10 fshatra të Skenderajt bëhen me ujësjellës

Kosova

10 fshatra të Skenderajt bëhen me ujësjellës

Më: 27 mars 2019 Në ora: 14:40
Pamje nga inaugurimi i sistemit të ujësjellësit për 10 fshatra të Komunës së Skenderajt

Ditën e sotme është bërë inaugurimi i sistemit të ujësjellësit për 10 fshatra të Komunës së Skenderajt, ku nga ky projekt do të përfitojnë mbi 11 mijë banorë.

I gjithë projekti ka kushtuar 1 milionë e 230 mijë euro. Sistem të ujësjellësit tash do të kenë fshatrat, Çubrel, Klladërnicë, Kopiliq i epërm, Kopiliq i poshtëm, Kostërc, Rakinicë, Turiçevc, Tushilë, Vojnikë dhe Kërnicë.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se ky projekt është shumë i rëndësishëm dhe i nevojshëm për banorët e fshatrave të Skenderajt.

Jashari: Nuk ka dyshim që sot është një ditë e lumtur për Kosovën

"Qasjen në ujë të pijshëm të pastër dhe të sigurt përfitojnë 11.080 banorë të këtyre fshatrave, me rrjet prej 128 km, 3 rezervuare dhe 1 stacion të pompimit. Vlera e këtij projekti është 1 milion e 230.000 euro. Falë bashkëpunimit me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kemi arritur qe ti sigurojmë mjetet edhe për kyqjet individuale me rreth 200.000 euro, qe ky sistem te menaxhohet në mënyrën me të mirë të mundshme nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica”. Se vërtetë sot është ditë e lumtur për banorët e Skenderajt kjo nuk ka dyshim, dua që me ju ta ndaj edhe një lajm te rëndësishëm. Komuna e Skenderajt është përfituese edhe e një projekti te ngjashëm. Ne vazhdimësi te Programit Mbështetës për Ujësjellës dhe Kanalizime në Zonat Rurale Faza e VI-të – Program qe financohet po ashtu nga Qeveria Zvicerane dhe Qeveria e Republikës se Kosovës do ndërtohet edhe një sistemit te ri te Ujësjellësit ku përfshihen edhe 11 fshatra të tjerë...ku do kenë qasje ne Sistem te Ujësjellësit edhe 12424 banore dhe kap vlerën prej 1 milion e 400 mije euro", tha ai.

I pari i Skenderajt u shpreh se komuna që e drejton ka pasur nevojë për investime të tilla, pasi sipas tij gjatë shekullit të kaluar nuk është investuar fare dhe gjatë luftës është vendi që është dëmtuar më së shumti. Për këtë arsye Jashari u shpreh se nevojiten ende investime për të zënë hapin e komunave të tjera.

Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli

Veseli: Përmes këtyre projekteve, po i përmirësojmë kushtet e jetës

"Ky është projekt i jashtëzakonshëm për qytetarët e komunës së Drenicës, ky është projekt i jashtëzakonshëm për të gjithë Republikën e Kosovës... Përmes këtyre projekteve po i përmirësojmë kushtet e jetesës, cilësinë e jetesës për fëmijët tanë që janë këta në rend të parë, pastaj për të gjithë banorët e kësaj zone", tha ai.

Kreu i Kuvendit ka premtuar mbështetje për projekte të tjera për komunën e Skenderajt, ku ai ka thënë se çdo kërkesë e kryetarit të kësaj komune do të ketë mbështetjen e institucioneve të Kosovës.

Ndërkaq, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, ka thënë se janë të lumtur që e kanë ndihmuar komunën në këtë projekt.

Lebet: Jemi të lumtur që e sjellim ujin këtu, uji është jetë

"Ne si qytetarë të Zvicrës jemi të lumtur të sjellim ujin këtu tek ju, uji është jetë. Qeveria e Zvicrës është shumë e lumtur që keni filluar që nga viti 99 deri më tani të keni mbulueshmëri në të gjitha komunat e Kosovës gati 90 përqind. Kjo po ashtu është punë e përbashkët e qeverisë zvicerane. Projekti jonë ka bashkëpunuar me kompaninë rajonale të ujësjellësit Mitrovica. Qeveria e Zvicrës është partnere në sektorin e ujërave për 20 vende dhe jemi shumë të lumtur për suksesin e arritur këtu", tha ai.

Përkrahje për komunën e Skenderajt ka premtuar edhe ministri i Financave Bedri Hamza.

Hamza: Projektet për Drenicën do të kenë vend në buxhetin e Kosovës

“Sot edhe këtu ku jemi kjo shkollë është rezultat i punës së institucioneve të Kosovës, është ujësjellësi, janë shumë rrugë, janë shumë projekte të cilat e kanë ndërruar pamjen edhe të këtij vendi edhe gjithandej Drenicës. Sigurisht që si ministër i Financave do të jem shumë i kujdesshëm që projektet të cilat kanë prioritet gjithmonë do të kenë përkrahjen dhe do të kenë vend në buxhetin e Kosovës", tha Hamza.

Ky projekt është realizuar me financimin e Qeverise Zvicerane dhe Qeverisë së Kosovës nëpërmjet Programit Mbështetës për Ujësjellës dhe Kanalizime në Zonat Rurale Faza e V-të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat