Alarmon Anton Quni: Kosova po përjeton gjendjen më të keqe që nga çlirimi - Bota Sot
Alarmon Anton Quni: Kosova po përjeton gjendjen më të keqe që nga çlirimi

Intervista

Alarmon Anton Quni: Kosova po përjeton gjendjen më të keqe që nga çlirimi

Nga: Valon Rogova Më: 5 korrik 2019 Në ora: 07:55
Anton Quni

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, deputeti Anton Quni e ka vlerësuar të suksesshëm procesin e brendshëm zgjedhorë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Prizren, ku edhe u zgjodh kryetar i degës. Ai ka thënë se, garën me deputetin Driton Selmanaj e nisën mbarë, në mënyrë korrekte, andaj edhe rezultoi e suksesshme. Sa i përket tensioneve nëpër degë e nëndegë të ndryshme ku është zhvilluar procesi zgjedhor, Quni ka thënë se në LDK, zgjedhjet e brendshme janë garë, e jo caktime, nominime e imponime të emrave. Ai ka treguar po ashtu nëse do të jetë kandidat për kryetar të LDK-së apo do të përqendrohet vetëm në komunën e Prizrenit.

 Deputeti i LDK-së, ka folur edhe rreth situatës aktuale politike në vend duke thënë se për akterët që aktualisht janë në krye të shtetit, politika është “sport” i rëndë. Quni ka thënë se Qeveria aktuale duhet të rrëzohet, për shkak të skandaleve të shumta. Sipas tij, situata e ka arritur pikën e alarmit, për gjendjen më të keqe që Kosova ka përjetuar që nga çlirimi i saj.

“Bota sot”:  Z. Quni, ju sapo jeni zgjedhur kryetar i degës së LDK-së për Komunën e Prizrenit, a mund të na thoni se si ka ecur në tërësi procesi?

Anton Quni: Më shumë se sa fitorja ime për të parin e degës së LDK-së në Prizren, për mandatin katërvjeçar, më gëzon fakti se, procesi zgjedhor nëpër të gjitha nëndegët u zhvillua në frymën demokratike, në atmosferë të qetë, të rregullt dhe pa probleme. Gara mes nesh kandidatëve, mendoj se ishte një garë e fortë, por që e karakterizonte korrektësia dhe me një rivalitet që u zhvillua brenda kornizave të rregullave demokratike zgjedhore të brendshme.

“Bota sot”:  Pas shumë kuvendeve "jo të zakonshme", nëpër degë përkatësisht nëndegë të ndryshme, pamë një unifikim të anëtarësisë së LDK-së në Prizren, sa ishte e vështirë që të arrihej një gjë e tillë?

Anton Quni: Populli ynë thotë: “kur diçka nisë mbarë, mbarësi sjell”, mendoj që unë dhe Dritoni e nisëm mbarë garën, duke bërë publike me kohë kandidaturat tona. Më pas punuam në teren që të dy, me aktivistët, strukturat dhe anëtarësinë e partisë. Kishte raste kur merrja pjesë në kuvende të nëndegëve dhe më jepej fjala t’u drejtohesha të pranishmëve, në rastet kur Dritoni nuk ishte i pranishëm, refuzoja të merrja fjalën me qëllimin që ta ruaj korrektësinë në raport me të si kundërkandidat. Kur të dy ishim të pranishëm, u jemi drejtuar anëtarësisë me mesazhe të bashkëpunimit, vlerësimit, respektit të ndërsjelltë si dhe me premtimin që bashkëpunimi ynë për të mirën e LDK-së do të vazhdojë, pavarësisht se cili do të dalim në fund të garës fitues.

Unë dhe Dritoni, përgjatë gjithë procesit, jemi zotuar që do të japim shembullin e mirë se si mund të garohet duke ruajtur frymën pozitive dhe kolegialitetin e respektin njerëzor për njëri tjetrin. Në këtë kuptim, mendoj se të dytë mund të ndihemi të fituar, pasi që sjellja jonë dhe mesazhet që kemi përçuar i mbajtën afër e të bashkuar gjithë anëtarësinë e LDK-së në Prizren.

“Bota sot”:  Sa është unike LDK-ja z. Quni?

Anton Quni: Në proceset zgjedhore është normale që të ketë diversitet mendimesh, opinionesh e preferencash, ndonjëherë atmosfera mund edhe të jetë më e nxehtë e ngapak edhe me tensione, por kur përfundimi arrihet të përmbyllet me pajtueshmëri të garuesve, kjo ruan unitetin brenda partiak dhe edhe ndonjë dhe edhe ndonjë tension që shfaqet brenda nuancave të nxehtësisë së garës ka kuptim.

Në fund të fundit, sharmi i demokracisë është garimi...e kundërta e kësaj janë totalitarizmi, autoritarizmi, etj. Në LDK, zgjedhjet e brendshme janë garë, e jo caktime, nominime e imponime të emrave. Kjo është vlera që ne na dallon nga partitë tjera rivale, përkundër problemeve që mund të na shfaqen aty këtu, por që ne jemi aq të pjekur politikisht sa t’i tejkalojmë me elegancë. Për ne të gjithë, besoj që është e qartë se sa e rëndësishme është ta ruajmë unitetin, ta forcojmë lidhjen tonë me anëtarësinë dhe elektoratin, dhe ta nxjerrim LDK-në fituese kurdo që futemi në zgjedhje. Këtë ia kemi borxh Kosovës dhe qytetarëve të saj që presin e duan të shohin LDK-në si një alternativë serioze politike që do ta nxjerri vendin nga kriza e keqqeverisjes aktuale. Uniteti ynë është çelësi për fitore, dhe për këtë jemi të gjithë të vetëdijshëm.

“Bota sot”:  Tashmë iu është hapur rruga për pjesëmarrje në Kuvendin Qendror, a mund të na i thoni pritshmëritë tuaja nga ky Kuvend?

Anton Quni: Do të doja të shihja, fillimisht një kuvend që përçon mesazhin e fortë se, LDK është, jo vetëm partia e parë demokratike e krijuar në Ballkan, por edhe që e ka arritur pjekurinë e maturinë politike të nivelit të partive evropiane si motra të familjes EPP. Pres që ky proces të nxjerri një lidership me ekip të pranueshëm për të gjitha regjionet dhe gjeneratat dhe që do të demonstronte kulturë shtet ndërtuese dhe partneritet serioz me vende e organizata euroantlantike.

“Bota sot”:  Deri tash kemi parë vetëm kandidaturën e Lutfi Hazirit për kryetar të LDK-së, po ju z. Quni a mund të jeni një ndër kandidatët për këtë post?

Anton Quni: Jo, unë tani jam i përqendruar për tu angazhuar maksimalisht me anëtarësinë e degës së Prizrenit, sepse ua kam premtuar që do të bëjmë edhe të pamundurën të mundur që ta ringrisim degën e ta nxjerrim LDK-në si parti e parë në Prizren. E di që duhet shumë punë, mund e djersë për ta arritur këtë, sepse nëse rrënjët janë të lehta, ngritjet janë të vështira dhe kërkojnë shumë kohë, angazhim e përkushtim. Sa për kandidaturat e mundshme, do të doja të ishin publike që tani, sepse do të na e bënin me të lehtë përcaktimin duke i ftuar në Prizren që të vijnë e të djersiten mirë për t’i bindur delegatët tanë.

“Bota sot”:  Sa ka gjasa që kryetari i LDK-së të zgjidhet me koncenzus paraprak?

Anton Quni: Varet nga akterët e politik bërjes në krye të LDK-së se si do të përcaktohen në fund, por që mendoj se nuk përjashtohet as kjo formë, për sa kohë njihet edhe si mundësi që e njohin si të pranueshme edhe rregullat demokratike.

“Bota sot”: T'i kthehemi edhe zhvillimeve të përgjithshme, cili është opinioni juaj për punën e qeverisë PAN, prej se u krijua?

Anton Quni: Mendoj që kurrë Kosova nuk ka patur qeveri më të dobët, më me shumë skandale, aq shumë sa nuk e di ju mediat a po arrini t’i raportoni të gjitha apo skandali po e mbulon skandalin dhe po ju ikën pa pasur mundësi të flisni e të raportoni. Thënë më shkurt, duket sikur koha gjatë qeverisjes së PAN-it ka ndalu...po numërojmë në vend dhe si popull dhe si shtet.

“Bota sot”:  Kujtojmë këtu, që Gjykata Kushtetuese dha verdiktin e saj në raport me Grupin Negociator, duke e shpallur të jashtëligjshëm. Cili është qëndrimi juaj ndaj Gjykatës Kushtetuese si dhe vet Grupit Negociator të kryesuar nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj?

Anton Quni: Verdikti i Gjykatës Kushtetuese vetëm sa e konfirmoj atë që ne kemi thënë në momentin kur GP I LDK-së vendosi t’i drejtohej asaj. Fatkeqësia është se askush nuk merr përgjegjësi për një skandal ku bëhen edhe shkelje kushtetuese e as që ndëshkohet kush. Në anën tjetër, dorëheqjen morale, si institucion i vjetër mbi moralin në politik, po aq i vjetër sa edhe politika vet, këta nuk e njohin, sepse, tashmë po duket sheshazi që për akterët që aktualisht janë në krye të shtetit, politika është “sport” i rëndë.

“Bota sot”:   Sa ka avancuar bashkëpunimi juaj me Lëvizjen Vetëvendosje dhe PSD-në për krijimin e numrave të nevojshëm për rrëzimin e qeverisë PANA?

Anton Quni: Nuk mund të shpalosi detaje rreth kësaj çështje, ju kërkoj mirëkuptim që më duhet të ju lë pa përgjigje konkrete, sepse për kontaktet me partnerët tanë opozitar dhe përparimet e bëra në këtë drejtim mbetët në diskrecionin e kryetarit për t’u prononcuar.

“Bota sot”:  A mendoni që është e nevojshme rrëzimi i qeverisë dhe të krijohet një e re. Nëse po, përse?

Anton Quni: Lista e arsyeve për qeveri të re është e pafund. Koalicioni PANA i krijuar me më shumë se 20 parti, ka qenë e ditur që nga fillimi se po krijonte një qeveri interesash të panumërta partiake, pa asnjë vizion, plan a program për të bërë gjë të mirë për qytetarët apo për progresin e shtetit të Kosovës. Përkundrazi, vendi ka shënuar regres të dhimbshëm si në qeverisjen e brendshme po ashtu edhe në fushën e diplomacisë së jashtme. Skandalet e përditshme të keqpërdorimit të parasë publike, korrupsioni, nepotizmi, shpërdorimi i pozitave zyrtare, kabineti megaloman qeveritar, ngecja e procesit të integrimeve evropiane, ngecja e njohjeve të shtetit, skandalet e panumërta diplomatike e qindra arsye të tjera që po sjellin pasoja të dhimbshme e pothuajse të pariparueshme për mirëqenien e qytetarëve të vendit dhe stagnimin total të shtetndërtimit të Kosovës, jo vetëm që sjell nevojën e rrëzimit të kësaj qeverie, por mendoj se e ka arritur pikën e alarmit për gjendjen më të keqe që Kosova ka përjetuar që nga çlirimi i saj.

“Bota sot”:  A ishte qeveri më e mirë ajo e Isa Mustafës me këtë të Ramush Haradinajt? Nëse po, në cilat pika?

Anton Quni: Të rikujtoj se Qeveria Mustafa, gjatë gjithë mandatit të saj, u detyrua të veproi pothuajse në kushte lufte, pa e lënë të shijoj asnjë ditë të qetë pune, dhe, edhe përkundër kushteve dhe rrethanave të jashtëzakonshme, shënoi rezultate të jashtëzakonshme si në aspektin e përmirësimit të jetës së qytetarëve po ashtu edhe në avancimin e pozitës së vendit në arenën ndërkombëtare. Marrë parasysh gjithë këto, qeveria Mustafa mbetët qeveria më e mirë dhe më e suksesshme që Kosova ka pasur prej ekzistimit të saj dhe lirisht mund të konsiderohet si shkollë, niveli i të cilës mbetët i paarritshëm për qeverinë e tanishme.

“Bota sot”: Cilat janë pritshmëritë e juaja për LDK-në në elektorat?

Anton Quni: Besoj që jo vetëm elektorati ynë, por edhe qytetarët e papërcaktuar e madje edhe votues të partive në pushtet janë zgjuar dhe përditë po e shprehin zhgënjimin e tyre për mashtrimet që u kane bërë partitë që u bashkuan natën për të sjellë vetëm terr e regres.

LDK-ja shpesh herë akuzohej për politikën e saj të butë karshi agresivitetit të partive të tjera, por kjo vlerë e saj, që bazohet në të bërit politik të sinqertë dhe konstruktive në raport me interesat e qytetarëve dhe interesat e vendit, pa e vënë fokusin vetëm në kalkulime partiake dhe politika ditore, e ngrit LDK-në në nivel më të lartë të besueshmërisë në elektoratin e saj por edhe më gjerë. Besoj që krejt kjo do të na përkthehet në votë, kurdo që të shkojmë në zgjedhje.

“Bota sot”:  Sa herë që përmenden zgjedhjet, nuk mund të mos përmenden edhe koalicionet e mundshme zgjedhore, z. Quni a do të jetë PDK vija e kuqe për LDK-në?

Anton Quni: Nëse herën e kaluar vendimet e partisë, nuk ishin në përputhje me vullnetin e votuesve, sot, mendoj se të gjithë jemi të vendosur që të mos e përsërisim të njëjtën situatë. Planet dhe vendimet e instancave vendimmarrëse të partisë do të jenë në përputhje të plotë me pritjet e elektoratit tonë, JO me PDK-në.

“Bota sot”: Keni qenë një nga protagonistët e betejës së Koshares. Na thuaj pak: ç’kujtoni nga ajo kohë?

Anton Quni: Kujtoj shumë momente që kanë lënë vrrage të pashlyer tek unë, por mbi të gjitha, kujtoj idealin e përbashkët, vrullin e rinise, kufijtë e forcës njerëzore, vlerat më të larta kombëtare që na bashkonin të gjithëve dhe na mbanin të fort e na udhëzonin drejt betejave për fitore.

“Bota sot”:  Muaj më parë, ka pasur akuza e kundër akuza ndërmjet jush dhe z.Xhavit Haliti, a keni marrë ndonjë njoftim nëse ka vepruar Prokuroria diçka për hetimin e tyre. Si qëndron e vërteta?

Anton Quni: Nuk kam informacione me ecurinë e veprimeve të prokurorisë. Krejt çfarë mund të ju them, në lidhje me këtë çështje është se, unë personalisht nuk jam kontaktuar nga asnjë prokuror dhe gjithashtu nuk e di, a i kane trokitur ne derë z.Halitit apo jo.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...