Kontrabandoi migrantë, i akuzuari pranon fajin

Kronikë e zezë

Kontrabandoi migrantë, i akuzuari pranon fajin

Më: 6 nëntor 2019 Në ora: 13:34
Foto ilustrim

I akuzuari për kontrabandim me migrantë, Bashkim Isufi, e ka pranuar fajësinë, në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ali Uka, i cili më pas bëri rikualifikimin e veprës penale sipas Kodit të Ri Penal, i akuzuari Isufi deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Ai shtoi se është penduar për veprën e kryer dhe se asnjëherë nuk do të shoqërohet me njerëz që merren me punë të tilla.

Mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Feride Xani deklaroi se i akuzuari e ka pranuar fajësinë me vullnet të plotë dhe pa presion pas konsultimit me të.

Ajo i propozoi gjykatës që t’i merr parasysh rrethanat lehtësuese me rastin e shqiptimit të dënimit.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika seancën për shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar që të bëhet më 7 nëntor, në ora 9:00.

Ndryshe, në këtë rast i akuzuar ka qenë edhe Sali Krasniqi, mirëpo ai pas pranimit të fajit, nga Gjykata Themelore në Gjakovë, në maj të këtij viti, ishte dënuar me dy vjet burgim me kusht dhe 500 euro gjobë.

Ndërsa, rasti ndaj të akuzuarit Bashkim Isufi, ishte veçuar për shkak të mos sigurimit të prezencës së tij.

Sipas aktakuzës së ish-Prokurorisë Publike të Qarkut në Pejë, të ngritur më 16 qershor 2008, Bashkim Isufi dhe Sali Krasniqi ngarkohen me veprën penale “kontrabandim me migrantë”, nga neni 138, paragrafi1, lidhur me nenin 23 të KPPK-së.

Sipas aktakuzës, më 16 shkurt 2008, në Gjakovë, me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm të akuzuarit kanë marrë pjesë në kontrabandim me migrantë.

Në aktakuzë thuhet se në ditën kritike të pandehurit janë takuar me të dëmtuarin Agron Hoti dhe vëllain e tij, në lokalin e quajtur “Oita 4” në Gjakovë, ku të njëjtit janë marrë vesh për sasinë e të hollave prej 2800 euro, që ta dërgojnë atë për në Itali, me ç’rast i dëmtuari përmes mikut të tij, ia ka paguar shumën prej 400 euro, si dhe një telefon mobil në vlerë prej 400 euro, e krejt  këtë me qëllim që i dëmtuari të shkojë në Itali ku dhe është nisur, por është ndalur dhe kapur nga ana e policisë boshnjake në qytetin Vellika Klladusha të Bosnjës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat