Kryeministri do ta bëjë udhëheqjen e dialogut me Serbinë - Bota Sot
Kryeministri do ta bëjë udhëheqjen e dialogut me Serbinë

Intervista

Kryeministri do ta bëjë udhëheqjen e dialogut me Serbinë

Nga: Gresa Bajraktari Më: 1 janar 2020 Në ora: 11:16
Haki Abazi dhe gazetarja e "Bota sot", Gresa Bajraktari

Muajt e fundit të vitit 2019 u karakterizuan me shumë zhvillime në skenën politike të Kosovës. Vendimi i sovranit në zgjedhjet e 6 tetorit, bëri që Lëvizja Vetëvendosje të dalë e para. Kjo u konsiderua edhe si një ndryshim i madh në politikën e vendit. Njëri nga ata që sapo u zgjodh deputet, është edhe z. Haki Abazi, i cili në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur rreth procesit të formimit të qeverisë së re nga partia e tij dhe zhvillimeve të tjera politike. Po ashtu, në këtë intervistë do të mësoni se cilat janë prioritet e tij si personalitet që për herë të parë u zgjodh deputet.

"Bota sot”: Keni marrë votat dhe besimin e qytetarëve për të qenë pjesë e Kuvendit. Cila është puna e parë që do të bëni si deputet i VV-së?

Haki Abazi: Gjëja e parë që do ta bëj do të kërkoj ndalimin me ligj të qeseve të plastikës në Kosovë. Është mendoj dekorimi mbi mbeturina edhe vështirësitë për tu organizuar si institucione për të menaxhuar hapësirën publike, qeset plastike janë kulmi i ndotjes dhe mendoj se edhe vendet e Lindjes së Largët në Azi kanë bërë ndalimin e përdorimit të qeseve, edhe ne duhet filluar të kujdesemi për hapësirat publike dhe është një sinjal se ne do të fillojmë të mendojmë gjelbër për vendin dhe qytetarët. Mandej janë çështje tjera që do të vijnë me radhë por kjo do të jetë e para. Jo për simbolike por për vendim, do të kërkoj ndalimin e qeseve plastike.

“Bota sot”: Sa është për juve i rëndësishëm posti i deputetit dhe a do të jesh zë i qytetarëve që të votuan?

Haki Abazi: Kur kam vendosur të hy në Lëvizjen Vetëvendosje dhe në listën për deputet e kam ndier përgjegjësinë maksimale jo vetëm për faktin se duhet të jetë ashtu sepse merr përgjegjësinë e qytetarëve, por sepse pika referente e deputetëve në parlament ka qenë një pikë e ulët e mos llogarisë, papërgjegjësisë, vendosjes përbrenda interesave të ngushta, individuale apo grupore dhe unë mendoj që kjo përbërje e Kuvendit ta bëjë standardin e përfaqësimit të sinqertë të interesave të qytetarëve dhe meqë jemi Republikë parlamentare, të luajmë rolin e plotë për mbikëqyrjen e institucioneve qëderivojnë nga parlamenti edhe vota jonë si parlamentarë, duke përfshirë ekzekutivin, mandej agjensione që krijohen, institucione tjera të pavarura që janë në linjat buxhetore që ndahen direkt nga Kuvendi dhe institucione tjera që në vazhdimësi nuk kanë funksionuar, si pasojë e mungesës së llogaridhënies dhe transparencës së plotë për obligimet që kanë. Detyrat janë të jashtëzakonshme, përgjegjësia është shumë e madhe por mendoj gjithashtu se kam një strategji tjetër, të një bashkëbisedimi të rregullt me qytetarët, meqë Kosova është një zonë elektorale dhe unë kam marrë vota nga të gjitha anët, përfshirë diasporën dhe do të tentoj që gjatë gjithë kohës në orarin tim të takimeve të jem bashkë me qytetarët dhe jo vetëm për të ju dhënë shpjegime por edhe për t’i dëgjuar ata për kërkesat, sugjerimet që kanë për funksionimin e institucioneve tona.

“Bota sot”: Vetëvendosje fitoi zgjedhjet por bisedimet për marrëveshje me LDK-në zgjatën shumë. Pse ndodhi kjo?

Haki Abazi: E para është fatkeqësi që pas një ditë të bukur të procesit zgjedhor, është stërzgjatur procesi i certifikimit të rezultateve, me numërime, rinumërime, tërheqje e fatkeqësisht edhe largim të një numri të votave të diasporës, për të cilat mërgata jonë me shumë angazhim dhe përgjegjësi dhe shumë kosto, ka marrë pjesë në këto zgjedhje. Mbi 45 ditë zgjati procesi i certifikimit, ka qenë dëmtues ndaj njëprocesi të qytetëruar të zgjedhjeve. Mandej hapi i pari edhe gjatë procesit është bërë harmonizimi i programit në mes të LVV-së dhe LDK-së, qëështë një standard i ri i krijuar, që dy subjektet politike kanë folur fillimisht për programin dhe për tu vazhduar mandej në këto 3 ciklet e takimeve deri tani, për ndarjen e përgjegjësive. Këtu sikur ka hasur sharra në gozhdë, meqë LDK ka insistuar që të përfshihet edhe posti i presidentit në negociata. Në parim ne kemi menduar nga VV që duhet të bisedojmë fillimisht për pozitat që krijohen si rezultat i zgjedhjeve dhe është kryeministri që ështëpërcaktuar nga votuesi, mandej kryeparlamentari, pozitat e ministrave, zëvendësministrave, nënkryetarëve të Kuvendit, etj, që si duket deri tani, nuk kemi arritur ta tejkalojmë këtë barrierë në negociata për postin e presidentit, për arsye që unë mendoj është një çështje e një kërkesë që është pranuar nga LVV që të jetë pjesë e diskutimit por gjithsesi emri për presidentin apo presidenten, sepse mund të jetë femër natyrisht, të bëhet publike se për kë po merremi vesh dhe duke e bërë të qartë para publikut, se nuk çështje, nëse nuk ka formulë të largimit të presidentit të tanishëm para kohe, kjo formulë duhet të jetë e aplikueshme dhe e pranueshme me 2021, kur kalon afati i presidentit.

“Bota sot”: D.m.th, sipas jush posti i presidentit nuk do të duhej të negociohej në marrëveshje?

Haki Abazi: Nuk do të duhej as të hapej, meqë koalicioni qeverisës LVV-LDK është i ndërtuar mbi vullnetin e votës, ndërsa presidenti është çështje e Kushtetutës që përcakton se ai ose ajo duhet të jetë një figurëunifikuese, përfaqësuese e të gjithë qytetarëve të Kosovës, që reflekton unitetin e vendit. Në parim kushtetues nuk do të duhej që të jenë partitë ato që caktojnë figura politike, kjo është krijuar nga e kaluara që Thaçi si kryetar i një partie është bërë president që nuk është në rregull, sepse nuk e ka përfaqësuar unitetin e vendit në asnjë formë. Ne duhet ta krijojmë standardin e ri mendoj, por meqë jemi ku jemi tani, në fazën e negociatave, insistimi i  LDK-së ka qenë që presidenti të futet, mendoj se tashmë është e kaluar që a do të duhej apo jotë bisedohet.

“Bota sot”: A mendoni se duhet të bëhet ligji që presidenti të zgjidhet nga populli?

Haki Abazi: Unë preferoj ta quaja sharra në gozhdë, që në këtë rast e bën sharra një tërheqje dhe e kalon në njëfarë forme sillesh rreth problemit derisa nuk bëhet zgjidhja. Nuk mendoj se është mollë sherri, do ta kisha quajtur pengesë e cila duhet tejkaluar nga të gjithë. Ndërsa në pyetjen për ligj, mendoj se në shtetet parlamentare, është parlamenti ai që merr votën direkte nga qytetari. Nuk do të kishte asnjë të keqe të zgjedhej presidenti nga qytetari direkt, por diku diku, mund të krijohet një dualizëm në mes të presidentit, kryeministrit dhe kryeparlamentarit mandej, kështu që sado që do të duam ta kalojmë një problem, e qartë, ka pasur problem me zgjedhjen e presidentit edhe në të kaluarën, kanë ardhur president në zarf, është propozuar një njeri i një partie jashtëzakonshëm të vogël e me interes të vogël qytetar. Megjithatë mendoj që duhet të mendohemi mirë para se ta bëjmë hapin për zgjedhjen e presidentit direkt nga vota e qytetarit, se çfarë i bën kushtetutës një gjë e tillë dhe në çfarë forme mandej presidenti ka mekanizmat për llogaridhënie për qytetarin direkt sepse tani për tani, presidenti në njëfarë forme, buron dhe derivohet nga parlamenti i cili e ka votën direkte nga qytetari. Dualizmat në përfaqësim edhe në demokraci ndonjëherë dinë të shkaktojnë probleme. Kur janë njerëzit me vullnet të mirë për vendin, sigurisht që janë norma edhe njerëzore edhe institucionale që e rregullojnë këtë çështje, por ne gjithmonë duhet të mendojmë për raste kur kemi president që dëshiron ta ndajë Kosovën dhe e ka votën e qytetarëve, atëherë parlamenti e humb rëndësinë që të ndikojë në atë proces, sikur që ndodhi në vitet që kaluan.

“Bota sot”: A duhet të hiqet taksa ndaj Serbisë, pas deklaratave të fundit nga presidenti serb Vuçiq?

Haki Abazi: Këto nuk janë të ndërlidhura mendoj. Tarifa ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës, është masë qëështë vendosur si reagim ndaj lobimit të fuqishëm të Serbisë kundrejt shtetit të Kosovës.

“Bota sot”: Po, por Serbia nuk pajtohet të vazhdojë dialogun, pa heqjen e taksës.

Haki Abazi: E kuptoj por duhet kuptuar në themel për të propozuar se si është dalja nga situata në të cilën është bërë. Thash është masë kundrejt veprimeve të Serbisë edhe në të njëjtën kohëështë masë për mbrojtjen e mallrave nga Kosova. Mirëpo veprimi si i tillë është bërë me nguti, pa koordinim me faktorin ndërkombëtar, edhe i pasqaruar deri në fund në kuptimin e rezultateve që presim për shkak se edhe sot në tregun e Kosovës ka mallra serbe, të cilat mund të kenë çmim më të lartë ose kanë hyrë në mënyrë ilegale, ose përmes shteteve tjera të ripaketuara, do të thotë, kur e kapim gjithë dimensionin e analizës së impaktit që ka krijuar tarifa, pothuaj është dëmtuar edhe Kosova, pikërisht për faktin se janë mbyllur shumë dyer, nuk ftohen nëpër takime, trajnimet janë pezulluar për shumë zyrtarë, ndërsa në anën tjetër Serbia po vazhdon të realizojë qëllimin e vet të qasjes në tregun kosovar dhe kjo mandej lidhet domosdoshmërish me propozimin dhe qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje që ne jemi për reciprocitet të plotë, që njihet si masë në marrëdhënie ndërkombëtare, për vendet që kanë probleme ose njëra i shkakton problem tjetrës. Reciprociteti është masë e njohur në marrëdhënie ndërkombëtare që do të përfundojmë aty. Tani është gatishmëria e LVV-sëështë për dialog me parime, por nuk është prioriteti numri 1 duke e parë situatën që e kemi brenda dhe kësaj duhet shtuar faktin se Serbia është e zënë me zgjedhjet e veta për një kohë të caktuar dhe nuk shohim nevojë për nguti për Kosovën, përderisa kemi punë pafund për t’i bërë brenda shtetit tonë.

“Bota sot”: Si duhet të vazhdohet dialogu me Serbinë, i udhëhequr nga presidenti apo kryeministri?

Haki Abazi: Është obligim kushtetues që dialogu të udhëhiqet nga kryeministri. Dorëzimi i kompetencave për presidentin ka ndodhur në qeverinë e kaluar dhe nuk ka asnjë bazë ligjore për tu bërë një gjë e tillë. Kryeministri do ta bëjë udhëheqjen e dialogut me Serbinë.

“Bota sot”: Ikjet e qytetarëve nga Kosova po vazhdojnë. Çfarë do të bëjë Vetëvendosje që ta ndalojë këtë?

Haki Abazi: Largimi i qytetarëve nga Kosova është shqetësues, numrat janë alarmant, arsyet janë pikërisht pse qytetarët e kanë votuar LVV-në, për ta ndaluar degradimin dhe për ta kthyer shpresën për një jetë të dinjitetshme. Shumica janë duke u larguar nga Kosova pasi nuk kanë shpresë për ta dhe fëmijët e tyre se mund të bëjnë një jetë të dinjitetshme. Nuk është klasa e varfër që po largohet, kryesisht është klasa e mesme që ka kërkesa për shkollim më të mirë, e pamë PISA-n, askush nuk do që fëmijët e tyre të shkojnë në shkolla dhe në fund të ketë rezultate të tilla në fund. E dimë çfarë është gjendja në shëndetësi, ku mos e bëftë Zoti po të kesh sëmundje të rëndë, duhet të kërkosh ndihmë nga miqtë dhe dashamirët, përndryshe vdes dhe duhet të shkosh në shtete të huaja, Maqedoni, Serbi apo Turqi apo vende tjera ku kostot janë të papërballueshme për familjet tona. D.m.th pas 20 vitesh nuk kemi sigurim shëndetësor, nuk kemi as libreza shëndetësore, kartelë se si mjekohen apo diagnostifikohen dhe këto janë gjëra thelbësore që VV në raport të drejtpërdrejt paralel me forcimin e ligjit, shëndetësia dhe arsimi janë ato që do të reformohen që nga fillimi, për të rikthyer shpresën. Deri tani pushtetet kanë stimuluar ikjen, duke ju frikësuar protestave nga gjendja sociale dhe problemet me të cilat janë ballafaquar dhe në mënyrë të çuditshme nuk i kanë ndalur ikjet, largimet ilegale që janë bërë edhe me njëfarë frymëzimi artificial. D.m.th ka pasur një plan të zbrazjes së Kosovës që regjimet politike, që qeveritë paraprake kanë qenë më shumë partnere në largim se sa në ndalim apo ofrim të mundësive që ata të rrinë këtu.

“Bota sot”: Këtë vit pati ftesa të shumta nga Gjykata Speciale për ish luftëtarë të UÇK-së. Cili është mendimi juaj për këtë dhe punën e Speciales?

Haki Abazi: Diskutimin për Specialen shpesh e filloj se kjo është e krijuar nga Thaçi me njerëzit e tij dhe ne nuk kemi të bëjmë asgjë me këtë fakt mirëpo realiteti është që bashkësia ndërkombëtare ka investuar në këtë Gjykatë Speciale dhe tani intervistat e shumta, mbi 200 disa si dëshmitarë e disa si të akuzuar. Është një proces që Kosova e ka marrë përsipër duke u përballur me drejtësinë ndërkombëtare dhe është shumë e rëndësishme që të mos përzihet emri i UÇK-së me përgjegjësinë që kanë individët brenda periudhës kohore që e mbulon Gjykata Speciale, pavarësisht se ata thirren në emër të UÇK-së, duke tentuar që të fshihen prapa emrit dhe UÇK-së. Unë mendoj se veprimet e individëve janë ato që duhet drejtësia ndërkombëtare t’i shikojë dhe secili duhet një nga një të përgjigjet për ato që kanë bërë, askush nuk është fajtor pa u vërtetuar por unë vazhdimisht për vite të tëra kam thënë se patriotët shqiptarë që janë vrarë gjatë dhe pas luftës, nuk mund të konsiderohen krime të harruara, kushdo që i ka bërë ato, duhet të përgjigjet para drejtësisë dhe e vërteta duhet të vendoset në vend sepse në asnjë shtet, asnjë shoqëri nuk mund të vazhdojë tutje duke bashkëjetuar me krimin dhe kriminelët brenda vetes e aq më pak kur ata mund të kenë pozita publike, brenda institucioneve të shtetit. Shteti duhet të çlirohet në një formë ose tjetër nga ata që mund të kenë qenë pjesë e krimit gjatë apo pas luftës. Nëse Gjykata Speciale do të bëjë një gjë të tillë, sigurisht qëështë e mirëseardhur, sepse drejtësia pavarësisht se ku vendoset, është e mirëseardhur për secilin.

“Bota sot”: Një mesazh për të gjithë lexuesit e gazetës “Bota sot”.

Haki Abazi: E para, iu uroj festa të mira e të gëzueshme, por ajo që është më e rëndësishme është se ky shtet nuk do të bëhet, e nuk do të funksionojë nëse ne të gjithë nuk do të angazhohemi që të përkrahim të mirën dhe të parandalojmë të keqen edhe bashkë ta ngrisim zërin për vendin tonë. Nëse jemi bashkë, asgjë nuk është e vështirë për t’u arritur. Sigurisht që shumë kanë dhënë të parët tanë e shumë kemi dhënë edhe na, kostoja është shumë e lartë për t’ia lënë vendin njerëzve që nuk e kanë për qëllim të mirën e vendit dhe të mirën tonë. Kështu që, bashkë vitin tjetër shpresoj 2020 të jetë fillimi i një epoke të mbarë për shqiptarët këtu, por sigurisht që qëllimi është që ata që janë larguar me arsye të kthehen këtu për të normalizuar jetën familjare dhe shtetin tonë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat