Libër që bëhet urë kombesh

Intervista

Libër që bëhet urë kombesh

Nga: Namik Selmani Më: 23 gusht 2021 Në ora: 07:10
Adnan Mehmeti

-Zoti Adnan, së pari ju urojmë suksese në botimin e librit tuaj “Simfonia e udhëtimeve”! Për lexuesin e gjerë shqiptar në Amerikë dhe në mbarë trojet tona amtare, duam të bëjmë një informim më të gjërë me anën e kësaj interviste.

Na tregoni diçka për historikun e librit tuaj?  Pse keni vendosur këtë titull? Sa kohë keni punuar me të?

Librat për udhëtimet mendoj se janë nga më të pëlqyerit e lexuesve, në të gjithë kohërat e vendet. Janë librat që të rrëmbejnë me natyrshmërinë e rrëfimit të tyre. Kur bëja udhëtimet njëri pas tjetrit, më vinte një lloj dëshire që ato emocione t’ua përcillja miqve të mi.

“Simfonia e udhëtimeve” ka një histori të gjatë, të pasur dhe do të thoja të vjetër. Dëshira për udhëtime filloi në Evropë, duke vizituar gati pjesën dërrmuese të shteteve evropiane. Pastaj ju riktheva trojeve shqiptare, duke shëtitur me një interesim të veçantë fund e krye Shqipërinë e bukur.

Me ardhjen time në Amerikë më 1995 dhe me vendosjen e familjes, fillova të mendoja për një eksplorim të shtetit të Texas-it. Aty më lindi djali im, Andi, “kryevepra ime”. Fillova me historikun e Alamos, me qytetet e njohur Houston, Dallas, Austin, San Antonio, etj. Me kalimin e viteve, fillova udhëtimet që kufizoheshin me Texas-in: Arkansas, Louisiana, Oklahoma. Pastaj anembanë vendit, duke i kaluar gjysmën e Shteteve të Bashkuara si dhe shtetet që e rrethojnë (Mississippi, Illinois, Tennessee, Alabama, Washington D.C., Nevada, New York, Maryland, Florida, Rhode Island, New Jersey, Pennsylvania, Michigan, Delaware, Vermont, Virginia, Arizona, California, New Hampshire, Maine, Massachusetts, si dhe Canada, Mexico dhe Caribbean).

“Simfonia e udhëtimeve” vjen natyrshëm, pa asnjë renditje alfabetike. Ajo është një dëshirë e udhëtimeve familjare, që më vonë mori një trajtë letrare. Vetëm datat më “detyrojnë” të kthej kokën mbrapa, për të numëruar vitet që janë një çerek shekulli.

Ndoshta një njeri tjetër mund të vinte një titull libri “Duke udhëtuar…” ose “Ditar udhëtimesh” etj. Për mua çdo udhëtim ka qenë befasi mes peisazheve, njerëzve, traditave të së kaluarës, ndërtime të reja me forcën e mendjes dhe fuqisë së njeriut të lashtë e modern. E për të përfshirë të gjitha këto emocione, zgjodha përcaktimin më të mirë të fjalës “Simfonia e udhëtimeve”.

-Cilat janë emocionet tuaja si shkrimtar, kur e nisët librin dhe kur e botuat atë?

Po e përsëris, nuk u nisa për të shëtitur që më vonë të bëja një libër. U pasionova me bukurinë e Amerikës, kulturës, njerëzve, traditave, ushqimit…

Duke shëtitur, mbaja dhe shënime. Është një gjë krejt e zakonshme, kur udhëtimin e sheh si kulturë e jo thjesht si kalim kohe. Shumicën e tyre e botova në shtypin e kohës. Shkrimet zgjuan interes tek miqtë e mi shkrimtarë, që këmbëngulën ta bëja një libër më vete. Edhe unë e kuptova se do të ishte një gjë e veçantë, e bukur, por dhe e dobishme…

Botimi i librit në Tiranë shoqërohet me emocione, sepse është një ndër botimet më të mira të krijimtarisë time letrare.

-Cili do të ishte mesazhi më i rëndësishëm i librit tuaj për lexuesin shqiptar në Amerikë e në trojet shqiptare?

“Simfonia e udhëtimeve” sjell dashurinë dhe historinë, bukurinë dhe pasurinë. Ai sjell frymëzimin që gjeta tek Amerika: bujarinë, mirëqënien dhe besimin. “Simfonia e udhëtimeve” është një pikturë që nuk ka nevojë për shënime shtojcë, por shpreh dëshirën dhe obligimin për ta ruajtur me dashuri këtë vlerë.

-Librin fund e krye e përshkon “kultura e udhëtimit”. Si do ta komentonit ju këtë përcaktim që del nga libri juaj apo i librave të tjerë me këtë tematikë?

Një çerek shekulli udhëtime në atdheun tonë të dytë, është frymëzim për të udhëtuar në mozaikun amerikan. Në studion time janë të ftuar lexuesit për t’u bërë bashkudhëtarë të këtij udhëtimi poetik, por gjithmonë mbetet diçka e pathënë.

Librat në përgjithësi rrezatojnë kulturë te lexuesit. Po udhëtimet kanë një kod të veçantë në rrëfimin e tyre. Këto libra marrin statusin e veçantë. Njerëzit në libra të tillë marrin kulturë dhe informacion.

-Në shumë kapituj të librit ju ktheheni në mjaft detaje që lidhen me gjeografinë dhe jetën kulturore të kombit tonë. Kjo është rastësi, apo një qëllim artistik i librit?

Duke e dashur vendin nga ke ardhur, edukohesh për ta dashur edhe vendin ku ke vendosur të jetosh me familje. Dashuria është e madhe dhe të jep krah për një jetë më të lumtur. Andaj, në asnjë rast, në asnjë moment, nuk kam qenë i dyzuar për të mohuar vendin e origjinës për një gjë që i ka munguar. Përkundrazi, jam munduar për të hedhur mbi sipërfaqe vlerat dhe kujtimet e mia të bukura nga e kaluara.

-Në çdo faqe të librit ndihet fryma familjare. Pse ndodh një gjë e tillë në libër?

Dashurinë ndaj atdheut dhe ndaj familjes i kam të shenjta. Jetoj për ta dhe me ta. Është kohë e pamjaftueshme, andaj duhet ta jetojmë me dashuri. Libri hapet me dedikimin “Vilma, Tea dhe Andi bashkudhëtarë të përhershëm në udhëtime”. “Simfonia e udhëtimeve” është një udhëtim familjar që do të vazhdojë për gjysmën tjetër të Amerikës.

-Për kureshtjen e lexuesit cilat janë disa nga momentet më emocionalë të vizitës suaj në këto shtete amerikane?

Oh, kam shumë. Por do të veçoj vizitën në Arkansas tek libraria e Bill Clinton, që lidhet me Luftën e Kosovës, vizita në lumin Mississippi, vizita në kryeqytetin amerikan, vizita në NASA në Houston, ajo në Las Vegas apo në Kanionin e Madh në Arizona, Ujëvarën e Niagarës, etj.

-Shënimet e udhëtimit kanë dhe një referencë të shkruar apo të ndjerë brenda vetes si një mister i bukur. A keni patur ndonjë personalitet amerikan të tillë si referencë për librin tuaj?

Në ato mijëra e mijëra libra, filma dokumentarë që kanë si motiv qendror udhëtimin, libri im ka vendin e vet të veçantë.  Shumë kam lexuar prej tyre. Detajet të mbeten në mendje, po secili libër ka pastaj origjinalitetin e vet.

Pa dyshim, edhe shkrimtarët e mëdhenj amerikanë apo presidentët, kanë qenë frymëzim për mua dhe përpjekja për të “bindur” fëmijët dhe gruan për vizitat përkatëse buronte edhe nga kjo përvojë leximesh që kisha bërë më parë.  Edhe ata kanë qenë pjesë e udhëtimeve. Çdo udhëtim kërkon një motivim dhe njohje paraprake.

Për të vizituar librarinë e presidentit amerikan Bill Clinton u deshën me qindra kilometra dhe një javë kohë; në Little Rock, të shtetit Arkansas; apo muzeun ku u vra John Kennedy, në Dallas, të shtetit Texas;  apo shtëpinë muze të presidentit, Calvin Coolidge, Plymouth, të shtetit Vermont; bibliotekën e presidentit George H.W. Bush, College Station, Texas; takimin me presidentin  Bill Clinton, Darien, të shtetit Connecticut, apo vendlindjen e  Woodrow Wilson, në Staunton, të shtetit Virginia, etj.

Le të flasim edhe për shkrimtarët e mëdhenj amerikanë. Është frymëzim për të vizituar shtëpinë muze të shkrimtarit të madh Mark Twain, Hartford, të shtetit, Connecticut; Henry Wadsworth Longfellow në Portland, të shtetit Maine; Edgar Allan Poe në Baltimore, të shtetit Maryland; Emily Dickinson në Amherst të shtetit Massachusetts, si dhe dy korifenjtë tanë Fan Noli dhe Faik Konica në Boston apo ishullin Key West në Florida, që ishte vend i preferuar i shkrimtarit Ernest Hemingway, aty ku kishte shtëpinë dhe ku e shkroi romanin e tij të njohur “Lamtumirë armë”, etj….

-Në mjaft kapituj ju e keni gërshetuar rrëfimin tuaj edhe me poezi. A ju ka shërbyer libri si ushqim për libra të ardhshëm me poezi?

“Simfonia e udhëtimeve” është vazhdimi i librit tim poetik “Ndajfoljet e vendit”. Është një udhëtim i gjatë në jetën time, por i bukur, frymëzues dhe me plot sfida. E ku ka gjë më të bukur se të merresh me poezi dhe të udhëtosh familjarisht nëpër vendet më të bukura? Poezia më ka ardhur natyrshëm, për të dhënë një gjendje emocionale të lartë. Vetë Zoti i ka falur kaq bukuri tokës amerikane. Dua të jem i hapur, i sinqertë dhe transparent me lexuesin, kam përshkruar vetëm vendet që i kam shëtitur dhe që më kanë frymëzuar.

-Libri është botuar në Shqipëri dhe mund të themi se është tërësisht “produkt shqiptar”. Çfarë mendoni për një gjë të tillë.? Cilat janë vlerat e bashkëpunimit?

Në mes New York-ut, Prishtinës dhe Tiranës e përzgjodha shtëpinë e njohur botuese “UET Press” dhe jam shumë i kënaqur me cilësinë e botimit që është mjaft bashkëkohor dhe nuk dallon shumë nga botimet që bëhen në Amerikë. Ne, si shkrimtarë shqiptaro-amerikanë duhet të jemi konkretë në bashkëpunim me vendin tonë.  Kjo ishte dhe një shprehje e atij qëllimi që pata, kur vendosa ta botoj në Tiranë. Mendoj se është edhe një zgjidhje për të sjellë “Simfoninë e udhëtimeve” për kureshtjen e lexuesit shqiptar, për udhëtimet dhe historikun e saj që lidhen me jetën amerikane.

Ju faleminderit e ju uroj suksese!

Ju faleminderit Juve dhe me shumë dashuri për të gjithë lexuesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat