Gazetari i dënuar në Mal të Zi: "Drejtësia jonë është vetëm fasadë"

Intervista

Gazetari i dënuar në Mal të Zi: "Drejtësia jonë është vetëm fasadë"

Më: 10 tetor 2020 Në ora: 09:34
Jovo Martinović

As dymbëdhjetë orë pas vizitës së Presidentit të Malit të Zi Milo Gjukanoviç te Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier gazetari i pavarur Jovo Martinoviç u dënua me një vit burgim.

DW: Zoti Martinoviç, ju jeni në shënjestër të drejtësisë malazeze që nga viti 2015, sot u dënuat në shkallën e parë me një vit burg, me pretendimin se keni ndërmjetësuar në trafikun e drogës. Si e komentoni vendimin?

Jovo Martinoviç: Një gjykim i këtij lloji pritej. Mendoj se ka pasur një direktivë përkatëse nga politika. Të njëjtët gjykatës, që më dënuan mua, kanë qenë gjyqtarë edhe në raste të tjera politikisht të ndjeshme, për shembull kundër udhëheqësve të opozitës.

Rasti juaj zgjat që prej pesë vjetësh. A mund të na e përmbledhni shkurtimisht?

Në verën e vitit 2015 unë punoja për stacionin televiziv Canal Plus në Paris në një histori investigative për tregtinë ilegale të armëve nga Ballkani në Francë. Gjatë hulumtimeve rashë në kontakt me kriminelët nga mjedisi i drogës, të cilët më ndërmjetësuan kontaktet me skenën e tregtarëve të armëve. Këta kriminelë u arrestuan pak më vonë për trafik droge. Edhe unë u arrestova dhe u akuzova se isha pjesë e një rrjeti trafiku droge, megjithëse ishte fare e qartë se unë isha një gazetar i ngarkuar me një hulumtim, gjë që ma dëshmoi redaksia dhe që e pohuan më vonë edhe trafikantët e arrestuar të drogës.

Ju keni ndenjur më shumë se 14 muaj në paraburgim.

Po nga tetori 2015 deri në janar 2017. Gjatë kësaj kohe m‘u bë presion nga nëpunësit e prokurorisë speciale. Ato donin që unë të nënshkruaja një dëshmim të rremë. Atëherë do të isha liruar. Ata shkuan edhe te familja ime, kolegët e mi, donin medoemos dëshminë time. Por unë nuk pranova. Në të njëjtën kohë avokati im dhe unë për muaj me rradhë nuk kemi mundur të lexojmë aktakuzën. Provat janë paraqitur vetem pak para fillimit të procesit, edhe ato pjesërisht. Ka prova, të cilat unë deri sot nuk kam mundur t‘i shoh, për shembull transkriptimet nga bisedat telefonike. E gjitha kjo është ilegale. Rasti im ka qenë që në ditën e parë një farsë.

Prokurori pohonte, se ju kishit instaluar në smartfonin e një tregtari droge një aplikacion komunikimi.

Akuza ishte aq qesharake, saqë u hoq. Ata thanë tekstualisht, se unë kisha instaluar „një aplikacion të caktuar komunikimi", pa thënë saktësisht se cilin. E vetmja pikë e akuzës, që mbeti, është se unë paskam vendosur kontaktin mes dëshmitarit kryesor dhe të akuzuarit kryesor. Në fakt ata patën kontakt përmes meje, por shumë kohë më parë, gjatë një projekti të një filmi investigativ, një vit e gjysëm para arrestimit tim.

Përse ju jeni kaq i rrezikshëm në Mal të Zi?

Në Mal të Zi ka herë pas here raste të mëdha të trafikimit të armëve, drogës dhe cigareve. Kjo është e pamundur pa pjesëmarrjen e njerëzve të shtetit. Dhe shteti janë presidenti Milo Gjukanoviç dhe partia e tij Demokratike e Socialistëve në pushtet, pra komunistët e dikurshëm. Në sytë e tyre, kush bën hulumtime, duhet ta paguajë.

Si do të veproni pas këtij vendimi të shkallës së parë?

Unë do ta kundërshtoj vendimin në gjykatën e apelit. Nëqoftëse në Mal të Zi dënohem përfundimisht, do ta çoj çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Ju nuk do të shkoni në burg, sepse keni qenë më shumë se katërmbëdhjetë muaj në paraburgim.

Po, por bëhet fjalë për më tepër se kaq. Sipas vendimit aktual unë do të isha kriminel. Dhe kjo nuk është e vërtetë. Unë jam i pafajshëm dhe do të luftoj për aq kohë, derisa ta kem të zezë mbi të bardhë.

Në Mal të Zi ndodhi së fundmi një kthesë demokratike përmes zgjedhjeve. Një qeveri reformatore mund të fillonte së shpejti punën. A do të përmirësojë kjo ndonjë gjë në sistemin e drejtësisë?

Gjyqësori, nominalisht i pavarur, kontrollohet ende nga Gjukanoviçi dhe karteli i tij. Për mendimin tim do të zgjasë shumë, derisa ndryshimet thelbësore të kenë efekt edhe në sistemin e drejtësisë.

Në vitet e fundit ka pasur dhjetëra sulme ndaj gazetarëve. Në maj 2018, kolegia juaj, reporterja investigative Olivera Lakiç, u qëllua dhe u plagos rëndë. Si e vlerësoni situatën e përgjithshme të gazetarëve të pavarur në Malin e Zi, të cilët hulumtojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar?

Olivera Lakiçin edhe mund ta kishin vrarë. Si në vitin 2004 Dushko Jovanoviçin, kryeredaktorin e gazetës "Dan". Por ajo u paralajmërua, si të thuash, për herë të fundit nga një e shtënë në këmbë. Ky ishte një paralajmërim edhe për të gjithë gazetarët e tjerë, që të mos hulumtojnë korrupsionin politik në nivelin më të lartë. Asnjë rast i ndonjë sulmi ndaj gazetarëve nuk është sqaruar. Në disa raste janë dënuar autorë të rremë në bazë të pohimeve të rreme, megjithëse autorët e vërtetë diheshin.

Presidenti i Malit të Zi Gjukanoviç ishte për një vizitë zyrtare në Gjermani të mërkurën (7 tetor 2020) dhe Presidenti gjerman Steinmeier lavdëroi sensin e tij demokratik të përgjegjësisë. Çfarë mendoni lidhur me këtë?

Çfarëdo gjë të bukur të thotë Gjukanoviçi në lidhje me demokracinë, janë vetëm deklarata. Gjyqësori në Malin e Zi është nën kontrollin e tij dhe vendimet merren në zyrat e partisë, jo në gjykata. Unë do t'i thoja zotit Steinmeier, se unë dyshoj, që ai do të dëshironte të dilte para një gjykate të RDGJ-së. Gjyqësori ynë është njëlloj si ai në RDGJ, një fasadë pa asnjë përmbajtje të shtetit të së drejtës.

Jovo Martinović, 46 vjeç, është gazetar i pavarur në Mal të Zi dhe hulumton kryesisht mbi korrupsionin dhe lidhjet midis politikës dhe krimit të organizuar. Ai punon si për mediat e pavarura malazeze ashtu edhe për ato të huaja, përfshirë BBC, "Financial Times", "Economist", "Frankfurter Allgemeine Zeitung" dhe "Süddeutsche Zeitung". Për shkrimet e tij ai është nderuar me çmime të shumta ndërkombëtare të gazetarisë, ndër të tjera "Press Freedom Award" të OJQ-së Reporterët pa Kufij.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat