​Mashtroi KEK-un me dezinfektues të duarve, arrestohet nga policia

Kronikë e zezë

​Mashtroi KEK-un me dezinfektues të duarve, arrestohet nga policia

Më: 14 maj 2020 Në ora: 19:40
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në veprat penale “mashtrim i konsumatorëve” dhe “mashtrimi i blerësve”.

Përmes një komunikate për media Policia ka njoftuar se i dyshuari kishte fituar një tender nga KEK-u për furnizim me dezinfektues për duar, por që nuk i është përmbajtur marrëveshjes duke sjell alkool me përmbajtje vetëm 40 për qind, teksa në marrëveshje ishte 70 për qind.

Kjo është komunikata e plotë e Policisë së Kosovës:

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), gjegjësisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit – Prishtinë (NJRHKEK), më 01.04.2020 ka pranuar informatë se në një tender të KEK-ut (tenderin me negocim në vlerë prej 26.336.00 euro), për furnizim me dezinfektues për duar, ka dyshime për keqpërdorime dhe veprimtari penale nga kompania fituese e tenderit.

Dyshohet se dezinfektuesi që kompania fituese ka sjellë nuk i përmbush kriteret e kërkuara, pasi që dyshohej se përmbajtja e alkoolit në dezinfektues të duarve nuk ishte 70% alkool, ashtu siç ishin kriteret (kërkesa). Hetuesit policorë, kanë bërë testimin dhe ekspertizën e dezinfektuesit në laboratorin e licencuar të Doganës së Kosovës dhe rezultati del se: dezinfektuesi kishte përmbajtje vetëm 40 % alkool.

Më këto veprime i dyshuari pronar i kompanisë: Sh.D. viti i lindjes 1977, mashkull dyshohet se ka kryer veprat penale: “mashtrim i konsumatorëve” nga neni 292 i KPRK-së dhe “mashtrimi i blerësve” nga neni 293 i KPRK-së.

I dyshuari pas intervistimit nga hetuesit policorë, me aktvendim nga prokurori kujdestar dërgohet në mbajtje për 48 orë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat