Ka ardhur momenti që ne t’i kemi forcat tona të armatosura

Intervista

Ka ardhur momenti që ne t’i kemi forcat tona të armatosura

Nga: Arbnore Zhushi Më: 24 shtator 2018 Në ora: 10:37
Komandanti i FSK-së, Gjeneral Rrahman Rama

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Rrahman Rama, ka thënë se Lista serbe po vazhdon të mebtet problemi kryesor për formimin e ushtrisë së Kosovës.

Rama në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë se transformimi i FSK-së, tashmë është çështje politike dhe se për këtë do të vendos Parlamenti i Kosoës, ndërsa ka theksuar nevojën që Kosova të ketë ushtrinë e saj.

Rama ka përmendur dy arsyet se pse deputetët e Listës serbe duhet të votojnë për formimin e ushtrisë së Kosovës. Ai po ashtu ka konfirmuar se gjendja e sigurisë në territorin e Kosovës, është e mirë.

Rama ka folur edhe për marrëveshjen me KFOR-in, për intervenime në pjesën veriore të Kosovë.

Ndërkaq, në lidhje me zhvillimet e fundit me listat e veteranëve të luftës, ai ka pohuar se është intervistuar nga Prokurori për Zonën Operative të Shalës, derisa është shprehur i gatshëm të përgjigjet në çdo kohë para drejtësisë për aty ku ka vepruar ai.

Image
Komandanti i FSK-së Rrahman Rama, gjatë intervistës me gazetaren e "Bota sot"

“Bota sot”: AVONET, së fundmi, ka vlerësuar MSFK-në si një ndër tri ministritë me performancën më të mirë, duke theksuar se ka përmbush kriteret dhe ka zhvilluar politika të favorshme, po ashtu jeni vlerësuar si një prej institucioneve më të besuar tek qytetarët. Si e komentoni këtë vlerësim?

Rrahman Rama: Ne ndihemi të nderuar me gjithë këtë besueshmëri që e kemi prej qytetarëve të Kosovës. Nuk është vetëm ky vit, por ne qe pesë vite jemi institucioni më i besueshëm, gjithmonë duke përfshirë edhe Ministrinë e FSK-së, por edhe vet FSK-në. Kjo është falë angazhimit, përkushtimit, punës, disiplinës që e bëjnë të gjithë pjesëtarët e FSK-së, duke nisur nga ushtari e deri tek unë. Unë u jam mirënjohës dhe falënderues qytetarëve për mundësinë dhe besimin që na e kanë dhënë. Por është me rëndësi, që ne në çdo kohë dhe në çdo moment, jemi me qytetarin në aktivitetete të ndryshme, por edhe me punët, obligimet dhe misionin që e kemi. Misioni dhe detyra jonë është që t’i përkrahim institucionet, por në të njëjtën kohë të jemi të gatshëm t’i mbështesim qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Bota sot”: Cilat janë sfidat dhe të arriturat e FSK-së përgjatë këtyre 8 vjetëve që nga transformimi nga TMK-ja?

Rrahman Rama: Çdo proces i ka sfidat e veta, por unë mund të themi që kemi qenë me fat që në vitin 2009, kur është bërë transformimi i TMK-së në FSK, përgjegjësinë kryesore e ka pasur NATO-ja, që ta ndërtojë një institucion të ri në Kosovë, Forcën e Sigurisë së Kosovës. Që nga viti 2009 deri në vitin 2013, kur janë arritur këto kapacitete që i kemi aktualisht, që janë njohur nga Këshilli veriatlantik i NATO-s, normalisht se ka pasur sfida, si riorganizimi, ndërtimi i ri, kapacitetet e reja trajnuese, infrastruktura, pajisjet dhe trajnimet specialistike për mision. Nuk diskutohet që nuk kemi pasur sfida, por ia kemi dalë. Falë bashkëpunimit, koordinimit dhe përkrahjes që kemi pasur me partnerët tanë strategjikë, në këtë rast, SHBA-të dhe partnerët tjerë dhe bazuar edhe në standardet e NATO-s, ne gjithçka që kemi ndërtuar, që nga viti 2009, deri tash,  e kemi ndërtuar gjithmonë bazuar në standarde të NATO-s. Ekipet e NATO-s na përkrahin vazhdimisht në aktivitetet tona. Unë jam krenar që i prij këtij institucioni, gjithmonë duke u bazuar në besueshmërinë, por edhe me punën dhe angazhimin që e kemi. Secila njësi e din saktë se çka ka me arrit deri në fund të vitit.

“Bota sot”: Sa janë duke punuar institucionet për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës?

Rrahman Rama: Tash kjo është çështje politike, unë mendoj se të gjitha institucionet janë të vetëdijshme dhe janë duke punuar, sepse kjo nuk është vetëm interes i Ministrisë së FSK-së, por është interes nacional i Kosovës. Si çdo shtet normal dhe sovran, kemi të drejtë të kemi institucionin e sigurisë, Forcën e Armatosur. Ne jemi të gatshëm që të marrim detyra dhe përgjegjësi të reja, gjithmonë duke u bazuar në partneritetin e ngushtë me partnerët tanë strategjikë dhe qëllimi kryesor i joni është i NATO-s. Çdo dilemë që mund ta ketë dikush, u them se nuk jemi duke ndërtuar një forcë që paraqet rrezik për dikë. Ne po ndërtojmë një forcë që është në shërbim të qytetarëve, por besoj që është diçka e mirë edhe për gjithë rajonin. Shtyrjet e këtij procesi janë puro politike që të gjithë i dimë, por mendoj se ka ardhur momenti që ne t’i kemi forcat tona të armatosura. FSK-ja është institucion gjithëpërfshirës, kredibil dhe i gatshëm për transformim. Ne jemi të hapur për të gjithë. Jemi forcë multietnike dhe të gjithë qytetarët pa dallime etnike, kanë të drejtë të aplikojnë dhe të gjithë ata që plotësojnë kriteret, do të jenë pjesë e saj.

“Bota sot”: Qeveria e ka mitatuar pakon me ligjet për ushtrinë e Kosovës. Tash si do të formohet ushtria, kur dihet që NATO është për formimin e saj përmes ndryshimeve kushtetuese?

Rrahman Rama: Ne si Ministri e FSK-së, i kemi çuar tri ligjet në Qeveri. Qeveria me vendim unanim, ka vendosur për aprovimin e atyre ligjeve dhe tash janë në procedurë të rregullt në Parlamentin e Kosovës. Unë nuk dua të përzihem në punë të tjerëve, sepse nuk më takon, pasi është çështje politike, por e di që edhe grupet parlamentare dhe kemi pasur edhe kontakte, janë pro kësaj çështjeje.

Sa i përket deklarimit të NATO-s, ata kanë thënë se e përkrahin formimin e ushtrisë, bazuar në Kushtetutën e Kosovës. Këto tri ligje që i kemi çuar në Qeveri nuk janë jashtë Kushtetutës, por janë në kuadër të saj. Ne i kemi hartuar këto ligje dhe ato janë në përputhje të plotë me Kushtetutën, se nganjëherë dikush po keqinterpreton këtë çështje. Tash është çështje e parlamentit nëse e voton ose jo. Por, unë them që Kosova ka nevojë t’i ketë forcat e veta dhe ne jemi nën kontrollën civile demokratike dhe çdo urdhër që vjen nga lart, ne do ta zbatojmë.

“Bota sot”: Në rast se deputetët në Kuvendin e Kosovës, ia japin dritën jeshile pakos me ligjet, kur mendoni se do të mund të ndodhë transformimi?

Rrahman Rama: Në fakt, në momentin që merret vendimi, po e ripërsëris se ne jemi të gatshëm. Ne menjëherë do të nisim implementimin e planit të përbashkët që kemi hartuar me partnerët tanë. Është një plan 10-vjeçar që ne e kemi hartuar, duke u bazuar në analiza të bëra qe pesë vite përafërsisht. Kemi bërë edhe skenare, kemi nxjerrë strukturën dhe kemi qenë shumë të kujdesshëm, në kuptimin e buxhetit, duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të vendit tonë. Nuk ka logjikë që një institucion, në këtë rast Forcat e Armatosura, të bëhen barrë e buxhetit. Prej ditës së vendimit, ditës D, ne do ta implementojmë atë plan. Kjo nuk do të thotë që do ta zgjasim 10 vjet, por kjo varet prej interesave dhe prioriteteve shtetërore dhe varësisht prej situatës, ne do të veprojmë. I kemi njoftuar edhe institucionet se cilat janë idetë dhe qëllimet tona, të cilat do t’i përmbushim në afate të caktuara kohore.

“Bota sot”: Si bllokuese e formimit të ushtrisë, tash e një kohë njihet Lista serbe. Pos saj, a ka edhe ndonjë faktor që po e pengon formimin e ushtrisë?

Rrahman Rama: Duke u bazuar në Kushtetutën, ne kemi punuar ngushtë me partnerët dhe institucionet dhe i kemi njoftuar edhe partitë politike, në këtë rast edhe Listën serbe, por jemi bindur edhe ne, edhe institucionet, por edhe ndërkombëtarët, që nuk ka një progres në këtë drejtim. Ju keni dëgjuar edhe SHBA-të, që askush në këtë vend nuk e ka të drejtën e vetos. Bazuar në këtë, është marrë kjo iniciativë. Tash kjo është një problem politik. Nuk shoh ndonjë problem tjetër, përpos votave të deputetëve të Listës serbe.

“Bota sot”: Pse duhet të votojë Lista serbe ushtrinë e Kosovës?

Rrahman Rama: E para, ata që jetojnë dhe veprojnë, e kuptojnë realitetin që në Kosovë, ushtria është një mundësi e mirë për të gjithë qytetarët, është një mundësi e mirë për rininë, pa dallime. Ne në të ardhmen, do t’i kemi 5 mijë aktivë dhe 3 mijë rezervë, që do të thotë se mbi 10 përqind do të jenë të komuniteteve. Në këtë gjendje ekonomike në të cilën jemi ne, është vetëm një përfitim i tyre në aspektin e punësimit të tyre. E dyta, është shumë me rëndësi që institucioni që prodhon dhe ofron siguri për të gjithë qytetarët, është mundësi e mirë që komuniteti të ndihet më i sigurt, sepse kanë pjesëtarë të tyre aty.  Këto janë dy elementet kryesore.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale të sigurisë në vend, posaçërisht në veri?

Rrahman Rama: Ne jemi duke bashkëpunuar me të gjitha institucionet e sigurisë, si KFOR-in, Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Inteligjencës. Mund të them se nuk ka ndonjë indikacion që brenda vendit tonë ka ndonjë gjë të veçantë. Ne jemi të gatshëm për çdo sfidë që mund të vie në të ardhmen, por gjendja e përgjithshme e sigurisë në vend, është e mirë. Nuk ka ndonjë informatë deri në këtë moment që gjendja do të eskalojë ose ka diçka të jashtëzakonshme.

“Bota sot”: z. Rama, na flisni pak për kapacitetet e FSK-së? A duhet të rritet numri i pjesëtarëve?

Rrahman Rama: Në qoftë se flasim për mandatin aktual, nuk kemi nevojë se e kemi dëshmuar se jemi në funksion të plotë me këto kapacitete, misione dhe detyra që i kemi aktualisht. Në qoftë se flasim për të ardhmen, duke u bazuar në të gjitha analizat, ne do t’i kemi 5 mijë pjesëtarë aktivë dhe 3 mijë rezervë, por që kjo shkon me periudha të caktuara, pasi duhet të merren mendime nga shoqëria civile për seleksionimin. Pas kësaj duhen trajnime bazike me 9 javë. Do të thotë, e kemi të planifikuar që çdo vit të marrim rektrutë të rinj nga shoqëria civile.

“Bota sot”: Cili është bashkëpunimi me ushtrisë tjera të rajonit dhe më gjerë?

Rrahman Rama: Ne kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm që e kemi dëshmuar me aktivitetet tona të përbashkëta, që i kemi pasur në Kosovë, rajon dhe më gjerë. Përveç Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, që për probleme politike, me të gjitha vendet tjera të rajonit, kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Kemi bashkëpunim bilateral, marrëveshje të nënshkruara dhe jo vetëm me to, por edhe me partnerët tjerë, bëjmë planin strategjik. Një javë më parë kemi nënshkruar një marrëveshje të re me shtetin e Italisë dhe jemi në proces të nënshkrimit të memorandumeve të bashkëpunimit, edhe me gjashtë vende të tjera. Bazuar në këto marrëveshje, ne bëjmë planet e veprimit vit për vit, varësisht prej nevojave tona. Ne kemi dy herë në vit konferencën “FSK dhe partnerët”. Një e kemi pasur në fillim të prillit dhe tjetrën do ta kemi në fillim të nëntorit. Qëllimi është që t’i koordinojmë aktivitetet, t’i bëjmë kërkesat para partnerëve tanë. Ne saktë e dimë se çka do të bëjmë me SHBA-të, çka me Gjermaninë dhe çka me shtetet tjera. Ne kemi në gjashtë vende që studiojnë dhe që janë duke përfunduar akademitë ushtarake, duke përfshirë edhe Sprintin, që është një nga akademitë më prestigjioze në botë. Kemi në Gjermani, Turqi, Angli, Kroaci, Maqedoni dhe kemi akademinë tonë brenda institucionit.

Për çdo vit prodhojmë gjenerata të reja. Ne jemi krenarë me ato të arritura që i kanë pjesëtarët tonë, në akademi dhe kurse të ndryshme, që 95 përqind të tyre, kanë dal studentët më të mirë ndërkombëtarë. Kemi pasur rastin e Krenar Lahut, që ka dalë një nga studentët ndërkombëtarë më të mirë në SHBA.  Diçka e veçantë është partneriteti me Gardën e Ioëa-s, ne vetëm vitin e kaluar, kemi pasur mbi 100 aktivitete të përbashkëta dhe llogaritet në SHBA si partneriteti më i miri, edhe pse më i riu. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin. Jemi pjesë e shumë aktiviteteve me ushtritë e rajonit. Kemi pasur ushtrimin ndëkombëtar “Shqiponja 6”, ku kanë marrë pjesë 7 shtete, duke përfshirë edhe KFOR-in dhe të gjitha akterët tjerë që kanë të bëjnë me çështjet e sigurisë. Jemi në proces të planifikimit që në vitin 2020, do ta kemi aktivitetin “Shqiponja 6” që do të jetë më i madh se ky i këtij viti.

“Bota sot”: Në rast tensionesh, a ju lejohet juve si FSK të dilni në veri?

Rrahman Rama: Të jemi të sinqertë, ekziston një marrëveshje me letër e institucioneve të Kosovës, në këtë rast të KFOR-it. Neve nuk na ndal askush, por kemi një letër që jemi në koordinim me KFOR-in dhe ne mund të kryejmë detyra dhe operacione, bazuar në këtë mision. Dy vjet gati përafërisht, kemi pasur dy operacione të përbashkëta në pjesën veriore, në lumin Ibër dhe në Liqenin e Ujmanit. Por është e vërtetë, që ekziston marrëveshja, që pa koordinimin me KFOR-in, nuk mund të lëvizim në pjesën veriore.

“Bota sot”: Z. Rama, meqë keni qenë komandant i Zonës Operative të Shalës, si i komentoni zhvillimet e ditëve të fundit me listat e veteranëve?

Rrahman Rama: Unë nuk dua të thellohem, unë kam qenë pjesë e këtyre proceseve, atë çka mendoj që e kam menduar e kam thënë para Komisionit. Ky tash është një proces që ka të bëjë me drejtësinë dhe ia lëmë drejtësisë që të merret me këtë çështje.

Unë çka mund të them personalisht bazuar në përgjegjësinë që e kam pas edhe në të atë kohë, unë mund të garantoj për aty çka unë kam bërë dhe natën, ditën, 24 orë jam i gatshëm që të jap qoftë përgjegjësi, qoftë edhe sqarime. Unë e kam thënë mendimin tim në Komisionin qendror dhe unë kam qenë pjesë dhe jam intervistuar nga Prokurori dhe e kam thënë mendimin tim dhe qëndroj prapa asaj. Jap përgjegjësi për aty çka unë kam bërë dhe kam vepruar. Për diçka tjetër nuk mund të flas.

Ne e bëmë një komision, u morëm më shumë se 5-6 vjet me atë punë dhe në fund, si duket nuk po del mirë. Nuk e di se çka duhet bërë, duhet menduar pasi tash është çështje shtetërore që duhet me dal prej kësaj po e quaj kauze, po e them në atë kuptimin pasi kanë ndodhur shumë debate, shumë llafe koti dhe po bëhet shumë më e madhe se sa që duhet. Mirë, në qoftë se ka elemente që duhet të rishikohet, ia lëmë drejtësisë dhe secili që ka përgjegjësi le ta merr përgjegjësinë. Po absolutisht, me qëllimin më të mirë e ka nisur punën edhe Komisioni që fillimisht të rishikohen ato lista. Tash sipas të gjitha gjasave, na ka dalë edhe më keq. Tash duhet të shikohet cila është forma dhe metoda më e mirë që me dal prej kësaj situate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat