Shpeshtimi i tërmeteve, sa është e rrezikuar Kosova?!

Intervista

Shpeshtimi i tërmeteve, sa është e rrezikuar Kosova?!

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 2 shkurt 2022 Në ora: 20:35
Ilustrim

Herë pas here Kosova është përballur me tërmete.

Ndërkaq, kohëve të fundit janë shpeshtuar tërmetet edhe pse epiqendra e tyre nuk ka qenë Kosovës.

Njohësi i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), Tahir Ahmeti, në një intervistë për “Bota sot”, ka shpjeguar se Kosova ka disa zona të burimeve sizmike.

Image
Tahir Ahmeti

Gjithashtu, Ahmeti ka folur edhe për mënyrën se si mund të mbrohen qytetarët në momentet kur ndodhë ndonjë tërmet.

Po ashtu, ai ka folur edhe për rrezikshmërinë që mund t`i kanoset qytetarëve nga ndërtesat të cilat nuk janë të sigurta.

“Ndërtimet e objekteve që nga pas lufta kanë ndodhur pa asnjë kriter apo vlerësim të sigurisë, duke rrezikuar kështu qëndrueshmërinë e objekteve”, ka thënë Ahmeti.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Sa është e rrezikuar Kosova nga tërmetet (brenda territorit dhe tërmetet jashtë saj, me epiqendër)?

Tahir Ahmeti: Nga pikëpamja sizmologjike sipas sizmiologeve të vendit, Kosova është një rajon me aktivitet sizmik relativisht të lartë, që është goditur në të kaluarën dhe mund të goditet edhe në të ardhmen nga tërmetet.

“Bota sot”: A ka Kosova zona të burimeve sizmike?

Ahmeti: Territori i Kosovës ka disa zona të burimeve sizmike, ose zona sizmogjene siç quhen ndryshe, zona sizmogjene Prizren - Pejë, zona sizmogjene Ferizaj - Viti - Gjilan dhe zona sizmogjene Kopaonik.

“Bota sot”: Cili ka qenë tërmeti më i fuqishëm me të cilin është ballafaquar Kosova?

Ahmeti: Vendi ynë në të kaluarën është ballafaquar me mjaft tërmete. Për periudhën 1999-2022, tërmeti më i fuqishëm ka goditur regjionin e Gjilanit me datën 24/04/2002, me magnitudë 5.7 shkallë Rihter, me ç’rast kishte humbur jetën një person dhe kishte dëme të konsiderueshme të objekteve.

 “Bota sot”: Cilat janë veprimet që duhet t`i ndërmarrin qytetarët e Kosovës?

Ahmeti: Njohurit elementare për tërmete janë mjaft të rëndësishme për të gjithë qytetarët, në mënyrë që të paktën të dinë si të veprojnë në fazën fillestare. Gjithsesi që duhet një edukim i vazhdueshëm shoqëror për tërmete, që nga fëmijët e gjer te moshat më të shtyra.

“Bota sot”: A mund të parashikohen tërmetet?

Ahmeti: Tërmetet nuk mund të parashikohen, por ne mund të mësojmë se si të mbrohemi prej tyre dhe si duhet të veprojmë në raste të tilla, e rëndësishme është që në dridhjen e parë mundësisht të merren masa mbrojtëse.

“Bota sot”: Si mund të mbrohen qytetarët në rast tërmeti?

Ahmeti: Gjatë një tërmeti është shumë me rëndësi që të ruhet qetësia dhe të mundohemi sa më pak të bëjmë panik, duhet ulur menjëherë në dysheme dhe të mblidhen duart dhe krahët, përpara se tërmeti t’ju rrëzojë, rekomandohet strehimi poshtë një tavoline, apo poshtë ndonjë mobileje që nuk mund të rrëzohet mbi ju. Kur nisin lëkundjet, gjëja më e mirë që duhet të bëni, është të mos lëvizni nga njëra dhomë në tjetrën, dhe të dilni me kujdes nga banesa pas tërmetit, si dhe mos të përdorni ashensorin, sepse gjasat janë të mëdha që mund të bllokohet.

“Bota sot”: Por, nëse ndodhemi në ambientet e hapura?

Ahmeti: Nëse ndodheni përjashta, duhet lëvizur në një zonë të sigurt nëse keni mundësi, si dhe shmangni shtyllat elektrike, tabelat, ndërtesat e larta si dhe objektet në ndërtim.

“Bota sot”: Sa janë ndërtimet e reja të lartat, dhe të vjetra në qytete, të rrezikshme apo të sigurta deri në çfarë shkalle?

Ahmeti: Degradim i ndërtimeve përveç kaosit urbanistik sjell në vete edhe rreziqe tjera të mundshme siç mund të jetë edhe shembja e ndonjë ndërtese në rast të ndonjë tërmeti. Ndërtimet e objekteve që nga pas lufta kanë ndodhur pa asnjë kriter apo vlerësim të sigurisë, duke rrezikuar kështu qëndrueshmërinë e objekteve. Duke i shtuar kësaj edhe dyshimet e cilësisë së materialeve ndërtimore që janë përdorur për këto ndërtime, atëherë me të vërtetë ekziston mundësia e madhe për ndonjë aksident të mundshëm që do të mund të rrezikonte jetët e shumë njerëzve.

Në shumë raste këto punë kryhen pa konsultimet adekuate me personat përgjegjës apo kompetent, si arkitektët apo inxhinierët, duke dëmtuar kështu ndonjëherë edhe trarët mbajtës të tërë objektit, e që mund të paraqes rrezik të përgjithshëm për shembje të ndërtesës dhe rrezik për ndonjë katastrofë të mundshme në rrezikimin e jetës së njerëzve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat