“Ruajuni se po vetvraheni”, Tomë Gashi flet për deklaratën e Veselit, sulmon Thaçin dhe zbulon detaje të reja për Gjykatën Speciale - Bota Sot
“Ruajuni se po vetvraheni”, Tomë Gashi flet për deklaratën e Veselit, sulmon Thaçin dhe zbulon detaje të reja për Gjykatën Speciale

Intervista

“Ruajuni se po vetvraheni”, Tomë Gashi flet për deklaratën e Veselit, sulmon Thaçin dhe zbulon detaje të reja për Gjykatën Speciale

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 28 maj 2020 Në ora: 10:06
Tomë Gashi

Avokati Tomë Gashi ka thënë se Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë në bazë të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje, derisa thotë se presidenti po bën presion ndaj gjykatës, derisa thotë se kryeministri e ka uzurpuar zyrën.

Sipas tij zgjedhjet mund të mbahen sipas rregullave nga IKSHPK-ja sepse jemi në fund të pandemisë. Ai ka thënë se protestat do të mbahen nëse vendimi është antikushtetues pasi janë legjitime dhe se do të jetë pjesë e tyre. Gashi ka folur edhe për rastin e Astrit Deharit dhe aktakuzat nga Gjykata Speciale.

"Bota sot": Të gjithë po presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese me 29 maj. Kujt mendoni se do t'i jep të drejtë Gjykata?

Tomë Gashi: Gjykata Kushtetuese duhet të vendos në bazë të kërkesës së LVV-së, për të vlerësuar kushtetutshmërinë e dekretit të Presidentit të datës 30.04.2020, të cilin ai e dërgoi në parlamentin e Kosovës 5 minuta para orës 16:00, duke menduar se Gjykata Kushtetuese nuk do të punojë ditën e ardhshme me 01 Maj, ndërsa më herët kishte bërë aranzhime me LDK, AAK, NISMA që me 2 maj të caktohet seanca e Kuvendit të Kosovës, ku sipas tij ishte punë e kryer që Kuvendi të zgjedh mandatarin për kryeministër të preferuar nga Presidenti, i cili ishte z. Avdullah Hoti. Kjo nuk ndodhi, për shkak se Gjykata Kushtetuese e aprovoi kërkesën e LVV-së dhe nxori masë të përkohshme, me të cilën e pezulloi dekretin e Presidentit  deri më 29 maj 2020. Kjo ishte goditja e parë për ata të cilët donin dhe tentuan që ta vjedhin votën e qytetarëve të Kosovës të datës 6 tetor 2019.

"Bota sot": Ka pasur lajme se do të vendoset në favor të dekretit të Presidentit. A është kushtetuese që të formohet Qeveria Hoti?

Tomë Gashi: Dekreti i Presidentit është krejtësisht në kundërshtim me Nenin 82, pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese nuk mund të shkruajë Kushtetute te re, nuk mund të ndryshojë dispozitat e Kushtetutës, ajo duhet në bazë të nenit 12 të Kushtetutës vet të interpretojë Kushtetutën dhe asgjë tjetër. Në këtë rast është krejtësisht e qartë, se nëse Gjykata Kushtetuese (GJK) vepron ndryshe, atëherë ajo vet do ta shkel Kushtetutën e Kosovës, aktgjykimi i saj do të jetë i pabesueshëm dhe kjo mund të bëhet vetëm me ndikime të forta politike, apo ndërhyrje të tjera të palejueshme tek gjyqtarët, mirëpo nuk ka mjete juridike për tu atakuar, kundërshtuar vendimi  i Gjykatës Kushtetuese, por do të jetë fillimi i fundit i demokracisë edhe ashtu të brishtë në Kosovë, ku do t'i vidhet fitorja e LVV, me kalkulime politike, me ndërhyrje tek GJ.K dhe atëherë ku është esenca e daljes në zgjedhje për të garuar, ku është esenca e fitimit të zgjedhjeve nëse me kalkulime të llojllojshme qenka e mundur të eliminohet partia e parë fituese që të mbetet në  pushtet. Kjo i bie që edhe pa partinë fituese me kalkulime politike-matematikore, në pushtet po na ardhka partia e 7 e 4 dhe 3 dhe gjithmonë me Listën Srpska.

"Bota sot": A është gjendja e favorshme për të mbajtur zgjedhjet për shkak të pandemisë së koronavirusit?

Tomë Gashi: Presidenti ka bërë shumë gabime të qëllimshme për ta hequr nga pushteti Lëvizjen VV, sepse ai ndjen rrezik të madh për veten e tij nga LVV, e posaçërisht nga Kryeministri Albin Kurti, për arsye të cilat ne i dimë pjesërisht, ndërsa presidenti i di krejtësisht. Gabimi i presidentit është se nuk ka mundur të gjejë në Kushtetutë ndonjë Nen që LVV, pas mocionit të shkarkimit me 25 mars 2020 në një akt të caktuar nga presidenti, t'i dërgojë emrin e mandatarit për formimin e qeverisë pas mocionit të mosbesimit. Për çfarë arsye sipas presidentit qenkan të mjaftueshme 20 ditë, por jo për shembull 21 ditë. Ndoshta ngutja presidentit për ta larguar nga pushteti LLV dhe kryeministrin Albin Kurti, e ka detyruar që të bëjë gabime të tilla. E vetmja mënyrë e zgjidhjes së kësaj situate janë zgjedhjet dhe koha e pandemisë thuajse tani është e kaluar, por duke ju përmbajtur të gjitha rregullave të OBSH-së, dhe të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, pa asnjë problem dhe pa rrezikuar fare shëndetin e qytetarëve të Kosovës mund dhe duhet të mbahen zgjedhjet që të vazhdojmë më tutje në respektimin e Kushtetutës dhe implementimin e demokracisë. Nëse dikujt nuk i pëlqen Kushtetuta e tanishme, sigurisht që mund të iniciojë ndryshimin, amandamentimin e Kushtetutës së Kosovës, që të bëhen zgjidhje më të mira për situatat e ardhshme të njëjta apo të ngjashme që mund të ndodhin, dhe këto ndryshime mund të bëhen në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e deputetëve të Kosovës. Se kjo është fare lehtë e mundshme dhe ka ndodhur, vërtetohet edhe me ndryshimin-amandamentimin e Kushtetutës që fatkeqësisht e bënë 82 deputetë të Kuvendit të Kosovës, kur e ndryshuan Kushtetutën ”hatri” i formimit të Gjykatës Speciale në Hagë, kundër popullit shqiptar në përgjithësi, shqiptarëve të Kosovës në veçanti, e posaçërisht kundër ish pjesëtarëve të UÇK-së.

"Bota sot": Sa pritet që të ketë protesta nëse vendimi është në favor të presidentit?

Tomë Gashi: Sigurisht që mund të ketë protesta të shfaqjes së pakënaqësisë, nëse Gj.K nuk e respekton Kushtetutën, protestat janë mjet demokratik i shfaqjes e pakënaqësisë, sigurisht që duhet të jenë paqësore, të padhunshme, dhe në ato protesta 100% do të marr pjesë edhe unë, sepse nëse vendimi i Gj.K është antiligjor, antikushtetues, kjo do të ketë pasoja negative jo vetëm për gjeneratën e tanishme, por edhe për gjeneratat e ardhshme, dhe në pushtet do të kthehen ata që me votën e popullit u larguan më në fund pas 20 viteve të zhvatjes së Kosovës, ku Kosova duket si një vend jo evropian, vend jo normal i shekullit 21, dhe këta që duan ta vjedhin votën e popullit të 6 tetorit 2019 i kanë fajet kryesore, se jemi kështu siç jemi. Gjeneratat e reja të lindura pas 12 qershorit 1999, ne ende i bombardojmë me tema të luftës dhe nuk ju lejojmë një jetë normale dhe temat e luftës i përmendin më shumë këta të cilët nuk bënë asgjë për viktimat e luftës, nuk e paditën kurrë Serbinë për gjenocid ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë dhe temat e rënda të luftës i përdorën vetëm për të mbetur në pushtet.

"Bota sot": Së fundmi presidenti e ka quajtur "uzurpator të zyrës së kryeministrit" Albin Kurtin. Si e komentoni këtë?

Tomë Gashi: Presidenti duket që ka arsyet e veta personale që bënë një kampanjë kundër Kryeministrit Albin Kurti dhe deklarimet e tij se kinse Albin Kurti është uzurpator i zyrës së kryeministrit është PRESION direkt i Presidentit në Gj.K që GJ.K TË NXJERRË VENDIM NË FAVOR TË TIJ, për ta larguar Albin KURTIN nga Zyra e Kryeministrit, në të cilin Albin Kurti ka ardhur me votën e popullit dhe jo me kalkulime politike siç kanë bërë të tjerët.

"Bota sot": Çfarë pritni nga Qeveria Hoti nëse formohet?

Tomë Gashi: Nëse formohet, e shpresojmë që jo, do të jete qeveri antikushtetuese dhe do të kthehemi në gjendjen siç ishim për 20, para datës 06 Tetor, 2019.

"Bota sot": Kush mendoni se do t'i fitojë zgjedhjet e ardhshme kurdo që ato do të mbahen?

Tomë Gashi: Kurdo që do të mbahen zgjedhjet, ato do t'i fitojë bindshëm LËVIZJA VETËVEVENDOSJE! në krye me Albin KURTIN, sepse është alternativa e vetme e çlirimit nga kapësit e shtetit dhe shpresa e vetme për një jetë më të mirë të dinjitetshme të popullit të Kosovës në shekullin 21.

"Bota sot": Çfarë pritet të ndodhë me rastin Dehari tani që po hetohet edhe për vdekjen e Naser Makollit?

Tomë Gashi: Tanimë të gjithë e dinë se aktivisti i LVV-së, Astrit Dehari është vrarë në Burgun e Prizrenit për arsye politike me 05.11.2016, ai është vrarë duke tentuar që t'i merren deklarata vetëpranuese, duke tentuar që ta involvojnë edhe vet Albin Kurtin në sulmin me granata hedhës në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës me 04 Gusht 2016, të cilin sulm nuk e kanë bërë kurrë aktivistët e LVV-së, ky sulm është tentuar që t'i vishet LVV-së, është duke tentuar që LVV të shpallet organizate terroriste, që t'i ndalohet aktiviteti politik Albin Kurtit dhe këtë e kanë thënë edhe zyrtare të lartë shtetëror dhe politik të partive kundërshtare të LVV në parlamentin e Republikës së Kosovës. Të gjithëve na kujtohen deklarimet e Kryeparlamentarit Kadri Veselit nga foltorja e Parlamentit duke ju drejtuar deputetëve të LVV-së me fjalë “ruajuni se po vetëvraheni”. Rasti i Naser Makollit familjen e të cilit tani e përfaqësoj unë vetëm e vërteton se Astrit Dehari është vrarë për arsye politike dhe Naseri ka vdekur po ashtu në burg në rrethana të pasqaruara dhe lidhshmëria në mes të vrasjes së Astrit Deharit në burg, i cili ka qenë me një qeli me Naser Makollin për 67 ditë është krejtësisht e qartë.

"Bota sot": Janë paralajmëruar aktakuzat e para të Speciales për në korrik, cilat janë pritjet tuaja?

Tomë Gashi: Deri më tani janë ngritur së paku tri aktakuza në Gjykatën Speciale dhe lëndët gjenden tek gjyqtari i procedurës paraprake, i cili nëse i konfirmon këto aktakuza, ato do të ju dorëzohen të akuzuarve, emrat e tyre do të bëhen publik  dhe kjo mund të ndodhë deri në korrik apo gusht të këtij viti, sepse aktakuzat e para janë ngritur në shkurt të vitit 2020 dhe aktakuza e fundit në prill të këtij viti. Ne të gjithë kemi të drejtë të reagojmë dhe të jemi të pakënaqur, ndoshta edhe të protestojmë  kundër aktakuzave që janë ngritur ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së, por këtë të drejtë së paku në aspektin moral nuk kanë 82 deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët me 03 gusht 2015 e votuan këtë gjykatë dhe roli i presidentit të tanishëm për formimin e kësaj gjykate është i ditur. Kosovës asgjë nuk ka mundur t'i ndodhë më keq se që të voton një gjykatë kundër vetvetes dhe këtë ta bëjë 16 vite pas çlirimit, 7 vite pas shpalljes së pavarësisë dhe kundër pjesëtarëve të UÇK-së duke iu dhënë imunitet nga ndjekja penale në këtë Gjykatë Speciale ushtarëve serb, policëve serb, atyre që vranë mbi 15 mijë civilë shqiptarë, vranë më tepër se 1000 fëmijë 0-7 vjeçar, vranë të moshuar dhe e bënë Kosovën shkrumb e hi vetëm për shkak se ne ishim shqiptarë dhe ata serb, ndërsa tani shqiptarët – deputetët e Kuvendit të Kosovës formuan Gjykatë kundër vetvetes-kundër çlirimtarëve –pjesëtarëve të UÇK-së. Më keq se kaq nuk mund të bëjnë këta deputetë dhe disa prej tyre ende krenohen se kanë votuar drejt- e kanë ndryshuar Kushtetutën për të formuar një gjykatë, e cila më në fund i kënaq kërkesat e Serbisë, që ne vet t'i dërgojmë në Gjykatë Speciale në Hagë ata që luftuan për të mbrojtur popullin e Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat