Profesori amerikan: Turqia po ushtron ndikim politik, fetar dhe ekonomik në Kosovë - Bota Sot
Profesori amerikan: Turqia po ushtron ndikim politik, fetar dhe ekonomik në Kosovë

Intervista

Profesori amerikan: Turqia po ushtron ndikim politik, fetar dhe ekonomik në Kosovë

Më: 26 tetor 2019 Në ora: 13:58
Alon Ben-Meir

Turqia moderne nën udhëheqjen e presidentit të tanishëm, Rexhep Tajip Erdogan po zbaton politike të cilat nuk jemi mësuar t’i shohim më parë nga udhëheqës të tjerë.

Shumë shpesh, e quajtur edhe neo-otomanizëm, ideologjia të cilën e përfaqëson presidenti turk, Erdogan është e fokusuar në zgjerimin e ndikimit të Turqisë në rajon dhe më gjerë.

Aktualisht, Turqia është duke zhvilluar luftë ushtarake e diplomatike me kurdët në territorin e Sirisë – ku janë të përfshira edhe dy super-fuqitë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia.

Por, përveç interesimit të madh në lindje, Erdogan është jashtëzakonisht i interesuar edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku sipas shumë ekspertëve po cilësohet si politikë e shtrirjes së ndikimit.

Një ndër shtetet më të prekura dhe më mike të Turqisë në rajon është Kosova, por kjo jo rrallë është cilësuar e rrezikshme.

Alon Ben-Meir, profesor amerikan në marrëdhënie ndërkombëtare dhe studime të Lindjes së Mesme në Universitetin e Nju Jorkut, gjithashtu gazetar, negociator, këshilltar privat për lajmin ka folur për strategjinë e ndikimit të Turqisë në Kosovë dhe rajon e gjithashtu për rreziqet dhe pasojat që mund të ketë kjo.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e tij:

Profesor Ben-Meir, çfarë përmasa ka aktualisht ndikimi i Turqisë në Kosovë dhe si po ndodh kjo?

Alon Ben-Meir: Ndikimi turk në Kosovë vazhdon të rritet duke u përqëndruar në tre fusha. Së pari është duke ndikuar në ligjërimin politik në një përpjekje për ta afruar Kosovën me Turqinë, dhe jo me BE-në. E dyta është investimi në institucione fetare, veçanarisht xhami, për të çuar më tej axhendën islamike të Erdoganit në gjithë Ballkanin. E treta është financimi i madh i projekteve të infrastrukturës, siç janë aeroportet, autostradat, etj.

Nga çfarë prizmi e shihni ndikimin turk në Kosovë dhe çfarë konsekuenca mund të ketë?

Alon Ben-Meir: Pasojat e ndikimit të gjerë turk mund të ndikojnë të ardhmen e Kosovës. Kjo do të thotë, kosovarët duhet të zgjedhin se ku dëshirojnë që vendi i tyre të jetë në disa dekada, dhe kështu cilat procese socio-politike, ekonomike dhe kulturore duhet t’i ndërmarrin për t’i çuar ata në destinacionin e tyre. Nga mënyra se si e shoh, besoj se Kosova duhet të synojë të integrojë plotësisht vetën në hemisferën perëndimore dhe të vazhdojë përpjekjen e saj për t’u anëtarësuar në BE. Për këtë qëllim, natyrisht, ata duhet të ndërmarrin reforma të rëndësishme, sociale, politike dhe ekonomike, të luftojnë korrupsionin dhe t’u përmbahen të drejtave të njeriut. Kjo sigurisht do të përshpejtonte integrimin e Kosovës duke siguruar edhe stabilitet.

Ku e shihni aktualisht orientimin kulturor dhe politik në Kosovë?

Alon Ben-Meir: Nga sa shoh dhe kuptoj, Kosova dëshiron të përafrohet me Perëndimin dhe të adoptojë orientimin kulturor perëndimor. Unë besoj se kjo duhet të jetë detyra e qeverisë së re. Derisa Kosova duhet të mbajë marrëdhënie të mirë me fqinjët, përfshirë këtu edhe Turqinë, ajo nuk duhet të lejojë vetën të gravitojë afër Turqisë. Në të vërtetë, axhenda afatgjatë e Turqisë nuk e mbështet dëshirën e kosovarëve për një orientim kulturor dhe politik në përputhje me Perëndimin.

A mendoni se BE e ka humbur interesimin në Ballkanin Perëndimor?

Alon Ben-Meir: BE nuk e ka humbur interesin për integrimin e Ballkanit Perëndimor në orbitën e vet. Vonesa, megjithatë, është e përshkruar në 3 fakt: 1) Preokupimi i BE-së me Brexit; 2) Procesi aktual i BE-së për të thjeshtuar operacionet politike dhe proceset e vendimmarrjes të cilat zgjasin ca kohë; dhe 3) megjithëse anëtarët e BE-së nuk do ta pranojnë atë, ka ende një shqetësim aktual për rajonin e përgjithshëm etnik, i cili po dekurajon disa anëtarë të BE-së të kërkojnë zgjerim në këtë pikë.

Cili është projekti që fshihet pas ndikimit turk në Ballkan?

Alon Ben-Meir: Turqia nën Erdoganin po kërkon, një formë ose një tjetër të ringjallë elementet e Perandorisë Osmane. Meqenëse i gjithë Ballkani drejtohet nga Otomanët, Erdogan mendon se ai ka “të drejtën e qenësishme”, për të futur Turqinë moderne në jetën politike të shteteve të Ballkanit. Rastësisht, kjo është një nga arsyet që unëmendoj fuqimisht se kosovarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe së paku të mos lejojnë Turqinë të vazhdojë interesin e saj në këtë fushë duke investuar shumë në institucionet fetare.

Për të penguar këtë ndikim, çfarë duhet të bëjnë vendet e Ballkanit?

Alon Ben-Meir: Në përgjithësi, vendet e Ballkanit duhet t’i përmbahen plotësisht parimeve demokratike dhe në veçanti të respektojnë të drejtat e njeriut dhe lirinë e fjalës dhe shtypit. Një masë tjetër e rëndësishme kritike që duhet të adresohet është korrupsioni, i cili po dëmton rëndë përparimin dhe zhvillimin e shteteve të Ballkanit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat