Hashashi e kokaina vërshojnë shkollat, për dy muaj 276 të arrestuar - Bota Sot
Hashashi e kokaina vërshojnë shkollat, për dy muaj 276 të arrestuar

Kronikë e zezë

Hashashi e kokaina vërshojnë shkollat, për dy muaj 276 të arrestuar

Më: 21 prill 2019 Në ora: 13:56
Foto ilustrim

Për vetëm dy muaj, Policia e Kosovës ka arrestuar 276 persona për 217 raste të përdorimit të narkotikëve. Për këto raste janë ngritur 111 kallëzime penale. Më së shumti këto raste kanë ndodhur nëpër shkolla. Për dy vjet janë arrestuar 242 nxënës.

Mbrëmjen e 10 prillit policia kishte shoqëruar për në stacionin policor 5 nxënës të shkollës “Sami Frashëri” në Prishtinë. E arsyeja e kësaj ishte përdorimi i substancave narkotike nga ana e këtyre të miturve.

Por ky nuk është rasti i vetëm i përdorimit të substancave narkotike nga fëmijët. Nxënësit kosovarë duket se nuk po e kanë problem t’i përdorin ato nëpër shkolla. Marihuanë, hashash, kokainë, bimë kanabisi, fara kanabisi e ekstazia, janë lëndët që fëmijët po i marrin gjatë kohës kur janë në shkollë për të mësuar.

Në statistikat nga Policia e Kosovës thuhet se gjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti, kanë qenë 217 raste të abuzimit me substanca narkotike nga nxënësit.

“Janë 217 raste, 288 të dyshimtë, 276 të arrestuar, 51 të ndaluar, 270 shqiptarë, 1 serb, 17 të tjerë, 279 meshkuj, 9 femra, 31 raste të trafikimit, 186 raste të posedimit, asnjë rast i kultivimit, janë zhvilluar 146 operacione, ndërsa janë evidentuar 3 raste të grupeve kriminale”, thuhet në raportin e Policisë.

“111 raste të kallëzimeve penale janë bërë përgjatë dy muajve të parë të këtij viti”, bëhet e ditur në statistikat e policisë.

Ndërkaq në operacionet e policisë janë bërë edhe konfiskime të substancave narkotike tek nxënësit.

Gjatë janarit janë konfiskuar 98 kilogramë e 984.03 gramë marihuanë, 39.21 gramë kokainë dhe 4 hapa ekstazia.

Përgjatë muajit shkurt janë konfiskuar 2.54 gramë marihuanë, 278 kilogramë e 896.83 gramë marihuanë, 76.6 gramë kokainë dhe 81 hapa ekstazia.

Nga 2 dhjetori i vitit 2017 deri në 31 janarin e vitit 2019, në polici janë raportuar 153 raste në shkolla dhe rreth tyre.

“18 raste brenda objekteve shkollore, 68 raste në oborre të shkollave, 67 raste jashtë oborreve të shkollave, 525 raste në perimetrin e zonës 350 metër dhe jashtë perimetrit të sigurisë së shkollave”, theksohet në përgjigjen e policisë.

Ndërkaq në shkolla dhe rreth tyre, policia ka arrestuar 198 persona të dyshuar, prej tyre 66 nxënës dhe 132 persona të tjerë. Në perimetrin e sigurisë dhe jashtë saj janë arrestuar 644 persona të dyshuar, ku në mesin e tyre janë 242 nxënës.

Policia bën të ditur se prej 198 personave që janë arrestuar në shkolla dhe rreth tyre, 49 persona kanë qenë shpërndarës dhe 149 prej tyre përdorues. Ndërkaq nga të arrestuarit në shkolla dhe afërsi të tyre, 6 kanë qenë femra dhe 192 meshkuj.

Përgjatë viteve statistikat e përdorimit të substancave narkotike kanë përuar rritje. Nga viti 2016 deri në vitin 2018 numri i rasteve të përdorimit të substancave narkotike nga nxënësit është rritur dukshëm .

Gjatë 2016-ës janë shënuar 888 raste, gjatë 2017-ës 1732 ndërkaq në vitin 2018 ky numër është rritur në 1866.

Edhe numri i të dyshuarve, arrestuarve e të ndaluarve ka shënuar rritje përgjatë këtyre viteve.

Viti 2018 prin në statistika edhe për nga numri i konfiskimit të drogave.

119 kilogramë e 026.39 gramë heroinë u konfiskuan gjatë 2018-ës, 979 kilogramë e 794.63 gramë marihuanë, 11.58 gramë hashash, 1 kilogram e 489.33 gramë kokainë, 259 bimë kanabisi, 129.7 gramë fara kanabisi dhe 478.58 gramë ekstazi.

Kundër përdorimit të drogave nga fëmijët ishte shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai kishte thënë se ofrimi i drogave nga trafikantët tek fëmijët gjë e patolerueshme.

“Unë isha ndal te droga te fëmijët. Mundësia që trafikantë të ndryshëm të plasojnë droga te fëmijët e moshës minore. Kjo është e patolerueshme. Është dakordim i të gjithë neve që askush në Kosovë të mund t’u ofrojë fëmijëve droga. T’i rrezikojë fëmijët tanë”, pati deklaruar Haradinaj.

Llojet e drogave dhe ndikimi i tyre

Ekstazia është lloj i hapave të cilat ndryshe quhen edhe “pilula të dashurisë”. Është kimikisht e ngjashme me stimulantët dhe hallucinogjenet, duke prodhuar ndjenja të rritjes së energjisë, kënaqësisë, ngrohtësisë emocionale, dhe perceptimit të ndjeshëm dhe shqisor të kohës.

Kokaina është një pluhur apo pastë e bardhë e cila vepron si stimulant i fuqishëm. Kokaina nxirret nga gjethet e bimës së Kokës.

Kokaina i jep përdoruesit një ndjesi gjallërie shpirtërore dhe e vendos në një gjendje euforie, ajo rrit vetëbesimin e përdoruesit. Gjithashtu, shpesh përdoruesi provon një rritje të përkohshme të niveleve të gatishmërisë nervore dhe të energjisë dhe një mungesë të urisë, lodhjes dhe gjumit. Efekti i kokainës është shumë më i shkurtër se stimulantët e tjerë si Amfetamine duke arritur 1-2 orë maksimalisht.

Kanabisi është një bimë e cila gjendet në çdo cep te rruzullit tokësor, Materia qe zakonisht tymoset janë lulet e Marijuanës të cilat përmbajnë substancën psikoaktive THC (Tetra Hydro Cannabinol).

Marijuana konsiderohet kategori e veçante e substancave psikoaktive sepse mund të shkaktojë qetësim, stimulim dhe efekte të ngjashme me substanca të tjera.

Marijuana është substanca e vetme që tashme ka arritur të legalizohet në shumë shtete të botës. Shumica e tyre e kanë legalizuar vetëm në mënyrë mjekësore të këshilluara nga mjeku për Glaucoma, Ankth, Pagjumësi, Agresivitet, Mungese të oreksit. Marijuana përdoret edhe nga pacientët terminale me SIDA, Skleroze të shumëfishtë dhe kancer, për të trajtuar depresionin apo dhimbjet e lidhura me sëmundjen.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...