AKR-ja komode në pozitën aktuale, por nuk i frikësohet zgjedhjeve - Bota Sot
AKR-ja komode në pozitën aktuale, por nuk i frikësohet zgjedhjeve

Intervista

E martë, 20 nëntor 2018

AKR-ja komode në pozitën aktuale, por nuk i frikësohet zgjedhjeve

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 18 qershor 2018 Në ora: 08:45
Vesel Makolli

Sekretari organizativ i AKR-së, Vesel Makolli, në një intervistë për gazetën kombëtare “Bota sot”, ka treguar qëndrimin e partisë së tij në skenën politike të vendit, në kuadër të zhvillimeve të fundit. Makolli thekson se AKR-ja në asnjë variant nuk është kundër zgjedhjeve.

Vendin mund ta dërgojnë në zgjedhje vetëm partitë që janë në koalicionin qeverisës, thotë Makolli, ndërsa opozita sipas tij, nuk i ka numrat që ta rrezikoj qeverinë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen politike në Kosovë?

Vesel Makolli: Edhe pas 10 viteve shtet i pavarur dhe 19 vite çlirim nga zgjedha shekullore serbe, Kosova nuk ka arritur ta ketë një pavarësi të plotë dhe të jetë anëtare e Kombeve te Bashkuara dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare të shteteve të pavarura. Ne zakonisht për çdo mos sukses apo mosarritje gjatë historisë sonë e kemi hedhur fajin te të huajt (Evropa dhe Fuqitë e Mëdha)por duhet të jemi real dhe ta pranojmë që gjithmonë e sidomos tash në shekullin 21 faji kryesor është te ne, gjegjësisht te faktori i brendshëm politik shqiptar. Ka qenë rast unik në historinë tonë kur në favor tonin ka qenë konstelacioni i fuqive botërore me ndihmën madhore te të cilit dhe luftën e UÇK-së është larguar zgjedha shekullore serbe dhe është fituar liria e pritur me shekuj. Fatkeqësisht faktori i brendshëm politik gjatë viteve të pas luftës më shumë është marrë me vet-vetën sesa me interesat e përgjithshme shtetërore, duke krijuar hapësirë të Fuqitë Ndërkombëtare për rehabilitimin e Serbisë dhe me veprimet e gabuara me dashje apo pa siç thotë populli : "Ka qu ujë në mulli të huaj". Ky vit është vendimtarë nga shume aspekte pasi që jemi në rrugë të mbarë për liberalizimin e vizave si dhe për t'u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare. Nga ne kërkohet që më në fund ta mënjanojmë atë kakofoni politike që na ka përcjellë deri tani dhe të jemi unik sidomos për çështjet jetike për Kosovën. Mendoj se më në fund do të mbretëroj mirëkuptimi, toleranca, demokracia, atdhedashuria dhe që të jemi unik për kërkesat dhe synimet tona sidomos pranë faktorit ndërkombëtar me moton e mbretit Zog "Atdheu mbi te gjitha".

“Bota sot”: A mendoni se kjo qeveri do ta mbajë mandatin deri në fund?

Vesel Makolli: Në demokraci nuk është e domosdoshme shumica absolute, por është e mjaftueshme edhe shumica e thjeshtë, pasi që kjo është treguar efikase në praktike jo vetëm tek ne por edhe në shumë vende të tjera demokratike. Besoj që kjo qeveri përbëhet nga njerëz adekuat dhe të kualifikuar për t’i kryer punët dhe përgjegjësitë e marra, andaj edhe rezultatet nuk do të mungojnë. Është një frymë entuziaste dhe shumë punuese e të gjithë pjesëmarrësve në qeveri, që me punën e tyre intensive t'i tejkalojmë të gjitha sfidat që na presin, dhe të i arrijmë synimet tona programore. Mendoj se nuk ka kurrfarë arsye që mandati i kësaj qeverie të mos shkojë deri në fund.

“Bota sot”: Cila është qasja e AKR-së sa i përket zgjedhjeve të parakohshme?

Vesel Makolli: Ne kemi një koalicion i cili funksionon shumë mirë. Raportet në mes të partnereve janë shumë korrekt, bashkëpunues dhe me respekt të ndërsjellë. Kemi pasur sfida të cilat i kemi tejkaluar pa patur asnjë lëkundje të koalicionit, përkundrazi tejkalimi i këtyre sfidave na ka bërë të jemi edhe më unik. Duhet njëherë e përgjithmonë që te faktori politik i brendshëm, gjegjësisht tek partitë tona politike, të mbretërojë demokracia e vërtet e ajo do të thotë, respektimi i votës së sovranit dhe opozita të jetë faktor i cili do të kontrollojë pozitën dhe ta nxitë për një punë më kualitative dhe jo të jetë pengesë në rrugën e pozitës për realizimin e programit qeverisës. Çdo parti është normale që të synojë pushtetin, por jo me çdo kusht, pasi që pushteti fitohet me program të mirë qeverisës dhe normal me votën e sovranit. AKR në asnjë variant nuk është kundër zgjedhjeve, por ne nuk mund të mbajmë zgjedhje çdo vit sipas tekeve dhe kërkesave të atyre që populli i la në opozitë për këtë mandat 4 vjeçar.

“Bota sot”: Kush mund ta rrëzoj këtë qeveri?

Vesel Makolli: Siç dihet opozita nuk i ka numrat për ta rrezuar qeverinë, por sikur t'i kishte do ta rrëzonte menjëherë. Po ashtu pas ndodhive brenda disa partive, është krijuar një situatë kur edhe opozita nuk e ka me plot mendje zgjedhjet e jashtëzakonshme, por më shume e ka për përfitime politike. Momentalisht, por edhe në të ardhmen këtë qeveri mund ta rrëzoj vetëm ndonjë nga partnerët e brendshëm, e besoj që këtë asnjeri nuk do e bëjë, pasi që ai veprim do t'i kthehej si bumerang politik.

“Bota sot”: A ishte humbje e madhe largimi i Korab Sejdiut nga AKR-ja, cilat janë kushtet e tij që të kthehet?

Vesel Makolli: Largimin e Korab Sejdiut nuk e kemi pritur pasi që ai ka qenë i toleruar rreth votimit për qeverinë. Ne si parti liberale nuk ia patëm imponuar votimin e qeverisë dhe ai e ka pasur të lirë të vendos vetë për votën e tij. Në të dy variantet ai kishte me qenë aty ku e ka pasur vendin, nënpresident i partisë dhe shumë i respektuar dhe i vlerësuar nga të gjithë. Personalisht mua më ka habitur dorëheqja e tij, mendoj vendin e ka pasur në AKR-në e cila edhe ia ka mundësuar hyrjen në parlament. Normalisht që çdo dorëheqje është një lloj dëmtimi, por partia jonë është plotësuar me shumë aderime adekuate dhe me njerëz me background-e të vlerësuara.

“Bota sot”: Cili është qëndrimi i AKR-së sa i përket kryenegociatorit të dialogut me Serbinë?

Vesel Makolli: Dihet historikisht se pas çdo lufte pa marrë parasysh a ka qenë luftë e madhe apo e vogël ,paqja definitive është arritur në tavolinën e bisedimeve. Kjo ka ndodhur edhe pas luftës se I-rë dhe të II-të botërore dhe se më mirë është të bisedohet edhe më vite sesa të luftohet edhe vetëm një dite. Në rastin tonë na presin bisedime të vështira me Serbinë, dialog të cilin e përkrahin edhe miqtë tanë ndërkombëtar. Dialogu me Serbinë është një prej atyre çështjeve për të cilat duhet të kemi konsensus të plote. Është me rendësi kush do t’i kryeson negociatat me Serbinë, por më e rëndësishme është përbërja e ekipit negociator, i cili duhet të jetë i nivelit më të lartë profesionist, politik dhe diplomatik. Është ngarkesë dhe përgjegjësi tepër e madhe dhe thuajse është e pamundur që një person të jetë përgjegjës për dialogun, andaj të gjitha forcat politike duhet të jenë unike dhe me konsensus të plotë ta formulojnë platformën e bisedimeve me të cilat do të mbrohen interesat jetike të vendit tonë.

“Bota sot”: Nëse zgjedhjet do mbaheshin shumë shpejt, a do ishte AKR-ja prapë në koalicion me partitë aktuale që është tash?

Vesel Makolli: Koalicionet arrihen me partitë programet e të cilave janë të për afërta dhe për të mirën e shtetit. Ne patëm bërë koalicion thuajse të detyrueshëm për shkak të pat pozicionit në të cilin u gjend shteti ynë dhe një far formë e flijuam interesin partiak për të mirën e shtetit. Në zgjedhjet e ardhshme eventuale ne normalisht që do të garojmë si të vetëm ,por nuk përjashtohet koalicioni eventual me ndonjë nga partitë me të cilat na përputhen shumë synime programore.

“Bota sot”: Si i sheh AKR-ja tryezat politike që po organizohen për gjetjen e një konsensusi për tema të mëdha?

Vesel Makolli: Tryezat politike janë të mirëseardhura, por gjerë më tani në tri tryezat e kaluara nuk është arritur ndonjë përparim i theksuar. Partitë që i kanë organizuar këto tryeza në të shumtën e rasteve i kanë potencuar interesat e tyre partiake në radhë të parë, duke bërë veprime për të marrë poena politik. Janë disa tema që unë i quaj "jetike" për Kosovën ,e një ndër to është edhe dialogu me Serbinë tema këto për të cilat nevojitet unitet i plotë.

“Bota sot”: A do jetë edhe AKR-ja nikoqir i kësaj tryeze?

Vesel Makolli: Do ta shikojmë rrjedhën e ngjarjeve dhe nëse do të ketë përparime të theksuara në këto tryeza politike, nëse vazhdohet me të njëjtat, edhe ne do të jemi nikoqir të një tryeze të organizuar nga AKR-ja. Në atë tryezë që ne do ta organizojmë, do ta zgjedhim një teme për të cilën na nevojitet  konsensus i plote, dhe do të insistojmë që të kemi një unitet për të mirën e shtetit , duke lënë anash interesat partiak pasi që shteti është mbi të gjitha.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e Behxhet Pacollit deri më tani, a ka qenë efektiv në misionin e vet?

Vesel Makolli: Diplomacia ndërkombëtare, gjithmonë e luan rolin më të madh për shtetin dhe për reputacionin e tij në arenën ndërkombëtare. Është shumë me rendësi për shtetin se kush është kryediplomati. Në këtë rast kemi të bëjmë me njeriun i cili është i njohur në arenën ndërkombëtare e lirisht mund të them se është Kosovari me i njohur ne Botë. Përpos që është i njohur si biznesmen, ai është edhe humanist dhe altruist ,i cili i ka vizituar shumicën e vendeve të botës dhe ka meritë për shumë njohje të Kosovës ndërkombëtarisht. Duke marrë parasysh të gjitha këto, z.Behgjet Pacolli është njeriu më adekuat dhe më i merituari për postin e kryediplomatit të Kosovës. Puna e tij e deri tanishme, ka qenë e palodhshme dhe efektive duke lobuar në të 4 anët e Botës. Rezultatet e kësaj pune 8 mujore do të shihen në vazhdim dhe se deri në fund të mandatit 4 vjeçar, z.Behgjet Pacolli do ta jetësoj programin e tij në tërësi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test