Ish-diplomati britanik: Tri shtete të Ballkanit mund të ndahen, por tani nuk janë në agjendën ndërkombëtare!

Intervista

Ish-diplomati britanik: Tri shtete të Ballkanit mund të ndahen, por tani nuk janë në agjendën ndërkombëtare!

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 12 janar 2022 Në ora: 12:14
Ish-diplomati britanik në Bosnjë dhe Hercegovinë Timothy Less

Ish-diplomati britanik në Bosnje e Hercegovinë Timothy Less, thotë se momentalisht ka shanse të vogla për ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Në intervistën ekskluzive për gazetën “Bota sot”, duke folur për bisedimet Kosovë-Serbi, Less thotë se Kosova nuk është e gatshme për kompromise të dhimbshme si asociacioni apo shkëmbimi i territoreve me Serbinë.

Sipas udhëheqësit të projektit “Studimet e Shpërbërjes” të Qendrës për Gjeopolitikë dhe Strategji në Universitetin e Cambridge, Serbia dëshiron së paku shkëmbimin e territoreve të Kosovës dhe Republikës Serbe, gjë që siç thotë ai, nuk është në agjendën ndërkombëtare momentalisht. Ai nuk e përjashton mundësinë e ndarjes së disa shteteve të Ballkanit, duke përfshirë Bosnjën, Kosovën dhe Serbinë. Sipas tij, ndarja mund të pasohet me njohjen formale e Kosovës, e cila mund të bashkohet me Shqipërinë.

Ish-diplomati Less, në këtë intervistë ka folur edhe për punën e deritanishme të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, për të cilën thotë se ka dështuar në përmbushjen e pritjeve të qytetarëve për krizën e Koronavirusit dhe integrimin e veriut të Kosovës. Ndërsa, i pyetur nëse do të rrëzohet Qeveria në pranverë, Less ka thënë se nuk do të ndodhë një gjë e tillë.

Ai e vlerëson edhe rezistencën e Kosovës, e cila po ia bën nismës “Ballkani i hapur“, për të cilën parasheh se nuk do të ketë sukses.

Ndërsa, duke komentuar sanksionet amerikane ndaj bosëve serbë të krimit në veri të Kosovës dhe ndaj Milorad Dodikut, Timothy Less thotë se SHBA-të dëshirojnë ta marrin situatën në kontroll në Republikën Serbe të Bosnjës dhe në Kosovë, si dy vende të paqëndrueshme të Ballkanit.

Sipas ish-diplomatit, nuk do të ketë luftë në Bosnjë në vitin 2022.

Intervista e plotë - pjesa I:

“Bota sot”: Z. Less, si e vlerësoni punën e deritanishme të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, a i ka përmbushur ai pritjet e qytetarëve?

Timothy Less: Më duhet të them se nuk jam duke e ndjekur në detaje politikën në Kosovë, kështu që nuk jam ekspert i duhur për të folur për këtë. Por, ajo çka unë shoh është që Lëvizjes Vetëvendosje po i bie popullariteti, votuesit nuk po i besojnë se ajo po i mban premtimet. Në një kuptim të gjerë, politikën e brendshme në Kosovë mund ta analizoj kështu: e shoh që Kurti po ka vështirësi si çdo lider tjetër në Evropë për të menaxhuar krizën e koronavirusit. Ai po ashtu është duke dështuar për të çuar përpara objektivat kombëtare lidhur me veriun e Kosovës, për të cilin ka premtuar se do ta integronte dhe do të rezistonte përballë Serbisë, me përkrahjen e Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Megjithatë, së paku me dy çështjet e lartpërmendura, mendoj se kryeministri Albin Kurti ka dështuar t'i përmbush pritjet e qytetarëve.

“Bota sot”: Partitë opozitare në Kosovë, kanë paralajmëruar se në pranverë (prill) do të ketë zgjedhje të reja parlamentare në vend, pasi sipas tyre do të rrëzohet qeveria e Kurtit. Sa janë gjasat që të ndodhë një gjë e tillë, marrë parasysh se Kurti gëzon përkrahje të madhe nga qytetarët?

Timothy Less: Relativisht, në kushte normale nuk besoj se ajo do të ndodhë. Mirëpo, nëse do të ketë zgjedhje, që nuk është e sigurt, mendoj se Vetëvendosje do të fitojë përsëri kundrejt partive të mëdha. Kjo menjëherë tregon që synimi i partive opozitare do të dështojë për të rrëzuar qeverinë. Të paktën ata kanë një shans për të formuar një qeveri të re, por unë nuk besoj se do të ketë zgjedhje të reja në prill. Ju mund ta kuptoni se ku gjenden sekretet dhe ngjarjet që shtyjnë vendin drejt zgjedhjeve të reja vetëm 11 muaj nga formimi i qeverisë.

“Bota sot”: Kurti së fundmi ka thënë se Kosova është e gatshme për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë dhe se ajo do të arrihet gjatë mandatit të tij. Por, sa është në të vërtetë e gatshme Kosova për kompromise të dhimbshme, si asociacioni apo shkëmbimi i territoreve me Serbinë?

Timothy Less: Nuk mendoj se është e gatshme fare. Kjo është përgjigjja e shkurt për këtë pyetje. Unë nuk shoh asnjë evidencë se populli në Kosovë është i gatshëm të pranojë koncesione ose kompromise të dhimbshme, siç është formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe ose të shkëmbejë pjesën veriore të Kosovës. Nuk besoj se ekziston ndonjë gatishmëri nga ana e Kosovës për ato propozime. Nuk mendoj se populli i Serbisë do të pranojë të humbë Kosovën, në këmbim të formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe dhe as në këmbim të pjesës veriore të Kosovës. Në fakt, mendoj që Serbia dëshiron së paku atë që do ta pranojnë serbët - shkëmbimin e territoreve të Kosovës dhe Republikës Serbe (të Bosnjes), gjë që nuk është në agjendën ndërkombëtare momentalisht. Kështu që, momentalisht nuk besoj se ka ndonjë shans të vogël për ndonjë marrëveshje Kosovë-Serbi.

“Bota sot”: Po ju çfarë mendoni, a duhet Kosova të jap veriun e saj për marrëveshjen finale me Serbinë?

Timothy Less: Shikoni, ky është një vendim të cilin duhet ta marr vet populli i Kosovës. Nuk dua të parashikoj, por nuk shoh asnjë evidencë të gatishmërisë dhe nuk besoj që do të ndodhë një gjë e tillë, sepse ishte një mundësi në vitin 2018, kur administrata e Donald Trumpit e propozoi idenë e shkëmbimit të territoreve dhe e patë se si reagoi populli dhe klasa politike, që e kundërshtoi fuqishëm këtë ide.

Nuk mendoj që ka ndryshuar diçka qe tri vite, për të besuar që populli në Kosovë është i gatshëm për shkëmbimin e territoreve.

“Bota sot”: A ka vdekur ideja e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, apo ka ende njerëz që punojnë për të?

Timothy Less: Mendoj se duhet të bëni dallimin në kuptimin e ngushtë dhe të gjerë. Në kuptimin e ngushtë, ideja e shkëmbimit të territoreve është jashtë agjendës, për arsyet që i përmenda edhe më lart. Thjeshtë, mendoj që Republika e Kosovës dhe e Serbisë e mbështesin idenë e shkëmbimit të territoreve, e cila përfshin që Kosova ta jep veriun e saj dhe Serbia të jap jugun. Ishte një mundësi në vitin 2018 dhe ai moment tashmë ka kaluar, tani gjërat kanë ndryshuar. Në kuptimin e gjerë, e dini nga shkrimet e mia për Ballkanin që unë mendoj se janë disa kërkesa të mundshme për këtë, dhe si rezultat i kësaj Bosnja do të ndahet dhe mendoj po ashtu se edhe Kosova do të ndahet dhe është e mundshme të ndahet edhe Serbia, dhe momentalisht pyetja në lidhje me Kosovën rezulton njësoj. Por, vetëm si pjesë e një rikonfigurimi të një regjioni të madh që shkon në favor të Serbisë dhe si pasojë gjëra të tjera mund ta përcjellin, duke përfshirë njohjen formale të Kosovës, që mund të bashkohet me Shqipërinë.

“Bota sot”: Kosova po vazhdon ta kundërshtojë projektin “Ballkani i hapur”. A po fiton apo po humb Kosova me këtë kundërshtim?

Timothy Less: Mendoj se po fiton në kuptimin e një rezistence të qëndrueshme për anëtarësimin në “Ballkanin e hapur“, që do të thotë kjo është ajo çfarë po pretendojnë qeveria dhe të tjerët, të mos bëhen pjesë e saj. Askush nuk mund ta detyrojë me forcë Kosovën që t'i bashkohet këtij projekti. Ne e dimë që amerikanët dhe evropianët do ta përqafonin këtë iniciativë. Edhe Shqipëria është duke i bërë presion Kosovës që t'i bashkohet projektit, por Kosova po kundërshton. Unë mendoj se gjërat do të mbesin kështu edhe në të ardhmen. Për këtë arsye, mendoj se projekti “Ballkani i hapur“ nuk do të ketë sukses dhe do të stagnojë. Ky është një eksperiment i ndërmarr nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, që duket që nuk do të realizohet në mënyrën e pretenduar nga ata, siç është krijimi i një stabiliteti etnik në Ballkanin Perëndimor dhe zbehja e rëndësisë së kufijve të kontestuar dhe rrjedhimisht rezulton pyetja kombëtare si zhvillimi ekonomik. Kjo pak a shumë për momentin është spekuluese. Mendoj se me kohë ky tentim për zgjedhjen e përkatësive etnike do të zëvendësohet me mundësinë e bashkimit të kufijve dhe themelimin e shteteve.

“Bota sot”: Si i komentoni sanksionet amerikane që goditën bosët e krimit serbë në veri të Kosovës?

Timothy Less: Nuk dua ta prek shumë këtë temë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj shumë njerëzve në Ballkan, më së shumti ndaj Milorad Dodikut në Bosnje. Ky është një tentim nga amerikanët për ta mbajtur nën kontroll situatën. Në një aspekt është duke e humbur kontrollin për shkak të veprimeve lokale. Kjo është ajo se si e interpretoj unë këtë çështje.

“Bota sot”: A mendoni se do të ketë sanksione të reja në shtete të tjera?

Timothy Less: Kjo është ajo çfarë po thonë amerikanët. Tash po fillojnë sanksionet. Siç e ceka, mendoj se fokusi është në të vërtetë tek Republika Serbe, sepse ajo është pjesa më paqëndrueshme e rajonit, sepse boshnjakët dhe serbët janë duke bërë presion për ndryshimin e statusit të Republikës Serbe. Mendoj se Kosova potencialisht është vendi i dytë më i paqëndrueshëm në Ballkan dhe amerikanët do të bëjnë çka të munden për të bërë presion për një marrëveshje të re.

“Bota sot”: Çka do të ndodhë me Bosnjën në vitin 2022, a ka rrezik të shpërbërjes dhe a është lufta qëllimi i Milorad Dodikut?

Timothy Less: Nuk do të ketë luftë. Ne duhet të besojmë atë çfarë thotë Dodik se ai nuk dëshiron luftë të re. Është e rëndësishme të kujtojmë atë se prej cilit vend vjen Dodiku. Ai u shfaq në fillim të viteve të ‘90-ta në opozitë në Partinë Demokratike serbe të Radovan Karagjiqit dhe ai është një ish-radikal agresiv kombëtar. Por, nuk mendoj se Dodiku është shkëputur ndonjëherë nga ajo politikë. Ajo çfarë dëshiron ai është një vazhdimësi e asaj që ka ekzistuar më parë. Problemi që i shfaqet atij është që boshnjakët e refuzojnë atë që ai e quan marrëveshje të re.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat