Profesori i Oxfordit: Ndryshimi i negociuar i kufijve mund të normalizojë raportet Kosovë-Serbi

Intervista

Profesori i Oxfordit: Ndryshimi i negociuar i kufijve mund të normalizojë raportet Kosovë-Serbi

Më: 10 shtator 2018 Në ora: 08:33
Harta e Kosovës, fotografi ilustruese

Ndryshimi i negociuar i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe se një veprim i tillë do të normalizonte raportet midis dyja vendeve, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oxfordit, Richard Caplan.

Profesor Caplan, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po hyn në fazën përfundimtare. Presidentët (Hashim) Thaçi dhe (Aleksandar) Vuçiq kanë propozuar ndryshime kufijsh si marrëveshje, me arsyetimin se kjo do t'i jepte fund konfliktit qindra vjeçar ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Si e vlerësoni ju një ide të tillë? A mendoni se një marrëveshje e tillë do të sillte vërtetë përfundimin e epokës së konflikteve në Ballkan?

Richard Caplan: Luftërat që shkatërruan ish-Jugosllavinë në fillim të viteve të 90-ta u zhvilluan mbi bazën e ndryshimit të kufijve, duke filluar nga Sllovenia dhe Kroacia me kërkesat e tyre që te jenë shtete të pavarura. Megjithatë, këto kanë qenë ndryshime të njëanshme të cilat nuk u pranuan nga autoritetet Federale dhe dy Republikat tjera, Serbia dhe Mali i Zi. Këto ndryshime kufijsh u sfiduan në baza diplomatike, ligjore, politike dhe natyrisht ushtarake.

Sot, dallimi me situatën midis Kosovës dhe Serbisë është se ndryshimi i kufijve që po shqyrtohet, do të ishte një ndryshim i negociuar dhe rrjedhimisht paqësor. Ndryshimet konsensuale janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, dhe se një ndryshim i tillë është arritur edhe gjetiu, si për shembull, shpërbërja e Çekosllovakisë, në dy shtete: Çekinë dhe Sllovakinë më 1993. Ndryshimet konsensuale të kufirit u diskutuan (por pa sukses) edhe në konferencën për Jugosllavinë më 1991.

Përderisa ndryshimi i kufijve mund të zgjidhë një problem siç është pakënaqësia e serbëve të Kosovës në veri të lumit Ibër, dhe si shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ekziston mundësia që të shkaktojë në migrime të pakicave nga këto pjesë të Kosovës dhe Serbisë, pasi ato nuk do të dëshironin të jetonin nën autoritetin e një sovraniteti të huaj. Ata që do të mbesnin do të ndjeheshin me siguri më të pambrojtur. Kështu, potenciali për një konflikt të mëtejmë do të reduktohej nëse autoritetet kosovare dhe serbe do të përkushtoheshin të ndërmarrin masa për mbrojtjen e të drejtave dhe promovimin e interesave të këtyre pakicave, edhe pse rezultatet e deritanishme në këtë drejtim kanë qenë të përziera.

Ekzistojnë mendime të ndryshme se një ide e tillë e ndryshimit të kufijve mund të hapë ‘Kutinë e Pandorës’ dhe të ketë pasoja në tërë rajonin. Megjithatë, dy presidentët kanë potencuar se nëse dështojnë të arrijnë marrëveshje, pasojat për dyja vendet do të jenë të papërmirësueshme. Sipas jush, cila është rruga që duhet ndjekur në këtë ‘momentum’ të ri për rajonin?

Richard Caplan: Kanë ekzistuar shqetësime që moti se ndryshimi i kufijve në rajon mund të hapë ‘Kutinë e Pandorës’. Hezitimi për njohjen e shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, është bërë pikërisht për këtë arsye. "Ajo çfarë kemi bërë me Jugosllavinë, mund të zbatohet nga raste tjera", pati thënë në vitin 1991, ministri i Jashtëm francez Roland Dumas. Mirëpo, ende është vështirë të thuhet se njohja e shteteve të reja ka pasur ndikim në raste tjera. Shpërbërja e shteteve kudo ( Bashkimi Sovjetik, Çekosllovakia) ka qenë e mbizotëruar më shumë nga logjika e brendshme sesa nga perspektiva e njohjeve.

Shqetësime të ngjashme u vërejtën edhe me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës më 2008. Autoritetet ndërkombëtare ishin në veçanti të shqetësuara për pasojat që mund të ketë te serbët e Bosnjës. Megjithatë, kur Kosova e shpalli pavarësinë, autoritetet ndërkombëtare morën mundin të theksojnë dallimet midis dy rasteve, duke thënë se garantimi i pavarësisë për Republikën Serbe do të barazohej me pastrimin etnik, mbi bazën e të cilit serbët vunë dominimin në këtë rajon, dhe si e tillë do të ishte e papranueshme.

Ky ndryshim i theksuar qëndron i heshtur sot, por që nuk është i vetmi: çdo rregullim i kufirit që të jetë i pranueshëm do të duhej të kishte mbështetje të gjerë në udhëheqjen politike dhe popullatën e gjerë në Kosovë dhe Serbi. Ende nuk është e qartë nëse një mbështetje e tillë ekziston në dyja vendet por është më se e qartë se nuk ekziston në Bosnje dhe Hercegovinë ose në Maqedoni.

Nëse ndryshimi i kufijve arrihet me pajtueshmëri, kjo do të lejonte Serbinë dhe Kosovën të normalizonin raportet. Normalizimi i raporteve do t'ia mundësonte Serbinë dhe Kosovës to lëvizin përpara në rrugën e integrimeve evropiane.

Alternativa e kundërt kërcënon vazhdimin me një braktisje diplomatike, e cila Kosovën do të linte pa njohje të një numri të madh të vendeve, përfshirë pesë shtetet e Bashkimit Evropian. Njëkohësisht do ta linte me përpjekjet për integrimin e veriut të Kosovës. Nuk duhet të nënvlerësojmë pasojat e një shtyrje të afateve.

Image

Këshilltari për Siguri kombëtare i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, John Bolton, ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk e përjashtojnë korrigjimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, nëse palët pajtohen për këtë. Në anën tjetër, Gjermania dhe Britania Madhe janë më hezituese ndaj kësaj ideje. Si e komentoni këtë situatë?

Richard Caplan: Nuk është befasi që Shtetet e Bashkuara janë ‘agnostike’ për ndryshimin e kufijve pikërisht në këtë rast. Është e pritshme që ata të mirëpresin një marrëveshje që dërgon në përmirësimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, nuk është befasuese që Gjermania dhe Britania e Madhe, bashkë me disa shtete evropiane, kanë treguar më pak entuziazëm për këtë iniciativë, pasi ato frikësohen nga efektet që mund të ketë ndryshimi i propozuar i kufijve, pavarësisht mënyrës së veçantë dhe konsensuale që mund të arrihen këto ndryshime.

Gjithashtu, ekziston shqetësimi që ndryshimi i kufijve, reflekton përpjekjet për largimin e pakicave nga këto territore, në vend se të promovohet bashkëjetesa dhe shumëllojshmëria ndërmjet komuniteteve. "Lëvizja e kufijëve nuk do të rregullojë ndarjet, por do ti thellojë ato", kanë tërhequr vërejtjen, Carld Bild, Paddy Ashdown dhe Christian Scharz-Schilling, tre përfaqësues të lartë për Bosnjë Hercegovinën.

Kjo është hera e parë që këto dy vende ballkanike propozojnë zgjidhje të problemeve, përderisa gjatë gjithë historisë zgjidhjet u janë ofruar nga aktorë tjerë ndërkombëtarë. Si mund të menaxhohet kjo situatë nga komuniteti ndërkombëtarë në këtë epokë, kur kemi vlime të tensioneve në shumë rajone në botë. A mund të ketë propozime të ngjashme për zgjidhjen e problemeve edhe nga vendet tjera?

Richard Caplan: Është shumë e rëndësishme të theksohet se kjo zgjidhje po buron nga udhëheqja lokale sesa si rezultat i diplomacisë ndërkombëtare. Rregullimi i negociuar i kufijve mund të jetë bazë për zgjidhjen e konflikteve kudo, siç edhe ka qenë rastet (jo pa probleme) të Etiopisë dhe Eritresë dhe Sudanit me Sudanin Jugor. Është shumë e rrallë që një vend të ketë vullnet që të heqë dorë nga sovraniteti i një pjese të territorit. Somalilandi, në veri të Somalisë, që ka qenë i pavarur në gjitha aspektet, përveç emrit, që nga 1991, është dëshmi se sa e vështirë është një zgjidhje e tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat