Ekskluzive: Avokati serb mbështet fuqishëm pavarësinë e Kosovës, kritikon qasjen e Vuçiqit – ka një thirrje për ndërkombëtarët 

Intervista

Ekskluzive: Avokati serb mbështet fuqishëm pavarësinë e Kosovës, kritikon qasjen e Vuçiqit – ka një thirrje për ndërkombëtarët 

Arife Morina Nga Arife Morina Më 29 prill 2023 Në ora: 22:34
Cedomir Stojkoviq 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel, nën ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë. 

Ky takim, vjen pas disa takimit në Ohër, ku u pranua propozimi franko-gjerma dhe mbajtjes së zgjedhjeve lokale në komunat veriore të Kosovës. 

Raportet Kosovë-Serbi kanë marrë vëmendjen e ndërkombëtarëve, të cilët pas shumë vitesh, kanë intensifikuar përpjekjet e tyre dhe po shtyjnë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale mes dy shteteve. 

E për të gjitha këto zhvillime, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” foli avokati serb, Cedomir Stojkoviq 

Fillimisht, ai e mbështeti fuqishëm pavarësinë e Kosovës, ku u shpreh se të gjithë akterët që duan të mirën në Ballkan duhet të jetë që ta detyrojnë Qeverinë e Serbisë të respektojë marrëveshjet që ka pranuar. 

Stojkoviq deklaroi se Serbia me marrëveshjen e pranuar në Ohër e ka njohur Kosovën, dhe nuk mund të ketë njohje më të madhe se kaq. 

Sipas tij, tani është koha që Vuçiq të deklaroi hapur këtë gjë për popullin serb dhe të mbizotëroj paqja mes dy shteteve. 

Krahas kësaj, avokati serb kritikoi ashpër Serbinë për shkeljen e nenit 4 të planit franko-gjerman, ku së fundi votoi kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. 

Ndër të tjera, Stojkoviq foli edhe për raportet Serbi-Rusi dhe ndikimin e kësaj të fundit në veri, derisa i cilësoi si legjitime zgjedhjet e mbajtura në komunat veriore të Kosovës. 

Intervista e plotë 

Gazeta “Bota sot”: Së fundi në Ohër u arrit një marrëveshje mes dy shteteve, përkatësish e pranuan propozimin franko-gjerman. Si e vlerësoni këtë? 

Cedomir Stojkoviq: Pranimi i propozimit franko-gjerman është një lajm jashtëzakonisht i mirë për të dyja vendet tona të pavarura - Republikën e Kosovës dhe Republikën e Serbisë, sepse neni 1 i planit të pranuar franko-gjerman thotë qartë se si Serbia ashtu edhe Kosova janë zotuar të " zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore”. Kjo është një njohje reciproke. Më duhet ta përsëris këtë: Serbia duke pranuar planin franko-gjerman e njohu Kosovën si shtet të pavarur, sepse mund të kesh marrëdhënie të mira fqinjësore vetëm me vendet që i njeh. Serbia mori përsipër të pranojë pasaportën e Republikës së Kosovës, e cila është konfirmim i sovranitetit ndërkombëtar të Kosovës. 

Serbia me atë marrëveshje pranoi shenjat doganore të Kosovës, që do të thotë se Serbia tashmë e pranon plotësisht kufirin e Kosovës si kufi ndërkombëtar. Neni 4 i propozimit franko-gjerman përcakton se Serbia nuk do ta kundërshtojë hyrjen e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare dhe OKB-ja është një organizatë ndërkombëtare. Prandaj, Serbia e ka njohur Kosovën si shtet sovran të pavarur dhe ky është një lajm i shkëlqyer për rajonin dhe për vetë Serbinë, pa marrë parasysh se shumica dërrmuese në Serbi nuk i kupton aspektet pozitive të pavarësisë së Kosovës për momentin. 

Me njohjen e pavarësisë së Kosovës, ne të gjithë kemi paqe të përhershme dhe një shans për të filluar zhvillimin real të vendeve tona dhe mbi të gjitha të popullit tonë përmes arsimimit të tyre më të mirë. Qëllimi i ekzistencës së shteteve është zhvillimi i njerëzve dhe përmirësimi i jetës. Serbia nuk i zhvilloi shqiptarët dhe në kohën e Millosheviqit bëri represion. Tani që themelet e të dy vendeve janë vendosur dhe kur të dy vendet e njohin njëri-tjetrin, më në fund mund të ndalojmë së trajtuari çështjet e statusit dhe të përdorim shansin për t'u zhvilluar me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së. 

Detyra e të gjithëve ne tani është të ndihmojmë realizimin e kësaj marrëveshjeje historike dhe ta ndihmojmë Kosovën që sa më shpejt të bëhet pjesë e të gjitha organizatave ndërkombëtare dhe prej andej të ndihmojmë njëra-tjetrën në zhvillimin ekonomik. Veprimet tona duhet të jenë të tilla që t'u mundësojmë fëmijëve tanë të palindur, serbë dhe shqiptarë, të jenë miq dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin përgjithmonë. Sepse historia nuk kujton vetëm krimet dhe marrëdhëniet e këqija mes serbëve dhe shqiptarëve, por edhe marrëdhëniet e mira, miqësitë, ndihmat, martesat dhe aleancat. Pavarësia e Kosovës, e cila i jep siguri popullatës së saj, do të jetë themeli i marrëdhënieve tona të mira. Natyrisht, ne duhet të punojmë për këtë dhe të mos lejojmë mendjet e liga të prishin shansin për një të ardhme cilësore dhe harmonike të popujve tanë, në Bashkimin Evropian, në dy shtete sovrane. Për shkak se marrëveshja franko-gjermane e bën të mundur këtë të ardhme, përmes njohjes serbe të Kosovës si shtet i pavarur, unë e vlerësoj atë marrëveshje me vlerësimin më të lartë. 

Gazeta “Bota sot”: A po e shkel shteti serb këtë marrëveshje me kundërshtimet dhe pengesat që po ia bën Kosovës në organizatat ndërkombëtare? 

Cedomir Stojkoviq: Në nenin 4 të marrëveshjes thuhet qartë se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, por votoi kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe kjo është absolutisht shkelje e marrëveshjes. Duke votuar kundër fillimit të pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Serbia ka treguar se mund të shkelë dispozitat e tjera të asaj marrëveshjeje. Kjo nuk duhet të ndodhë. Gjëra të tilla janë të papranueshme. Këtu në Serbi duhet ta detyrojmë Qeverinë e Serbisë që ta respektojë marrëveshjen dhe këtë nuk mund ta bëjmë të vetëm sepse, për fat të keq, Serbia nuk është një vend demokratik ku zërat si unë mund të dëgjohen lehtësisht pa mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. 

Gazeta “Bota sot”: A do duhej që të ishte njohja e ndërsjellë pjesë e marrëveshjes finale, në mënyrë që problemi Kosovë-Serbi të zgjidhet përfundimisht? 

Cedomir Stojkoviq: Siç e kam thënë tashmë, mendoj se njohja reciproke ka ardhur tashmë me pranimin e planit franko-gjerman. Serbia njohu pasaportat e Kosovës, doganat e Kosovës, të drejtën e Kosovës për të qenë anëtare e Kombeve të Bashkuara. Serbia pranoi të shkëmbejë misione të përhershme diplomatike me Kosovën, pra ambasadorë. Nuk ka njohje më të madhe se kaq. Tani duhet t'i detyrojmë politikanët në Serbi që të mos manipulojnë dhe t'ua prezantojnë njohjen e Kosovës qytetarëve të Serbisë dhe t'ua pranojnë qytetarëve se e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, kjo nuk po ndodh. Në Serbi po ndodh pikërisht e kundërta, që Vuçiq përsëri po e paraqet Perëndimin si një lloj të keqeje dhe se kjo e keqe po “po e detyron Serbinë të pajtohet me Kosovën”, ndërsa në anën tjetër, në të njëjtën kohë, Qeveria e Serbisë jo vetëm që nuk i prish marrëdhëniet me Rusinë, por i përforcon ato. 

Prandaj, politika e të gjithë akterëve që duan të mirën në Ballkan duhet të jetë që ta detyrojnë Qeverinë e Serbisë të respektojë marrëveshjet që ka pranuar, por jo t'i respektojë ato vetëm ndaj bashkësisë ndërkombëtare, por mbi të gjitha ndaj popullit të saj në Serbi. sepse populli i Serbisë duhet të dijë se çështja e pavarësisë së Kosovës është zgjidhur dhe se është koha për të përshpejtuar rrugën drejt Bashkimit Evropian, që përfundimisht do të çojë në heqjen e të gjithë kufijve në Ballkan. Megjithatë, sot presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “Albin Kurti dëshiron të hapë një urë mbi Ibër në Mitrovicë për të dëbuar serbët”. Me deklarata të tilla, ai qëllimisht fut urrejtje ndaj shqiptarëve në popullin e Serbisë, sepse është e qartë se Serbia nënshkroi në Bruksel në vitin 2013 dhe konfirmoi në Ohër në vitin 2023 se Mitrovica e Veriut është pjesë e Kosovës së pavarur dhe se krijimi i Kosovës së bashkuar është pasojë e natyrshme e kësaj, dhe jo aspiratë e autoriteteve të Kosovës për të dëbuar serbët. Për shkak të deklaratave të tilla të shpeshta, duket gjithnjë e më shumë gjasa që Vuçiq të mos e respektojë marrëveshjen që ka lidhur dhe se dëshiron të vazhdojë të inkurajojë serbët në Kosovë që të qëndrojnë në geto në vend që të bashkëpunojnë me shqiptarët. Por Vuçiqi është i parëndësishëm, sepse kushdo që vjen në vend të tij, do të duhet të respektojë marrëveshjet, sepse ato nuk janë vulosur nga Vuçiqi, por nga Serbia. Dhe ne të gjithë së bashku do të punojmë për mirëqenien e të gjithë fëmijëve, serbëve dhe shqiptarëve, për të jetuar në paqe dhe prosperitet. 

Gazeta “Bota sot”: Gjithashtu, me 23 prill u mbajtën zgjedhjet në veri, ku Lista Serbe i bojkotoi ato. Çfarë mund të ndodhë më pas? A i vlerësoni si legjitime këto zgjedhje, marrë parasysh numrin e ultë të votuesve? 

Cedomir Stojkoviq: Mendoj se është koha për të bërë pyetjen e kundërt, jo nëse zgjedhjet janë legjitime, por nëse bojkoti është legjitim? Zgjedhjet janë legjitime, sepse sigurohet procedura demokratike. Të gjithë mund të marrin pjesë, të paraqesin politikën e tyre dhe të zgjidhen në mënyrë demokratike. Prandaj, zgjedhjet janë legjitime. Por le të shohim nëse bojkoti është legjitim. Sipas të gjitha të dhënave, bojkoti është iniciuar nga Beogradi. Prandaj, bojkoti nuk është pasojë e vendimit demokratik të serbëve në Kosovë, por më tepër pasojë e ndikimit të pushtetit jodemokratik nga Beogradi. Pra, zgjedhjet janë legjitime, sepse demokracia e tyre është e siguruar, por bojkoti është jolegjitim sepse është diktuar nga shteti fqinj - Serbia, e cila ka një qeveri jodemokratike proruse. Bojkoti deklaroi se arsyeja është mos formimi i ZSO-së. Por nuk mund të formohet nëse serbët nuk marrin pjesë në zgjedhje. Prandaj, qëllimi i bojkotit është të parandalohet formimi i ZSO-së dhe faji për këtë t'ia bartet palës shqiptare. Prandaj, zgjedhjet janë legjitime dhe bojkoti jo. 

Gazeta “Bota sot”: A mund të ketë tensione apo trazira në veri në ditët në vijim? 

Cedomir Stojkoviq: Tensionet dhe trazirat janë gjithmonë të mundshme në veri të Kosovës kur Rusia ndikon në popullatë përmes agjentëve të saj. Tani që shoh retorikën e Vuçiqit se ai gjoja është “Kurti jelid a protra serb”, duket sikur Vuçiq do të nxisë trazira në veri të Kosovës. Nëse kjo ndodh, Kosova ka përgjegjësi të madhe për të reaguar me qetësi dhe paqe. Sepse duhet kuptuar se serbët në Kosovë shpesh abuzohen jo vetëm nga populistët në Beograd por edhe nga agjentët e regjimit të Vladimir Putinit. Kosova duhet të demonstrojë gjithashtu se do ta përdorë pavarësinë dhe sovranitetin e saj për të mirën e të gjitha kombeve, edhe nëse çështjet kombëtare keqpërdoren nga dikush. Nxitja e trazirave nga Beogradi nuk do të zgjasë përgjithmonë. Dhe serbët përfundimisht do ta kuptojnë se kush i keqpërdor dhe për çfarë qëllime. Duhet të presim me qetësi atë kohë. 

Gazeta “Bota sot”: A besoni se Beogradi duhet të marrë një pozicion më të qartë në raport me aleancat ndeërkombëtare, të zgjedh mes BE-së dhe Rusisë? 

Cedomir Stojkoviq: Beogradi ka një qëndrim të qartë në lidhje me Rusinë. Në vitin 2019, Aleksandar Vuçiq mori Urdhrin e Bindjes së Jashtëzakonshme nga Vladimir Putin në mes të Beogradit. Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe së fundmi të ftuar në parlamentin serb ishin përfaqësues të Rusisë, të cilët janë në listën e sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së. Serbia bllokoi hetimin ndaj Vagner në Serbi. Propaganda ruse transmetohet 24/7 në disa media në Serbi. Media shtetërore ruse Russia Today dhe Sputnik funksionojnë pa probleme në Serbi. Gazprom ka një monopol të naftës në Serbi dhe për këtë arsye nuk është marrë asnjë masë. Dhe tani, më në fund, qeveria e Serbisë po propozon një ligj sipas të cilit çdo rus që vjen në Serbi do të mund të bëhet shtetas i Serbisë për vetëm 12 muaj, dhe rusët që tashmë janë në Serbi do të mund të bëhen shtetas menjëherë. Ne do të luftojmë kundër një ligji të tillë, sepse nëse ai miratohet, do të marrim një milion qytetarë rusë të Serbisë për vetëm dy ose tre vjet. Prandaj, Qeveria e Serbisë ka mbajtur një qëndrim të qartë për çështjen e BE-së dhe Rusisë, dhe ai qëndrim duket kështu: do ta mashtrojë Evropën se është properëndimore dhe në të njëjtën kohë do të mbetet pro-ruse. Pyetja e vërtetë është nëse Evropa duhet të mbajë një qëndrim më të qartë ndaj Qeverisë së Serbisë, e cila realizon interesat e Rusisë. Unë mendoj se BE-ja dhe SHBA-ja duhet të veprojnë më fort ndaj Qeverisë së Serbisë dhe ta detyrojnë atë të deklarojë qartë: "ose jeni me ne ose jeni kundër nesh". Por besoj se kjo nuk do të ndodhë në të ardhmen e afërt, sepse politika e jashtme e fundit e Francës shpall nevojën për një harmonizim të ri të interesave perëndimore dhe kjo fatkeqësisht do të ngadalësojë angazhimin e Perëndimit në Ballkan. Por ne sigurisht kemi edhe përgjegjësinë tonë dhe nuk mund të presim vetëm ndihmën perëndimore. Së bashku, ne duhet të kemi ndikimin më të madh në politikën në Ballkan. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat