Ish-ambasadori me kritika për qasjen e Qeverisë në dialog, thotë se pritjet për 14 shtatorin janë të zymta

Intervista

Ish-ambasadori me kritika për qasjen e Qeverisë në dialog, thotë se pritjet për 14 shtatorin janë të zymta

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 7 shtator 2023 Në ora: 11:18
Avni Arifi

Ish-ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka folur mbi situatën në Kosovë.

Ai ka thënë se situata në Kosovë nuk është e mirë.

Sipas tij, kryeministri Kurti e kishte një shans të mirë që të bashkëpunonte me të gjithë që nuk ishin Vetëvendosje, të afronte popullin dhe t’i eliminonte përçarjet që kanë ndodhë një kohë të gjatë në shoqërinë tonë.

Arifi e konsideron si të paqëndrueshme situatën në veriun e vendit. Ai ka rikujtuar se edhe ndërkombëtarët ia kanë vënë fajin Kosovës për gjendjen e krijuar atje, madje duke i vendosur edhe sanksione.

Kurse, sa i përket dialogut ai thotë se vështirë se do të ketë ndryshime, në bazë të deklaratave të dy shteteve.

Sa i përket Ministrisë së Jashtme, ai ka thënë se është resori më i dobët që ka Kosova dhe mënyra e prezantimit të Kosovës jashtë nga MPj sipas tij ka qenë e mjerueshme.

Intervista e plotë:

“Bota sot” Si e vlerësoni situatën politike në Kosovë, saktësisht gjendje në veri? Qeveria Kurti tash e dy vjet është në qeverisje, si e shihni punën e saj?

Avni Arifi: Situata politike në Kosovë nuk është e mirë fatkeqësisht. Pas një periudhe të vështirë të tranzicionit 22 vjeçar dhe shumë thyerjeve dhe peripecive që kemi përjetuar në 21 vitet e fundit si shoqëri dhe si shtet më 14 shkurt 2021 pritjet kanë qenë që Qeveria e re dhe struktura e re qeverisëse do të bëjë ndryshime rrënjësore strukturore dhe do të krijoj një trajektore të re të mirëqenies dhe zhvillimit. Për fat të keq kjo nuk ndodhi dhe nuk duket në sipërfaqe se do të ketë ndonjë përmirësim në jetën e qytetarëve të Kosovës. Albini dhe VV kishin një shans unik që pas një rezultati të tillë të sillej si fitues i vërtetë, zgjaste dorën e bashkëpunimit tek të gjithë që nuk ishin vetëvendosje, të afronte popullin dhe t’i eliminonte përçarjet që kanë ndodhë një kohë të gjatë në shoqërinë tonë. Fatkeqësisht, dhe në masë të madhe ai investoi edhe më shumë në ndasi dhe u pri nga një urrejtje e pakuptueshme nga ana e tij duke krijuar divergjenca edhe më të mëdha në shoqëri. Për Albinin dhe VV është krijuar një realitet absurd në mendësinë e tyre se në Kosovë jetojnë shqiptarët e vërtetë që janë VV dhe kriminelët dhe të korruptuarit e Vuçiqit që nuk janë VV. Sot kemi një skenë politike tërësisht të acaruar ku mungon debati i mirëfilltë për çfarëdo teme në shoqëri dhe vazhdon degradimi i jetës politike në Kosovë.

Përndryshe Kosova vazhdon të ketë shkallë zhvillimi ekonomik prej +- 3% (e të cilën dorën në zemër do ta kishte edhe sikur hiq të mos kishte Qeveri), dhjetëra mijëra qytetarë kanë braktisur Kosovën dhe edhe më shumë pritet që ta braktisin, është një rritje drastike e kostos së jetës ndërsa pagat nuk janë rritë që nga viti 2016. Kosova nuk është adresë fare e investitorëve serioz kurse nuk ka zhvillime të posaçme as në arsim as shëndetësi dhe pothuajse në asnjë fushë të jetës përderisa. Raportet me aleatët e përhershëm të Kosovës SHBA dhe vendet e NATO-s janë kurrë ma keq se më parë dhe krejt kjo fshihet sepse në Kosovë kemi një koalicion qeverisës që qeverisë tërësisht me metoda populliste dhe me keqardhje e them priret nga një urrejtje e pa kuptueshme ndaj të gjithëve që nuk janë pjesë e tyre.

“Bota sot”: Si i keni parë tensionet në veri?

Avni Arifi: Kemi një situatë tërësisht të paqëndrueshme. Angazhimet disa vjeçare të institucioneve të Kosovës dhe aleatëve të saj në tërësi janë hedhur poshtë nga qeveria aktuale dhe në një mënyrë apo tjetrën ka filluar një proces tjetër i përballjes së shtetit atje. Kjo mënyrë e re ka sjellë një situatë të re ku Kosova është konfrontuar edhe me aleatët e Kosovës, është tensionuar situata dhe fajësinë për këtë tensionim bashkësia ndërkombëtare e ka vendosë tek Qeveria e Kosovës. Si rezultat i saj Kosovës i janë vënë masa ekonomike dhe të cilat si duket vështirë se do të hiqen për një kohë.

“Bota sot”: Më 14 shtator pritet të rinis dialogu me Serbinë, si gjendet Kosova para saj dhe a mendoni se duhet të vazhdojë ky proces? A mendoni po ashtu se do të mund të mbahen ato në katër komunat veriore?

Avni Arifi: Në bazë të asaj çfarë po shihet nga prononcimet e zyrtarëve të dy shteteve vështirë se do të ketë ndryshim. Serbia dihet botërisht se nuk është e interesuar në progres kurse tek ana jonë nuk po duket që ekziston një strategji për me shty procesin përpara që është e paqartë a është kjo si rezultat i mos dijes apo mos vullnetit. E vetmja e paqartësi për datën e 14 shtatorit është cili do të jetë pozicioni i emisarëve ndërkombëtarë dhe se a do të kenë ata ndonjë iniciativë në proces.

Kosova në marrëveshjen e Bratisllavës në mes tjerash ka marrë obligim që të gjej rrugën për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore pas verës. Mënyra si i është qasur qeveria këtij problemi së pari nuk dihet ende se a është ligjërisht e mundur dhe e dyta se a do të ketë sukses si proces. Prognozat janë të zymta dhe me të drejtë kjo vonesë mund të ketë kosto për Kosovën aq më parë se kjo është e lidhur me sanksionet që veç i kemi në shpinë.

“Bota sot”: Z.Arifi, si e shihni fundin e këtij procesi, a mendoni se do të ketë njohje nga Serbia?

Avni Arifi: Unë besoj që në këtë fazë fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO dhe arritja e njohjes nga pesë shtetet janë jashtëzakonisht të rëndësishme për Kosovën dhe kjo është më e rëndësishmja për të ardhmen e Kosovës. Arritja e këtyre dy qëllimeve lehtëson çdo proces tjetër.

“Bota sot”: Si po e vlerësoni politikën e jashtme në krye me Gërvallën, pse po ka ngecje në njohje të reja?

Avni Arifi: Ndoshta resori më i dobët që ka Kosova. Mënyra e prezantimit të Kosovës jashtë nga MPj ka qenë e mjerueshme kurse procesi i brendshëm i reformave e i cili ka qenë i domosdoshëm është kthyer në një proces të “gjuetisë” në njerëz dhe diferencim me bazë partiake dhe klanore. E pa imagjinueshme si kish mundur një Qeveri e tillë me sjellë çfarëdo njohje apo anëtarësimi në çfarëdo organizate dhe krijohet përshtypja që ky nuk është as fokusi i MPJ.

“Bota sot”: Kalojmë te zgjedhjet,? Opozita me çdo kusht po dëshiron rrëzimin e Qeverisë për të shkuar në zgjedhje të reja, a ka shanse për zgjedhje, mënyrë tjetër, duke e ditur se opozita nuk i ka numrat për rrëzimin e Qeverisë?

Avni Arifi: Kjo pyetje mbase është mirë me ju drejtuar deputetëve të opozitës sepse ata e din më mirë situatën e numrave. Megjithatë, nëse vazhdon me këtë trend kjo Qeveri dëmet do të jenë të pariparueshme për Kosovën dhe çdo qeveri që vjen pastaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat