Deputeti i VV-së flet për rrezikun nga ‘Non-paperi’ slloven, dialogun me Serbinë dhe vaksinat

Intervista

Deputeti i VV-së flet për rrezikun nga ‘Non-paperi’ slloven, dialogun me Serbinë dhe vaksinat

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 23 prill 2021 Në ora: 07:52
Arkiv/ Deputeti Agon Batusha, kryeministri Albin Kurti

Vendi ynë ka nisur të marrë veten me formimin e institucioneve. 

Lëvizja Vetëvendosje së bashku me presidenten Vjosa Osmani po përkushtohen të jenë sa më pranë qytetarëve. 

Deputeti i VV-së, Agon Batusha në një intervistë për “Bota sot”, ka komentuar situatën politike duke përshirë edhe atë të pandemisë në Kosovë. 

Sipas tij, institucionet janë formuar në kohë rekord dhe qytetarët kanë pritshmëri të mëdha nga kjo qeveri. 

Ndërsa për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Batusha tha se dialogu nuk duhet të jetë prioritet i qeverisë Kurti, sepse qytetarët kanë shumë më shumë nevoja esenciale që duhet të adresohen, se sa dialogu nga i cili deri më sot pothuajse asgjë nuk ka fituar Kosova. 

Deputeti i VV-së është deklaruar dhe për ‘Non-paperin’ slloven, i cili u diskutua shumë së fundi, derisa ka thënë se ai e vërteton edhe njëherë që është tentuar ndarja e Kosovës e mbështjellë me platformën “shkëmbim territorial” e që do ta paralizonte Kosovën ekonomikisht dhe do të nxiste valë të re të dhunës ndër-etnike në mbarë Ballkanin, duke shtuar se ëndrrat e hegjomonistëve serb nuk bënë assesi të gjejnë mbështetje tek politikanët shqiptarë, pasi sërish ata pësojnë.

Kurse sa i përket opozitës, Batusha ka thënë se kritikat ndaj qeverisë janë të natyrshme kur bëhen nga ana e opozitës, por siç shprehte ai, PDK, LDK dhe AAK nuk kanë të drejtën morale dhe as etike të bëjnë kritika në kaq pak kohë që nga ardhja në qeveri e z. Kurti të paktën pa i mbushur 100 ditë qeverisje. 

Ai duke folur për situatën pandemike në Kosovë, thotë se me angazhimin e z. Vitia dhe kryeministrit Kurti, shumë shpejtë do të kemi vaksina të mjaftueshme për të vaksinuar shumicën e popullsisë, rrjedhimisht të dalim nga ky makth epidemiologjik.

Image
Agon Batusha

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend, pas formimit të institucioneve?  

Agon Batusha: Institucionet e Republikës janë konsoliduar apo votuar në kohë rekord, marrë parasysh konsolidimet e institucioneve që kanë ndodhur prej vitit 2007 e deri më sot. Parlamenti ka filluar punën e vet duke konsoliduar komisionet dhe tani pritet të hartohen planet e punës dhe agjenda legjislative. Qeveria e Republikës është drejt fazave të fundit të konsolidimit të brendshëm (zv.ministrat, kabinetet, ejt), kanë hartuar plan programin dhe tani pritet që të harmonizon planet e qeverisë me atë të Kuvendit. Po ashtu, votuam Presidenten e Republikës pa ndonjë vështirësi. Na mbetet të punojmë në realizimin e premtimeve elektorale dhe të adresimit të brengave të qytetarëve. 

“Bota sot”: Cilat janë prioritete tuaja si deputet i Kuvendit të Kosovës? 

Agon Batusha: Natyrisht që prioritet do ta kem përfaqësimin e qytetarëve. Jemi zotuar para qytetarëve se do t`i përfaqësojmë në Parlamentin e Republikës. Pikërisht këtë e kam ndërmend ta bëj. Kërkesat, ankesat dhe sugjerimet e tyre t`i adresoj para organeve gjegjëse dhe të kërkoj nga këto organe përgjigjen për to. Ne deputetët e rinj e kemi edhe energjinë edhe përkushtimin që të angazhohemi në çështje ndër-sektoriale apo në çështje horizontale që prekin më shumë se një sektor të caktuar. Sigurisht që kjo kërkon më shumë kohë e më shumë përkushtim, por për këtë jam zotuar në fushatë. Duke filluar nga çështjet që prekin ambientin, ato të përfaqësimit dhe fuqizimit gjinor, çështje që kanë të bëjnë me reformat në administratë publike e deri tek standardizimi i operacioneve ekonomike. Praktikisht gjithçka që buron nga MSA-ja dhe tjera procese në kuadër të integrimit evropian.  

Po ashtu, prioritet do t`i kem mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve të cilët trajtohen si është më së keqi nga shumë kompani të papërgjegjshme. Mos zbatimi i ligjit dhe mungesa e inspektorëve kanë bërë që kjo situatë të vijë deri në këtë pikë. Andaj, do të angazhohem që kjo çështje të rregullohet sa më parë. 

“Bota sot”: Keni qenë deputet edhe në legjisltaurën e kaluar, cilat janë pritshmëritë nga Qeveria Kurti?  

Agon Batusha: Pritshmëritë e qytetarëve janë të mëdha për Qeverinë Kurti. Përgjegjësia ndaj tyre është jashtëzakonisht e madhe edhe për faktin se mbështetja popullore është mbi 50%. Ne si shumicë, dhe qeveria e z. Kurti, kanë punë të shumta, vendime të vështira për të marrë dhe shumë çështje urgjente për të adresuar. Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit mbetet zotimi ynë dhe natyrisht puna primare e qeverisë. Plotësim/ndryshimi i skemave sociale e pensionale është nevojë urgjente për mirëqenien e qytetarëve. Zhvillimi ekonomik si sfidë e kahmotshme e Kosovës, i është shtuar edhe vështirësitë tjera për shkak të pandemisë, e për këtë qeverinë e Republikës e presin sfida të mëdha në këtë drejtim. 

“Bota sot”: Për këto pak ditë qeverisje, a mendoni se jeni në rrugë të mbarë?  

Agon Batusha: Duhet kuptuar qe kjo qeveri është duke punuar me intensitet të shtuar në sanimin e problemeve të krijuara vetëm në vitin e fundit. Gjendja është edhe më keq se sa që e kemi pritur e në anën tjetër pritshmëritë janë të mëdha si në masën e vendimeve që do merren, po aq edhe në kohën kur do merren. Gjithsesi, zotimet në fushatë po fillojnë të materializohen. Lufta ndaj korrupsionit për herë të parë po merr kuptim përmbajtësor: projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Kjo është vetëm një prej veprimeve konkrete të mëdha nga shumë që janë marrë e do iniciohen në ditët e javët në vijim. 

“Bota sot”: Zgjedhja e presidentes hasi pak në vështirësi. Pse mendoi se ndodhi kjo?  

Agon Batusha: Jo, nuk mendoj që kishte vështirësi gjatë zgjedhjes së Presidentes. Ishte plotësisht normale situata sepse nevojiteshin 2/3 e votave të deputetëve për të vazhduar nga raundi në raund.  Natyrisht që disa nga deputetët bashkë me subjektet opozitare tentuan të vështirësonin kalimin e znj. Osmani sepse përmes kësaj metode tentonin të kushtëzonin z. Kurti. Nuk ia dolën. Nga ky proces, shumica parlamentare doli më e konsoliduar, më stabile dhe me më shumë deputet seç ishim para se të hynim në këtë fazë të procesit politik. Format e vjetra të shantazhit dhe pazaret me terminale, emërime në shërbimin e jashtëm diplomatik, me tenderë, e me forma të tjera të korrupsionit mori fund atë natë. Pra, zgjedhja e Presidentes së Republikës shënoj fitore të shumëfishtë për shumicën parlamentare.

“Bota sot”: Sa i përket dialogut me Serbinë, cili është plani i VV-së?  

Agon Batusha: Qëndrimi ynë si subjekt politik mbetet i njëjtë: nuk ka dialog nëse nuk trajtohemi si të barabartë në tavolinën e ndërmjetësuesit. Pra, duhet të dialogojmë si dy shtete të barabarta. Duhet të analizohen të gjitha marrëveshjet e arritura deri më sot, pra çka kemi arritur deri tash me ato marrëveshje dhe ngecjet e të cilave duhet të adresohen menjëherë. Prioritet do të jenë zbardhja e fatit të të pagjeturve, si një temë që nuk ka pasur trajtimin e duhur nga pala jonë dhe që mbetet plagë e hapur për mbarë shoqërinë tonë. Por, mendoj që dialogu nuk duhet të jetë prioritet i qeverisë Kurti, sepse qytetarët kanë shumë më shumë nevoja esenciale që duhet të adresohen, se sa dialogu nga i cili deri më sot pothuajse asgjë nuk ka fituar Kosova. 

“Bota sot”: Si e komentoni ‘Non-paperin’ slloven të publikuar së fundmi në media, për ndryshim kufijsh? 

Agon Batusha: Kam lexuar dhe dëgjuar deklaratat e politikanëve të rajonit dhënë mediumeve të ndryshme. Kjo vërteton edhe njëherë që është tentuar ndarja e Kosovës e mbështjellë me platformën “shkëmbim territorial” e që do ta paralizonte Kosovën ekonomikisht dhe do të nxiste valë të re të dhunës ndër-etnike në mbarë Ballkanin. Ëndrrat e hegjomonistëve serb nuk bënë assesi të gjejnë mbështetje tek politikanët shqiptarë, në të kundërtën ata që po e pësojnë (pavarësisht mësimeve nga historia) do jemi prapë ne, shqiptarët. Kosova ka nevojë për fuqizim të shtetit, luftë ndaj krimit e korrupsionit që zaten janë e vetmja linjë bashkëpunimi e pashkëputur pavarësisht armiqësive historike etnike, duhet të zhvillojmë ekonominë, të forcojmë ushtrinë dhe të hyjmë në marrëveshje bilaterale dhe multilaterale me shtetet mike e strategjike për interesat e shtetit tonë. Padyshim që e njëjta vlen edhe për shtetet tjera të Ballkanit, e për të cilat Kosova duhet të ju ofrojë mbështetje e partneritet kundër hegjomonisë së Serbisë. 

“Bota sot”: Si e komentoni rolin e opozitës në vend, kur vazhdimisht po kritikon Qeverinë, madje nga PDK nuk i kanë përjashtuar protestat?  

Agon Batusha: Kritikat ndaj qeverisë janë të natyrshme kur bëhen nga ana e opozitës dhe janë të domosdoshme sepse krijojnë mundësinë e llogaridhënies, rrjedhimisht të përmirësimit të vazhdueshëm të proceseve vendimmarrëse brenda institucioneve. Por, ajo çka po shohim ne është një opozitë që trupin e ka në Parlament e kokën ende nuk po e gjen. Pra, është një opozitë e përçarë, pa vizion të qartë se si do të vazhdojnë dhe e kapur në befasi nga suksesi politik i Lëvizjes Vetëvendosje! e rrjedhimisht suksesit të arritur në konsolidimin e institucioneve. PDK, LDK dhe AAK nuk kanë të drejtën morale dhe as etike të bëjnë kritika në kaq pak kohë që nga ardhja në qeveri e z. Kurti. Është mirë të lejojnë që institucionet të konsolidohen në plotëni dhe pas 100 ditë punë mund të flasim hapur, shtruar dhe pa inate politike, se çka është bërë mirë, çka keq dhe çka mund të bëjmë më mirë. Gjithsesi, urgjente është nevoja për kristalizimin e opozitarizmit nga këto subjekte me vetveten sepse deri tani janë duke treguar që janë të pamësuar me të qenit në opozitë dhe në këtë mënyrë po bëjnë gafa opozitare. Kjo vlen edhe për protestën e paralajmëruar: protesta është mjet demokratik i shprehjes së pakënaqësisë apo mospajtimit. Por, cili është qëllimi apo kauza?! Çfarë të drejte morale ka PDK-ja të thërrasë protestë?! 

“Bota sot”: Po situatën me pandemi si e vlerësoni, si është menaxhuar deri tani?  

Agon Batusha: Si çdo punë tjetër edhe menaxhimi i pandemisë është trashëguar nga ish-ministri i shëndetësisë, për të cilin kemi pasur një mori kritikash për mënyrën e menaxhimit të pandemisë. Për një vit pothuajse asnjë masë serioze që ndihmon në parandalimin e përhapjes së virusit nuk u mor. Kjo mendoj që ka ndodhur për arsye të kalkulimeve elektorale. Natyrisht, që nga votimi i qeverisë Kurti 2, u kuptua që kjo papërgjegjshmëri nga ana e qeverisë ilegale duhet të marrë fund. Masat kanë qenë domosdoshmëri edhe në parandalim edhe në shpërfaqje të vullnetit të shtetit në luftën ndaj pandemisë, si parakusht për sigurimin e vaksinave. Masat janë anti-popullore, pra nuk gëzojnë mbështetje në popullatë dhe risku politik është shumë i lartë. Por, kanë qenë të domosdoshme. Kosova ka ngecur mbrapa me sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, por besoj që me angazhimin e z. Vitia dhe kryeministrit Kurti, shumë shpejtë do të kemi vaksina të mjaftueshme për të vaksinuar shumicën e popullsisë, rrjedhimisht të dalim nga ky makth epidemiologjik. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat