Loeckel: Kosova të fuqizojë mekanizmat mbikëqyrës kundër korrupsionit

Intervista

Loeckel: Kosova të fuqizojë mekanizmat mbikëqyrës kundër korrupsionit

Më: 21 prill 2021 Në ora: 16:19
Norman Loeckel, ekspert i Transparency International.

Kosova duhet të fuqizojë mekanizmat e pavarur që do të mbikëqyrnin shpenzimet qeveritare, si pjesë e luftimit të korrupsionit në nivele të larta, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Norman Loeckel, ekspert i organizatës Transparency International në Gjermani.

Duke folur për emisionin "Iustitia", që është prodhimi më i ri i Radios Evropa e Lirë, në bashkëpunim me Betimin për Drejtësi, eksperti gjerman thotë se edhe në Gjermani ka dobësi në ligjet që luftojnë korrupsionin, mirëpo sipas tij, ndjeshmëria e publikut dhe mediave është shumë e lartë.

Si ka arritur Gjermania të renditet në top dhjetëshen e vendeve në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik?

Norman Loeckel: Gjermania ka rregulla shumë strikte për punonjësit në sektorin publik dhe në përgjithësi për personat që punojnë në qeveri. Këto rregulla zbatohen fuqishëm. Kjo është njëra pjesë e tregimit, pjesa tjetër është se ne kemi natyrisht politikanë për të cilët rregullat, fatkeqësisht janë relativisht të dobëta dhe nuk zbatohen me vendosmëri. Pra, kemi një lloj sistemi të ndarë. Mendoj se në përgjithësi ka një nivel të ulët të tolerancës në shoqërinë gjermane dhe media për rastet e korrupsionin. Pra, edhe në fushat ku rregullat janë relativisht të dobëta, ka pasoja të mëdha nëse zbulohet korrupsioni.

Në çfarë shkalle janë rastet korruptive në mesin e zyrtarëve të lartë politik dhe çfarë trajtimi bën Gjermania për këto raste?

Norman Loeckel: Në nivelet e larta, që nënkupton njerëzit që punojnë në qeveri – ministrat –nuk ka pasur shumë raste të korrupsionit. Në përgjithësi, në nivelet e larta qeveritare ka shumë pak korrupsion, kjo edhe për faktin se këtu në Gjermani ka shumë kontroll. Njëri ndër rastet është ai i një zëvendësministri të Mbrojtjes, i cili ka pranuar ryshfet gjatë prokurimit të materialeve të mbrojtjes. Ky rast u zbulua shpejt. Ai u mundua të ikte në një vend tjetër, por nuk ia arriti. Ai do të ekstradohet dhe gjykohet në Gjermani. Pra, në përgjithësi, për shkak të kontrolleve të rrepta të mekanizmave parlamentarë dhe joparlamentarë si dhe nga ana e mediave, në nivelet e larta qeveritare, është e vështirë të fshihet korrupsioni.

Sa zgjasin procedurat gjyqësore në këto raste dhe cilat lloje të dënimeve parashikohen me ligj?

Norman Loeckel: Nëse një zyrtar i lartë i qeverisë është i përfshirë në ryshfet, ky rast merret shumë seriozisht, varësisht edhe prej kompleksitetit të çështjes. Nëse është rast më kompleks, prokuroria mund të hetojë për dy vjet, nëse është ndonjë shkelje më e ulët, atëherë gjithçka mund të përfundojë brenda disa muajsh. Në lidhje me dënimet, ato natyrisht se dallojnë, varësisht nga çështja. Nëse ka pasur shkelje të lehta të rregullave, mund të mos ketë dënim, por vetëm veprime disiplinore brenda ministrisë. Por, nëse është çështje korrupsioni e profilit të lartë, kemi pasur raste të tilla që kanë kaluar vite të tëra në burg.

Cili është reagimi i publikut dhe mediave për rastet potencialisht korruptive në mesin e zyrtarëve të lartë?

Norman Loeckel: I marrin me shumë seriozitet këto shkelje, qoftë edhe nëse janë veprime potenciale. Në përgjithësi kanë shumë pak tolerancë dhe kjo mund të paraqesë një fund të shpejtë të karrierës për politikanët dhe zyrtarët publikë nëse janë të përfshirë në korrupsion. Në fakt ka shumë më pak tolerancë krahasuar me ligjet. Ligjet ndonjëherë, në disa raste janë të dobëta, por publiku është shumë i ndjeshëm. Pra, edhe në rastet kur ligji nuk e ndalon, karriera për politikanët e përfshirë në afera korruptive mund të marrë fund.

Çfarë është kyçe në trajtimin e rasteve korruptive të zyrtarëve të lartë?

Norman Loeckel: Së pari duhet të keni rregulla të ashpra dhe ato duhet të zbatohet. Nuk është e mjaftueshme të kesh vetëm prokurorë, por gjithashtu duhet të keni mekanizma parlamentarë që mbikëqyrin ministritë, pastaj mekanizma të pavarur të llogaridhënies që mbikëqyrin shpenzimet e parave në ministri dhe procesin e prokurimit, nëse fondet publike po shpenzohen në bazë të ligjit. Këto mekanizma auditimi dhe të pavarur brenda qeverisë duhet të jenë të fuqishme dhe vërtetë të ushtrojnë kontroll.

Çfarë mësime mund të marrë Kosova nga Gjermania në lidhje me trajtimin e rasteve korruptive të nivelit të lartë?

Norman Loeckel: Natyrisht, nëse ligjet janë aty, por ato nuk zbatohet, atëherë ky është një problem i madh. Ligjet mund të përmbysen nëse ekzistojnë në letër, por nuk ka mekanizma të pavarur të cilët kontrollojnë shpenzimet e parave për shembull brenda qeverisë. Kështu është vështirë t’i hapet rruga ndëshkimit. Nëse keni këto mekanizma të pavarur, natyrisht ju duhet të keni vullnet politik që gjithashtu të keni prokurorë të pavarur, të cilët mund t’i dërgojnë shkelësit para gjykatës./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat