Femicidi në trojet Shqiptare

Intervista

Femicidi në trojet Shqiptare

Nga: Prof. Dr. Teuta Bicaj Më: 30 dhjetor 2021 Në ora: 08:37
Prof. Dr. Teuta Bicaj me shkrimtarin, përkthyesin dhe publicistin Lekë Imeraj

T. Bicaj: Z. Imeraj, në terminologjinë e krimit ndaj gruas, sot po përdoret fjala „femicid“. Shumë pak e kuptojnë përmbajtjen e saj. Çfarë do të thotë kjo? Ka një kuptim tjetër nga krimet në përgjithësi, ndaj gruas?

L. Imeraj: Ndaj gruas, në botë dhe te ne, kryhen krime të ndryshme, të nxitura nga motive të ndryshme. Në disa kultura, gruaja për shkak të gjinisë së saj, mendohet gjë e pavlerë. Vetëm „makinë“ fëmijëprodhuese. Gruaja e ndarë nga burri, mendohet objekt i përdorur, fare pa vlerë.

Në këto kultura, gruaja mendohet pronë e burrit. Dhe çdo burrë, ka të drejtën të sillet dhe ta trajtojë gruan si objekt të vetin. E dhunon, e shet, e vret, ka liri të plotë veprimi dhe sjellje mbi gruan, „objektin“ e vet.

Fjala femicid, në radhë të parë është krim, vrasje por, ndryshimi nga krimet e tjera ndaj gruas, është motivi. Nëse dikush e vret një tjetër, për t’i marrë paratë, të cilat nuk ia jep vullnetarisht, është një vrasje. Nëse dikush e vret gruan, vetëm se është femër, kemi një rast femicid. Në rastin konkret, motivi është krejt tjetër. Vrasje të tilla, në kultura të ndryshme, edhe në vendin tonë, futen në rrethana lehtësuese. Në rastin e vrasjes së një gruaje te ne, shpesh thuhet: „Hajt, se një grua ka vrarë“ ose „hajt se vet e ka kërkuar ajo“. Kemi vënë re që, në rastet kur janë vrarë burri dhe gruaja, për akt seksual jashtëmartesor, burri është varrosur me nderime të mëdha ndërsa gruaja, si një bushtër e keqe.

T. Bicaj: Ky lloj krimi mbi gruan, në vendin tonë, edhe tani në shek. 21 po vihet re gjithnjë e më shumë. Nuk po ndalet. Bashkëshorti vret bashkëshorten, ish bashkëshorti vret ish bashkëshorten, i dashuri vret të dashurën, apo ish të dashurën. Paraqet rrezikshmëri sociale?

L. Imeraj: Rastet janë vërtetë shokuese. Akoma më shokues është fakti që, në shek. e 21, akoma ka meshkuj që e mendojnë dhe trajtojnë gruan si objekt, si pronë të vogël të tyre. Dhe, me këtë „objekt“ grua, ata i japin të drejtën vetes të sillen si të donë. Ta dhunojnë, psikologjikisht dhe fizikisht, madje, edhe ta vrasin. Në këto tri dekada, në të ashtuquajturin regjim demokratik, në Shqipëri dhe, në të gjitha trojet shqipfolëse, kemi shumë dhunë, deri dhe vrasje dhe persekutime të grave. Dhuna mbi gruan nuk ndalet. Dhe në shumë raste, vetëm se është grua, pra kemi rastin e femicidit.

T. Bicaj: Në Shqipëri dhe në të gjitha trojet shqipfolëse, koncepti „femicid“, nuk njihet sa duhet, apo fare. As në drejtësi. Mendoni se mund të bëhet i njohur, dhe të ndryshojë diçka në mbrojtjen e gruas?

L. Imeraj: Eshtë e vërtetë që, koncepti femicid, në kulturën tonë, nuk njihet. As në shoqëri, as në politikë, as në drejtësi. Të gjitha rastet e dhunës mbi gruan, mendohen vetëm dhunë. Me motivin, gjë që është shumë më i rrezikshëm se vetë dhuna, askush nuk merret. Nëse duam të shpëtojmë gruan nga dhuna, duhet të merremi me motivin e dhunës, dhe jo vetëm me rastet e dhunës. Kjo është e gjitha. Por, kjo nuk është vetëm puna e grave, dhe as e disave, qofshin dhe OJQ apo lëvizje të tjera feministe. Eshtë puna jonë, e të gjithëve. Në Afrikën e Jugut dhe në shumë vende të tjera, gjenocidi përfundoi kur u solidarizuan, organizuan dhe u ngritën popujt kundër gjenocidit.

Që të mund të bëhet diçka, kundër këtij krimi barbar, duhet kuptuar thellësisht, rrezikshmëria sociale e tij. Për këtë duhet një propagandë sqaruese, e mirorganizuar dhe me të gjithë. Eshtë një koncept i ri, i panjohur në kulturën tonë. Statistikat duhet të bëhen të ditura, për çdo rast. Syri dhe veshi i organeve të specializuara, duhet të futet kudo ku ushtrohet dhunë mbi gruan, edhe brenda mureve.

Duhet përmbysur përfundimisht koncepti: „Dhuna është dhunë, vrasja është vrasje“.

Jo, dhuna nuk është vetëm dhunë, dhe vrasja nuk është vetëm vrasje. Përfundimi është i njëjtë por, motivi është tjetër. Dhe, nëse nuk kuptohet dhe luftohet motivi, nuk mund ta arrijmë parandalimin e dhunës dhe vresjeve të grave. Ndryshe, ne do të vazhdojmë të mjekojmë të demtuarat, dhe të varrosim viktimat e femicidit.

T. Bicaj: Policia jep të dhëna mbi dhunën mashkullore mbi gruan. Këto raste dhune, duhet të mendohen femicid?

L. Imeraj: Jo. Jo të gjitha rastet e dhunës mbi gruan duhet të mendohen femicid. Dhuna në partneritet, nëse përfundon me vdekjen e gruas, është e lidhur me femicidin por, jo në të gjitha rastet kemi femicid të pastër. Kur themi femicid, mendojmë që, burri e vret gruan, vetëm se ajo është grua. Edhe në rastet kur një mashkull vret një grua të huaj, me të cilën nuk ka pasur asnjë lidhje. Ky lloj krimi vihet re sot në Europën Perëndimore, kryesisht nga azilantët e ardhur nga bota islame. Shumë prej tyre, i sulmojnë gratë perëndimore, vetëm se janë gra. Ky është femicid i pastër. Ky fenomen vihet re edhe te ne. Meshkujt e një krahine, sulmojnë gratë e një krahine tjetër, për shkak të kulturës, besimit, veshjes dhe zakoneve të tyre. Pra, urrejtja është për llojin e femrës dhe, jo vetëm për femrën viktimë.

T. Bicaj: Shpeshherë vihet re një mungesë solidariteti midis grave, në luftën kundër dhunës mashkullore. A mund të mendohet se, vetë gruaja është kundër gruas?

L. Imeraj: Gruaja kundër gruas, është një realitet i hidhur, por që duhet pranuar. Një dukuri e tiillë, nuk është rastësi, ka shkaqet e veta. Në shoqëritë patriarkale, meqenëse femra as që mund të mendojë për autonomi, pranon vartësinë e plotë mashkullore dhe kthehet kështu në gruan tradicionale. E dorëzon vullnetarisht pushtetin e saj. Socializimi i saj do të thotë, rikthim në periudhën e skllavërisë. I gjithë aktiviteti i saj jetësor zhvillohet në trekëndëshin: Fshesë, kuzhinë, krevat. Kjo sjell konkurrencën e madhe midis femrave. Ajo ndihet gjithnjë e më shumë e pasigurt nga femrat tjera dhe ka gjithnjë e më shumë frikë prej tyre, si konkurrente, në jetën e saj private dhe sociale. Është lufta për mbijetesë. Tek ajo zhvillohen, ashtu si pa u ndier, disa cilësi negative si, arroganca, përçmimi dhe poshtërimi, ndaj llojit. Gradualisht tek ajo zhvillohet morali i dyfishtë, skllave para burrave dhe keqsjellëse me gratë. Kjo sjell luftën brenda llojit: gruaja kundër gruas.

T. Bicaj: Flitet shumë për rrezkishmërinë e dhunës brenda mureve. Sa e rrezkishme është ajo, dhe a ka të bëjë me femicidin?

L. Imeraj: Femicidi lidhet me të gjitha format, llojet dhe mjetet e dhunës, mbi femrën. Dhuna e brendamureve, është njëra ndër llojet më të njohura dhe më të rrezikshme të dhunës mbi gruan.

Dhuna mashkullore mbi femrën, në të shumtën e rasteve, kryhet jashtë syrit dhe veshit të shoqërisë, në vende të fshehta dhe prapaskena. Më tipikja nga këto është dhuna e brendamureve. Dhuna e brendamureve mbi gruan, shfaqet në intensitetin e saj më të lartë, në ato nacione dhe kultura ku pabarazia midis mashkullit dhe femrës është e cilësuar, ku normat kulturore injorojnë plotësisht ndjenjat e femrës dhe mbështesin për çdo rast barbarinë mashkullore, dhe që para sjelljeve të tilla, shoqëria kthen kokën mënjanë. Në shoqëri të tilla gruaja e ka të pamundur kokëngritjen.

Brenda mureve, në shtëpi, dhunë dhe terror mbi gratë, pa u ndier, dhe pa guxuar të ndihen. Ato rrihen, poshtërohen, dhunohen, përdhunohen, fyhen, injorohen, skllavërohen, gjakosen dhe vriten. Familja, shoqëria dhe shteti, për të ruajtur imazhin e tyre, priren nga tendenca e minimizimit të dhunës brendamureve, duke injoruar kështu edhe rrezikun e saj. Në të shumtën e rasteve, e mendojnë atë thjeshtë si problem privat, dhe si mundësi, për zgjidhjen e konflikteve bashkëshortore. Kështu që, brendamuret janë kthyer në vatra të sigurta për burrat tiranë, për dhunimin dhe terrorizimin e grave dhe vajzave. Kjo është dhuna memece, e cila nuk dëgjohet jashtë mureve. Sado që femra të bërtasë, zëri i saj nuk dëgjohet jashtë. Të paktën, jo aq larg. Organizata Botërore e Shëndetësisë, arrin në përfundimin se 10 deri në 50% e grave janë viktima të dhunës dhe përdhunimeve brendamureve. Në rastet më të shumta kriminelët janë bashkëshortët, të afërmit, shokët apo të njohurit. Një e treta e të gjitha vetëvrasjeve te femrat, dhe 60% e të gjitha vrasjeve te femrat, lidhen me dhunën e brendamureve.

T. Bicaj: A duhet menduar feja si burim dhune mbi gruan dhe, mbështetëse e femicidit?

L. Imeraj: Nëse flasim për besimin islam, mendoj se duhet sqaruar një diçka, thelbësore: Islami dhe islamizmi. Islami është religjion, është besim. Islamizmi është lëvizje dhe rryma, brenda islamit. Ato, megjithëse ngrihen dhe flasin në emer të islamit, nuk kanë të bëjnë me islamin e vërtetë. Shumë analistë janë të mendimit, por edhe të bindur, se sjellje të tilla barbare ndaj femrës nuk kanë të bëjnë fare me Kuranin dhe se prejardhja e tyre është kulturore, dhe jo fetare. Një mendim të tillë ata e mbështesin edhe në faktin se, edhe në religjionet e tjera dhe në shoqëritë ateiste, ekziston keqsjellja ndaj femrës, nga pushteti mashkullor.

Profeti Muhamet, për kohën e vet, mund të mendohet reformator, për lirinë dhe të drejtat e gruas. U ndalua vrasja e bebeve femra, dhe poligamia u kufizua në katër gra të cilat duhej të trajtoheshin në mënyrë të barabartë. E drejta e pasurisë dhe pronës, për gruan islame u rregullua me ligj kur në Europën e krishterë, gruaja as që guxonte ta mendonte një gjë të tillë. Në përgjithësi, Muhameti e frenoi tiraninë mashkullore mbi femrën, ashtu siç kishte bërë para tij edhe profeti i krishtërimit. Muhameti ishte shumë më modern se sa apostulli Paulus i cili kishte urdhëruar gojëmbylljen e grave në shërbimet fetare, dhe njëri nga kokat e krishterimit të lashtë, Tertilliani, i cili thoshte: Gruaja është porta e hyrjes për tek djalli.

Ndër shekuj, krishterimi i la pas mendimet dhe sjelljet barbare ndaj femrës, ndërsa islamizmi (jo islami), me profetët e tij të gabuar, i përforcoi ato, duke mënjanuar dhe injoruar Kuranin.

N. D. Kristof & S. WuDunn thonë: Në qëndrimin ndaj femrës, islamizmi ka konservuar idetë dhe mendimet e arabëve të shek. të 7-të, të cilat sot janë mijëra vjet prapa.

Amerikania Amina Wadud, studiuese e teorisë islame dhe aktiviste e lëvizjes feministe, thotë se Kurani, përveç keqinterpretimit, me ose pa qëllim, edhe është keqpërkthyer. Është absurde, thotë ajo, që saudoarabët ndalojnë me ligj uljen e femrës në timon, kur Muhameti e ka lejuar gruan e vet, Kamele, të kalorojë, të merret me punë jashtë shtëpisë dhe të dëfrehet.

Muhameti ka thënë: Një ndëshkim ndja gruas, për tradhti bashkëshortore, mund të jepet vetëm atëherë kur, aktin e tardhtisë, e kanë parë jo më pak se katër deshmitarë. Te ne, në trojet shqipfolëse, gruaja dhunohet, madje edhe vritet, për një buzëqeshje, për një shpifje, për një thashetheme.

E vërteta është se, gruaja në botën islame, në krahasim me gruan e botës së krishterë, akoma është në skllavëri.

Melchior Grimm (1723-1807) thotë: Të gjitha gabimet që ne ua veshim grave, janë vepra të burrave, dhe mbi të gjitha, rrjedhojë e një edukimi të gabuar. Në ato vende ku shtypet gruaja, të vetmet zhvillime të suksesshme janë dhuna dhe terrorizmi. Kulturë, ekonomi dhe civilizim nuk ka. Vendet më të prapambetura të Europës, aq sa mund të krahasohen me botën e tretë, janë Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Bosnja. Shoqëria në këto vende është tejet e burrëzuar. Gruazimi është aq i vogël sa mund të mendohet i pavlerë. Gruaja është diku, nëpër të. Islamistët e rremë shqiptarë, kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia, dhe ata nga Bosnja por, edhe nga Shqipëria, i kushtojnë vëmendje të veçantë zhvillimeve të luftërave në vendet islame dhe shpesh, disa prej tyre, shkojnë vullnetarisht në frontet e luftës. Sociologu M. Steven Fish thotë: Në ato vende ku gruaja poshtërohet në familje, më në fund edhe shteti do ta bëjë të njëjtën gjë me shtetasit e vet. Është e vërtetë që, një mjedis autoritar dhe patriarkal në familje, sjell një sistem politik, autoritar dhe patriarkal. Shumë barbarizma të botës islame ndaj femrës kryhen sot në emër të Kuranit megjithëse nuk ekzistojnë në Kuran. Profetët e gabuar e justifikojnë këtë veprimtari kriminale me faktin se, Profeti Muhamet nuk e ka ndaluar me shkrim.

Burimi kryesor, i nxitjes, propagandës dhe mbëshetjes së femicidit, janë klerikët e gabuar, hoxhët, imamët, dervishët. Janë ata të cilët, në profesionin e tyre, nuk kanë asnjë lidhje me botën e femrës.

T. Bicja: Ishte kënaqësi basshkëbisedimi me ju, për një temë kaq të ndijshme. Shumë faleminderit.

L. Imeraj: Faleminderit juve.Mbarësi dhe suksese drejt arritjeve të reja, në vitin 2022!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat