S’ka korrigjim pa mbështetjen e SHBA-së, Ujmani, Mitrovica dhe Trepça të mos shkëmbehen me asgjë - Bota Sot
S’ka korrigjim pa mbështetjen e SHBA-së, Ujmani, Mitrovica dhe Trepça të mos shkëmbehen me asgjë

Intervista

E hënë, 22 tetor 2018

S’ka korrigjim pa mbështetjen e SHBA-së, Ujmani, Mitrovica dhe Trepça të mos shkëmbehen me asgjë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 17 shtator 2018 Në ora: 08:10
Liqeni i Ujmanit

Profesori i çështjeve juridike Muhamet Kelmendi, konsideron se sistemi i drejtësisë në Kosovë, mund të spastrohet nga korrupsioni, krimi dhe sistemi i kaluar vetëm me anë të Vetting-ut. Në intervistën ekskluzive për gazetën “Bota sot”, prof. Kelmendi ka folur për çështjen e keqpërdorimit të listave të veteranëve duke thënë se, kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi duhet të japë dorëheqje, sepse vetëm kështu lirohet prokuroria nga pozitat e të kapurit nga klanet e shtetit. Ai mendon se çështja e korrigjimit të kufijve, për të qenë serioze duhet të ketë mbështetjen e SHBA-së dhe që Ujmani, Mitrovica dhe Trepça mos të shkëmbehen me asgjë.

Image
Muhamet Kelmendi

“Bota sot”:  A mund të ketë drejtësi të pa ndikuar në Kosovë,  kur jemi një vend i vogël, ku njerëzit të gjithë njihen ose i gjejnë lidhjet dhe kur hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve u cenohet jeta private? 

Muhamet Kelmendi: Drejtësia në Kosovë duhet të jetë tjetër në krahasim me atë që e kemi. Aktualisht kemi drejtësi e cila varet kryesisht nga politika e lidhur me mekanizmat tejet të dëmshëm ekonomik. Këto de-baza e kanë kapur prokurorinë, policinë dhe gjykatat. Ato i komandojnë dhe në këtë anë nuk kemi drejtësi ligjore në kuadër të së drejtës, andaj kjo mundet dhe duhet të rregullohet. Mendoj se në disa mënyra mund të rregullohet:

1. Duke bërë kontrollin më të rreptë të sistemit të drejtësisë dhe të rendit në vend,

2. Duke bërë spastrimin e këtyre mekanizmave nga njerëzit e paaftë, të kapur pas pushtetit dhe që nuk kanë të kaluar të denjë, por të inkriminuar me krime etj. Kosovës i duhet një VETTING dhe përzgjedhja e kuadrit të aftë, të moralshëm dhe të përgatitur për punët juridike, të kuadrit që nuk inkriminohet dhe nuk vije nën ndikimin e politikës dhe të subjekteve ekonomike.

“Bota sot”: A ka mund të ketë në Kosovë,  një Gjyqësi dhe fushë të drejtësisë së pavarur, kur fatkeqësisht gjithçka që është në themelet e shtetit të Kosovës është rezultat i ndarjeve të interesave të “Komandantëve”, dhe atyre që kanë uzurpuar në mënyrën më primitive oksigjenin e shtetit?

Muhamet Kelmendi: Në Kosovë ka pasur mundësi të kemi sistem juridik shumë funksional. Polici të ligjshme, prokurori të mbështetur në normat procedurale dhe gjykata që vendosin në baze të Kodit Penal të Kosovës, kjo nuk është bërë. Janë disa shkaqe që e kanë ndërtuar këtë sistem: Së pari, kemi UNMIK-un që ka sjell në sistem njerëz të ish regjimit. Në polici policë dhe veprimtarë të sistemit Jugosllav. Ndërsa, në prokurori dhe nëpër gjykata ka vendosur kryesisht prokurorë dhe gjyqtarë të sistemit juridik të vjetër, të cilët të frikësuar nga e kaluara e tyre, janë vendosur nën kontrollin e politikës të subjekteve ekonomike dhe të mafisë oligarkie ekonomikë. Kjo ka mundur të mos ndodhi.

Por edhe pas shpalljes së pavarësisë, vazhdoi avazi i njëjtë. Të njëjtit nga politika vazhduan punën dhe këtyre iu shtuan shumën njerëz të tjerë që vinin nga lidhet krahinore, lokale, partiake dhe familjare. U mbushën zyrat e policisë, të prokurorisë dhe te gjykatave me njerëz të tillë. Kjo vazhdoi edhe më vonë madje futen njerëz në post, në KEK dhe në administratë kemi kështu një sistem tërësisht të varur dhe të shantazhuar. Pas shpalljes së pavarësisë, sikur të ishte shkuar çështja, nga përzgjedhja e kuadrit të kualifikuar, të pa nënshtruar, të moralshëm etj, jam i bindur se tjetër sistem do të kishim. Dhe kjo u bë me vetëdije nga partitë politike në pushtet dhe nga politikanët që e ndërtuan shtetin. Ata vendosën vetëm njerëzit e vet në organet e tilla. E natyrisht se shkonin duke i kaluar nga një shtyllë në shtyllën tjetër, nga një organ në organin tjetër, duke mos i ndërruar.

“Bota sot”: Si e shpjegoni rastin e Veteranëve dhe prokurorin Blakaj, i cili nga kupola e shtetit në vend që të merret në mbrojtje, sulmohet në mënyrë shumë barbare dhe të ulët?

Muhamet Kelmendi: Prokurori Blakaj ka bërë gabim të madh, pasi ai nuk është dashur të ikë dhe nga pozita e të larguarit t'i akuzojë. Është dashur të qëndrojë dhe me fakte të angazhohet në mbrojtjen e sistemit te drejtësisë në Kosovë. Por, këtë ai nuk e bëri dhe u tregua i frikshëm dhe tash jemi këtu ku jemi. Po ashtu nuk ka dilemë se te Veteranët ka krime dhe korrupsion. Është mirë që të hetohen rastet dhe të dilet me fakte ndër shesh. Por, nuk është në rregull që çështja të merr këto dimensione kaq të mëdha dhe shumë të rrezikshme për vendin, duke krijuar fërkime në kuadër të organeve të shtetit etj. Natyrisht se kërkohen masa dhe jam shumë dakord që kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi duhet të japë dorëheqje, sepse vetëm kështu lirohet prokuroria nga pozitat e të kapurit nga klanet e shtetit. Ai është prokuror i politikës por jo vetëm ai, pasi këtu është edhe Sylë Hoxha, z. Millaku e të tjerë. Pra të gjithë këta vijojnë nga lidhjet me politikën dhe me ekonominë iformale të firmave mafioze në Kosovë.

“Bota sot”: Si mund të pastrohet sistemi i drejtësisë nga të korruptuarit, por edhe nga ish- bashkëpunëtorët e sistemit të kaluar?

Muhamet Kelmendi: Sistemi i drejtësisë mund të spastrohet nga korrupsioni, krimi dhe sistemi i kaluar vetëm me Vetting. Ky mekanizëm juridik është i domosdoshëm dhe pa nxjerrë në dritë Ligjin mbi Spastrimin e Figurave në Sistemin e Drejtësisë dhe në Politikë në Administratë dhe në Polici, kurrë sistemi juridiko-politik, thjeshte shteti nuk do të ndërtohet në bazë të ligjit.

Këtu mendoj se duhet të nxirren jashtë këto subjekte fizike:

1. Të gjithë ata që vijnë nga ish- sistemi dhe që kanë qenë në shërbim e kanë kryer veprimtari antiligjore, e kësi malli kemi sa të duash dhe të mbushur organet e Kosovës. Po ashtu kemi në polici, në administratë, në prokurori, nëpër gjykata, në Kuvend, pra gjithkund  ku ka ata, po pengojnë shtetin ligjor.

2. Të largohen njerëzit që kanë pasuri dhe të cilën nuk mund të arsyetojnë me të ardhurat që i kanë. Natyrisht se ata deklarojnë forma e mënyra të ndryshme se gjoja e kanë fituar atë. Ka raste kur thirren në ndihma nga të afërmit dhe nga populli por, kjo nuk është një fakt që duhet pranuar. Nuk ka mundësi që çdo politikanë, prokurorë e udhëheqës në polici, gjyqtarë etj, të kenë ndihma të tilla. Kështu është edhe tek mafia ekonomike nëpër firma, ku kemi tërësisht një çrregullim me organet e financave, dhe të njëjtit nuk paguajnë tatim dhe taksa adekuate. Po ashtu kemi edhe raste, kur punëtorët shfrytëzohen nëpër masa të gjera skllavëruese.

“Bota sot”: Lufta Speciale që po e bën Serbia në Kosovë a mund të ndihmohet edhe nga bashkëpunëtoret e saj në Kosovë? A duhet të zbardhen listat dhe që institucionet t`i bëjnë publik këta bashkëpunëtore?

Muhamet Kelmendi: Problemi më i madh në Kosovë janë bashkëpunëtorët e hershëm dhe të tashëm të regjimit okupues serbomadh. Të tillë, sikundër thashë kem edhe në politikë, në polici, në prokurori, në administratë në gjykata, e ku nuk kemi njerëz të tillë. Këta njihen sepse nuk është vend i madh Kosova për të mos e njohur njëri-tjetrin. Përkundrazi, njihen bashkëpunëtoret e regjimit okupues serb, njihen ish- policët dhe odabashët kriminal, njihen gjyqtaret dhe politikanët e shërbimit serbo-jugosllav. E keqja është se këta po gjejnë mbështetje dhe po katapultohen në nivele më të larta të shtetit ose ata ose familjarët e tyre, të cilët janë shumë lehtë të shantazhuar dhe vihen shumë këtë në shërbim, duke i shantazhuar me të kaluarën e tyre apo të prindërve dhe të familjeve të tyre.

Prandaj këtu duhet doemos  ky sistem me VETTING që t`i nxjerrë jashtë detyrave të tilla. Nuk them të lihen pa të ardhme, por jo në pushtet dhe për të luftuar krimin na korrupsionin, për të ndarë të drejtën në Kosovë. 

Me këta është në rrezik shteti sepse këta duhet të largohen, sepse ka mjaft kuadro Kosova të rinj dhe të aftë të përgatitur dhe të moralshëm, ka po ashtu kuadro që nuk mund të kriminalizohen dhe të vihen nën shërbim të regjimit kriminal.

“Bota sot”: Të kalojmë tek situata politike, si i komentoni zhvillimet e fundit sa i përket dialogut me Serbinë?

Muhamet Kelmendi: Situata që po e kalojmë në raport me shtetin serb është e rëndë dhe natyrisht se këtë po e bënë të rëndë kryesisht Thaçi, pasi ai ka krijuar gjëra të vështira dhe shumë kontradiktore. Ato kanë ardhur nga diskutimet dhe mendimet e tija të paraqitura, e kryesisht herë për ndarje, herë për shkëmbim e herë për korrigjim të territoreve tona. Të gjitha këto terma e kanë në fund të fundit një përfundim: Ndryshimin e vijës kufitare me shtetin serb. Por, natyrisht se Kosova e ka një sistem juridiko-politik dhe një territor të caktuar dhe të sanksionuar me ligj dhe me Kushtetutë, e këtë nuk duhet ta shkeli askush. në të kundërtën bënë vepër penale të dënueshme sipas neneve 23,24 dhe 25 të KP të Kosovës, e ku dënimet shkojnë deri në burg të përjetshëm.

Pavarësisht pozitës, detyrës që e ke dhe nivelit që je, Kushtetuta është akt i pa negociueshëm. Ajo është marrëveshje e popullit me shtetin dhe atë askush nuk ka të drejtë ta shkeli. Andaj, nuk mendoj se ka njeri që nuk e dëshiron  zgjidhjen e problemeve me shtetin serb. Serbia dhe Jugosllavia ka bërë dëme të mëdha materiale dhe morale, pasi ky shtet i ka shkaktuar dëme të madhe popullit shqiptar, ku dihet mirë se mbi 13 mijë vetë janë të mbytur. Rreth 20 mijë femra janë të dhunuara dhe mbi 1 milionë shqiptarë të dëbuar. Pra këto janë fakte që duhet të bisedohen dhe të epet zgjidhja e duhur dhe adekuate.

Ndërsa, kur është fjala për ndërrim, korrigjim apo shkëmbim, është çështje që askush, pa Kuvend dhe popull nuk ka të drejtë të vendos, sepse këto janë të mundshme, por assesi me kokë në vete. Kuvendi është organi më i lartë dhe vetëm ai vendos, por kjo ndodh për ndërrim apo shkëmbim, korrigjim, pa Referendum nuk shkon, pasi është çështje e madhe dhe shumë problematike. Dhe natyrisht se kjo kërkon edhe ndryshim të Kushtetutës, sepse nuk mund të korrigjohet kufiri nëse në nenin 1 të Kushtetutës thuhet: “Territori i Kosovës është unik, i pandarë dhe i pa ndryshueshëm”. Ky përkufizim e ndalon çdo veprim andaj duhet të dal çështja në Kuvend dhe vetëm Kuvendi mund të vendos.

“Bota sot”: A mund të ndodhë “korrigjimi i kufijve” me Serbinë si e vlerësoni idenë e Presidentit Thaçi?

Muhamet Kelmendi: Nëse veç ndodh korrigjimi i kufijve apo shkëmbimi i territoreve unë kam këtë mendim :Jam që Ujmani, Mitrovica dhe Trepça mos të shkëmbehen me asgjë, përkatësisht me asnjë territor. Sepse këto janë këto vende të rëndësisë së veçantë për Republikën e Kosovës. Pjesët tjera, të banuara me serb, si Leposavici dhe fshatrat e Zubin Potokut , mund të shkëmbehen tërësisht me Luginën  e Preshevës. Andaj po e përsërisë edhe njëherë se me Luginën e Preshevës, si ka mundësi? Mendoj se këtë ndryshim mund të bëjë vetëm SHBA-ja. Nëse ky shtet, pra, politika në Uashington e z, Tramp, ka marrë vendim për ndryshim të kufijve atëherë  mund të ndodh domosdo. Por, këtë nuk po e tregon  Hashim Thaçi, pasi ai po sillet si "në lamë” dhe nuk vepron drejtpërdrejte. Thaçi duhet të kalojë gjendjen në Kuvend dhe aty të dalë para deputetëve dhe të tregojë ku dhe si qëndron gjendja. Por, kam mendim se korrigjimin e kufijve po e dëshiron pikërisht administrata e SHBA-ve. Por ku dhe si nuk e di ende?

Kjo duhet të shpjegohet nga Thaçi në Kuvend dhe të bëjë Kuvendin vendimmarrës, sepse nëse nuk bëhet kështu, po vazhdon loja e tillë politike, duke manovruar, por deri atëherë kemi vetëm lojë dhe asgjë tjetër. Por korrigjimi i kufijve, nuk është ide e Thaçit. Ai ka dal me mendim të tillë. Atë ide e  ka marrë kryesisht Franca në bashkëpunim me Rusinë, por është Parisi që e ka paraqitur idenë e korrigjimit në Uashington. Dhe, pikërisht atje vendoset, ndërsa kush e ka marrë iniciativën, thash se dihet, Franca me Rusinë. Po këtë e ka sjellë në Kosovë Thaçi. Andaj ai e ka për detyrë që këtë çështje të propagandoj dhe të bëjë të pa mundurën në drejtim të bindjes politike, për korrigjim të kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Bota sot”: Cilat janë pritjet tuaja sa i përket përmbylljes së bisedimeve me Serbinë?

Muhamet Kelmendi: Përfundimisht me shtetin serb duhet të bëhet marrëveshja, rreth çështjeve për të cilat fola më lart, dhe ajo duhet të përfundojë me njohje reciproke të dy shteteve tona. Po përveç çështjeve  që i theksova, nuk mendoj se duhet të hapen tema tjera, të paktën jo nga ne. Pa SHBA-të assesi nuk duhet Kosova të diskutojë për korrigjim apo shkëmbim të kufijve. Sepse çdo çështje duhet të bëhet në marrëveshje në mes veti, me Tiranën dhe me SHBA-të. Këto qendra duhet respektuat dhe pa ato assesi Kosova nuk duhet të futet në një lojë të rrezikshme.

“Bota sot”: A po manipulohet me çështjen e Luginës së Preshevës?

Muhamet Kelmendi: Derisa sa kjo çështje, ndërrimi i territoreve apo korrigjimi nëse nuk vihen në bashkëpunim me Kuvendin, popullin, Tiranën dhe SHBA-të, del se është lojë e Thaçit me popullin tonë në Kosovë dhe me ndjenjat nacionale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Bota sot”: Si ka mundësi që Presidenti i Serbisë të mbajë fjalime raciste  dhe luftënxitëse brenda territorit të vendit dhe të mos ketë autoritete për ta ndalur një fjalim të tillë?

Muhamet Kelmendi: Ka qenë e pritur se nga krimineli Vuçiq nuk do të kemi ndonjë fjalim harmonik me popullin tonë, pasi ai nuk ka ardhur në Kosovë për të kërkuar falje për dhunën dhe për terrorin serbomadh, as për vrasjet, përdhunimet dhe dëbimet masovike. Dhe këtë ka pasur mundësi ta bëjë me dhjetëra herë ai në Beograd, madje edhe nga atje të kërkojë falje. Por përkundrazi krimineli Vuçiq erdhi në Kosovë për të treguar se Kosova është e Serbisë dhe për të treguar se është ai Vuçiç që ka qenë ministër në kohën e kriminelit Millosheviç, i pandryshuar dhe i pamodifikuar, pa asnjë element demokratik, tipik fashist dhe kriminel i njëjtë. Pra ky ishte kulmi i tij si politikan dhe si njëri kriminel dhe dihet se me kriminelët kurrë nuk arrihet paqja, pasi kriminelet e njohin vetëm forcën.

“Bota sot”: Si mund të ndërrohet skena aktuale politike në vend dhe sa ka seriozitet tek partitë politike që të arrihet kjo? 

Muhamet Kelmendi: Gjendja politike në Kosovë ndryshohet me marrëveshje midis subjekteve politike, midis pozitës dhe opozitës. Dhe unë mendoj se për të ndryshuar duhen këto pika:

1. Kalimi i çështjes së bisedimeve me shtetin serb ne Kuvend, 2. Respektimin e Rregullores së Punës të Kuvendit dhe 3. Respektimin e vendimeve, rezolutave dhe të qëndrimeve të Kuvendit. Duke kthyer punën dhe kompetencat e shtetit në Kuvend, si Republikë parlamentare që jemi, rikthehet ligjshmëria dhe puna sigurisht se e merr të mbarën. Tërë kohën sa pushteti ekzekutiv e anashkalon Kuvendin, çështjet mbesin kontradiktore dhe nuk ka zgjidhje.

Andaj, Kuvendit duhet kthyer kompetencat e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, sepse këto i ka vetëm Kuvendi në Republikën Parlamentare.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test