Për Thaçin asnjëherë nuk ka pasur vija të kuqe, Kuvendi ta formojë Grupin Nacional të bisedimeve - Bota Sot
Për Thaçin asnjëherë nuk ka pasur vija të kuqe, Kuvendi ta formojë Grupin Nacional të bisedimeve

Intervista

E diel, 18 nëntor 2018

Për Thaçin asnjëherë nuk ka pasur vija të kuqe, Kuvendi ta formojë Grupin Nacional të bisedimeve

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 3 korrik 2018 Në ora: 19:50
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, thotë se dialogu nuk duhet të vazhdojë pa konsensusin nacional.

Krasniqi në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, thotë se Kuvendi i Kosovës si organi përfaqësues i qytetarëve të Kosovës duhet ta legjitimojë atë që duhet ta vazhdojë dialogun, pasi që, sipas tij, çdo veprim tjetër është antikushtetues.

Ai thotë se janë për konsensus nacional dhe strategji të qartë politike për bisedimet e Brukselit dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por potencon se rruga që është zgjedhur zor që të shpie atje ku po dëshirohet.

“Bota sot”: Zotëri Krasniqi si e vlerësoni gjendjen politike në Kosovë?

Jakup Krasniqi: Nuk është lehtë me e përshkruar gjendjen politike në Kosovë, pasi kjo gjendje nuk është e re. Nuk ka asnjë dyshim, se kjo gjendje fillet i ka te fillimi i bisedimeve politike në mes Kosovës e Serbisë të zhvilluara në Bruksel nën mbikëqyrjen e BE-së, e sidomos pas miratimit në Kuvendin e Kosovës të Marrëveshjes së 19 prillit 2013 nga pozita e shumica e opozitës (LDK e AAK). Atëherë ua pata tërhequr vërejtjen se Marrëveshja ashtu si ishte kishte shumë të panjohura, por ashtu nuk patën menduar 86 deputetët e Kuvendit të Kosovës.  Nga atëherë e deri më sot gjendja është më shumë se kaotike. Dhe kjo gjendje do të vazhdojë përderisa në Kosovë sundon papërgjegjësia politike. Kjo papërgjegjësi politika daton edhe para zgjedhjeve të vitit 2001 e në vazhdimësi më pas. Patëm pritur një ndryshim pas zgjedhjeve të vitit 2007, por procesi u personalizua e u privatizua shumë pas Pavarësisë. Kjo logjikë primitive e veprimeve politike na ka sjellë këtu ku jemi dhe nuk jemi aspak mirë.

“Bota sot”: Si po qeveriset me vendin aktualisht?

Jakup Krasniqi: Kosova po vazhdon të administrohet disi. Qeveria me opozitën janë në Pat pozicion! Vendi ynë ka nevojë të madhe për një vullnet të gjerë politik, për t’i marr disa vendime të mëdha politike, si: Mbrojtja e pasurisë kombëtare e publike, inkurajimi dhe lehtësimi i investimeve të brendshme e të jashtme, marrja e një reforme të thellë në Sistemin e Arsimit, në shëndetin publik dhe Sistemin e Drejtësisë. Këto gjera nuk varen vetëm nga vullneti i një Kryeministri, por, se paku i shumicës së politikës sonë.

“Bota sot”: Si janë raportet tuaja me partnerët e koalicionit?

Jakup Krasniqi: Janë raporte për ta mbajtur gjallë të qeverisurit e zorit edhe në saje të një opozite të çakorduar. Në një konstelacion të tillë partish politike në koalicion, të jesh Kryeministër është gjëja më e vështirë. Se edhe je edhe nuk je në pozicionin kushtetues!

“Bota sot”: Në raportimin e Presidentit në Qeveri lidhur me dialogun, u vërejt mungesa e ministrave të Nismës Socialdemokrate, pse munguan ata dhe si i komentoni reagimet lidhur me këtë rast?

Jakup Krasniqi: NISMA që nga fillimi ka kërkuar arritjen e një konsensusi nacional për vazhdimin e bisedimeve. Në ketë vijë duhet parë edhe veprimin e Nismës në atë mbledhje. Këtë qëndrim, Nisma e ka mbajtur edhe në legjislaturën e kaluar. Në ketë rrafsh jemi sa konsistent e po aq edhe koherent. Jemi për konsensus nacional dhe strategji të qartë politike për bisedimet e Brukselit e normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por rruga që është zgjedhur zor që të shpie atje ku po dëshirohet.

“Bota sot”: Cilat janë raportet e Nismës me Presidentin Thaçi, si e vlerësoni figurën e tij?

Jakup Krasniqi: Nëse pesë gjashtë vite, bisedimet i ka udhëhequr Qeveria e Kosovës, ku është marrë vendimi që bisedimet t’i kalohen Kryetarit të Kosovës? Kuvendi i Kosovës duhet ta formojë Grupin nacional të bisedimeve. Dialogu  (bisedimet) në asnjë mënyrë nuk duhet vazhduar si janë zhvilluar deri më tani. Ne, nuk merremi me vlerësimin e figurës se askujt e as të Thaçit. Vlerësimi i takon qytetarëve të Kosovës. Me vlerësimin e punës se secilit duhet të kujdesën qytetarët e Kosovës në çdo palë zgjedhjesh.

“Bota sot”: Opozita në vazhdimësi është duke bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme, a mendoni se do të arrihet kjo?

Jakup Krasniqi: Edhe po të arrihet mbajtja e zgjedhjeve, çka pastaj! Në zgjedhje duhet shkuar për të ndryshuar gjendja e jo për ta vazhduar me të njëjtin avaz siç po bëhet, sidomos në këto dy-tri legjislaturat e fundit. Kjo legjislaturë duhet të shfrytëzohet për të bërë një reformë të mirë zgjedhore. Ky sistem zgjedhor nuk prodhon rezultat që premton ndryshim në qeverisje edhe pas zgjedhjeve. Krejt problemi është, si të vijmë deri të zgjedhjet demokratike, të pa manipulueshme, të lira dhe qeverisja e mirë.

“Bota sot”: Ditë më parë presidenti Hashim Thaçi deklaroi se në dialogun me Serbinë nuk do të ketë vija të kuqe, si e vlerësoni ju këtë, a mendoni se duhet të ketë vija të kuqe?

Jakup Krasniqi: Për Thaçin as deri më tani nuk ka pasur vija të kuqe. Shikoni, lexoni e analizoni Marrëveshjet e arritura në Bruksel, sidomos të prillit 2013 3 të gushtit 2015, ato flasim më shumë se kaq.

“Bota sot”: Cili mendoni se do të jetë kompromisi më i rrezikshëm në dialogun me Serbinë, dhe çfarë do të bëni si subjekt politik për të mos i lejuar kompromiset që po paralajmërohen?

Jakup Krasniqi: Nga ajo që po flitet këto ditë edhe nga ndërkombëtaret, po del se kompromisi është edhe më shumë sesa një Zajednicë e komunave serbe?! Sigurisht, jo vetëm defunksionalizim i institucioneve të shtetit?! Dhe kjo gjendje, po e përsëris që është pasoj e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, të arritura nga dy koalicionet e kaluara. E para edhe me mbështetjen e gjerë edhe të opozitës se atëhershme.

“Bota sot”: A duhet të përfshihet edhe opozita në dialogun me Serbinë?

Jakup Krasniqi: Dialogu nuk duhet të vazhdojë pa konsensusin nacional. Konsensusi duhet të arrihet në Kuvend. Tryezat politike vazhdojnë të jenë llafe koti. Apo siç thuhet “njëri thumbit e tjetri patkoit”.

“Bota sot”: Kush, sipas jush duhet të udhëheqë dialogun final me Serbinë?

Jakup Krasniqi: Kuvendi i Kosovës si organi përfaqësues i qytetarëve të Kosovës duhet ta legjitimojë atë që duhet ta vazhdojë dialogun. Çdo veprim tjetër është antikushtetues.

“Bota sot”: Vetëvendosje ka bërë tashmë një ftesë për një platformë tjetër sa i përket bisedimeve, a do t`i bashkoheni ju opozitës në këtë nismë?

Jakup Krasniqi: Platforma dhe delegacioni të miratohet në Kuvendin e Kosovës. Çdo përpjekje për imponim të cilësdo natyrë dhe ngado që vije është i dëmshëm.

“Bota sot”: Po ashtu, ka paralajmëruar padi ndaj Thaçit lidhur me politikën e jashtme, si e komentoni ju këtë?

Jakup Krasniqi: Padia në këtë situatë është më e vështirë sesa puna e “Sizifit”! Ky Sistem i Drejtësisë që është instaluar pas Luftës Çlirimtare në Kosovë, nuk është i gatshëm të mbrojë interesin nacional e as shtetëror.

“Bota sot”: Kuvendi i Kosovës po vazhdon të përballet me probleme të shumta në vendimmarrje, sipas jush, ku qëndron problemi?

Jakup Krasniqi: Problemi qëndron te papërgjegjësia politike e të zgjedhurve të popullit  dhe të mungesa e numrave për vendimmarrje. Papërgjegjësia është prodhim i liderëve të gjithëpushtetshëm të cilët vazhdojnë të kenë monopol në caktimin e kandidatëve për deputet dhe ndërhyrjet tjera gjatë procesit zgjedhor. Kjo praktikë në kontinuitet veçse sa e ka dëmtuar përfaqësimin qytetar në Kuvendin e Kosovës. Krahasimi i përfaqësimit qytetar, nëpër legjislatura, flet më se miri.

“Bota sot”: Zotëri Krasniqi a do të ndodh liberalizimi i vizave dhe formimi i Ushtrisë këtë vit?

Jakup Krasniqi: Gjatë këtyre viteve kemi humbur shumëçka për shkak të qeverisjeve të këqija. Pas gjithë kësaj që ka ndodhur, kemi ardhur në atë situatë që  as njëra çështje më nuk varet nga Ne. Për shkak të pozicionit inferior të njerëzve të politikës të krijuar nder vite.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test