Bugajski: Nocioni i shkëmbimeve territoriale janë një huti e dizajnuar kryesisht nga Beogradi

Intervista

Bugajski: Nocioni i shkëmbimeve territoriale janë një huti e dizajnuar kryesisht nga Beogradi

Më: 17 qershor 2020 Në ora: 12:00
Janusz Bugajski

Rifillimi i bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë është paralajmëruar të ndodhë më 27 qershor në Uashington. Në një intervistë ekskluzive, eksperti amerikan nga “Center for European Policy Analysis”, Janusz Bugajski, thotë se Brukseli po frikësohet se SHBA-të mund të bindin të dy palët të nënshkruajnë një marrëveshje e cila do të destabilizojë regjionin me shkëmbime territoresh dhe ndryshime të kufijve.

Sipas tij, nocioni i shkëmbimeve territoriale janë një huti e dizajnuar kryesisht nga Beogradi. Në këtë intervistë, ai flet edhe për mundësinë e ndërhyrjes së Rusisë në procesin e dialogut, duke shtuar se për regjimin e Putinit, mbajtja e konflikteve në Ballkan, i shërben qëllimeve të tij gjeopolitike.

Intervista e plotë:

Z. Bugajski, ju keni një karrierë të gjatë e cila ka të bëjë me zhvillimet politike dhe diplomatike në rajonin e Ballkanit, na intereson mendimi juaj se çfarë mendoni se do të ndodhë më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.

Janusz Bugajski: Takimi në Shtëpinë e Bardhë do të shënojë fillimin formal të bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë, me mbështetjen e plotë të SHBA-ve. Administrata e presidentit Trump është duke kërkuar një zgjidhje përfundimtare, edhe pse askush nuk është duke pritur diçka të jashtëzakonshme më 27 qershor. Për Shtëpinë e Bardhë, arritja e një marrëveshjeje deri në muajin shtator, do të ishte ideale. Ndoshta do të ketë premtime që palët të kthehen në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar marrëveshjen, nëse ajo arrihet gjatë verës.

Kemi zhvillime të një dinamike interesante këtu në Kosovë, në Prishtinë gjendet i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë, por siç duket, autoritet këtu nuk janë edhe aq të ngazëllyera, çfarë mendoni ju? A është e mundur që bisedimet e ardhshme të bëhen në Bruksel apo tashmë janë zhvendosur në Uashington.

Janusz Bugajski: Kemi një mospajtim në mes Bashkimit Evropian dhe ShBA-së sa i përket dialogut. Uashingtoni është i frustruar me progresin e ngadaltë të Brukselit në rifillimin e bisedimeve, si dhe në dështimin e tyre për të shtyrë të dy palët drejt një zgjidhjeje. Brukseli po frikësohet se ShBA-të mund të bindin të dy palët të nënshkruajnë një marrëveshje e cila do ta destabilizojë regjionin me shkëmbime territoresh dhe ndryshime të kufijve. Është e qartë se edhe Prishtina, edhe Beogradi, e shohin ShBA-në si një ndërmjetësues më të fortë, edhe pse perspektiva e tyre afatgjate është me Bashkimin Evropian.

A duhet që Kosova të qëndrojë në ankth nga rezultati i takimit të 27 qershorit, apo mund të jetë më e relaksuar, për shkak të faktit që takimi është duke u mbajtur në Uashington, vendi më i dashur për shqiptarët?

Janusz Bugajski: Në takimin në Shtëpinë e Bardhë, dy gjëra janë me rëndësi për Kosovën: Uniteti politik dhe prezantimi i qartë i pozicionit të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka vënë parimet bazë, gjatë një fjalimi në Akademinë e Shkencës dhe të Arteve. Nëse dëshirohet që bisedimet të japin rezultat atëherë përpjekjet e Serbisë që në mënyrë të njëanshme të sfidojë pavarësinë e Kosovës janë të papranueshme. Kjo duhet të theksohet qartë në Uashington.

Si e shihni Rusinë në këtë rast, a do të ketë përpjekje për të qenë faktor dhe a mund të ndikojnë tek autoritet në Beograd, për të mbajtur një pozitë që i përshtatet Rusisë sa i përket interesave të saj në lidhje me krizat e tjera, posaçërisht zhvillimeve në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë?

Janusz Bugajski: Padyshim që Moska do të jetë e interesuar të përfshihet në bisedime, por kjo gjë do ta vështirësonte edhe më shumë arritjen e çfarëdo zgjidhjeje. Për regjimin e Putinit, mbajtja e konflikteve në Ballkan i shërben qëllimeve të tij gjeopolitike, duke ndaluar zgjerimin e NATO-s dhe BE-së, si dhe e mundësojnë politikën “përçaj dhe sundo”.

A prisni që Rusia të provokojë tensione në Ballkan nëse eliminohen si faktor?

Janusz Bugajski: Rusia vazhdon të provokojë tensione përgjatë regjionit dhe në mënyrë që të sabotojë çfarëdo marrëveshje kuptimplote në mes Serbisë dhe Kosovës, mund të përpiqet të orkestrojë provokime nga më të ndryshmet. Kjo mund të përfshijë edhe atentate politike, inskenimi i konflikteve ndëretnike, komplote puçi (sikur në Malin e Zi), apo nëpërmjet përkrahjes së shtet-ndarjeve (si në Bosnjë dhe Hercegovinë).

Presidenti i Kosovës ka deklaruar se çështja e territoreve nuk do të diskutohet në Uashington. A e shihni këtë si diçka që ka marrë fund?

Janusz Bugajski: Presidenti dhe qeveria në Prishtinë duhet të flasin njëzëri. Nocioni i shkëmbimeve territoriale janë një huti e dizejnuar kryesisht nga Beogradi, për t’i bërë disa ndërkombëtarë dhe politikanë kosovarë, që të besojnë se do t’i theksojnë raportet bilaterale dhe të rezultojnë me “normalizim”. Nuk bënë të ketë marrëveshje të fshehta në mes Beogradit dhe Prishtinës, ngaqë kjo do t’i dëmtonte interesat e Kosovës.

Çfarë të ardhme evropiane mund të ketë për Ballkanin, nëse epilogu i bisedimeve të mbajtura në Uashington, nuk do të jetë në pajtueshmëri me pozicionin e Brukselit ndaj dialogut?

Janusz Bugajski: Nëse Prishtina dhe Beogradi bëjnë një marrëveshje të vërtetë që do të çojë deri tek njohja resiproke, BE-ja nuk do ta kundërshtojë një gjë të tillë. Sa i përket BE-së, asaj do t’i duhet të mbështetet në pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur Kosovën dhe të ndërpresë revizionizmin serb dhe rus, duke e njohur më në fund Kosovën. Kjo do ta çonte përpara çfarëdo marrëveshje bilaterale në mes Prishtinës dhe Beogradit.

Për fund, si mund të duket 30 qershori sa i përket raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë?

Janusz Bugajski: Në skenarin më të mirë të mundshëm, që të dy palët do të kuptojnë që SHBA është serioze sa i përket ndihmës në ndërmjetësimin e një marrëveshje, ku dy shtetet fqinje do ta pranonin pavarësinë dhe sovranitetin e njëra-tjetrës. Sidoqoftë, meqë nuk pritet që Serbia të ketë një reflektim të papritur, muajt e verës do të jenë qenësor sa i përket betonizimit të përfshirjes së Amerikës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat