“Përtej maleve tona”, vë në provë dashurinë e një çifti shqiptaro-serb në Mitrovicë

Intervista

“Përtej maleve tona”, vë në provë dashurinë e një çifti shqiptaro-serb në Mitrovicë

Më: 19 tetor 2018 Në ora: 16:28
“Përtej maleve tona”, vë në provë dashurinë e një çifti shqiptaro-serb në Mitrovicë

Etriti dhe Milena janë një çift shqiptaro-serb në Mitrovicë dhe personazhet e një filmi me metrazh të shkurtër, që rrëfen historinë e dashurisë së tyre në një moment vendimtar, kur Milena ka një shans të shkojë të jetojë në Oslo të Norvegjisë. Në filmin “Beyond our Mountains”, “Përtej maleve tona”, autorja dhe regjisorja amerikane Madeline Johnson shtjellon tensionin e dy jetëve të reja që mbartin mbi vete jo vetëm ndjenjat për njëri tjetrin, por edhe sfidat e së kaluarës dhe marrjes së një vendimi që mund t’u sakrifikojë të ardhmmen e dashurisë së tyre. Kolegia Keida Kostreci bisedoi me autoren, Johnson para shfaqjes sot të filmit në Festivalin e Filmit Crown Heights në Brooklyn të Nju Jorkut:

Zëri i Amerikës: Madeline, së pari desha të të pyes si të lindi ideja për të bërë këtë film, për të shkuar në Mitrovicë dhe zgjedhur pikërisht këtë temë?

Madeline Johnson: Në përgjithësi në filmat që krijoj, unë përpiqem t’i përgjigjem një pyetjeje të caktuar, përmes shtjellimit të një historie. Në këtë rast, pyetja ishte “Si mund t’i shërosh plagët?”, veçanërisht për këta personazhe që kishin pasur një marrëdhënie të vështirë. Unë kisha një shoqe që punonte në Kosovë dhe shkova dy herë për ta takuar dhe kur isha atje, e pashë sesa vend interesant, magjepsës dhe i bukur ishte kështuqë doja që ta vendosja historinë atje dhe t’i përpunoja temat më shumë atje.

Zëri i Amerikës: Pra fillimisht, kishit në mendje pyetjen sesi shërohen plagët, sidomos kur bëhet fjalë për një marrëdhënie dhe pastaj zgjodhët sfondin?

Madeline Johnson: Po, ajo që më shkoi nder mend ishte se Kosova dhe rajoni ku ajo ndodhet janë vetë në një proces shërimi dhe besova gjithashtu se do të gjeja mjaft mençuri nga përvoja në këtë drejtim, kështuqë u përputhën të dyja.

Zëri i Amerikës: A mund ta përshkruani pak procesin krijues dhe artitistik të prodhimit të filmit? Si i zgjodhët aktorët, ekipin realizues?

Madeline Johnson: Fillimisht punova për një kohë të gjatë për skenarin dhe kur mendova se kishte marrë një formë përfundimtare, i kontaktova njerëzit që njihja në Kosovë dhe u thashë që doja ta xhiroja filmin atje dhe pyeta nëse njihnin aktorë për rolet dhe takova disa nga personat që m’u sugjeruan. T’ju them të drejtën, u mahnita sesa të talentuar dhe të mrekullueshëm janë artistët me të cilët punova. Sa herë e shoh filmin jam mirënjohëse për pjesëtarët e kastit për nuancën që i dhanë, që e kuptuan vizioni tim, që më besuan mua dhe të cilët mund t’i ftoja që të ndanin perspektivën dhe përvojën e tyre. Në punën time, unë kam një proces bashkëpunues, kështuqë i pyesja aktorët nëse diçka u dukej e natyrshme, nëse do të donin të ndryshonin diçka dhe i besoja njohurive të tyre për atë që dinin apo kuptonin nga historia. Prandaj më pëlqeu shumë puna me njerëzit atje sepse sollën aq shumë mençuri dhe talent, duke bërë një punë të mrekullueshme.

Zëri i Amerikës: A mund të na flasësh pak më shumë për aktorët kryesorë, cilët janë ata, si i gjetët?

Madeline Johnson: Një nga miqtë e mi kishte punuar më parë me aktoren kryesore Gala (Shalipur), dhe e rekomandoi atë dhe pas një bisede në Skype, unë arrita menjëherë në përfundimin se kuptoheshim shumë mirë dhe ishte diçka shumë e veçantë. Ndërsa Vali (Krasniqi) që luan personazhin tjetër kryesor, m’u sugjerua nga kompania kinematografike me të cilën punova unë që kishte punuar më parë me të dhe foli shumë mirë për të. Ai ishte fantastik, shumë punëtor dhe solli shumë njohuri. Të dy ata së bashku kishin një natyrë bujare dhe të ngrohtë, prandaj ishte e lehtë për ta që të punonin së bashku, të ndihmonin njëri-tjetrin gjatë xhirimeve. Lidhja mes tyre ishte vërtet kuptimplote.

Zëri i Amerikës: Jam kurioze ta di se si ndikoi realiteti në terren, tensionet dhe fërkimet mes grupeve etnike, tek historia juaj dhe a e ndryshoi atë?

Madeline Johnson: Po. Unë kisha bërë punë kërkimore para filmit, Për shembull, një nga arsyet që pjesa më e madhe e filmit është xhiruar përjashta, ishte se dikush më tha se ta shtjelloje fabulën në ambjente të mbyllura do të ishte diçka e pazakontë, dhe përjashta ata ndjehen më mirë. Një nga aspektet e tjera që u përforcua atje, ishte të dëgjoje sesa i pranishëm ishte problemi i vizave, dhe pabarazisë në aftësinë për të udhëtuar. Kjo ishte një pjesë e rëndësishme e filmit dhe për mendimin tim vërtet domethënëse, sepse është e vështirë të duash dikë dhe të mos jesh në gjendje të jesh me ta në të njëjtën mënyrë që ata janë me ty.

Zëri i Amerikës: Ju flisni në film për procesin e vendimmarrjes në praninë e dhimbjes dhe kur pajtimi nuk ka përfunduar. Sa e pranishme është në këtë proces, e gjithë historia e së kaluarës në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve?

Madeline Johnson: Kur po e shpalosja historinë, unë nuk doja që ajo të ishte një lloj “Romeo dhe Xhulieta shkojnë në Ballkan”, nuk doja që të marrëdhënia e tyre të ishte një deklaratë e fortë në emër të komuniteteve të tyre. Pra megjithëse historia pas tyre ka një vend në rrëfenjë, në thelb është marrëdhënia mes këtyre individëve, është për atë që kanë ata në zemër dhe për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e tyre dhe se si në këtë moment të caktuar ata po marrin një vendim së bashku. Pra historia është për ta si njerëz. Dhe për mua ishte vërtet e rëndësishme që të mos ishte një deklaratë gjithpërfshirëse.

Image

Zëri i Amerikës: Dhe meqenëse është për këta dy persona si individë, a e shihni marrëdhënien e tyre si një aspiratë apo si pasqyruese të një realiteti, që gjithkush që vjen nga grupe të ndryshme që kanë pasur histori të vështirë dhe bien në dashuri, e ndjejnë kur janë së bashku?

Madeline Johnson: Një nga gjërat që më pëlqen në film është se funksionon në të dyja nivelet. Bën fjalë për ëndrrat që kemi, kur sheh diçka të bukur që do që ta arrish dhe sheh veten të largohesh prej saj. Në film unë doja të tregoja rrugën që mund të ndjekësh për të ecur përpara, por edhe sesi ndonjëherë dobësitë tona bëhen pengesë.

Zëri i Amerikës: E kuptoj që ju jeni artiste, regjisore dhe jo politikane, por desha t’ju pyes për diçka që ka qenë në lajme këto kohë. Kur është folur për idenë e shkëmbimit të territoreve, Mitrovica ka qenë në qendër të këtyre ideve. Shpesh thuhet se bashkë-ekzistenca është e pamundur. Cila ishte ideja që krijuat ju vetë në Mitrovicë?

Madeline Johnson: Është pyetje e vështirë dhe jam e kënaqur që ka njerëz më të mençur se unë që japin mendimin e tyre për këtë çështje. Unë personalisht kam dy lloj perspektivash: Njëra prej tyre, është aftësia njerëzore për të dashur veten dhe për të dashur njerëz ndryshe nga vetja jonë dhe kjo është frymëzuese për mua. Dhe del qartë në film. Kjo më jep shumë frymëzim dhe shpresë. Dhe nga këndvështrimi personal, unë vetë jam e përzier, jam afrikano-amerikane dhe polako-amerikane. Prindërit e mi, janë martuar tre vjet pas vendimit historik të Gjykatës së Lartë (për lejimin e martesave ndër-racore në vitin 1967). Ata për 15 vjet nuk patën fëmijë dhe kur e pyesja mamanë se pse, në fillim më thoshte se nuk donin fëmijë por më pas tha se shqetësoheshin se si do të ishte jeta për fëmijë, se bota përreth nuk do të na pranonte. Dhe unë mendoj shumë për një gjë të tillë, kur shoh se si gjërat kanë ndryshuar, kur kujtoj se si u thoshin atyre që do të ishte e pamundur por në fakt nuk ishte e pamundur.

Zëri i Amerikës: Pra ju keni shpresë dhe duke u nisur nga përvoja juaj personale, arrini në përfundimin që dashuria dhe humaniteti në fund fitojnë?

Madeline Johnson: Mendoj se e kemi parë gjatë gjithë historisë. Njerëz që duan njerëz të ndryshëm nga vetja. Kjo nuk është gjë e re, dhe është një forcë e fuqishme në botë dhe unë zgjedh të besoj tek kjo forcë.

Zëri i Amerikës: Keni plane ta shfaqni filmin në Kosovë dhe Serbi e veçanërisht në Mitrovicë?

Madeline Johnson: Po, do të më pëlqente. Tani filmi është në fazën e pjesëmarrjes në festivale, por do të ketë mundësi të tjera. Pa dyshim që do të kisha shumë dëshirë ta ndaja me ato komunitete.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat