Aksidenti me dy të rinj të vdekur/ Arrestohet punonjësi i policisë dhe një drejtues mjeti

Kronikë e zezë

Aksidenti me dy të rinj të vdekur/ Arrestohet punonjësi i policisë dhe një drejtues mjeti

Më: 18 maj 2021 Në ora: 20:38
Ilustrim

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e dy të rinjve ndodhi mëngjesin e sotëm në Malësinë e Madhe.

Për pasojë një punonjës policie dhe një person tjetër janë arrestuar si shkaktarë të këtij aksidenti tragjik, ku viktima në këtë aksident mbetën dy të rinjtë Erglis Delaj dhe Serxho Kukaj.

Njoftimi i plotë:

Shkodër – Drejtoria Rajonale e SHÇBA Shkodër – Lezhë arrestoi në flagrancë 1 punonjës policie dhe 1 shtetas tjetër, pasi ndërsa drejtonin automjetet e tyre, janë përfshirë në një aksident të rëndë automobilistik, ku ndërruan jetë 2 shtetas

Në vendin e quajtur “Omaraj”, Njësia Administrative Gruemirë në Malësinë e Madhe janë përfshirë në aksident, një mjet tip “Audi” me drejtues shtetasin V. N., dhe një mjet tip “Mercedes Benz“ me drejtues shtetasin M.B., me të cilin udhëtonin si pasagjerë shtetasit S.K., 21 vjeç, dhe shtetasi E.D., 20 vjeç.

Automjetet e përfshira në aksident po udhëtonin me drejtimin Koplik – Shkodër. Drejtuesi i automjetit “Mercedez” pasi ka humbur kontrollin e mjetit është përplasur me kolonën e një muri rrethues. Si pasojë e kësaj përplasje ka gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasi S.K., ndërsa shtetasi E.D. ndërroi jetë teksa po transportohej për në spitalin rajonal.

I dëmtuar nga ky aksident ka mbetur edhe drejtuesi i automjetit “Audi“, i cili ndodhet i shtruar në repartin e kirurgjisë për shkak të dëmtimeve të marra.

Grupi hetimor ka siguruar pamjet filmike nga momenti i aksidentit dhe pas hetimeve në vendngjarje kryen arrestimin në flagrancë të shtetasve:

M.B., 19 vjeç;

V.N., 53 vjeç, me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë së Malësisë së Madhe.

Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat