​Dega e Vetëvendosjes në Podujevë kallëzim për Agim Veliun dhe dy drejtorët e tij

Kosova

​Dega e Vetëvendosjes në Podujevë kallëzim për Agim Veliun dhe dy drejtorët e tij

Më: 19 nëntor 2020 Në ora: 15:05
Bahri Selimi

Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Podujevë, sot ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kundër ish-kryetarit Agim Veliu, drejtorit të planifikimit urbanistik, Durim Salihu, ish-drejtoreshës së inspeksionit, Florie Besholli, për ndërtimet pa leje në Komunën e Podujevës.

Sekretari i Qendrës së Vetëvendosjes për Podujevë, Bahri Selimi ka thënë se fillimisht kishin dërguar një kërkese për informacion në Drejtorinë e urbanizmit, për t’i marrë disa informata në lidhje me etazhitetin e ndërtimit, por edhe sipërfaqet e ndërtimit.

Selimi: Në fillim kemi marrë informacione nga drejtoria e urbanizmit

“Ne fillimisht kemi dërguar një kërkese me tri pyetje në drejtorinë e planifikimit urbanistik, pyetjet janë këto: Sa është etazhiteti i ndërtimit në zonën e qytetit? Sa është sipërfaqja minimale për ndërtim? Dhe sa është indeksi i shfrytëzimit të parcelës? Në përgjigjen me shkrim nga Drejtoria e planifikimit urbanistik, kemi marrë përgjigjet kështu: indeksi i shfrytëzimit të parcelës është 45 për qind, etazhiteti i ndërtimit është P plus shtatë, dhe sipërfaqja minimale për ndërtimin është dhjetë ari, apo njëmijë metra katrorë”, ka thënë Selimi.

Selimi thotë se ndërtimi i dy objekteve sa i përket etazhitetit dhe sipërfaqes është në kundërshtim me rregulloren e planit urbanistik, ndërsa njëri objekt ka plus tri më shumë, ndërsa tjetri është dy kate më shumë.

Selimi: Dy ndërtimet janë në kundërshtim me rregulloren e planit urbanistik

“Bazuar në këto përgjigje ne kemi konstatuar se dy ndërtime janë në kundërshtim me rregulloren e planit urbanistik. Objekti i parë është Beni Dona, i ndërtuar në qendër të qytetit i cili i ka karakteristikat e etazhitetit plus dhjetë, që del në kundërshtim me atë se çfarë ata kanë dhënë përgjigje vetë, dhe me këtë kuptojmë se etazhiteti ka kaluar plus tri kate. Ndërsa shfrytëzimi i parcelës është 100 për qind nga 45 për qind sa është e planifikuar. Objekti tjetër është i ndërtuar nga “Adriatiku SHPK”, gjithashtu në zonën e qytetit e cila etazhitetin e ndërtimit e ka P plus 9, që nënkuptojmë se kemi dy kate tejkalim të etazhitetit, ndërsa shfrytëzimi i parcelës është 100 për qind, që i bie se është në kundërshtim nga ajo që është 45 për qind”, ka thënë Selimi.

Selimi thotë se bazuar në provat që kanë dorëzuar, del se këta persona kanë bërë vepër penale, keqpërdorimin e detyrës zyrtare, andaj ka kërkuar nga prokuroria të iniciojë rastin dhe Gjykata Themelore të nxjerrë një aktgjykim për personat në fjalë.

Selimi: Gjykata Themelore të nxjerrë një aktgjykim të merituar për këta persona

“Bazuar në provat që sapo dorëzuam, e cila është përgjigjja me shkrim, dy fotografitë që e vërtetojnë këto dy ndërtime del se personat në fjalë kanë bërë vepër penale bazuar në nenin 368 dhe 422, keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar. Ne kërkojmë nga prokuroria që të inicio rastin dhe Gjykata Themelore të nxjerrë një akt gjykim të merituar për personat në fjalë”, ka thënë Selimi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat