Ish ushtari i UҪK-së nga Shqipëria tregon fakte nga vrasja e Ahmet Krasniqit: Ai nuk pranoi të jetë pjesë e banditëve si Xhavit Haliti

Intervista

Ish ushtari i UҪK-së nga Shqipëria tregon fakte nga vrasja e Ahmet Krasniqit: Ai nuk pranoi të jetë pjesë e banditëve si Xhavit Haliti

Nga: Hava Orana Më: 27 gusht 2022 Në ora: 10:03
Xhavit Halili, Ahmet Kransiqi

Në një intervistë dhënë për “Bota sot”, ish pjesëtari i UҪK-së, Vendim Demaj flet për luftën e zhvilluar në Kosovë, kërkesat e veteranëve, të bëmat e ish ‘komandantëve’ të luftës e punën e Gjykatës Speciale. Ai ka përmendur edhe vrasjet politike, ku disa nga to kanë ndodhur në Shqipëri. Demaj flet edhe për qëndrimet e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama karshi Kosovës dhe Serbisë.

Image
Vendim Demaj

 

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Pak kohë më pare veteranët në Kosovë kanë protestuar kundër vendimit të Qeverisë për pagën minimale. A mendoni se kanë zgjedhur rrugën e duhur veteranët?

Vendim Demaj: Është fatkeqësi që edhe pas 33 vitesh çështja e veteranëve të UÇK-së, vazhdon të jetë e pazgjidhur përfundimisht me një status definitiv ku të jenë përfshirë gjitha lehtësirat dhe përfitimet sipas kategorive, dhe kjo vjen si rezultat i keqpërdorimit që qeveritë u bëjnë veteranëve duke i mashtruar me ndonjë shpërblim apo rritje të përkohshme, kryesisht në prag të zgjedhjeve. Unë mendoj që në këtë situatë të presioneve dhe kërcënimeve nga ana e Serbisë për destabilitet me të cilin po përballet Kosova, kjo është koha dhe moment më i papërshtatshëm për të bërë çfarëdolloj proteste, aq më tepër nga ana e atyre që sakrifikuan dhe kontribuuan për të sjell lirinë e Kosovës.

“Bota sot”: Është interesant se këto shoqatat e veteranëve kurrë nuk kanë organizuar protesta për shembull kundër demarkacionit, asociacionit, apo edhe problemeve që sërish Serbia po i shkakton në veri, nuk ka reagime?

Vendim Demaj: Në shoqëritë e dobëta siç jemi ne gjithmonë ka ndikuar gjendja ekonomike dhe me anë të saj politika apo dhe qarqe të caktuara kanë arritur që të përfitojnë nga ndjeshmëria emocionale që na karakterizon dhe fakti që këto shoqata të dala nga lufta nuk kanë ngritur zërin për të kundërshtuar disa raste të padrejta në Kosovë, siç është demarkacioni, futja e mallrave dhe kontrabanda serbe në Kosovë, destabiliteti dhe pasiguria në veriun e Kosovës, vërteton që këto shoqata kanë ndikim të marr të politikës dhe ato angazhohen, mobilizohen vetëm me imponime dhe urdhra politik, prandaj dhe vazhdojnë të kenë akoma të pazgjidhur statusin final të tyre.

“Bota sot”: Meqë ishit dikur pjesë e UҪK-së, mendoni se janë të drejta kërkesat e veteranëve?

Vendim Demaj: Çdo kërkesë e kurdo ndodhur e veteranëve të UÇK-së unë e quaj më se të drejtë, por tani është koha dhe momenti më i gabuar për të kërkuar këto të drejta, pavarësisht se gjendja dhe situata ekonomike është shumë e rëndë për shkak dhe të ndikimeve gjeopolitike që po ndodhin rreth nesh, por e theksoj dhe njëherë se, tani është koha për të qenë në mbështetje të institucioneve të Kosovës të dala nga vota e lirë e popullit të Kosovës, sepse çdo lloj reagimi tjetër kundër këtyre institucioneve i shërbehen vetëm atyre që duan destabilizimin e Kosovës.

“Bota sot”: Po ndaj tyre veteranëve të rrejshëm, ҫfarë duhet ndërmarrë? A duhet të ndëshkohen veteranët apo udhëheqësit e komisionit të verifikimit?

Vendim Demaj: Me përpilimin e listave të veteranëve të UÇK-së është bërë një masakër abuzimi, sepse aty janë përfshirë me mijëra persona që luftën e kanë përjetuar vetëm përmes ekraneve televizive dhe kontributi i tyre ka qenë zero, qoftë dhe materialisht, prandaj është edhe ofendim që krahas atyre që kanë dhënë jetën, kanë lënë gjymtyrët dhe kanë derdhur gjak për lirinë e Kosovës, të renditen persona pa asnjë lidhje me Luftën Çlirimtare të Kosovës, prandaj drejtësia është më se e vonuar në nxjerrjen përpara ligjit të gjithë atyre matrapazëve që kanë abuzuar me këto lista, dhe në mënyrë urgjente duhet të bëhet pastrimi i tyre për të krijuar një listë reale sipas kategorive të kontributit të çdo individi, pasi përtej dëmit ekonomik që i shkaktohet buxhetit të Kosovës, është dhe dëmi moral sepse veterani i vërtetë nuk e merr të plotë atë që i takon, por shpërblimi i zvogëlohet nga ndarja që duhet bërë me abuzuesit.

“Bota sot”: Disa nga ish-bashkëluftëtarët tuaj po gjykohen aktualisht në Hagë. Cili është vlerësimi juaj për veprimet e Gjykatës Speciale?

Vendim Demaj: Në lidhje me gjykimet që bëhen në Gjykatën e Hagës, unë e kam thënë dhe herë të tjera që kjo është një padrejtësi që i bëhet Kosovës, pasi dhomat e specializuara duhej të ndodheshin në territorin e Kosovës dhe aty të ushtrohej veprimtaria e tyre duke u bazuar në prova dhe fakte, por jo në indicie dhe dosje që kanë bërë hetuesia e Serbisë, dhe fakti që këto dhoma speciale u krijuan për të funksionuar nga jashtë Kosovës, përsëri fajtore është klasa politike e kohës, që çdo veprim dhe vendim-marrje ju diktohej, imponohej nga Thaçi, sepse ai kishte marr “garanci” që si person do të ishte “imun” ndaj tyre dhe prandaj ai ushtroi presion tek deputetët e partisë së tij dhe koalicionit që udhëhiqte që kjo gjykatë të krijohej dhe të operonte nga jashtë Kosovës, gjithsesi gjykimi i kujtdo është gjykim i tij dhe veprimtaria e tij personale, por asnjëherë i aktivitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse ata përfaqësojnë vetëm veten e tyre.

“Bota sot”: Ka pasur shumë vrasje politike në Kosovë, veçanërisht ndaj demokratëve. Disa janë vrarë edhe në Shqipëri, si ish-ministri Ahmet Krasniqi. Nëse nuk i zbardh ato vrasje gjykata speciale, më askush nuk beson se ka një gjykatë që do ta bënte atë?

Vendim Demaj: Historia e vrasjeve politike, sidomos ato gjatë dhe pas luftës është vërtetë e dhimbshme sepse janë eliminuar figurat më kryesore të veprimtarisë ushtarake dhe politike, dhe këto ngjarje kanë dobësuar jo vetëm besimin në popull, por kanë zbehur ndërkombëtarisht dhe besueshmërinë shtetformuese të liderëve të politikës së Kosovës. S’ka asnjë mëdyshje që këto vrasje janë të urdhëruara politikisht dhe zbardhja e tyre është nevojë imediate, sepse atëherë do të kemi qartësimin e gjithë kësaj mjegullnaje që është krijuar në Kosovë, dhe populli nuk do të jetë i traumatizuar nga akuzat që kahet politike i bëjnë njëra tjetrës. Fakti që numri i madh i të vrarëve është nga ana e LDK-së, duket qartë se kjo ka qenë një taktikë e mirëplanifikuar dhe e mirëmenduar, në mënyrë që në Kosovë të nxitet një konflikt i armatosur mes politikës dhe patjetër që këtu është dora e zgjatur e Serbisë, e cila ka përdor dorën e shqipfolësve për këtë qëllim. Vrasja e Ministrit të Mbrojtjes në Tiranë, ka qenë vepër e UDB-së dhe SHISH-it të Tiranës, pasi z. Krasniqi nuk kishte pranuar të hynte nën urdhrat e banditëve, matrapazëve të tipit Xh. Haliti, dhe as të hidhte poshtë institucionet e Kosovës të asaj kohe, nën urdhrat e të cilave organizoheshin dhe operonin Forcat e Armatosura. Fatkeqësisht duhet ta pranojmë që shumë nga këto vrasje do të ngelen në memoriet tona si ngjarje pa autor zyrtar, pasi autorët faktik i dimë të gjithë.

“Bota sot”: Z. Berisha flet për rreth 200 viktima të LDK-së nga vrasjet politike. A ka mundësi që SHISH-i të ketë informacione për disa nga vrasjet politike?

Vendim Demaj: Z Berisha është politikani më i informuar jo vetëm shqiptar, por dhe në rajon, dhe pa diskutim që ai u referohet fakteve dhe informacioneve që ka, ndër të cilat është dhe fakti se SHISH-i patjetër që ka informacione për këto vrasje, pasi s’duhet të harrojmë që shumica e ish-komandantëve të UÇK-së që “luftonin” nga Rogneri dhe Lapraka, kanë qenë pjesë e strukturave të SHISH-it, të pajisur me dokumentacion zyrtar, që të mos kishin pengesa në lëvizjet dhe aktivitetet e tyre. Ajo çfarë është për t’u theksuar në moszbardhjen e këtyre vrasjeve është qëndrimi i LDK-së, pasi është e ditur që LDK-ja ka qenë në qeveri disa herë pasluftës dhe asnjëherë nuk u ndërmor ndonjë iniciativë apo organet hetuese nuk u përqendruan në zbardhjen e autorëve dhe urdhëruesve të këtyre vrasjeve, dhe tani e vetmja shpresë ngelet Gjykata e Hagës.

“Bota sot”: Shqiptarët e Kosovës këtë vit janë ankuar shumë për çmimet ekstreme, si për fjetje etj., për pushues në det. Pse ka ndodhur kjo, a mos është humbur njëlloj sensi racional, mos ka motive të tjera, që të largohen sa më shumë ‘turmat’ e pushuesve nga Kosova (kosovar)?

Vendim Demaj: Ne shqiptarët kudo që ndodhemi, por sidomos në Kosovë dhe Shqipëri duhet tu falënderohemi interesave amerikane për rajonin, sepse po të mos ishte prania dhe ndikimi i tyre, atëherë këtu do të lulëzonin interesi rus dhe të shteteve të tjera që nuk duan fuqizimin e turizmit dhe ekonomisë shqiptare, dhe një mënyrë për të frenuar këtë rritje është largimi i turistëve me anë të krijimit të një klime jo dashamirëse ndaj frekuentuese si ç’është rritja e çmimeve në proporcion të zhdrejtë me kushtet e afruara dhe me nivelin e jetesës. Pra, kjo nuk është thjeshtë humbja e njerëzillëkut të shqiptarit apo pangopshmëria që ka kapluar biznesmenët shqiptarë, por kjo vjen si pasojë e një politike dashakeqe ndaj turizmit dhe ekonomisë shqiptare.

“Bota sot”: Meqë jeni nga Shqipëria, si i shihni veprimet e kryeministrit Edi Rama karshi Kosovës dhe Serbisë? Pse Rama po bën veprime të tilla ndaj shtetit të Kosovës?

Vendim Demaj: Edvin Rama do të hyjë në histori si Kryeministri më anti-Kosovë, si politikani më urryes ndaj Kosovës që ka folur shqip, dhe kjo është e vërtetuar botërisht nga sjellja dhe qëndrimet e tij fyese, përçmuese, ndaj kryeministrave dhe qeverive të saj. Edvin Rama e kanë gjenezë dhe e ka ripërtërirë vrullshëm, dashurinë e të parëve të tij politik, të vëllazërisë me çetnikët, sepse familja e tij politike të cilën ai sot e ka pronë të tij personale është e lindur dhe e fuqizuar nga Dushan Mugosha, prandaj ai e gëzon gjithë këtë dashuri dhe bashkëpunim me “viçët” e Serbisë, por një fakt tjetër që ai e ka këtë qasje ndaj Kosovës është dhe fakti se ai vuan nga deliri dhe dëshiron që ky duhet të trajtohet nga udhëheqësit e Kosovës si baba i kombit dhe çdo gjë që ata bëjnë duhet të marrin lejen dhe miratimin e tij, fakti që ata nuk e kanë qasur fare (përjashtuar Thaçin) ai ka ndërmarr një fushatë përçmuese ndaj tyre.

“Bota sot”: Cili është vlerësimi juaj për “Ballkanin e hapur”, në të cilin Rama e Vuҫiqi po insistojnë që të përfshihet edhe Kosova?

Vendim Demaj: “Open Ballkani”, nuk është asgjë më shumë, as më pak sesa krijimi i një mini-Jugosllavie, Serbie të Madhe, ku Kosova me pjesëmarrjen e saj do të varroste përjetë Pavarësinë e saj dhe do të shihej thjesht si provincë autonome. Prandaj, Kosova duhet të refuzoj me çdo lloj çmimi futjen e saj në atë projekt serbo-rus, sepse ai është projekt për të fuqizuar dhe realizuar jo vetëm daljen e Serbisë në det, por për të legalizuar ndikimin rus në rajon.

“Bota sot”: A mendoni se Serbia do të marrë dënimin e merituar për shkak të gjenocidit dhe luftës në Kosovë, kundër së cilës keni luftuar edhe ju?

Vendim Demaj: Ne duhet të jemi realist dhe të pranojmë të vërtetën që kemi jetuar dhe po e jetojmë, pasi në fillim të viteve 2000 Serbia ishte shteti më i urryer tek fuqitë perëndimore, por falë lobimit të saj ajo ka arritur ta zbehë këtë dhe tani shihet si shtet i moderuar bashkëpunues, pavarësisht se ajo vazhdon dhe do të jetë gjithmonë shtet me qëllime shoviniste. Serbia ka pasur gjithmonë një politikë të jashtme shumë të fortë dhe falë mbështetjes që ka nga Rusia apo dhe vende të tjera si Franca ka arritur t’i ndryshojë situatat në favorin e saj, sepse ndryshe nga Shqipëria ajo vazhdon të jetë një lobuese shumë e suksesshme, prandaj duke ditur këto, Serbia asnjëherë nuk do të marrë atë që e meriton, për shkak të luftërave dhe gjenocidit që ka kryer si në Bosnje dhe Kosovë.

Duke ju falënderuar për intervistën, ju përgëzoj për punën dhe informimin që bëni për çështjen kombëtare.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat