Deputetja e LDK-së flet për jetën e saj jashtë politikës, ky është mesazhi për vitin 2018 - Bota Sot
Deputetja e LDK-së flet për jetën e saj jashtë politikës, ky është mesazhi për vitin 2018

Intervista

E hënë, 19 nëntor 2018

Deputetja e LDK-së flet për jetën e saj jashtë politikës, ky është mesazhi për vitin 2018

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 1 janar 2018 Në ora: 22:03
Lirije Kajtazi

E njohim zonjën Lirije Kajtazi si një deputete atraktive dhe shumë punëtore në punën e saj. Por, shumë pak e njohim atë nga afër, bashkë me familjen dhe jetën që bën brenda mureve të shtëpisë së saj dhe larg politikës. Zonja Kajtazi, tregon se si ia del të jetë edhe një nënë dhe një bashkëshorte e mirë, në të njëjtën kohë ta bëjë krenare familjen e saj me politikën që bën. Ajo na rrëfen për kohën e lirë, udhëtimet, festat e madje edhe kohën që ajo e kalon në kuzhinë. E adhuron ushqimin tradicional dhe nuk përton shpesh të përgatis për familjen e saj. Të gjitha këto dhe më tepër zonja Lirije Kajtazi na rrëfen në një intervistë familjare për “Bota sot”.

Bota sot: Zonjën Lirije Kajtazi e njohin të gjithë si një deputet mjaft aktive, mirëpo pak e njohim se kush është në jetën private? Nga kush përbehet familja juaj?

Lirije Kajtazi: Familja ime përbëhet nga bashkëshorti  im Fadili, vajza Ledina dhe djali Arianiti. Unë dhe Fadili kemi punuar së bashku që nga fillimi i vitit 1990 kur kemi filluar aktivitetin ne degën e Forumit të Rinisë së LDK në Gjilan, të dy ishim anëtarë të kryesisë dhe pos kësaj na bashkonte edhe komisioni për informim që funksiononte në kuadër të degës. Ne atëherë ishim vetëm kolegë, pastaj për shkak të angazhimeve të Fadilit në kuadër Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, ai la aktivitetet partiake dhe nga viti 1994, u “zhduk”; ai deri me 1999 nuk jetoi në Kosovë, vepronte në Tiranë. Me vitin 1999,  u kthye ku më gjeti aty ku më kishte lënë, në Forumin e Rinisë nga ku edhe filloj çdo gjë të cilën ne e kurorëzuam me martesë nga e cila kemi edhe dy fëmijët.

Image

Bota sot: Si nis një ditë e juaja që nga mëngjesi në shtëpi e deri në mbrëmje?

Lirije Kajtazi: Të jesh pjesë e politikës do të thotë të bësh një jetë dinamike, dhe përcjellja e dinamikës jetësore në përputhje më itinerarin e jetës politike është sfidë. Unë kam kaluar të gjitha nivelet e jetës politike, duke filluar me aktivizimin në LDK që nga niveli aktivë, nëndegë, degë dhe qendër, si dhe funksione shtetërore duke filluar prej të qenit udhëheqëse e sektorit të rinisë në kuadër të shtetit të rezistencës në vitet e nëntëdhjeta, pastaj drejtore e kulturës në Komunën e Gjilanit, Këshilltarë Komunale, udhëheqëse e grupit të këshilltarëve të LDK në kuvendin komunal, nënkryetare e komunës së Gjilanit, zëvendës ministër i kulturës në Qeverinë e Kosovës dhe Deputete. Dhe tani të më pyetni se ku jeni ndier më komod dhe ku keni pasur vështirësi më shumë, unë them se të gjitha këto pozita i kam mbajtur përgjegjshëm, nga se kam pas një përkushtim dhe vetëdije se kush jam, çfarë kërkoj, si duhet ta bëj dhe çka i duhet vendit tim dhe qytetareve të tij. Dhe natyrisht që kjo ka qenë në funksion të çlirimit të Kosovës, të ngritjes së shtetit, dhe shërbimi në funksion të qytetarit. Në të gjitha fazat e jetës sime politike edhe si edukim familjare, dita ka filluar me këtë përkushtim, natyrisht që në fazat të caktuara amplituda ka lëvizur sa lart dhe poshtë, mirëpo në të shumtën e kohës ka pasur intensitet konstant, dhe thash edhe më lart, kjo falë përcaktimit tim të qartë për t’i shërbyer Kosovës. Në anën tjetër dinamika jetësore, apo mënyra se si nisë dhe mbaron një ditë e imja ka ndryshuar me kalimin e viteve fale ndryshimit të rrethanave, dhe kjo ndryshe ka qenë sa kam qenë beqare dhe ndryshe është tani që jam e martuar dhe nënë e dy fëmijëve. Në mëngjes te gjithë ne aksion; burri ne pune, fëmijët në shkollë,  vetë me një orar të  zgjatur të punës, nga se siç e keni pare seancat tona zgjasin deri në orët e vona, kthimin në shtëpi dhe komunikimi me familje për rutinën ditore. Pak a shumë kjo është përditshmëria varësisht nga intensiteti i angazhimeve të mia.

Bota sot: Si ia dilni të jeni një grua e angazhuar në politikë, një bashkëshorte dhe një nënë e mirë?

Lirije Kajtazi: Ky ka qenë përcaktimi i im, objektivi i im të jem një politikane e mirë, një nënë dhe bashkëshorte po ashtu e mirë. Në politikë jam si shkak i rrethanave, unë i përkas gjeneratës e cila filloj ndërtimin e Kosovës nga e para; duke filluar me ngritjen e institucioneve politike, referendumit të vitit 1991 për pavarësinë e Kosovës, deri te çlirimi nga Serbia dhe fillimi i ndërtimit të republikës tonë. Ky ka qenë përcaktim dhe objektiv, siç janë edhe krijimi i familjes së shëndoshë e cila është pjesa më fisnike e trashgëmisë nga tradita jonë kombëtare. Natyrisht se këto nuk kanë qenë lehët për t’u arritur, por unë dhe bashkëshorti im i kemi pasur të kristalizuara synimet, prandaj nuk na paraqesin vështirësi, mjafton një sforcim. Mendoj se ja kemi arritur.

Bota sot: Dëshironi që ndonjëri nga fëmijët tuaj të zgjedh rrugën tuaj, atë të politikës?

Image

Lirije Kajtazi: Njeriu si qenie e lirë e prirë nga arsyeja dhe me vetëdije, vendos se ç’vendim do të marrë, se ç’qëndrim do të ketë. Në këtë kontekst, liria do të thotë mundësia e njeriut që ta formësoj vetveten sipas bindjes të tij. Në këtë kuadër, sikur të prononcohem po ose jo, mendoj se imponoj ose cenoj diçka nga liria e fëmijëve të mi, nga jeta e tyre, nga mënyra se si ata e projektojnë ardhmërinë. Të qenit politikan, në shërbim të vendit është sfidë, nuk është gjë e lehët, dhe një nënë zakonisht për fëmijët e vet do të zgjedh profesione që atyre lehtësisht i sigurojnë mirëqenien dhe lumturinë. Politika në shërbim të vendit nuk është njëri nga profesionet e lehta. Në kushte tjera unë nuk do ta kisha zgjedhur për vete, do të preferoja shkencën. Sido që të jetë ajo do të jetë zgjedhja e tyre, ndërsa porosia për ta nga ana ime do te jete që aty ku gjinden dhe punojnë te jenë me dinjitet, të punojnë më përkushtim dhe ndershmëri. Shërbimi më i mirë ndaj vendit është korrektësia, profesionalizmi...

Bota sot: A janë krenar fëmijët tuaj me të arriturat tua?

Lirije Kajtazi: Po, shumë, madje kjo sa vije e shtohet me rritën e tyre pasi kanë filluar të jenë të vetëdijshëm për atë se çfarë po ndodhë rreth e rrotull nesh, duke marrë informacion ditor nga mediat dhe rrethi ku ata frekuentojnë. Sidomos kur ata shohin afera të ndryshme ku përfshihen politikanët, e shprehin krenarinë për mua.

Bota sot: A ju mungon familja kur shpeshherë ‘detyroheni’ të udhëtoni jashtë vendit për shkak të angazhimeve tuaja politike?

Lirije Kajtazi: Edhe pse mundohem që këto udhëtime t’i reduktoj në maksimum, prapë se prapë ato janë pjesë e punës time. Më mungon familja pa marrë parasysh se teknologjia ka bërë të mundur komunikime vizive, e ndjej mungesën sa herë që jam larg tyre.

Bota sot: Sa respektohet pozita e gruas në Kosovë?

Lirije Kajtazi: Respektimi i të drejtave të gruas është shumë dimensional, i ndikuar nga shumë faktor, prandaj për të dhënë një përgjigje të saktë është e vështirë. Dhe po të nisem nga vetja, nga rrugëtimi i im që në bankat e shkollës dhe deri tani, mendoj se unë i përkas një periudhe kohore kur kemi një balancim të aspekteve gjinore ndër shqiptarë. Thash që nga shkolla fillore ne kemi pasur në vazhdimësi femra të inkuadruar në procesin edukativo arsimor, ndoshta jo në nivelin e kënaqshëm, por ka ekzistuar një shpërthim. Kjo kohë, d.m.th nga vitet e shtatëdhjeta e deri në vitin 1990, krijoj një bazë e cila bëri masivizimin e jetës tonë shoqërore në kushte të vështira, pra të okupimit klasik. U panë shumë femra prijatare në procese  të rëndësishme të çështjes kombëtare duke filluar me pajtimin e gjaqeve, pastaj inkuadrimin masiv nëpër partitë politike që u formuan në fillim të viteve të nëntëdhjeta dhe në angazhimin e femrës në institucionet shtetërore që sfidonin pushtetin serb. Dhe po të kthehemi në retrospektiv, do ë shohim një përfshirje masive të grave, përfshi këtu edhe luftën, pa marrë parasysh se ajo u zhvillua në rrethana shumë të vështira. Tani në Kosovën e pasluftës kemi krijuar një legjislacion që rregullon dhe definon pozitën e avancuar të gruas në jetën shoqërore kosovare edhe pse ati i bëjnë rezistencë barrierat kulturore. Kemi shembuj të mirë po nisem nga momenti i zgjedhjes president të zonjës Atifete Jahjaga. Faktin se shteti më i ri i globit arriti të ketë president një femër e cila e udhëhoqi këtë institucion me kompetence dhe dinjitet do të thotë shumë. Pavarësisht këtyre të arriturave ne nuk duhet të jemi të kënaqur. Ka nevojë për më shumë përmirësim. Ende duhet ofruar mundësi për qasje të barabartë, ne të kundërtën do të jetë sfilitës për vetë gratë.

Image

Bota sot: Për faktin se jeni bashkëshorte dhe nënë, a jeni e mirë në punët e shtëpisë?

Lirije Kajtazi: Kjo çështje ka të bëj me kohën time në dispozicion të familjes. Mjafton pak kohë dhe nuk kam problem që të mirëmbaj shtëpinë në parametrat e funksionimit normal, natyrisht se këtu kam ndihmesën edhe të bashkëshortit dhe fëmijëve..

Bota sot: Sa jeni e mirë në kuzhinë dhe sa gjeni kohë të gatuani ushqime të ndryshme?

Lirije Kajtazi: Edhe angazhimin kuzhinë është çështje e kohës. Mjafton pak kohë dhe t’i përvishem punës, të gatuaj gjëra për dëshirë të familjes dhe miqve eventual. Kjo ka të bëj sidomos me gatimin sipas recetës tradicionale.

Bota sot: Çfarë bëni në kohë të lirë?

Lirije Kajtazi: Edhe pushimi është pjesë e punës, Koha e lire në fakt është koha e lidhur me gjerat që na përmbushin, është  koha e shlyerjes së mungesave të bëra , e nxënieve të duhura, inspirimeve jetike, apo e rikuperimit, dhe përsëri e etur për shumëçka. Është momenti kur Liria takon lirinë

Bota sot: Mesazhi  juaj për vitin 2018?

Lirije Kajtazi: Në këtë fund viti mesazhi për 2018 duhet t’i përkiste përmbushjes së dëshirave të shqiptarëve për prosperitet në të gjitha fushat e jetës. Mirëpo ne tani po hymë në fazën kurë Kosova dhe shqiptarët po kalojnë ditë të vështira; në kushtet e definimit ose ridefinimit të interesave gjeopolitike, ne po përballemi çdo ditë që po kalon me rreziqe të reja të cilat i vënë në pikëpyetje të arriturat tona. Vota e Shqipërisë kundër SHBA-ve në OKB, sjellja e papërgjegjshme e një pjese të politikës kosovare në  raport me SHBA-në vë në pikëpyetje konsistencën tonë të formulës magjike të presidentit tonë Rugova “Kosova në miqësi të përhershme me SHBA”. Luhatja nga kjo formulë do të prishë shumë çka që është arritur për vite të tëra, prandaj mesazhi i im për vitin 2018 për shqiptarët gjithandej është; Kosova në miqësi të përhershme me SHBA!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test