Përkujtohet ish kryesuesi i Kuvendit Komunal të Obiliqit

Kosova

Përkujtohet ish kryesuesi i Kuvendit Komunal të Obiliqit

Më: 10 dhjetor 2018 Në ora: 15:24
Përkujtohet ish kryesuesi i Kuvendit Komunal të Obiliqit

Zyrtarë të komunës së Obiliqit kanë përkujtuar sot ish kryesuesin e Kuvendit Komunal Adem Preniqin në një vjetorin e vdekjes së tij.

Kryetari i komunës, Xhafer Gashi me bashkëpunëtorët e tij kanë bërë  homazhe tek varri i të ndjerit duke e çmuar lart punën dhe veprimtarinë e tij.

Gashi tha se veprimtaria e ish kryesuesit për qytetin e Obiliqit është e madhe. Sipas tij, i gjithë qyteti i Obiliqit krenohet me veprat e tij, pasi siç thotë ai, i ndjeri ka bërë çmos që komuna që udhëheq ai, të ketë një rritje të mirëqenies në gjitha aspektet.

Gashi: Ne krenohemi me veprat e tij

“Përjetësisht do të jetë në kujtimet tona, ne krenohemi me veprat e tij, po e ndjejmë mungesën, të gjithë po e ndjejmë, por është bërë traditë me thanë vetëm atëherë kur nuk i kemi. Andaj, lavdi e përjetshme punës dhe veprës së kryesuesit, profesorit tonë të nderuar”,  tha Gashi.

Ndërsa, kryesuesi aktual i Kuvendit Komunal në Obiliq Burim Gërguri,  u shpreh se falë punës së Adem Preniqit, asambelja komunale ka tanimë tjetër qasje. Ai theksoi se ka mësuar shumë prej tij në të gjitha fushat.

Gërguri: Të flasësh për profesorin nuk është e lehtë

“Ishte themelues i institucioneve të pasluftës, anëtar i Kuvendit në të gjitha legjislatuarat, deri në vdekje si kryesues i Kuvendit. Të flasësh për profen nuk është e lehtë, ishte dhe do të mbetet njeriu me virtytet më të larta kombëtare... një jetë të tërë kushtuar lirisë dhe ndërtimin të institucioneve të republikës së Kosovës” , tha Gërguri.

Përfaqësuesi i familjes Preniqi, Shefqet Preniqi tha se janë mirënjohës me gjithë këta që po e përkujtojnë vazhdimisht punën dhe sakrificën e Adem Preniqit.

Preniqi: Të shohim gjithë këta njerëz këtu për neve është një lehtësim

“Të shohim gjithë këta njerëz, gjithë këta kolegë,  bashkëpunëtorë në krye me kryetarin për neve është një lehtësim. Prandaj, brenda 360 ditëve profën që e përcollëm në botën e amshueshme për neve ka qenë një humbje shumë e madhe, por kur mendojmë se çfarë rrethi ka mbete për familjen është një lehtësim shumë i madh”, tha Preniqi.

Ish kryesuesi i Kuvendit komunal Adem Preniqi, ka vdekur para një viti nga një sëmundje e rëndë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat