Drejtësia po goditet nga ndërhyrjet politike, vettingu domosdoshmëri

Intervista

Drejtësia po goditet nga ndërhyrjet politike, vettingu domosdoshmëri

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 21 nëntor 2018 Në ora: 18:11
Adrian Gjoshi

Avokati Adrian Gjoshi ka thënë se hezitimi për t’i ndjekur rastet e profilit të lartë nga ana e prokurorisë dhe mungesa e aktgjykimeve dënuese ndaj tyre është tregues se duart e politikës janë të futura në sistemin prokurorial dhe në atë gjyqësor.

Gjatë një interviste për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të goditet nga ndërhyrjet politike dhe grupet e ndryshme të interesit.

Sipas tij, ekziston një numër shqetësues i qytetarëve në Kosovë të cilët pikërisht për këto shkaqe, nuk i besojnë më Prokurorisë së Shtetit.

Bota sot: A ka sistem të pavarur të drejtësisë në Kosovë?

Adrian Gjoshi: Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të goditet nga ndërhyrjet politike dhe grupet e ndryshme të interesit. Parimi i pavarësisë dhe paanshmërisë së sistemit të drejtësisë nuk duhet të jetë vetëm formal – i sanksionuar me kushtetutë dhe ligje, por duhet zbatuar për të gjithë dhe secilin pa dallim. Një shembull i ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë është rritja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve përmes vendimit ekzekutiv të Qeverisë. Rritja e pagave dhe plotësimi i kushteve për punëtorët e drejtësisë është domosdoshmëri, mirëpo një rritje e tillë është “zvogëlim” i integritetit të gjyqësorit.

Bota sot: A mendoni se është zgjidhje Vettingu?

Adrian Gjoshi: Pa dyshim, duke qenë se Kosova ende është një vend në tranzicion dhe ka probleme bazike me sundimin e ligjit, rishikimi apo Vettingu përmbajtjesor është domosdoshmëri shtetërore. Ky Vetting do të mundësonte që organet e drejtësisë të përfaqësohen nga njerëz të duhur dhe me integritet.

Bota sot: Korrupsioni në Kosovë a mendoni se është si pasojë e dështimit të drejtësisë?

Adrian Gjoshi: Sigurisht, korrupsioni si fenomen negativ vazhdon të jetë i pranishëm në shkallë të lartë, si pasojë e mos punës së duhur nga organet e drejtësisë. Hezitimi për t’i ndjekur rastet e profilit të lartë nga ana e prokurorisë dhe mungesa e aktgjykimeve dënuese ndaj tyre është tregues se duart e politikës janë të futura në sistemin prokurorial dhe në atë gjyqësor. Ta zëmë, prokuroria e shtetit shpesh perceptohet nga qytetarët si selektive dhe e padrejtë ndaj njerëzve të cilët nuk kanë fuqi financiare apo politike. Në anën tjetër, tregohet e verbër dhe e shurdhër për njerëzit të lidhur me politikën dhe me ndikim. Prandaj, ekziston një numër shqetësues i qytetarëve që nuk i besojnë prokurorisë së shtetit.

Bota sot: A është i nevojshëm Ligji “Antimafia” në Kosovë, dhe a mendoni  se ky ligj do ti zgjidhte shumë çështje?

Adrian Gjoshi: Ne si vend nuk është se vuajmë nga mungesa e ligjeve, por vuajmë dhe pësojmë shumë nga mungesa e zbatueshmërisë së tyre. Megjithatë, duhet pranuar se nevoja e “pastrimit” të sistemit të drejtësisë kërkon që të miratohen e zbatohen ligje të reja. Ashtu siç ka bërë Shqipëria e cila përveç ndryshimeve kushtetuese ka miratuar edhe pako me ligje të cilat kanë hapur rrugën e Vettingut. Njëjtë, edhe Kosova duhet të ketë gatishmëri institucionale që të ndodhë ky rishikim në mënyrë që të krijohen institucione të pavarura, të paanshme, të përgjegjshme dhe të fitohet besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Bota sot: Sa mendoni se janë të sigurt dëshmitarët e Speciales në Kosove?

Adrian Gjoshi: Duke e parë rëndësinë e dëshmive të dëshmitarëve, Gjykata Speciale ka paraparë mbrojtjen e tyre përfshirë sigurinë, mirëqenien fizike dhe psikologjike, dinjitetin dhe privatësinë e tyre. Mbetet të shihet se sa do të mund të mbrohen dhe përkrahen në praktikë.

Bota sot: A ka gjasa që të destabilizohet Kosova nga aktakuzat e para?

Adrian Gjoshi: Gjykata Speciale është plotësisht e funksionalizuar dhe çështja e ngritjes së aktakuzave duhet të jetë çështje e përpilimit të aktakuzave nga ana prokurorëve apo çështje e gatishmërisë së Gjykatës që të veprojë sipas aktakuzave. Sa i përket destabilizimit të mundshëm të vendit, vlerësoj se, si shtet por edhe si shoqëri duhet të tregojmë maturi gjatë gjithë këtij procesi duke treguar se nuk kemi arsye pse t’i ikim drejtësisë.

Bota sot: Cilat do të jenë pritjet nga kjo Gjykatë?

Adrian Gjoshi: Nëse Gjykata Speciale tregohet e paanshme, e pavarur dhe profesionale duke ndjekur këdo që dyshon se ka kryer krime, pavarësisht etnisë, atëherë mund të pritet drejtësi penale. Përndryshe, nëse Gjykata tregohet selektive duke ndjekur e gjykuar vetëm shqiptarët; kjo gjykatë do të jetë një dështim i radhës i drejtësisë ndërkombëtare.

Bota sot: Cilat janë aktakuzat dhe aktgjykimet për korrupsion dhe liberalizimi?

Adrian Gjoshi: Jo, tashmë Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e regjimit të vizave, dhe liberalizimi i vizave duhet të ndodhë së shpejti. Lufta kundër korrupsionit është luftë e përhershme dhe e vazhdueshme e cila e sfidon çdo shtet e shoqëri. Prandaj, mund të kërkohet luftë efektive dhe efikase kundër korrupsionit për t’u liberalizuar nga vizat, por jo edhe eradikim të korrupsionit, sepse në shkallë më të vogla korrupsioni është i pranishëm kudo në botë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat