Shasha: Edhe 6 hapa deri te liberalizimi i vizave, ja çka do të ndodhë me dialogun Kosovë-Serbi me ardhjen e Bidenit

Intervista

Shasha: Edhe 6 hapa deri te liberalizimi i vizave, ja çka do të ndodhë me dialogun Kosovë-Serbi me ardhjen e Bidenit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 11 shkurt 2021 Në ora: 20:32
Demush Shasha

Drejtori i Institutit EPIK Demush Shasha, ka thënë se gjasat për liberalizimin e vizave gjatë këtij viti janë të vogla. Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se i gjithë procesi mund të shtyhet për vitin 2022. Sipas tij, mbesin edhe 6 hapa deri te lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në zonën Shengen.

Shasha në këtë intervistë ka theksuar se me presidentin e ri amerikan Joe Biden, dialogu Kosovë-Serbi do t’i kthehet binarëve të normalitetit, megjithëse nuk pret ndonjë progres të theksuar të negociatave gjatë vitit 2021. Ai ka përmendur 6 hapa kushtetues që duhet respektuar për të arritur deri te marrëveshja përfundimtare me Serbinë.

Teka ka folur për humbjen e 7.5 milionë euro të fondeve nga BE-ja nga moszbatimi i reformave, Shasha ka paralajmëruar se vetëm do të ashpërsohen kërkesat për performancë të Kosovës, në shfrytëzimin e fondeve të BE-së.

Drejtori i EPIK ka komentuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Albin Kurtin, duke thënë se ky vendim nuk ishte akt i izoluar, por ndodhi në sfondin e akrobacioneve të vazhdueshme politike që kanë një synim të vetëm – të mbajnë Kurtin sa më larg pushtetit dhe Kosovën në status quo.

Ai ka thënë se KQZ-ja është shndërruar në nikoqir të lojërave meskine partiake dhe jo organ, i cili ka për detyrë të mbrojë dhe të sigurojë votën demokratike të secilit qytetar të Kosovës.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni njohjen e Kosovës nga Izraeli dhe kundërshtimin e BE-së për këtë njohje?

Demush Shasha: Duhet vlerësuar lartë njohjen nga Izraeli, në veçanti në një sfond kur Kosova nuk kishte asnjë njohje që nga viti 2018.

Sidoqoftë, konsideroj se ishte vendim i gabuar vendosja e ambasadës në Jerusalem. Vetëm dy vende të tjera të botës kanë marr vendim të tillë.

Refuzimi i mbarë botës për të vendosur ambasadat e tyre në Jerusalem, reflekton konsensusin 50-vjeçar ndërkombëtar për të lënë këtë çështje procesit negociator në mes palëve. Po ashtu, vendosja e ambasadave në Jerusalem është e sanksionuar me një numër të rezolutave të Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme. Respektimi i kuadrit ndërkombëtar për procesin negociator në mes Izraelit dhe Palestinës është çështje jashtëzakonisht komplekse dhe e ndjeshme.

BE-ja ka përkrahur njohjen në mes Kosovës dhe Izraelit. Sidoqoftë, BE-ja ka pozicion të qartë politik se selitë e të gjitha ambasadave janë në Tel Aviv dhe rrjedhimisht të gjitha shtetet anëtare të BE-së kanë refuzuar në vazhdimësi të lëvizin ambasadat e tyre në Jerusalem. Rrjedhimisht, Kosova ka vepruar në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të politikës së jashtme të BE-së.

“Bota sot”: Qytetarët e Kosovës kishin shpresa që gjatë presidencës së Gjermanisë në bllok, do të liberalizoheshin vizat, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Ku ka ngecur ky proces?

Demush Shasha: Sa i përket procesit liberalizimit vizave, Kosova ka humbur shumë kohë për arsye tërësisht politike. Ne kemi humbur momentumin pozitiv që ekzistonte në vitin 2016 për shkak të mungesës së konsensusit të spektrit politik lidhur me çështjen e demarkacionit, i cili i ka kushtuar qytetarëve te Kosovës tani pothuaj pesë vite izolim. Në vitin 2016, BE-ja ia hapi derën Kosovës që të jetë pjesë e Zonës Shengen, por skena politike e Kosovës refuzoi këtë ofertë duke mbajtur kështu qytetarët e Kosovës të vetmit në Ballkanin Perëndimor pa të drejtën e lëvizjes së lirë.

Ndërkohë, Kosova dështoi të ndërtonte një sistem të pavarur të drejtësisë, i cili do ishte në gjendje të shënonte progres në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Rrjedhimisht, sot jemi me një mjedis kompleks ku janë së paku katër faktorë, të cilët janë duke penguar liberalizimin e vizave për Kosovën:

1. Mungesa e rezultateve në kuadër të luftës kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Katër vite pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, ne ende s’kemi asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë për korrupsion. Rastet e interesit të lartë publik, sikur “Veteranët”, “Pronto” dhe “Fajdet” nuk kanë arritur të kthejnë besimin në institucionet e sundimit të ligjit.

2. Raporti i Vendit 2020 identifikoi sfida të shumta në fushën e sundimit të ligjit. Në veçanti, vendet anëtare me shqetësim janë duke përcjell gjeturat e Raportit të Vendit, ku është konkluduar se korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet institucionale, ndërsa sistemi i drejtësisë mbetet nën ndikimin politik.

3. Ngecjet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Mungesa e progresit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, është një pengesë indirekte pasi që vendet anëtare të BE-së e shohin bashkëpunimin rajonal si parakusht themelor në kuadër të gjitha proceseve integruese, përfshire edhe liberalizimin e vizave.

4. Mungesa e vullnetit politik për liberalizim të vizave. Kosova ka pasur momentumin pozitiv për liberalizimin e vizave në vitin 2016, sidoqoftë sot çështja e hapjes së kufijve është çështje me implikime të shumta politike brenda disa vendeve anëtare të BE-së, në veçanti duke pas parasysh implikimet e pandemisë COVID-19.

Tani zhvillimi i fundit sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën ka ndodhur më 24 shtator 2019, kur Komisioni i Parlamentit Evropian për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Liritë Qytetare (LIBE), ka mbështetur ri-nisjen e negociatave teknike me Këshillin e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave me Kosovën, respektivisht për të siguruar plotësim ndryshimin e Rregullores 539/2001.

Që nga ajo kohë nuk ka pasur ndonjë progres të rëndësishëm për liberalizim të vizave brenda institucioneve të BE-së. Respektivisht, forumi përgjegjës për liberalizimin e vizave me Kosovën Këshilli për Çështje të Brendshme dhe Drejtësi nuk ka dhënë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave. Në këtë drejtim, gjatë pjesës së dytë të vitit të kaluar, Presidenca Gjermane e BE-së ka tentuar disa herë të shtyjë përpara çështjen e liberalizimit të vizave, por duke marr parasysh pandeminë dhe hezitimin e disa shteteve sikur Franca dhe Holanda, kjo tentativë e Gjermanisë nuk pati sukses.

Në këtë drejtim para Kosovës mbesin edhe 6 hapa deri te lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në zonën Shengen:

1. Përfundimi i negociatave ndër-institucionale për plotësim ndryshimin (trialogu) e Rregullores 539/2001 dhe dakordimi mbi një marrëveshje të përkohshme jo-formale për plotësim ndryshimin e Rregullores;

2. Votimi për plotësim ndryshimin e Rregullores 539/2001 në LIBE (Parlamenti) dhe aprovimi në COREPER (Këshilli);

3. Votimi për plotësim ndryshimin e Rregullores 539/2001 në seancë plenare të Parlamentit Evropian;

4. Votimi për plotësim ndryshimin e Rregullores 539/2001 nga Këshilli i BE-së;

5. Ceremonia e nënshkrimit nga Këshilli dhe Parlamenti;

6. Hyrja në fuqi e Rregullores 539/2001 dhe lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës (20 ditë pas publikimit në gazetë zyrtare).

Sa i përket vitit 2021 ekzistojnë gjasat shumë të vogla se do të këtë çfarëdo progresi lidhur me liberalizimin e vizave. Kjo për shkak se:

-Menaxhimi i pandemisë COVID-19 kërkon kufizimin e përgjithshëm të lëvizjes së qytetarëve dhe rrjedhimisht çfarëdo diskutimi për hapjen e kufijve nuk është i mirëseardhur;

-Viti 2021 është vit zgjedhor në Holandë dhe Gjermani, dhe në këtë drejtim është vështirë se këto dy vende do mbështesin vendimin për hapjen e kufijve të BE-së gjatë një viti zgjedhor.

“Bota sot”: Sa ka gjasa që liberalizimi të ndodhë gjatë këtij viti?

Demush Shasha: Gjasat janë shumë të vogla. Më e mundshme është se i gjithë procesi do të shtyhet për vitin 2022.

“Bota sot”: Kosova ka humbur 7.5 milionë euro të fondeve të BE-së nga moszbatimi i reformave. Çka duhet të bëjë qeveria e re në këtë drejtim?

Demush Shasha: Në dhjetor 2017, Kosova dhe Bashkimi Evropian nënshkruan Marrëveshjen e Financimit për Programin e Veprimit për Kosovën për vitin 2016 - Pjesa II - Mbështetja Sektoriale Buxhetore.

Në kuadër të kësaj marrëveshje, Kosova ka marr për obligim që të zbatojë reformat në fushën e administratës publike, në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) dhe Agjendën Evropiane të Reformave (ERA), drejt krijimit të një administrate publike të pavarur, profesionale dhe në shërbim të qytetarit. Institucioni përgjegjës për koordinimin e zbatimit të marrëveshjes është Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Sipas marrëveshjes, institucionet e Kosovës u zotuan se gjatë 2018-2020 do të zbatojnë 8 reforma në fushën e administratës publike, të cilat do të vlerësohen me anë të 33 indikatorëve. Ndërsa, në anën tjetër, Bashkimi Evropian u zotua se zbatimin e reformave të dakorduara do të shpërblejë me €22 milionë të mbështetjes direkte buxhetore, përmes katër transheve financiare në vlerë prej €5.5 milionë secila. Thënë ndryshe, institucionet e Kosovës përmes zbatimit të këtyre reformave do të fitonin një injektim financiar në vlerë prej €22 milionë, të cilin do të mund të orientonin për përkrahjen financiare të bizneseve, ofrimin e bursave për studentet, ndërtimin e shkollave, spitaleve apo çfarëdo shërbimi tjetër publik në të mirën e qytetarëve.

Në vitin 2018 Kosova ka pasur të përmbush dymbëdhjetë indikatorë, në vitin 2019 njëmbëdhjetë indikatorë dhe në vitin 2020 dhjetë indikatorë. Gjatë gjithë kësaj kohe, institucionet e Kosovës është dashur po ashtu të sigurojnë në vazhdimësi përmbushjen e katër parakushteve.

Në këtë kontekst, transhi i parë prej €5.5 milionë nuk ka qenë i kushtëzuar me indikatorë, dhe rrjedhimisht është zbatuar në tërësi. Transhi i dytë është zbatuar në vlerë prej €3.11 milionë pasi që institucionet e Kosovës kishin përmbushur 7 nga 12 indikatorë variabil. Transhi i tretë është zbatuar në vlerë prej vetëm €0.42 milionë pasi që institucionet e Kosovës kishin përmbushur vetëm 1 nga 11 indikatorë variabil. Transhi i katërt është shtyrë për vitin 2021 për shkak të efekteve të pandemisë.

Pra, sipas marrëveshjes deri më sot, institucionet e Kosovës është dashur të zbatojnë 23 reforma specifike dhe të fitojnë €16.5 milionë përkrahje drejtpërdrejt buxhetore nga fondet e BE-së. Në vend të kësaj, institucionet kanë zbatuar vetëm 8 reforma specifike dhe kanë fituar €9.03 milionë, duke humbur kështu €7.47 milionë nga fondet e BE-së.

Humbja e radhës e fondeve të BE-së është indikator shqetësues i mungesës së theksuar të vullnetit politik dhe kapaciteteve administrative në zbatimin e reformave Evropiane dhe paralajmërim për vështirësitë, në të cilat Kosova do të has në zbatimin e IPA III për vitet 2021-2027, ku vetëm do të ashpërsohen kërkesat për performancë në shfrytëzimin e fondeve të BE-së.

“Bota sot”: A ka ndikuar ndryshimi i shpeshtë i qeverive në Kosovë në aspektin e integrimit evropian?

Demush Shasha: Patjetër. Në pesë vite të fundit kemi pasur katër qeveri të ndryshme. Mesatarisht kemi pasur qeveri tjetër çdo 9 muaj.

Në një mjedis të tillë politik është e pamundur të flasim për reforma serioze që na presin në procesin integrues.

“Bota sot”: Si duhet analizuar letra e presidentit amerikan Joe Biden, dërguar presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ku i kërkohet njohja reciproke e Kosovës?

Demush Shasha: Bien në sy katër elementet e letrës: (1) Presidenti Biden nuk përmend fare Marrëveshjen e Uashingtonit. Kjo është një mesazh shumë i rëndësishëm diplomatik. Pra, vetëm pak muaj pas nënshkrimit të asaj që u cilësua si marrëveshje “historike”, Presidenti i ri i SHBA-ve u distancua në tërësi nga kjo marrëveshje; (2) Presidenti Biden nuk bënë fare referencë parimit të administratës Trump se "normalizimi ekonomik" vjen para adresimit te çështjeve politike. Këto duhet lexuar sikur kthimin e SHBA-ve në pozicionin tradicional të saj se çështjet politike në mes Kosovës dhe Serbisë janë të rëndësisë primare për SHBA dhe aleatët; (3) Qëndrimi i Bidenit është se "njohja reciproke" është i vetmi opsion. Pra përjashton ate fjalorin e administratës Trump: "çfarëdo që dakordojnë palët"; dhe (4) vërehet një përafrim me qëndrimin e BE-se pasi që në letër Presidenti Biden përdor fjalor të njëjtë me BE-në, respektivisht arritjen e një "marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit".

“Bota sot”: A do të ndryshojë rrjedha e procesit të dialogut me Serbinë, pas ardhjes së Joe Bidenit?

Demush Shasha: Me Presidentin Biden, dialogu do t’i kthehet binareve të normalitetit. Nga qasja kaotike e Presidentit Trump, do të shohim një qasje më strategjike të Presidentit Biden të bazuar në boshtin e bashkëpunimit transatlantik.

Gjatë muajve në vijim do të jemi dëshmitarë të bashkëpunimit shumë më të afërt në mes SHBA dhe BE për qëllime të avancimit të dialogut Kosovë-Serbi.

Sidoqoftë, unë nuk pres ndonjë progres të theksuar gjatë vitit 2021. Kjo pasi që gjatë këtij viti administrata e re do të merr kohë që të akomodohet me një numër të madhe të prioriteteve në politiken e jashtme – nga Rusia dhe Kina, deri te Irani dhe koordinimi ndërkombëtar në menaxhimin e pandemisë. Nga ana tjetër, BE-ja do jetë e preokupuar me menaxhimin e pandemisë dhe zgjedhjet në Holandë dhe Gjermani.

Ndërsa, këtu në Kosovë edhe nëse sigurohet një mazhorancë stabile duhet pritur tentativat e vazhdueshme për destabilizim që do të kenë qëllim parandalimin e përmbysjes së interesave klanor të sistemit të vjetër qeverisës nga ana e qeverisjes së re demokratike.

Në gjithë këtë kontekst, duhet pasur pak shpresa për ndonjë progres në ndjeshëm në dialogun Kosovë - Serbi për vitin 2021. Në vend të kësaj, do të ishte ideale që viti 2021 të shfrytëzohet për punë të zellshme diplomatike që do të shtronte rrugë për një marrëveshje serioze politike ne vitet 2022/2023.

“Bota sot”: Si duhet të vazhdojë dialogu dhe a duhet të përfshihet edhe tema e Asociacionit në tryezë?

Demush Shasha: Në kuadër të zhvillimeve të lidhura me arritjen e marrëveshjes me Serbinë, konsideroj që duhet respektuar me përpikëri rrugën juridiko-kushtetues të procesit. Në këtë drejtim, konsideroj se janë 6 hapa kushtetues që duhet respektuar për të arritur deri te marrëveshja përfundimtare me Serbinë.

Fillimisht, Kuvendi duhet të votojë me 80 vota ekipin negociator, platformën negociuese dhe kufizimet e mandatit negociues. Duke njohur faktin që çështja e territorit ka qenë pikë ndarëse në procesin e deritanishëm negociator, dhe për të evituar çdo mundësi që territori jetë objekt i diskutimit në negociata në kuadër të kufizimeve të mandatit negociues, konsideroj se duhet të ketë një pikë të veçantë, si vijon: “Asnjë institucion qendror kushtetues nuk ka të drejtë të negociojë çështje që kanë për objekt diskutimi territorin e Republikës së Kosovës.”

Pas votimit të ekipit negociator, platformës negociuese dhe kufizimit të mandatit negociues, ekipi negociator ka për obligim që të zhvillojë negociatat nën kontroll të Kuvendit, ku pas çdo raundi negociatave është i obliguar të raportojë në seancë plenare të Kuvendit.

Në fund procesit negociator, marrëveshja e negociuar duhet të ratifikohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës me 80 vota të të gjithë deputetëve.

Në këtë kontekst, sa i përket qeverisë së re, konsideroj se qeveria e re duhet të sigurojë përfshirje substanciale të opozitës së re në procesin negociator me qëllim të krijimit të konsensusit të gjerë për një çështje të interesit mbi partiak. E dyta, dhe ndërlidhur me çfarë u tha, konsideroj se çështja e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nuk do të merr fund me asnjë qeveri për së paku një të ardhme të parashikueshme. Kjo pasi që arritja e një marrëveshje kornizë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do të jetë fillimi i normalizimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve, dhe jo fundi i tij.

Kosova dhe Serbia kanë qenë në konflikt të armatosur. Kosova përjetoi një tentativë për spastrim etnik me viktima të shumta dhe dëme kolosale materiale. Në këtë kontekst, nuk mund të pritet tani që këto dy vende do zgjedhin mos marrëveshjet e tyre në një kështjellë Evropiane, brenda një fundjavë, dhe në disa faqe letër. Dhe e gjithë kjo me një qëllim të fitimit të një shpërblimi në skenën ndërkombëtare. Një qasje e tillë në fakt në vetvete do të ishte e gabueshme.

Konsideroj se arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve nuk duhet parë si qëllim, por si mjet për të filluar një proces të gjatë, të pranimit të dy vendeve sovrane dhe qytetarëve të tyre, si fqinjë të ardhshëm në një hapësirë, e cila nesër do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe proces, i cili nuk do harron të kaluarën, por një procesi i cili do të sigurojë kërkim-faljen dhe pranim-faljen nga dy vende respektive për hir të ardhmes më të mirë të tyre.

“Bota sot”: Si e komentoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ua ka ndaluar kandidimin për deputet Albin Kurtit dhe të tjerëve?

Demush Shasha: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është parë me mjaft dyshime dhe brenga në diskursin publik. Në këtë ka kontribuar edhe fakti se ky vendim nuk ishte akt i izoluar, por po ndodh në sfondin e akrobacioneve të vazhdueshme politike që kanë një synim, dhe një synim, të vetëm – të mbajnë Kurtin sa më larg pushtetit dhe Kosovën në status quo.

Përmes një numri të makinacioneve kafkaeske institucionale dhe ligjore, Gjykata Kushtetuese ka përmbysur jetën demokratike në Kosovë duke vendosur se një ligj administrativ për organizimin e zgjedhjeve është mbi Kushtetutën e vendit. Ky “mëkat fillestar” ka nxjerrë nga errësira lojërat meskine politike dhe i ka transformuar ato në realitete juridike. Pas kësaj, të gjitha institucionet e shtetit janë vënë në lëvizje për të garantuar respektimin e “ligjit” dhe të “procedurës”, rrjedhimisht duke siguruar kështu përjashtimin e Kurtit nga jeta demokratike.

Në këtë kontekst, jam i brengosur për faktin se Gjykata Kushtetuese si institucion më i lartë dhe më sublim është shndërruar në lavatriçe të hesapeve politike. Në këtë formë kërcënohen liritë më themelore politike dhe juridike të qytetarëve të Kosovës.

“Bota sot”: Keni thënë se KQZ-ja po kolapson si institucioni i pavarur nga presioni politik që po ushtrohet mbi të. Si mund të “pavarësohet” ky institucion?

Demush Shasha: KQZ-ja është një institucion i rëndësisë të veçantë, pasi që ka detyrën sublime të organizmit të shprehjes së vullnetit demokratik të qytetarëve.

Sidoqoftë, kohëve të fundit skenat që dalin nga transmetimi i drejtpërdrejt i mbledhjeve të KQZ-së japin përshtypje të një forumi tejet të politizuar, i cili është nikoqir i lojërave meskine partiake dhe jo organ i cili ka për detyrë të mbrojë dhe të sigurojë votën demokratike të secilit qytetar të Kosovës.

Procedurat dhe pengesat e vendosura për votën e diasporës dhe refuzimi i këshillave profesionale të Sekretariatit të KQZ-së janë disa nga shenja brengosëse të funksionimit të pavarur të KQZ-së.

“Bota sot”: Shumica e sondazheve në Kosovë, e nxjerrin Vetëvendosje si fituese të zgjedhjeve me mbi 50%. Çfarë prisni ju nga zgjedhjet e 14 shkurtit?

Demush Shasha: Konsideroj se sondazhet janë duke kapur drejt disponimin e përgjithshëm politik të qytetarëve të Kosovës. Kjo u konfirmua edhe në zgjedhjet e parakohshme për Kryetarin e Besianës.

Unë pres që qytetarët do të dënojnë partitë të cilat për dy dekada kanë siguruar që Kosova të jetë:

Vend më demokracinë më të dobët në rajon, dhe në fakt vetëm 0.18 pikë larg kualifikimit si shoqëri me “Regjim Gjysmë-Konsoliduar Autoritar”, sipas Freedom House;

Vend më i korruptuar se Bjellorusia, sipas Transparency International;

Vend më i izoluar në Evropë, pa liberalizimin e vizave;

Vend më i pa arsimuar në botë, sipas OECD;

Vend më mjedisin më të ndotur në Evropë;

Vend i vetëm në Evropë pa sigurime shëndetësore.

Në këtë drejtim e shoh si tejet të shëndetshme për demokracinë e re të Kosovës që për herë të parë në Kosovën e pasluftës, të përjetojmë një ndryshim rrënjësor demokratik dhe politik duke siguruar që opozita e djeshme të bëhet pozita e nesërme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat