të udhëheqësve të institucioneve kryesore të shtetit.

“Bota sot”: Për largimin e taksës kanë bërë thirrje edhe vendet mike të Kosovës, si e vlerësoni qëndrimin e kryeministrit Haradinaj lidhur me këtë?

Imet Rrahmani: Raporteve tejet miqësore me SHBA-të dhe shumicën e vendeve evropiane nuk guxojmë të i biem në dyshim në asnjë moment. Shpresoj se edhe Kryeministri por edhe bashkëpunëtorët e tij do të e vlerësojnë drejt nevojën e ruajtjes së marrëdhënieve vëllazërore me vendet që investuan shumë për lirinë e popullit tonë.

“Bota sot”: Kryeministri Haradinaj ka thënë se në Samitin e Berlinit do të flas për taksën edhe për heqjen e vizave, a do të ketë heqje të vizave për qytetarët e Kosovës, pas këtij Samiti?

Imet Rrahmani: Uroj që ata që flasin në emrin e Kosovës të jenë ë në qëndrime, të mos paraqiten me qëndrime të kundërta sikurse që ka ndodhur disa herë deri më tash. Nuk besoj se një qëndrim refuzues ndaj kërkesave të shteteve evropiane mund të mirëkuptohet dhe të kemi liberalizimin e vizave. Qëndrimet jo të njëjta dhe shpesh të kundërta për problemin e dialogut kanë bërë që shtetet evropiane të tërhiqen mbrapa në procesin e liberalizimit të vizave, edhe pse Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet. Përkundër kësaj ne nuk mund të bëjmë me gisht nga shtetet evropiane për fajësi sepse ne jemi fajtore për krijimin e imazhit politik jo të besueshëm mjaftueshëm, e si rrjedhojë kemi edhe kushtëzim pas kushtëzimi.

“Bota sot”: Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, dy bashkëkryesuesit e të ashtuquajturit Ekipi negociator i Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, kanë vendosur që me vete t’i marrin edhe nipat dhe tezakët e tyre. A ka nevojë Kosova për një përfaqësim të tillë?

Imet Rrahmani: E para për mua më me rëndësi është se cili është legjitimiteti politik i këtij grupi negociator sesa cilët janë këshilltarët dhe asistentet e anëtarëve të grupit, dhe e dyta përbërja e këtij grupi me stafin mbështetës nuk mund të jetë ndryshe nga modeli i instaluar në qeverisjen e PAN-it.

“Bota sot”: Ju ishit ministër i Shëndetësisë në qeverinë e kaluar, si e vlerësoni punën e ministrisë së tanishme?

Imet Rrahmani: Me vije keq të komentoj rrjedhat në shëndetësi sepse shëndetësia ka shumë specifika që mjerisht ende nuk po arrihen të kuptohen drejt. Pastaj në ende nuk arritëm që të krijojmë vazhdimësi në qeverisje dhe në vizionin se si duhet të duket shëndetësia pas një dekade s’paku. Ne sa ishim në qeverisje punuam shumë në vazhdimin aty ke e kishte lënë qeveria paraprake, sidomos në proceset që reformojnë sistemin, pastaj filluam edhe procese tjera. Ishim shumë mirë të koordinuar edhe me donator dhe me institucione tjera participuese në zhvillimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, në shtrirjen e Sistemit të Informimit Shëndetësor, në trasimin e rrugës se implementimit të konceptit të mjekësisë familjare, në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore në çdo pjesë të Kosovës, në ngritjen e shërbimeve të reja dhe stabilizimin e furnizimit me barna. Mjerisht mu ato procese u ndalen, u devijuan dhe disa edhe u kthyen mbrapa. Propaganda mediatike rreth arriturave të mëdha ka filluar të demaskohet jo vetëm nga politika, por edhe nga vet qytetaret dhe punëtorët shëndetësor. Po harrohet se shëndetësia është shumë më shumë se QKUK. Tash sipas asaj që po shihet kompanitë që në bazë e kanë tregtimin e IT teknologjisë janë politikëbërësit në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Bota sot”: Pacientet po detyrohen që t`i blejnë edhe gjerat më elementare, siç ishte rasti i dorëzave apo edhe i barnave, cilat janë shkaqet që po ndodh një gjë e tillë?

Imet Rrahmani: Nuk duhet shumë me pas informata për me kuptu se ku qëndron faji. Keqmenaxhimi i buxhetit të barnave është shkaku kryesor dhe proklamomi pompoz kinse i revidimit të listës esenciale dhe kontrollimit të çmimit të barnave, qoftë edhe në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën. Krejt kjo ndërhyrje në sistem është bërë me qëllim të favorizimeve dhe orientimit të kontratave dhe përfitimeve të individëve dhe grupeve. Ne me 21 milion kemi mbajtur stabil me furnizim kujdesin primar në shifra rreth 80% derisa në kujdesin sekondar dhe terciar që i bie në spitale diku rreth 70% nga lista. Onkologjia ka pasur prioritet dhe shifrat janë sjellur gjithmonë mbi 95% të nevojave, po e përsëris të nevojave të pacienteve. Tash edhe me 35 milion kemi ulje të furnizimit. Edhe me keq që disa shërbime janë kthyer mbrapa ne siguri dhe cilësi si dializa, të disa ka mungesa që dikur ishin të bollshme sikur janë onkologjia, radiologjia etj.

“Bota sot”: Kur mungojnë gjërat bazë, a do të thotë kjo se ka keqpërdorim të buxhetit të ndarë për shëndetësi?

Imet Rrahmani: Keq menaxhimi më i madh përpos buxhetit për barna po ndodh edhe të menaxhimi i vazhdimit të projekteve të filluara në qeverinë Mustafa. Dëmi që ju ka bere spitalit të Ferizajit me ndryshmin e lokacionit pa adaptimin e projektit po paralajmërohet të i bëhet Klinikes Emergjente. Pastaj disa projekte po ngecin si rezultat i mosgatishmërisë së politikes sikur është Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Gjilan, etj.

Mbi të gjitha demi më i madh ju ka bërë shëndetësisë që nuk është vazhduar puna në implementimin e Ligjit te Sigurimeve dhe Sistemit të Informimit Shëndetësor. Gjithashtu janë humbur miliona prej donatoreve nga mungesa e vizionit. Kjo e fundit mund të vërtetohet nëse i kontaktoni donatoret direkt.

“Bota sot”: Si e vlerësoni zgjedhjet e brendshme në LDK tashmë janë shpallur?

Imet Rrahmani: Deri tash procesi ka ecur mirë. Janë duke u zhvilluar proceset zgjedhore në një pjesë të degëve të LDK-së, pastaj do të vazhdohet me zgjedhje në pjesët tjera. Unë pres që të kemi procese të qeta, demokratike, nga të cilat do të dalin struktura me përkrahje të gjerë, legjitime dhe që do të përfaqësojnë vullnetin e anëtareve të partisë. Rezultati final duhet të jetë një udhëheqje e fort e LDK-së e cila do ti fitoj zgjedhjet padyshim. Por edhe sikur rrjedhat eventuale politike shkaktojnë zgjedhje të jashtëzakonshme në vend, LDK është e gatshme t`i fitoj zgjedhjet edhe me këtë lidership që ka tani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat