Qeveria Haradinaj me politikë xhungle - Bota Sot
Qeveria Haradinaj me politikë xhungle

Intervista

E martë, 13 nëntor 2018

Qeveria Haradinaj me politikë xhungle

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 2 qershor 2018 Në ora: 08:24
Prof.Dr Binak Maxharraj

Prof. Dr. Binak Maxharraj, si person që e njeh thellë politikën vendore dhe zhvillimet e saj, ka folur në një intervistë pikërisht rreth skenës politike aktuale në Kosovë. Qeverinë aktuale, Maxharraj e konsideron si një “xhungël”, ndërsa mendon se zgjedhjet e ardhshme do të mbahen në vjeshtën e këtij viti, me LDK-në dhe Vetëvendosjen si favorite për t’i fituar zgjedhjet.

“Bota sot”: Si e shihni skenën politike dhe qeverisjen ne Kosovë?

Binak Maxharraj: Në skenën politike nuk bëhet ndonjë politikë e mirëfilltë. Skena politike është tronditëse, e çuditshme  me shumë skandale. Bëhet një politikë xhungël, ku secili është kundër tjetrit, ku nuk ka asnjë bashkëpunim. Pushtetin e kanë në dorë ata qe s’dinë te bëjnë politik, por që rrahin gjoks së ne jemi dikushi. Pushtetin e morën njerëz të padijshëm, të pashkollë, të paedukuar me fjalor të pistë, rrugaçërie. Këta njerëz nuk dinë shumë mirë vetëm ta shkatërrojnë shtetin, e jo ta ndërtojnë shtetin. Nuk punojnë për shtet, por veç për pushtet. Këta njerëz e “vranë” edhe lirin aq shumë të pritur. Në vend se populli ta gëzojë këtë liri, ata sot jetojnë në skamje, bëjnë vetëvrasje, 32 persona i dhanë fund jetës së tyre në vitin 2017, kurse 216 tentuan të vetëvriten nga depresioni si pasojë e skamjes, në vitin 2014 u vetëvranë 77 veta, kurse 261 tentuan vetëvrasje, ata këqyrin veç si të arratisen nga atdheu, sepse sot njerëzit e pushtetit nuk kujdesen për ta. Pushtetarët në plan të parë e kanë hajnin, korrupsionin, pasurimin e vetes, e jo të mirëqene së popullit. Ata duke vjedhur, e plaçkitur këtë shtet u bënë milionerë brenda natës. Ata uzurpuan çdo gjë që u vinte në dorë, dyqane, pika karburanti, uzurpuan me qindra e mijëra hektarë tokë, banesa në emër të ”të fortit” në emër të luftës.

Është, pra kjo një qeverisje e pa kokë, skandaloze me plot afera korruptive, më plot skena makabre politike, si bie fjala ajo e 21 dhjetorit 2017 kur tentuan të bëjnë ”grusht shtet” në shtetin e tyre duke bërë përpjekje mjerane për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale të cilën e votuan vetë. Amerika këtë e quajti thikë pas shpine. Pastaj, vazhduan me aferën e imigrantëve turq, kur pa fije turpi, pa pritë e pa kujtuar, pa dijen e familjarëve, pa asnjë procedurë ligjore, i morën midis rruge si në filmat horror dhe me dhunë i depërtuan në Turqi në gojën Erdoganit. Dhe për të gjitha këto askush nuk jep përgjigje, bile morale, duke thënë se kush e paska bërë  këtë, sepse ne nuk kemi ditur.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e kryeministrit Haradinaj në këtë mandat?

Binak Maxharraj: Ramush Harajdinajt i patën mbetur shumë lezet ato 100 ditët e tij si Kryeministër kur ishte në koalicion me Presidentin Ibrahim Rugova. Por, që atëherë e deri vonë ai vetë dhe partia e tij flisnin për ato 100 ditë të qeverisjes së tij në superlativ, nuk i hiqeshin nga goja. Edhe sa ishte në Hagë, ëndërronte të bëhet përsëri Kryeministër. Hajt i pati thënë Hashim Thaçi këqyrim e bëjmë diçka, bile kur u kthye nga Haga edhe ia patë shtruar qilimin e kuq. E mashtroi, e rrejti. Thaçi, pasi që e rrëzoi për tokë Qeverinë e Isa Mustafës për shkak se deputetët e LDK-së nuk e votuan Demarkacionin , por me votat e Isa Mustafës u bë President i vendit.

Ramushi u rebelua aq shumë sa që nuk la gurë pa lëvizur, duke thënë se Kosova po humbë tokë me demarkacionin, bile mbi 8200 hektarë. Për tri vjet bëri protesta, mblodhi nënshkrime për ta refuzuar demarkacionin. Populli nisi gati t’i besojë, e quajti edhe peder Murat Mehën për cenimin e territorit të Kosovës. Nuk lëshoi pe. Ndërkohë që disi u bë njëfarë koalicioni, ku hyri edhe Ramush Harajdinaj, të cilit i premtuan postin e Kryeminitrit. E bënë kryeministër, e Ramushi u shashtris si fëmija prej gëzimit, kërcente si flutura përpjetë. Por, nuk e dinte i gjori se e kishin bërë Kryeministër për ta  blerë, ta çlironin, ta bindnin të lëshojë pe rreth demarkacionit. Ia sollën në tavolinë nga Podgorica një leckë letre se gjoja vija e demarkacionit do të rishqyrtohet, rinegociohet, e rrejtën, ai e nënshkroi atë, e me këtë e nënshkroi edhe kapitullimin e tij, për mos mbajtjen e fjalës, e cila pamëshirshëm do t’i kthehet në zgjedhjet e ardhshme. Pra, ai e bleu postin e Kryeministrit në këmbim me demarkacioni.

Ramushi e nisi qeverisjen e tij shumë keq. Unë qeverisjen e Haradinaj për këtë periudhë e vlerësoj shumë të dobët, bile më të dobëtën pas çlirimit. Qeverisjen e tij unë e vlerësoj më notën 1, por nëse vazhdon kështu, edhe do ta ngeli ne klasë pa i dhanë mundësi për riprovim. Pse, sepse hafiri si hyri në zyrë tha rritmani rrogën. Bëri skandal pas skandali, binte vendime të kota, pa mbulesë, vendime këto të cilat të nesërmen i rrëzonte, si prenë sakica ne një vend, jepte premtime kah do që të shkonte, por që asgjë nuk realizon, nuk ishte i fjalës. Kaluan disa muaj si Kryeministër, e ai as që e përmendë më, rishikimin, rikorrigjimin e vijës kufitare. Kjo nuk është me rëndësi, në bazë të kësaj kauze ai edhe u bë Kryeministër. Nisi të kritikohet edhe nga koalicion për performancë të dobët në qeverisje. Për të iu hyrë në hatër, ai e fryu kabinetin e tij në 21 ministri, por ajo me skandalozja që çdo kush nisë të tallet me të është numri i madh i zv/ministrave mbi 80 sish. Aq shumë u bënë, sa që as ai vetë nuk i njihte, por ata zv/ministra edhe nuk njiheshin mes veti, nuk bënin kurrfarë pune, nisën të ngatërrohen nëpër korridoret e ministrisë. Rroga e një zv/ministri me asistent, me shofer shkonte deri në 3.000 euro në muaj, kurse për 70  zv/ministra arrinte ne 35.000 euro në muaj, kurse vetëm për një vit, këta zv/ministra i kushtojnë buxhetit të Kosovës mbi 2.500.000 euro. Me këto para do te ndërtoheshin mbi 120 shtëpi për skamnorët dhe të pa strehët. Kjo ishte logjika e Kryeministrit, sepse duhej me hatër a me zor të marrë sa më shumë zv/ministra për ta siguruar rahatinë e tij që mos ta prekin për keqqeverisje.

“Bota sot”:A mendoni se do të kenë sukses tryezat e partive politike?

Binak Maxharraj: Jeta politike në Kosovë pothuajse edhe nuk ekziston në kuptimin e saj të fjalës, bëhet një jetë e çorientuar,  çuditshme, me plot afera skandale dhe ndërskamca. Secili mundohet të bëhet më i mençur se tjetri, më buxhë se tjetri, në stilin se unë jam ai që të çojë e të rrëzojë për toke. Nuk ka pozitë, as opozitë të mirëfilltë, dinjitoze. Pozita është më plot afera skandaloze, siç ishte ajo e 21 dhjetorit të vitit 2017,kur krerët e shtetit gati u çmenden kur tentuan ta shfuqizojnë Specialen që e kishin formuar vetë, por,  më e turpshme ishte edhe ajo kur nënshtetasit turq në pikë të ditës u kidnapuan nëpër dritë dhe u depërtuan ne Turqi, pa zbatimin e asnjë procedure ligjore, bile as familjarët nuk ishin njoftuar. Krejt kjo ndodhi dhe asgjë askujt nuk i ndodhi në stilin gjuaje gurin e fshehe dorën,  faji i askujt. Kemi një Qeveri për turp të Zotit, e cila nuk ka fuqi të vendosë për gjërat edhe më të vogla, e lëre për ato të mëdha me interes nacional. E para e nisi tryezën LDK, e cila gjatë gjithë kohës insistonte së duke e parë situatën alarmante në vend kërkon zgjedhje të reja, kurse tryezën tjetër e vazhdoi PDK me krejt disa teza tjera, asaj më shumë i interesonte që presidenti të udhëheq dialogun me Serbinë, se sa disa gjëra tjera më të mëdha. PDK po frikësohet që të shkojë në zgjedhje të reja, sepse ajo e dinë mirë se çka do ta gjejë, do të përjetojë fiasko në zgjedhje si herën e fundit.

“Bota sot”: Çka mendoni së cila është arsyeja që nuk po zbardhën vrasjet e pasluftës?

Binak Maxharraj: Kësaj pyetje është bukur vështirë t’i ipet ndonjë përgjigje të saktë, sepse këtu shumë çka është e mjegulluar, e pa qartë, gjërat ende nuk janë të sqaruara sa duhet, si gjatë luftës po ashtu edhe pas luftës që në të dy këto periudha ndodhën gjëra të dhembshme. Populli më plot entuziazëm e përqafoi luftën e UÇK-së, luftën e legjendarit Adem Jashari dhe komandantëve të tjerë të devotshëm për të çliruar atdheun nga dhuna dhe agresori serbo-sllavë, i cili nuk na u hoq qafe decenije me radhë. Pëlciti lufta në të gjitha anët e Kosovës, thirrjet nga populli për të iu bashkuar luftës ishin shumë më të mëdha se sa armët. Luftonin trimat tonë pa e kursye as jetën e vet, vetëm e vetëm për ta çliruar atdheun. Erdhën edhe nga jashtë nga Evropa dhe Amerika për ta ndihmuar luftën, për t’i dalë në ndihmë atdheut, i cili veç ishte në flakë. Por, një fitil i keq u ndez gjatë luftës, nga ata që nuk ishin direkt në luftë, por që e kishin njëfarë Shtabi të Rognerit në Tiranë, ku bënin llafe me socialist-komunistët e Tiranës, si Fatos Nanon, Fatos Klosin etj,  për rrjedhat e luftës, ato përpjekje për luftën ishin më shumë përpjekje për përçarje, se ti je i këtij krahu, e ti i atij krahu, se ti nuk je i LPK-së, por je i LDK-së, ani pse dihej mirëfilli se LPK nuk kishte anëtarësi aq të madhe të angazhuar në luftë, kurse nga ana tjetër mbi 70% të pjesëtarëve të luftës ishin nga radhët e LDK-së. Por, përçarjet edhe më të mëdha u bënë, sepse dikush ashiqare nuk e duronte pjesëmarrjen e FARK-ut në luftë në krye me Ministrin e Mbrojtjes Ahmet Krasniqi, i cili e ndihmoi edhe financiarisht luftën nga Fondi 3% përqindëshi i Qeverisë Bukoshi, ku iu dhanë shuma të mëdha parash milionëshe  në shërbim të luftës, por pjesa më e madhe e tyre kurrë nuk arriti në destinacionin e caktuar, bile është e dhembshme dhe e pabesueshme se si edhe mjetet që ishin dedikuar për komandantin Adem Jasharin, nuk kishin mbërri, por ai e bëri luftën me ato armë që i kishin qëlluar, më ç’rast u flijua gati me krejt familjen pa i ardhur në ndihmë askush. Por, është më se trishtuese se si ndodhën edhe disa vrasje enigmatike gjatë luftës si vrasja e Ali Ukës, Ministrit te mbrojtjes Ahmet Krasniqit etj, etj që ende nuk janë zbardhur.

“Bota sot”: A do të këtë sukses Gjykata Speciale në punën e saj dhe a mendoni së është e drejtë formimi i kësaj Gjykate?

Binak Maxharraj: Gjykata Speciale është sikur një mollë e cila duhet të përbihet më zor, e deshte apo nuk deshte, e jo në stilin merre ose le. Nuk u formua Gjykata Speciale për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, e të pas luftës. Mendonin së në Kosovë nuk i duhet një gjykatë e tillë, sepse tek e fundit ekzistonte bindja se kush e ka kurajën dhe guximin të merret me Komandantët e Luftës për hetimin eventualisht të gabimeve te tyre. Pos kësaj edhe ato Gjykata qe u formuan në Kosovë pas luftës ishin të brishta ishin te mbikëqyrura rreptësisht nga Komandantët apo qendrat e forcës së krimit të organizuar në Kosovë, kështu që edhe nëse ndodhte ndonjë rast, ndalej në gjysmë rruge ose nuk përfundonte kurrë. Edhe UMNIKU dhe EULEX-i  patën për dore këto gjykime, por edhe ata nuk shkuan deri në fund, për arsyet që vetëm ata i dinë. Dhe kështu kjo punë u prolongua për bukur disa vite, derisa një ditë doli në skenë njëfarë  Dik Marti, një Eurodeputet nga Zvicra, i cili nuk e di se në çfarë rrethanash, por e di se ai këtë e bëri nën presionin e Serbisë dhe me informacionet nga Serbia, dhe pa një pa dy doli me një raport të tij në të cilin thuhej se në Kosovë janë bë krime lufte, bile edhe deri në nxjerrjen e organeve të njerëzve për trafikim . Aty flitej edhe me emra dhe mbi emra të disa Komandantëve se gjoja janë përzier në këto punë. Njerëzit tanë të luftës në fillim nisën të bëjnë hajgare me këtë raport të Dik Martit, bile Hashim Thaçi thoshte se do ta padiste Dik Martin që kurrë nuk ndodhi. Por, Dik Marti si finok që ishte, nuk heshti e nuk u ndalë sigurisht nën presionin e Serbisë, por ai e çoi këtë punë deri në Këshillin e Evropës, e cila e aprovoi si dokument zyrtar, ku edhe u mor vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale me të gjitha dhomat e saj, për hetimin dhe eventualisht gjykimin e krimeve te luftës në Kosovë. U deshtë që edhe Parlamenti i Kosovës ta votojë për themelimin e kësaj Gjykate, e cila edhe konsiderohej jo fortë e këndshme për Kosovën. Pati edhe revolta dhe kundërshtime të ndryshme lidhur më këtë Gjykatë .

Është një thënie e mrekullueshme në popull ku thuhet se: nëse të këqijat nuk i largon nga shtëpia e jote, atëherë vjen komshiu  t’i largon. Pra, kjo do te thotë së nëse ne vetë nuk u morëm me këto krime të luftës, atëherë prite se këtë do ta bëjnë të tjerët, çfarë edhe do ta bëjnë. Pra, këtu nuk ka asgjë të keqe, veç të ndahet shapi nga sheqeri.

“Bota sot”: Si i komentoni përplasjet midis Anton Qunit dhe Xhavit Halitit për tetë milion markat?

Binak Maxharraj: Është shumë vështirë të bëhet përkufizim moral i Xhavit Halitit, pasi që personalisht nuk e njoh, pos që e shoh në Parlament si nënkryetar i përjetshëm në të gjitha legjislaturat e pasluftës. Por, për karakterin e tij më së miri flasin ata të luftës të cilët edhe e njohin. Ky njeri konsiderohet mjaft misterioz. Përkufizimin e tij si njeri më së miri e përshkruan ish- bashkëluftëtari i heroit të kombit Sali Çekaj, Osman Ferizi i cili ishte veprimtar dhe luftëtar i ditëve të para të luftës, ishte anëtar i Komisionit Qendror  3%, i cili në disa prononcime të tij publike për Xhavit Halitin thotë: “Ai është një rrencë, hajnë ordinar, zhvatës i  mjeteve të mbledhura për fondet e Luftës”.

Pra, përplasja midis Anton Qunit dhe Xhavit Halitit ishte më se e nevojshme, që më në fund të thyhen shtizat rreth asaj se kush e bëri luftën. Të dalë e vërteta, të bëhet transparente që populli të dijë me në fund se ka shkuan ato miliona e miliona që u dhanë për luftën, që më së paku shkuan në luftë. Shkurt, është koha të zbardhet e vërteta për luftën, që mos t’ua lamë peng këtë gjeneratave të reja.

“Bota sot”: Pse po ka hezitim nga partitë politike në Kosovë, që të ndërmerret iniciativa për hetimin e SHIK-ut?

Binak Maxharraj: Ka bukur shumë kohë që ka filluar iniciativa për hetimin e SHIK-ut. Ky hetim asnjëherë nuk u bë. Po si të bëhet kur SHIK-u ka dalë nga gjiri i PDK-së, e cila ishte gjatë për shumë vite në pushtet dhe ende është. Në këto rrethana as që mund të niset me një hetim të mirëfilltë. Iniciativën për hetimin e SHIK e nisi edhe LVV bile në legjislaturën e mëparshme. Por nuk pati sukses, nuk mundi t’i grumbullojë 40 votat e nevojshme. E,luti me mish e shpirt edhe partinë e Isa Mustafës i cili ishte plot antishik gjatë situatës parazgjedhor, por që edhe iu kishin vrarë më së shumti aktivistë. Hetizoi LDK nuk ia dha asnjë nënshkrim. E çuditshme, e papranueshme, injoruese për viktimat e aktivistëve të saj. LVV edhe në këtë legjislaturë e rinisë prap inciativën përhetimin Parlamentar të SHIK, prap i hasi sharra në gozhdë te LDK-ja, duke thënë se është e pamundshëm që të bëhet një hetim korrekt në këto rrethana të sodit.

Mendoj se SHIK duhet të hetohet, kanë kaluar shumë vite që ai të lihet të veprojë i lirë, dikush duhet të përgjigjet për të gjitha ata vrasje politike që ndodhen pas luftës, se a janë krejt ato të SHIK apo asnjë, kjo duhet të hetohet, këtë e kërkojnë shumë vite familjarët, e kërkon drejtësia e mirëfilltë, që tani për tani nuk e kemi, sepse të gjitha strukturat janë të kapura nga SHIK. Për t’u hetuar fortë e mirë, SHIK duhet një Vetting i fortë në prokurori dhe gjyqësi, duhet që krejt kjo klasë politike të largohet nga pushteti, e pas kësaj çdo hetim i SHIK-ut do të ketë sukses.

“Bota sot”: Nëse zgjedhjet do të mbaheshin nesër, cila mendoni se do te jetë partia më favorite për të fituar zgjedhjet, bazuar në zhvillimet e fundit?

Binak Maxharraj: Këtë pyetje do ta filloj më metodën e eliminimit. Hiqi ato 23 parti false që fshihen në koalicion me PDK, të cilat as që duhet me dalë në zgjedhe. Aty mbesin PDK, AAK dhe Nisma. Siç dihet, PDK është një parti në çakordim e sipër. Më ardhjen e Kadri Veselit  në krye të saj ajo gati që nuk falimentoi. Ky njeri që s’ka lidhje se si udhëhiqet partia, por as Kuvendi,  me ardhjen e tij PDK e mori teposhtëzën, por edhe për shkak të keqqeverisjes disa vjeçare dhe korrupsionit megaloman, kjo parti edhe nëse mbahen zgjedhjet nesër, nuk ka shanse për ndonjë sukses. Ajo do të përjetojë një rënie edhe më te madhe, sepse nuk është parti e vlerave por e antivlerave.

Tjetër AAK dhe Nisma Sicialdemokrate. AAK e Ramush Harajdinaj është një parti e cila në çdo palë zgjedhje  ka fituar diku 8-10 deputetë, edhe atë më shumë për shkak të “dhembjes” që pati elektorati për përplasjet e liderit të saj nëpër Gjykatën e Hagës. Por, kësaj radhe kjo parti do të shënojë rënie, bile është në pyetje se a do ta kapërcejë pragun, sepse lideri i saj e shiti kauzën e kësaj partie duke mos e mbajt fjalën. E shiti të Hashim Thaçi demarkacionin për të cilin luftoi tri vite me plot të drejtë në këmbim me postin e Kryeministrit, pra ia ktheu shpinën elektoratit të tij, i cili do ta dënojë në zgjedhjet që do të pasojnë diku në vjeshtë. Nisma Socialdemokrate si parti që u çkapë nga PDK-ja do të luftojë për ekzistencë. Edhe GDP të cilët u çkapën për karrierizëm nga LVV, e që së voni ia morën Partinë Social Demokrate të Kaqusha Jasharit, e që së voni e zgjodhën për kryetar finokun Shpend Ahmetin, nuk do të ketë sukses të theksuar. Edhe këtë parti sikurse FER-in, Shpend Ahmeti do ta çojë së shpejti në ferr, bile tashti edhe më lartë, në rrethin e nëntë të Ferrit të Dantes.

Pra, mbeten të luftojnë për të parin vend LDK dhe LVV. Vetëvendosja në zgjedhjet e kaluar doli partia e parë me deputet 32 sish. Kjo parti luftoi me të gjitha mjetet e lejueshme e të palejueshme për ta fituar namin të cilin e kurorëzoi me fitore bindëse. Këtë parti gati sa nuk e quajnë parti të pavlera, antiamerikane, se Amerika nuk e do etj. Kjo nuk është e vërtetë. Amerika bashkëpunon me çdo parti të cilën e zgjedhë populli.

LDK është një parti institucionale, ajo duhet të reformohet edhe më shumë. LDK ka nevojë të lirohet nga Isa Mustafa inert, por edhe nga pleqtë e saj që rrinë aty dhe më shumë e pengojnë se sa ndihmojnë. Nëse ndodhë kështu, që gjatë reformimit ata t’i marrin kuadrot e reja që e ka LDK, këtë parti s’ka kush e ndalë ne zgjedhjet e reja.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test