Avokati i Popullit ka pranuar 6 raste të ngacmimeve seksuale në vendin e punës, vetëm një i dënuar

Kronikë e zezë

Avokati i Popullit ka pranuar 6 raste të ngacmimeve seksuale në vendin e punës, vetëm një i dënuar

Më: 27 tetor 2019 Në ora: 14:36
Foto ilustrim

Komentet seksuale, prekjet e padëshiruar, kërcënimet dhe sulmet janë ende “të përhapura dhe të zakonshme” në ambientet e punës.

Për një rast të tillë, gjatë kësaj jave kanë raportuar edhe mediat. Ky rast ka ndodhur në Oden e Avokatëve të Kosovës.

Drejtori Ekzekutiv i Odës së Avokatëve të Kosovës, F.Sh, dyshohet se ka kërkuar favore nga një vajzë në lidhje më një pozitë në këtë institucion duke i kërkuar të shkojnë në hotel për të zhvilluar një intervistë.

Lidhur me rastet e ngacmimeve seksuale në vendin e punës, si në sektorin publikë, ashtu edhe në atë privat, lajmi ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës dhe Institucionin e Avokatit të popullit.

Vetëm gjatë këtij viti, rreth pesë raste të ngacmimeve seksuale që kanë ndodhur në vendin e punës, nëpër institucione publike dhe private janë raportuar në Institucionin e Avokatit të Popullit.

Ndërsa gjatë viti 2018 IAP ka pranuar një rast i cili ka qenë i monitoruar në Gjykatën Themelore dhe i njëjti ka përfunduar në vitin 2019.

Prej këtyre vetëm një rast është zgjidhur nga organi i drejtësisë, gjykata ka marrë aktgjykimin me të cilin i akuzuari është shpallur fajtor dhe atij i është shqiptuar dënimi.

Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

“Në bazë të mandatit të Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP), të përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Avokatin e Popullit, IAP pranon dhe heton ankesat nga çdo person i/e cili pretendon se i janë shkelur të drejtat dhe liritë nga autoritetet publike në Kosovë. Në kuadër të ankesave të pranuara janë edhe ankesat lidhur me ngacmimin seksual”, thuhet në përgjigjen e Institucionit të Avokatit të Popullit.

Sipas tyre nga katër ankesat që ka pranuar Avokati i Popullit gjatë viti 2019, tri raste kanë përfunduar me vendimin e IAP-së ndërsa një rast ende është në procedurën hetimore.

“Gjatë vitit 2018 IAP ka pranuar një rast i cili ka qenë i monitoruar në Gjykatën Themelore dhe i njëjti ka përfunduar në vitin 2019. Gjatë vitit 2019 IAP ka pranuar 4 ankesa përkitazi me ngacmimin seksual. Tri  raste kanë përfunduar me vendimin e IAP-së ndërsa një rast ende është në procedurën hetimore. IAP ka pranuar edhe një ankesë në vitin 2019 lidhur me ngacmimin seksual i cili ka ndodhur në institucionin privat”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga IAP.

Ndërsa nga organet e drejtësisë është zgjedhur një rast.

“Një rast është zgjidhur nga organi i drejtësisë, gjykata ka marrë aktgjykimin me të cilin i akuzuari është shpallur fajtor dhe atij i është shqiptuar dënimi”, thuhet në përgjigjen e zyrës së Avokatit të Popullit.

Ndërkohë, nga të dhënat e Policisë së Kosovës, thuhet se vetëm në gjashtë mujorin e këtij viti, janë rreth 20 raste të ngacmimeve seksuale në përgjithësi, të paraqitura polici.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat