LDK dhe kryeministrja Vjosa Osmani, garanci për mbrojtjen e territorit të Kosovës - Bota Sot
LDK dhe kryeministrja Vjosa Osmani, garanci për mbrojtjen e territorit të Kosovës

Intervista

LDK dhe kryeministrja Vjosa Osmani, garanci për mbrojtjen e territorit të Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 4 tetor 2019 Në ora: 09:12
Ruzhdi Shehu

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, kandidati për deputet Ruzhdi Shehu, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka një program qeverisës të strukturuar për forcimin e rendit dhe ligjit.

Ai ka thënë se konkretisht LDK do të ndërmarrë hapa drejt dekriminalizimit të të sistemit të drejtësisë dhe atij të sigurisë, duke përfshirë këtu edhe Vettingun dhe krijimin e institucioneve kredibile për hetimin e pasurisë së zyrtarëve publik.

“Bota sot”: Z. Shehu duke e marr parasysh se ju jeni për herë të parë për Intervistë në gazeta “Bota Sot”, a keni mundësi të na prezantoni në pika të shkurtra për lexuesit tonë, biografin tuaj?

Ruzhdi Shehu. Unë jam Ruzhdi Shehu (LDK) – Kandidat nr. 71 për Deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. I lindur më 15 shkurt 1961 në Junik/Kosovë, i martuar dhe prind i katër (4) fëmijëve. Studimet themelore i kam përfunduar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ndërsa Studimet Post-diplomike (Master) përfundova në Fakultetin e Administratës Publike dhe Shkencave Politike të Universitetit të Evropës Juglindore. Gjatë viteve 2008-2014 kam qenë Kryeinspektor i Inspektoratit të Tregut pranë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Ndërsa gjatë viteve 2006-2008 jam zgjedhur Kryeshef i Ekzekutivit në Komunën e Junikut. Gjatë viteve 2003-2006 ka punuar si Inspektor Tatimor dhe Menaxher i Njësisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj të Kosovës pranë Administratës Tatimore të Kosovës. Që nga viti 2009 jam qenë Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) - Dega në Junik. Në vitin 2010 kam qenë po ashtu anëtar Këshillit të Përgjithshëm të LDK. Ndërsa prej vitit 2001 deri në vitin 2006 kam qenë Këshilltar Komunal në Kuvendin Komunal të Deçanit nga radhët e LDK-së. Gjatë viteve 1992 - 1999 jam zgjedhur Kryetar i Këshillit Komunal të Financimit në Komunën e Junikut. Ndërsa gjatë po këtyre viteve kam qenë themelues dhe anëtar i Degës së LDK-së në Junik.

“Bota sot”: Ju keni vendosur të hyni në listën me LDK dhe dihet që ju keni qenë bashkëpunëtor i Presidentit Rugova. Po në cilat pika jeni pajtuar konkretisht se ju duhet të jeni aty?

Ruzhdi Shehu: Unë edhe siç dihet jam pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës që nga themelimi i saj. Po ashtu jam një ndër themeluesit e Degës në Junik të LDK-së. Kam pasur nderin të jem një nga bashkëpunëtorët e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova në shumë procese të rëndësishme për Dukagjinin dhe gjithë Kosovën. Një nga këto procese të ideuar dhe implementuara nën patronatin e Presidentit Rugova është edhe themelimi i komunës vet qeverisëse të Junikut, që sot është realitet. Sot, Lidhja Demokratike është shpresa e vetme për shtetin e Kosovës. Ne jemi subjekti i vetëm politik me një listë për deputet të “pastër si loti” dhe me një program të mirëfilltë për Kosovën.

“Bota sot”: Cilat janë çështjet kryesore që do t'i shpalosni në Kuvend, nëse futeni si deputet?

Ruzhdi Shehu: Unë me profesion jam ekonomist dhe jam i specializuar në çështjet e tregtisë së lirë ekonomike si dhe sigurisë së përgjithshme të produkteve. Kosova sot edhe 20 vite pas luftës, ende ballafaqohet me shkallë të lartë të papunësisë, varfërisë dhe varfërisë ekstreme. Pasur parasysh këtë, për LDK prioritete të para janë rendi dhe ligji, ekonomia dhe arsimi. Megjithatë LDK e ka programin e strukturuar me të cilin garon në këto zgjedhje ku janë të përcaktuara masat dhe veprimet konkrete të LDK me të cilat do t’i kthehet dinjiteti qytetarëve të Kosovës.

"Bota sot”: Çfarë pritni nga LDK-ja në këto zgjedhje?

Ruzhdi Shehu: Shteti nuk mund të ç’kapet nga ata që vet e kanë kapur? Shteti nuk mund të bëhet nga ata që nuk e njohin as shtetin e as institucionet! Shteti as nuk mund të mbahet pa miqtë tanë ndërkombëtar! Shteti mund të ç’kapet, të bëhet dhe të mbahet vetëm me një program të mirëfilltë të qeverisjes. Këtë program e ka vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës me kryeministër Vjosa Osmanin.Qeveria e Vjosa Osmanit do të ketë dymbëdhjetë (12) ministri me vetëm nga dy (2) zëvendësministra. - Nga njëqind (100) euro në muaj do të ndahen për çdo foshnje të porsalindur për një vit. - Për çiftet e porsamartuara do të subvencionohen normat e interesit të kredive duke i zvogëluar ato deri në 1% si dhe do të zgjatet periudha e kthimit deri në tridhjetë (30) vite. - Gjatë mandatit të parë të LDK-së buxheti i Republikës së Kosovës do arrijë në 3 miliardë Euro i përcjellë me rritje ekonomike 6% në çdo vit të mandatit. Do të ndalet degradimi i pyjeve dhe lumenjve dhe do të investohet në rikuperimin e tyre. - Po ashtu do të ndërtohen shtatë (7) stadiume sportive regjionale. - Do të rivalizohet sistemi shëndetësor dhe arsimor. - Do të rikuperohen marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me miqtë tanë ndërkombëtar, të cilëve qeveria e fundit u mbylli derën ndërsa qytetarëve të Republikës së Kosovës u vuri edhe një dry një derën e izolimit.

“Bota sot”: LDK ka fituar pothuajse në çdo sondazh, por sa janë pritshmëritë brenda partisë?

Ruzhdi Shehu: Lidhja Demokratike e Kosovës është e bashkuar ashtu si në kohën e presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Të gjithë qytetarët i janë bashkuar bashkuar vizionit dhe idealit tonë. Prandaj më 6 tetor do të konfirmohet fitorja e fuqishme Lidhjes Demokratike të Kosovës me kryeministren në ardhje znj. Vjosa Osmani.

“Bota sot”: 20 vite nga çlirimi 11 vite nga pavarësia. Ku ndodhet sot Kosova?

Ruzhdi Shehu: Kosova sot është e izoluar nga e gjithë bota për shkak të regjimit burokratik të vizave. Mbi tridhjetë për qind (30 %) e qytetarëve të Kosovës sot janë të papunë. Mbi njëzet për qind (20%) e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri ndërsa mbi pesë për qind (5%) e tyre jetojnë në varfëri ekstreme. Qytetarët e Kosovës janë ngopur nga izolimi, varfëria dhe papunësia. Prandaj sot të gjithë qytetarët e Kosovës i janë bashkuar fitores së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryeministres në ardhje znj. Vjosa Osmani.

"Bota sot”: Dihet se tashmë shteti i ri i Kosovës ka flamurin, Ushtrinë dhe Policinë e saj. Por në këtë kontekst, a mendoni se kështu Kosova do ta krijojë një identitet të saj, shtetëror, por edhe nacional, pas një periudhe kohore?

Ruzhdi Shehu: Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kosova është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm. Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Identitet i Kosovës duhet të jenë demokracia, integrimi në organizatat ndërkombëtare, zhvillimi ekonomik, paqja dhe stabiliteti! Qytetarët e Kosovës janë ngopur me pseudo patriotizëm dhe me demagogji. Më 6 tetor duhet të gjithë të besojnë dhe votojnë për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe për Vjosa Osmanin kryeministre.

“Bota sot”: Cilat janë arsyet kryesore të mos arritjes së konsolidimit të shtetit tonë në planin e brendshëm? Njëzet (20) vite pas përfundimit të luftës dhe njëmbëdhjetë (11) vite pas pavarësisë, qytetarët e Kosovës janë viktima të korrupsionit, nepotizmit dhe krimit të organizuar nga ata që keq qeverisën me vendin. Qeverisja e kaluar dëshmoi sa lehtë mund të shkatërrohen të gjitha raportet me miqtë tanë ndërkombëtar, raporte miqësore të cilat u konsoliduan me shumë mund nga Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova. Shteti nuk mund të ‘kapet nga ata që vet e kanë kapur! Shteti nuk mund të bëhet nga ata që nuk e njohin as shtetin e as institucionet! Shteti as nuk mund të mbahet pa miqtë tanë ndërkombëtar! Shteti mund të ç’kapet, të bëhet dhe të mbahet vetëm me vullnet, përkushtim, dijeni, atdhedashuri dhe një program të mirëfilltë të qeverisjes. Vullnetin, përkushtimin, dijen, atdhedashurinë dhe programin e strukturuar e ka vetëm Lidhja Demokratike i Kosovës. Prandaj më 6 tetor do të konfirmohet fitorja e fuqishme e kryeministres në ardhje znj. Vjosa Osmani.

“Bota sot”: Cilat do të jenë veprimet e LDK-së për të ndryshuar gjendjen në forcimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit?

Ruzhdi Shehu: Lidhja Demokratike e Kosovës ka një program qeverisës të strukturuar për forcimin e rendit dhe ligjit. Referuar objektivave parimore të këtij programi më lejoni të theksoj që do të ndërmerr masa dhe veprime konkrete për reformimin rrënjësor të sistemit të drejtësisë, pasi që ndryshe është e pamundur të ç’kapet shteti i kapur! Konkretisht LDK do të ndërmarrë hapa drejt dekriminalizimit të të sistemit të drejtësisë dhe atij të sigurisë, duke përfshirë këtu edhe Vettingun dhe krijimin e institucioneve kredibile për hetimin e pasurisë së zyrtarëve publik. Ndërsa sa u përket agjencive të pavarura, ato do të riorganizohen plotësisht ashtu që një numër i konsiderueshëm i tyre do të shpërndahen në dikasteret qeveritare apo do të shuhet tërësisht. Në koordinim edhe me ekspertë ndërkombëtar do të bëhet vlerësimi i performances së ndërmarrjeve publike me qëllim të depolitizimit të plotë të tyre dhe vurjes në shërbim të qytetarëve.

“Bota sot”: Cilat janë rreziqet kryesore që mund t'i ndodhin?

Ruzhdi Shehu: Fatkeqësisht sot qytetarët e Kosovës kanë humbur shpresën dhe vullnetin për të jetuar në vendin e tyre. Çdo ditë të rinjtë tanë ikin nga vendi. Në rrafshin ndërkombëtar Kosova sot është në pikën më ultë që nga paslufta për shkak të vendimeve dhe veprimeve të papjekura të qeveritarëve tanë. Për interesa personale janë duke u bërë kalkulime politike për territorin e Kosovës. Në anën tjetër qytetarët tanë ballafaqohen me mungesë të liberalizimit të vizave, me pasiguri në rrugë, me dështim të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, pastaj me papunësi, varfëri ekstreme dhe me ndotje të ambientit. Në tërë këtë katrahurë socio politike, viktimë janë qytetarët e Kosovës ndërsa të pasuruar janë ata që vet e kultivuan korrupsionin ndërsa sot pretendojnë se do ta luftojnë atë.

“Bota sot”: A mund të arrihet korrigjimi i kufijve pa një përplasje mes Kosovës dhe Serbisë? Dhe cilat mund të jenë efektet negative?

Ruzhdi Shehu: Lidhur me këto dy pyetje konsideroj që Kosova ka nevojë për një unitet të brendshëm për temat me rëndësi jetike siç është çështja e kufijve apo raportet e Kosovës me Serbinë. Mirëpo, ky unitet nuk mund të arrihet me njerëz të cilët për interesa private bëjnë kalkulime në kurriz të shtetit të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dëshmuar konstruktivitetin e saj tash e tri (3) dekada. Ndërsa pas 6 tetorit, me fitoren e fuqishme të kryeministres Vjosa Osmani, Lidhja Demokratike e Kosovës do të konsolidojë një herë e përgjithmonë stabilitetin shtetëror të Kosovës brenda vendin në arenën ndërkombëtare.

“Bota sot”: Cilët mund të jenë skenarët deri në arritjen e një marrëveshjeje?

Ruzhdi Shehu: Qytetarë e Kosovës e kanë kuptuar që vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës ka kapacitetet e nevojshme për t’u dhënë përgjigje çështjeve nga të cilat ne preokupohemi sot, siç është çështja e marrëveshjes me Serbinë për njohjen reciproke. Padyshim që znj. Vjosa Osmani është personi më adekuat për të udhëhequr këto procese. Prandaj çdo rrugë që do të mund të sjellë këtë marrëveshje, do të jetë në përputhje të plotë me vullnetin e sovranit dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës si dhe në koordinim me SHBA-të dhe miqtë tjerë ndërkombëtarë.

“Bota sot”: “Korrigjimi i kufijve” për shumë kë po nënkuptohet edhe si ide për shkëmbim territoresh me Serbinë, pa prekur vijat etnike, si e komentoni ju këtë?

Ruzhdi Shehu: Korrigjimi i kufijve është projekt serbo madh që ka origjinën para në tri dekadave. Sot Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, për të gjithë qytetarët e vet dhe në tërësinë territoriale që e ka. Asnjë milimetër e territorit të Kosovës nuk do të preket. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryeministrja Vjosa Osmani janë garancioni për këtë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni qasjen e BE-së karshi Kosovës dhe Serbisë? Dhe a mendoni se një qasje e tillë ka ardhur si pasojë e politikanëve të Kosovës?

Ruzhdi Shehu: Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj janë plotësisht të përkushtuar për integrimin e plotë në strukturat Euro-Atlantike. Një Kosovë e integruar në Unionin Evropian dhe në Këshillin e Evropës nënkupton garantimin e plotë të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Mirëpo për të arritur këto aspirata nevojitet luftimi përnjëmend i korrupsionit, krimit të organizuar, nepotizmit, zhvatjes dhe keqpërdorimit të fondeve publike. Natyrisht që këtë nuk kanë mundur as nuk do të mund ta bëjnë ata që vet janë të zhytur në kriminalitet. Këtë nuk mund ta bëjnë as ata që nuk e njohin shtetin e Kosovës e as nuk ndajnë vlerat demokratike të shtetit tonë. Këtë mund ta bëj vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës me kryeministër Vjosa Osmani, respektivisht me “Angela Merkelin e Ballkanit” siç po e quajnë mediat gjermane Vjosën.

“Bota sot”: Si e shihni përplasjet e shpeshta konceptuale midis partive politike të Shqipërisë dhe Kosovës?

Ruzhdi Shehu: Republika e Shqipërisë është shtet i pavarur dhe sovran sikurse që është edhe Kosova. Me integrimin e plotë të të dyjave në Unionin Evropian, do të bëhet bashkimi faktit i shqiptarëve në rrafshin ekonomik, sportiv, edukativ, kulturor dhe në çdo sferë tjetër. Prandaj konsideroj që partitë politike si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri duhet të punojnë për të treguar rezultate në këtë drejtim. Fatkeqësisht për të dyja vendet ky përkushtim ka lënë mjaft për të dëshiruar deri më sot.

“Bota sot”: Në fund a keni ndonjë mesash për anëtarësinë dhe ma konkretisht për votuesit tuaj?

Ruzhdi Shehu: Të dashur qytetarë të Kosovës, Sot duhet të bëhemi të gjithë bashkë, unik dhe njëzëri kundër atyre që nuk e njohin shtetin e Kosovës, kundër atyre që për interesa private kanë vënë në pikëpyetje miqësinë tonë me SHBA-të dhe Evropën, si dhe kundër atyre që e instaluan vet korrupsionin dhe tani u thonë se do ta luftojnë atë. Sot jemi të gjithë bashkë, më të fuqishëm se kurrë, duke pritur fitoren e 6 tetorit dhe për të dërguar në vend amanetin e presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, për Republikën e Kosovës si projekt të përhershëm dhe në miqësi të përjetshme me miqtë tanë ndërkombëtar. Më 6 Tetor, besoni dhe votoni: #LDK134 #VjosaOsmani1 #RuzhdiShehu71.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...