LDK e gatshme për zgjedhje, vendi po rrezikohet në të gjitha planet

Intervista

LDK e gatshme për zgjedhje, vendi po rrezikohet në të gjitha planet

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 3 tetor 2018 Në ora: 07:57
Fidan Rekaliu

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fidan Rekaliu, në një interviste ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë se LDK po përgatitet që në rrugë kushtetuese të ndërpresë këtë trend negativ me pasoja në jetën e qytetareve.

Ai ka potencuar se, LDK është në çdo moment e gatshme për zgjedhje, pasi vendi po rrezikohet në të gjitha planet. Rekaliu ka thënë se Lëvizja e kufjeve është ide e rrezikshme për vendin dhe më gjerë dhe është në kundërshtim me angazhimin tonë për promovim të vendit në formatin aktual.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend?

Fidan Rekaliu: Gjendja politike në vend më së miri testohet përmes gjendjes ekonomike e sociale të qytetarëve në njërën anë dhe po ashtu të perceptimit të përgjithshëm të opinionit lidhur me pritshmërie për të ardhmen. Të dyja këto tregojnë nevojë të madhe për ndryshim pasi vendi është në një krize të gjithanshme politike por jo vetëm.

“Bota sot”: Opozita ka paralajmëruar për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë në këtë muaj, pritet të ndodhë kjo?

Fidan Rekaliu: LDK po përgatitet që në çdo mënyrë, me mjete demokratike dhe në rrugë kushtetuese të ndërpresë këtë trend negativ me pasoja në jetën e qytetareve.

“Bota sot”: Sa po punon qeveria Haradinaj për të rinjtë e Kosovës?

Fidan Rekaliu: Qeveria është duke ushtruar detyrën e saj në një kaos të vërtetë të politikave dhe prioriteteve. Ajo të qartë e ka vetëm nevojën e ushqimit me poste, vende pune të pa merituara, apo tendere e favore ndërmjet 22 partnerëve në koalicion. Sigurisht politika dhe sjellje të tilla, ndikojnë keq tek rinia dhe mund të themi se jo vetëm që ka ndonjë përparim në këtë fushë, por ka edhe degradim të mëtejmë.

“Bota sot”: Sa do të ndikojë liberalizimi i vizave në ikjen e të rinjve nga ky shtet duke e pasur parasysh dëshpërimin që ata kanë?

Fidan Rekaliu: Liberalizimi i vizave është nevoje imediate e çdo te riu te Kosovës. Ne jemi munduar dhe do të vazhdojmë të punojmë e logojmë që një gjë e tille t'u mundësohet të rinjve tanë. Unë besoj se vizat janë jetike për te rinjtë tanë që duan të studiojnë në perëndim, të nisin biznese apo bashkëpunime me atje, të shohin praktika e eksperienca por edhe te marrin edukim mbi kulturën, rendin, rregullin dhe ligjin evropian në mënyrë që kur të jenë në Kosovë një rend dhe rregull të tillë ta kërkojnë e ndërtojnë edhe në Kosove. Më e rëndësishmja, lëvizja e lire u ndihmon të rinjve tanë në të gjitha sferat që ata angazhohen për të bërë karrierë.

“Bota sot”: Skandali i Veteranëve, a e dëshmoi edhe një herë se sa e dështuar është drejtësia në Kosovë?

Fidan Rekaliu: Nuk ka çfarë të thuhet me shumë në çështjen e veteraneve. Ndihemi keq për dëmtimin e vlerave të luftës e sakrificës për liri por edhe për dëmtimin e buxhetit.

“Bota sot”: Në sondazhet që po zhvillohen aktualisht LDK është e para, çka mendoni që i ka shtyrë qytetarët e Kosovës të kthejnë besimi tek LDK-ja?

Fidan Rekaliu: LDK është partia me e madhe në Kosovë. Edhe si përkrahje elektorale edhe si përmbajtje politike. Është më e madhja sepse vetëm ajo siguron shpresë për shtet ndërtim e shtet zhvillim. LDK është ne anën e vlerës intelektuale dhe ndërmarrësisë, sundimit të rendit dhe ligjit dhe integrimit në BE si rrugëtim pa alternativë. LDK së shpejti përkrahjen popullore do ta përkthejë në qeverisje për shtetin dhe qytetarin.

“Bota sot”: A është LDK e gatshme për zgjedhje të reja, duke i pasur parasysh polemikat e fundit në mes disa zyrtarëve partiak në LDK?

Fidan Rekaliu: LDK ka debate dhe qasje të ndryshme sepse është parti e madhe dhe është e hapur. LDK është në çdo moment e gatshme për zgjedhje, vendi po rrezikohet në të gjitha planet nëse nuk shkohet shpejt ne zgjedhje për t'u bërë ndryshimet e thella dhe kuptimplote në të mirë të ndryshimit të gjendjes së tanishme.

“Bota sot”: Aktualisht po flitet shumë për idenë e korrigjimit të kufijve, si do ta komentonit ju këtë ide?

Fidan Rekaliu:  LDK ka qenë e qartë sa i përket idesë apo temës së kufjeve. Kosova ka institucionet dhe rendin e saj kushtetues të cilin duhet ta respektojë e zbatojë. Në politika më afatgjate, Kosova dhe politika e saj, duhen pasur kujdes të mos zhvlerësojnë strategjitë dhe orientimet tona të hershme. Në përputhje me këto, konsideroj se Kosova po sillet keq dhe po dëmton rëndë kredibilitetin e saj si shtet i ri. Lëvizja e kufjeve është ide e rrezikshme për vendin dhe më gjerë dhe është në kundërshtim me angazhimin tonë për promovim të vendit në formatin aktual.

“Bota sot”:  Do të humbë Kosova partneritetin e saj me SHBA dhe vendet perëndimore nëse merret Lugina dhe jepet Veriu?

Fidan Rekaliu: Kosova, shqiptarët nuk mund, nuk duhet dhe nuk do ta humbasin partneritetin me SHBA/BE. Këtë s'duhet ta bëj me asnjë çmim. Arritjet tona në të kaluarën dhe udhërrëfimi jonë për të ardhmen është një drejtim: perëndimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat