Deputeti shqiptar tregon nëse ka rrezik për “ç’ njohjen” e Kosovës nga Mali i Zi/ Këto janë sfidat nga ndikimi serb-rus në këtë shtet

Intervista

Deputeti shqiptar tregon nëse ka rrezik për “ç’ njohjen” e Kosovës nga Mali i Zi/ Këto janë sfidat nga ndikimi serb-rus në këtë shtet

Arife Morina Nga Arife Morina Më 11 shtator 2023 Në ora: 08:04
Nikollë Camaj, deputet shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi

Nikollë Camaj, deputet shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit në Mal të Zi dhe planet për formimin e qeverisë së re.

Gjithashtu, ai komentoi edhe sfidat e shqiptarëve në skenën politike, shoqëror e ekonomike në Malin e Zi

Sipas tij, “sfidë kryesore e shqiptarëve mbetet bashkimi rreth një platforme të përbashkët, për të zgjidhur çështjen shqiptare në mënyrë afatgjate, që të mos varet nga ajo se kush do të jetë në pushtet”.

Krahas kësaj, Camaj foli edhe për politikat serbe në Mal të Zi, Bosnje dhe Kosovë.

Në raport me Bosnjën dhe Kosovën, aspiratat dalin të hapëta, ndërsa në raport me Malin e Zi ato janë më latent, por evidente. Është evidente dhe vërehet përzierja në pengimin e formimit të qeverisë Spajiq. Mendoj se për një pjesë të mirë të korpusit politik serb në Malin e Zi, respektivisht për lidershipin e tyre, sjellja paternaliste e Beogradit nuk është e pranueshme”.

Po ashtu, deputeti shqiptar u përgjigj edhe për aludimet rreth tërheqjes së njohjes së Kosovës nga ana e Malit të Zi.

Në fund, ai dha një këndvështrim personal në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni situatën politike tani në Malin e Zi?

Nikollë Camaj: Situata politike në Malin e Zi është mjaft e ndërlikuar, njëjtë si edhe në krejt Ballkanin.

Edhe pse Mali i Zi, deri te pavarësia erdhi pa luftë dhe me përkrahjen e të gjitha pakicave, elita politike nuk ka ditur, apo nuk ka dashur, ta shfrytëzojë këtë resurs dhe situatën, për të krijuar një stabilitet afatgjatë politik, në frymën e rezultateve të referendumit për pavarësi. Në vend të angazhimit për stabilitet politik në frymën e referendumit, ato u mbytën në korrupsion dhe krim të organizuar, të bindur në pushtetin e përjetshëm. Kështu, me largimin e tyre u krijua një situatë e paqartë për të ardhmen e raporteve brenda këtij shteti, ani pse nuk ka gjasa që sovraniteti i tij të bihet në pyetje. Por, në pyetje mund të bihen raportet e brendshme dhe çështjet e identitetit të vet shtetit, i cili nuk ka popull shumicë. Këtu besoj se po paralajmëroj një temë/çështje të re dhe mjaft delikate, për të ardhmen e Malit të Zi. Vet malazezët, të cilët nën siglën e shtetit qytetar multi-etnik, deshën të promovojnë idenë e malazezizmit, edhe pse nuk e kishin 50% të popullatës, nuk punuan mjaft për të jetësuar këtë ide, edhe pse pjesëtarët e pakicave ishin lojale dhe të gatshme t’i dhuronin këtë legjitimitet. Por, siç e thash, ata kishin prioritete të tjera. Prandaj sot, në situatën e krijuar, ku rrezikohet që asgjë shtetërore të mos quhet më malazeze, por “e Malit të Zi”, ideatorët e “malazezizmit” nuk kanë pse të fajësojnë dikë tjetër, përpos vetes. Në fund, le ta marrin si të duan, por duhet përkujtuar se edhe mbreti Nikollë e pati paguar shtrenjtë ëndrrën se peshku i vogël mund ta hajë të madhin.

Gazeta “Bota sot”: Mali i Zi, pas zgjedhjeve të mbajtura muaj më parë është në prag të formimit të qeverisë së re. Kush mund të jetë pjesë e qeverisë dhe për kë ka vija të kuqe?

Nikollë Camaj: Bisedimet fillestare, si ato joformale, si ato formale, dhanë shpresë se deri te qeveria do të vihet më shpejt. Mirëpo grykësia e disave, si edhe hilet politike të disa të tjerëve e kanë vështirësua situatën e mandatarit, për të cilin, faktori kohë, nuk është në favor.

Sidoqoftë, në këtë moment ka gjasa se mund të arrihet shumica e thjeshtë për të bërë një qeveri, mirëpo rekomandimet nga qarqe të ndryshme, janë për një qeveri me përkrahjen e së paku 49 deputetëve, pasi që 41, sa ç’ është shumica e thjeshtë, gjoja nuk mjafton për të ndërruar ligje dhe organe që kërkon rruga evropiane. Por, në rastin konkret është mirë që të formohet një qeveri, qoftë edhe me shumicën e thjeshtë, e pastaj përmes lobimit, të fitohet përkrahja e të tjerëve, për çështje konkrete, ashtu siç është praktikë në demokracitë parlamentare. Këtë ia kemi rekomanduar edhe mandatarit gjatë takimeve, si edhe përmes një interviste në të përditshmen malazeze Vijesti. Kërkesën që qeveria në start të ketë së paku 49 përkrahës, e vlerësoj si një opstrukcion ndaj mandatarit, nga qarqe që duan të vazhdojnë status-quonë, e që ka gjasa që këto ide të ushqehen edhe nga Beogradi. Sidoqoftë, mendoj se qeverinë e re do ta formojnë Evropa tani dhe Demokratët, me partitë e popujve pakicë dhe me Partinë socialiste popullore, ku do të përfaqësohen të gjitha etnitë. Mbetet e hapur çështja e partive serbe të ish-Frontit, që pretendojnë të kenë ekskluzivitetin në përfaqësimin e serbëve në këtë shtet, çka vërtet nuk qëndron. Por, më në fund, kjo çështje i mbetet mandatarit për të vendosur. E ai e ka të njohur se, me këto parti në qeveri, nuk do të ketë përkrahjen e një pjesë të partive të pakicave. Jam i mendimit se mes tyre dhe pakicave, mandatari do të zgjedh pakicat.

Gazeta “Bota sot”: Cilat janë sfidat e shqiptarëve në skenën politike, shoqëror e ekonomike në Malin e Zi?

Nikollë Camaj: Sfidë kryesore e shqiptarëve mbetet bashkimi rreth një platforme të përbashkët, për të zgjidhur çështjen shqiptare në mënyrë afatgjate, që të mos varet nga ajo se kush do të jetë në pushtet. Ne, deri më tani kemi realizuar vetëm grimca nga të drejtat që na takojnë në bazë të konventave ndërkombëtare për pakicat. Pra, çështja shqiptare ka mbetur e pazgjidhur, ka mbetur peng e “çështjeve madhore” të shtetit e të rajonit, sidomos kur janë në pyetje çështja e qeverisjes lokale, aty ku ne jemi shumicë. Ju përkujtoj vetëm zvarritjen e komunës së Tuzit. Prandaj, ndër sfidat kryesore për mandatit e ardhshëm mbeten decentralizimi i pushtetit dhe jetësimi i aksionit afirmativ, lidhur me përfaqësimin, punësimin, arsimimin dhe kulturën. Një çështje tjetër delikate, sfiduese, me të cilat duhet të ballafaqohemi është edhe çështja e pronave dhe trashëgimtarëve të tyre, sidomos në rastet kur ata nuk jetojnë këtu; pra çështja e pronave me trashëgimtarë jashtë shtetit, e pa dokumente malazeze. Dihet se diaspora jonë, në numër është e madh dhe mjaft e fuqishme, si me potencialet e veta ekonomike, po ashtu edhe intelektuale dhe ajo nuk guxon të lihet anash. Pastaj, zgjidhja e statusit të pronave fisnore, të konfiskuara nga regjimi komunist, po ashtu mbetet çështje jetike për ne, e që kërkon një zgjidhje urgjente. Natyrisht se do të angazhohemi për investime kapitale në trevat e banuara me shumicën shqiptare, treva këto të lëna pas dore me dekada të tëra. Në këtë drejtim, rruga Plavë-Deçan është rreshtuar ndër prioritetet tona. Së fundmi, por asgjë më pak e rëndësishme, mbetet edhe angazhimi për zbardhjen e disa ngjarjeve nga e kaluara, e që i rëndojnë raportet tona me këtë shtet; 1919, 1945, 2016...

Gazeta “Bota sot”: Si i komentoni proceset politike në rajon e me theks të veçantë ndikimin rus pas fillimit të luftës në Ukrainë. Si i shihni ju nga këndvështrimi juaj këto zhvillime?

Nikollë Camaj: Mali i Zi zyrtarisht është rreshtuar pas qëndrimeve të Evropës lidhur me këtë agresion, por Mali i Zi nuk është imun ndaj ndikimit ruse dhe kapitalit rus, aq prezent në Malin e Zi. Megjithatë, ndikimi në jetën e përditshme nuk vërehet. E as nuk do të duhej vërejt, përderisa në plazh pushojnë së bashku rus dhe ukrainas. Ndikimi, por jo edhe aq agresiv, vërehet në politikë, përmes veprimtarisë së disa subjekteve politike, të cilat gjithnjë provojnë, përmes formave të ndryshme të destabilizojnë vendin. Them, në dukje jo edhe aq agresiv, sepse forcat e orientimit të tillë politik kanë humbur shumë nga fuqia që kishin tri vite më parëm, apo më 2016 kur u akuzuan për tentativë grusht-shteti. Vlen të ceket se as në emisione radiotelevizive dhe prononcime publike nuk hetohet ndonjë glorifikim i agresionit rus, apo i Putinit, me përjashtim të disa rasteve të izoluara. Siç duket, një pjesë e mirë e serbeve të Malit të Zi e ka kuptuar se lojërat hileqare të linjës Putin-Vuçiq, nuk i çojnë larg, prandaj kanë marrë orientim pro-perëndimor (PES, SNP dhe Demokratët), gjë që paraqet pengesë për depërtim më të fuqishëm të ideve ruse në këtë shtet, çka është një ogur i mirë për të ardhmen e Malit të Zi. Besoj se as situata gjeopolitike nuk është në favor të depërtimit të ndikimit më të madh rus, në Bregdetin Adriatik.

Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni politikën e Serbisë dhe Vuçiqit, i cili po sillet në mënyrë shumë agresive ndaj Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi? Ka pasur tensione në veri të Kosovës, si e komentoni atë lloj politike në rajon?

Nikollë Camaj: Ujku ndërron qimen por jo vesin, prandaj Serbia po vazhdon me politiken e vjetër, por me metoda të reja. Derisa pas politikës serbe të qëndrojë kisha ortodokse, si përkrahësja e të gjitha luftërave të fundit, Serbia vështirë se do të shmanget nga aspiratat e veta hegjemoniste. Në raport me Bosnjën dhe Kosovën, aspiratat dalin të hapëta, ndërsa në raport me Malin e Zi ato janë më latent, por evidente. Është evidente dhe vërehet përzierja në pengimin e formimit të qeverisë Spajiq. Mendoj se për një pjesë të mirë të korpusit politik serb në Malin e Zi, respektivisht për lidershipin e tyre, sjellja paternaliste e Beogradit nuk është e pranueshme.

Gazeta “Bota sot”: Kohë më parë, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut morën një kërcënim nga Ministri serb i Mbrojtjes, Milosh Vuçeviq lidhur me njohjen e Pavarësisë së Kosovës, si e keni parë ju këtë situatë?

Nikollë Camaj: Kjo e dëshmon këtë që e thash më parë. Edhe pse Maqedonisë në një farë mënyre i kërkoi falje, kjo nuk ndodhi me Malin e Zi, ndaj të cilit Beogradi kultivon ndjenja paternaliste. Pra, Serbia, edhe përkundër marrëveshjes së fundit vazhdon të ushtrojë trysni kudo që mundet, në shtetet që e kanë pranuar Kosovën. Ajo, sa herë që i jepet rasti nuk ngurron t’u përkujtojë fqinjëve më të vegjël se kush duhet të pyetet në Ballkan, sikur Serbia harron se sovranitetin e shteteve fqinje nuk mund ta cenojë më.

Gazeta “Bota sot”: A mund të rrezikohet tërheqja e njohjes së Kosovës nga Mali i Zi për shkak të ndërveprimeve të ndryshme të grupeve radikale që e përkrahin Serbinë atje?

Nikollë Camaj: Jo, kjo nuk mund të ndodh, përderisa Mali i Zi të jetë shtet sovran e anëtar i NATO-s, edhe pse tentativat e tilla nga subjekte ekstreme serbe, nuk fshihen. Përkrahja për hapa të tillë nuk është e mjaftueshme, dhe nuk mund të arrijë as një të tretën e parlamentit të shtetit, e jo ma dy të tretat, sa do të duhej për të ndërmarrë një veprim të tillë. Nuk do mend se lëvizjet e tilla nuk kanë forcë as për ta sjellë këtë çështje deri në Parlament.

Gazeta “Bota sot”: Çfarë mendoni për presionin që ndërkombëtarët që po ia bëjnë Kurtit për pranimin e Asociacionit? A duhet të jetë njohja reciproke në qendër të dialogut, për një marrëveshje finale?

Nikollë Camaj: Liria e Kosovës ashtë paguar me gjakun e bijve dhe bijave të saj, por, kjo nuk do të realizohej pa ndihmën e miqve tonë (NATO). Megjithatë, kjo atyre nuk u jep të drejtë që të bien në pyetje funksionalitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës. Beogradi ka arritur të fitojë simpatinë, dhe të jetë i përkëdheluri i Perëndimit, ndoshta më tepër për ta mbajtur sa më larg ndikimit rus, por Evropa duhet ta kuptojë se Serbia nuk do të jetë aleatë i sinqertë, as që do të largohet nga Rusia, me këtë lidership, dhe me platformën kombëtare që bazohet në "Naçertanien" e Grashninit, e nën ndikimin e kishës ortodokse serbe, nënës së të gjitha të këqijave në Ballkan. Pra, Evropa do të duhej të merrej më tepër me shkakun, e më pak me pasojat. Ata sot po ndëshkojnë viktimën para xhelatit!

Sidoqoftë, i jap vetes liri të them se ajo për çka Kosova, pra për momentin Qeveria Kurti do të duhej të pranojë bisedimet është, vendosja e kufijve, me dy flamuj. Para se të flitet për njohje reciproke, po ashtu do të duhej të zgjidhet çështja e personave të humbur dhe që Serbia të pranojë krimet e luftës dhe përgjegjësinë për dhunimet. Pastaj, në kuadër të bisedës për njohje reciproke të flitet edhe për nivelin e të drejtave të pakicës serbe në Kosovë. Por, Kosova nuk guxon të pranojë instalimin e një entiteti serb, të tipit të Bosnjës. Ndërkaq, çështja e pakicës serbe në Kosovë të zgjidhet konform standardeve evropiane, por për të gjithë njëlloj (serbet në Kosovë, shqiptarët në Serbi, shqiptarët në Malin e Zi...)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat